Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë dhe vazhdon të jetojë.
Ndërsa mbështetëm Tomas Spenser Monsonin si profet, shikues dhe zbulues, si dhe si Presidentin e Kishës dhe D. Tod Kristofersonin si një Apostull dhe anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ne kemi parë dhe ndierë provat se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë dhe e gjallë. Zoti u foli atyre nëpërmjet të cilëve Ai rivendosi Kishën në ditët e fundit. Ai tha për ata se “mund të kishin fuqi për të ngritur themelin e kësaj kishe dhe për ta nxjerrë atë nga terri dhe errësira, të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi faqen e tërë dheut, me të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur, duke i folur kishës në mënyrë kolektive dhe jo individuale –
Sepse unë, Zoti, nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit;
Megjithatë, ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet;
Dhe ai që nuk pendohet, prej tij do të merret edhe drita që ka marrë; sepse Shpirti im nuk do të ndeshet gjithmonë me njeriun, thotë Zoti i Ushtrive.”1
Kjo është Kisha e vërtetë, e vetmja Kishë e vërtetë, sepse në të janë çelësat e priftërisë. Vetëm në këtë Kishë Zoti ka depozituar fuqinë për të vulosur në tokë dhe për të vulosur në qiell, ashtu si bëri në kohën e Apostullit Pjetër. Ata çelësa iu rivendosën Jozef Smithit, i cili atëherë u autorizua t’ua dhuronte ata anëtarëve të Kuorumit të të Dymbëdhjetëve.
Kur Profeti Jozef u vra, armiqtë e Kishës menduan se Kisha do të shuhej. Ata menduan se ajo ishte krijimi i një njeriu të vdekshëm dhe prandaj do të mbaronte me të. Por shpresat e tyre u zhgënjyen. Ajo ishte Kisha e vërtetë dhe kishte edhe fuqinë që të vazhdonte të jetonte, edhe kur të vdisnin ata që ishin zgjedhur për ta drejtuar për një periudhë kohe.
Ne kemi parë sot një vërtetim se kjo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë. Çelësat e priftërisë mbahen nga të vdekshëm, por rruga është përgatitur nga Zoti që çelësat të mbeten në funksionim në tokë për aq kohë sa njerëzit të ushtrojnë besim, dhe që çelësat janë në tokë, dhe se janë kaluar sipas vullnetit të Perëndisë tek shërbëtorët e Tij të zgjedhur.
Njerëzit e Perëndisë jo gjithmonë kanë qenë të denjë për përvojën e mrekullueshme që kemi ndarë sot. Apostujt, pas Ngritjes së Krishtit, vazhduan t’i ushtronin çelësat që Ai u la. Por për shkak të mosbindjes dhe humbjes së besimit nga anëtarët, Apostujt vdiqën pa ia pasuar çelësat pasardhësve. Ne e quajmë atë episod tragjik “Braktisja”. Nëse anëtarët e Kishës në ato ditë do të kishin patur mundësinë dhe vullnetin për të ushtruar besim si juve sot, Zoti nuk do t’i kishte marrë nga toka çelësat e priftërisë. Prandaj, kjo është një ditë me kuptim historik dhe rëndësi të përjetshme në historinë e botës dhe për fëmijët e Atit tonë Qiellor.
Tani detyra jonë është të mbetemi të denjë për besimin që na duhet neve, që të plotësojmë premtimin tonë për të mbështetur ata që janë thirrur. Zoti ishte shumë i kënaqur me Kishën në fillimin e Rivendosjes, ashtu si është dhe sot. Por Ai i paralajmëroi anëtarët atëherë, ashtu si bën tani, që Ai nuk mund ta shohë mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit. Që ne të mbështesim ata që u thirrën sot, duhet të shqyrtojmë jetën tonë, të pendohemi sipas nevojës, të premtojmë se do të mbajmë urdhërimet e Zotit dhe të ndjekim shërbëtorët e Tij. Zoti na paralajmëron se nëse nuk i bëjmë këto gjëra, Fryma e Shenjtë do të tërhiqet, do të humbasim dritën që kemi marrë dhe nuk do të jemi në gjendje të mbajmë premtimin që kemi bërë sot për të mbështetur shërbëtorët e Zotit në Kishën e Tij të vërtetë.
Secili prej nesh duhet të bëjë një vlerësim vetjak. Së pari, duhet të masim thellësinë e mirënjohjes tonë për anëtarësinë në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit. Së dyti, duhet të mësojmë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, në çfarë drejtimesh mund të veprojmë më mirë për të mbajtur urdhërimet.
Ne e dimë nga profecia se jo vetëm Kisha e vërtetë dhe e gjallë nuk do të merret më nga toka, por do të bëhet edhe më e mirë. Jeta jonë do të shndërrohet për më mirë kur ushtrojmë besim për pendesë, e kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin dhe përpiqemi edhe më fort për të mbajtur urdhërimet e Tij. Shkrimet e shenjta përmbajnë premtime se kur Zoti do të vijë përsëri tek Kisha e Tij, Ai do ta gjejë atë shpirtërisht të përgatitur për Të. Kjo duhet të na bëjë edhe të vendosur, edhe optimistë. Ne duhet të bëjmë më mirë. Ne mundemi. Dhe ne do ta bëjmë.
Në këtë ditë, do të ishte veçanërisht e mençur të vendosnim që të mbështesim me besimin tonë dhe lutjet tona të gjithë ata që na shërbejnë në mbretëri. Personalisht jam i ndërgjegjshëm për fuqinë e besimit të anëtarëve të Kishës në mbështetjen e atyre që janë thirrur. Pak javët e fundit i kam ndierë në mënyra të fuqishme lutjet dhe besimin e njerëzve që nuk i njoh dhe që më njohin vetëm si dikë të thirrur për të shërbyer me anë të çelësave të priftërisë. Presidenti Tomas S. Monson do të bekohet nga besimi juaj mbështetës. Edhe mbi familjen e tij do të derdhen bekime gjithashtu, për shkak të besimit tuaj dhe lutjeve tuaja. Të gjithë ata që u mbështetën nga ju sot, do të mbështeten nga Perëndia për shkak të besimit të tyre dhe tuajit.
Çdo anëtar do të ketë mundësi të mbështesë nëpërmjet shërbimit të dhënë në emrin e Perëndisë. Kisha është një forcë e pushtetshme për bekimin e anëtarëve të saj dhe të të gjithë njerëzve në të gjithë tokën. Për shembull, Kisha ka dhënë ndihmë humanitare të mrekullueshme në mbarë botën. E gjitha kjo bëhet e mundur për shkak të besimit të anëtarëve dhe të miqve se Perëndia jeton dhe se Zoti dëshiron të ndihmojë të gjithë ata që janë në nevojë, tek të cilët Ai mund të shkojë nëpërmjet dishepujve të Tij besnikë.
Përveç kësaj, pikërisht nëpërmjet Kishës dhe ordinancave që janë në të, bekimet e fuqisë vulosëse mbërrijnë në botën e shpirtrave. Kjo është një Kishë e vërtetë dhe e gjallë, që mbërrin edhe tek ata që nuk jetojnë më. Kur ju keni besimin që të gjeni emrat e paraardhësve tuaj, kur ju shkoni në shtëpinë e Zotit për t’u ofruar atyre ordinanca mëkëmbëse, ju mbështesni këtë vepër të madhe, qëllimi i së cilës është t’i ofrojë shpëtim të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor, që vijnë në këtë botë.
Dëshiroj të flas për disa nga arsyet pse unë kërkoj mirënjohje për një Kishë të vërtetë e të gjallë. Pastaj do të sugjeroj disa mënyra në të cilat shoh se Kisha po përgatitet për kthimin e Shpëtimtarit. Dhe së fundi, do të jap dëshminë time sesi mbërrita në dijen se kjo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë.
Mbi të gjitha, jam mirënjohës për përvojën time të fuqisë pastruese të disponueshme nëpërmjet ordinancave të kryera me anë të fuqisë së priftërisë. Kam ndierë faljen dhe pastrimin nëpërmjet pagëzimit prej atyre që kanë autoritetin. Kam ndierë djegien në kraharorin tim që është e mundur vetëm për shkak të fjalëve të thëna nga shërbëtorët e Perëndisë: “Merrni Frymën e Shenjtë.”
Ndjenja ime e mirënjohjes rrjedh gjithashtu edhe nga bekimet për familjen time. Është fuqia vulosëse dhe dijenia jonë për të që ndryshon dhe shndërron jetën tonë familjare këtu dhe pritshmërinë tonë për gëzimin e jetës familjare në botën që do të vijë. Mendimi dhe shpresa që unë mund të kem marrëdhënie të përjetshme, më mbart nëpër sprovat e ndarjes dhe vetmisë, që janë pjesë e ekzistencës në vdekshmëri. Premtimi për besnikët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është se mund të kemi marrëdhënie dhe zgjerim të familjeve në përjetësi. Ajo siguri i ndryshon për gjithmonë dhe i përmirëson të gjitha marrëdhëniet tona në familje.
Për shembull, jam në një fazë të jetës sime kur, për shkak të largësive të mëdha, nuk mund t’i njoh mirë nipërit e mbesat dhe, përfundimisht, stërnipërit e stërmbesat. Ka edhe njerëz që nuk e kanë patur kurrë mundësinë e martesës dhe të të qenit prindër, që janë të etur po ashtu si unë, që në një farë mënyre të jenë pranë familjes. Për shkak të rivendosjes së dijenisë për familje të përjetshme, ne kemi më shumë shpresë dhe jemi më të dashur në të gjitha marrëdhëniet tona familjare. Gëzimet më të mëdha në këtë jetë përqendrohen tek familja, siç do të jetë në botën që do të vijë. Jam tepër mirënjohës për sigurinë që kam që, nëse jemi besnikë, po ai shoqërim që gëzojmë këtu në këtë jetë, do të jetë përgjithmonë me ne në botën që do të vijë, në lavdinë e përjetshme.2
Unë mund të shoh provat e përsosjes së profetizuar të Kishës. Për shembull, kur udhëtoj dhe njihem me anëtarë të Kishës, e shoh se ka një përmirësim të qendrueshëm në jetën e tyre. Në besimin dhe bindjen e tyre të thjeshtë, Shlyerja po i shndërron dhe po i ngre moralisht anëtarët. Shpesh jam në mbledhje me njerëz pa dyshim të përulur, që lejohen të zhvillojnë mësime dhe të japin predikime që kanë fuqi si ajo që iu dha Lehit dhe Nefit, bijëve të Helamanit. Ju kujtohet rrëfimi:
“Dhe ndodhi që Nefi dhe Lehi predikuan mes Lamanitëve me fuqi dhe autoritet kaq të madh, pasi iu dha atyre fuqi dhe autoritet, që të mund të flisnin dhe gjithashtu se ç’duhej të flisnin.”3
Unë kam besim se dëshira e përsëritur e Presidentit Gordon B. Hinkli do të plotësohet. Ai na mësoi se të gjithë ata që vijnë në Kishë mund të mbahen në shoqërim të plotë nëse ushqehen me fjalën e mirë të Perëndisë. E kujtoj duke thënë se fjalët e fundit që do të mund të thoshte në përfundim të shërbimit të tij do të ishin “mbajtje e të kthyerve, mbajtje e të kthyerve, mbajtje e të kthyerve”. Fjalët e tij vazhdojnë të jetojnë në udhëheqjen e Presidentit Monson dhe tek të gjithë ne, kur kualifikohemi për të patur fuqinë e një Lehi dhe të një Nefi për të ushqyer me fjalën e mirë të Perëndisë. Unë kam besim se ju do të vazhdoni, ashtu si dhe unë, të habiteni nga shenjtorët e përulur të ditëve të mëvonshme që japin mësim shtëpie, mësim vizitash dhe u flasin miqve të tyre joanëtarë me fuqi gjithnjë e më të madhe.
Për vite kemi kujtuar fjalët e Presidentit David O. MekKei: “Çdo anëtar një misionar”. Kam besim se po vjen dita që, nëpërmjet besimit të anëtarëve, do të shohim një numër më të madh njerëzish që ftohen të dëgjojnë fjalën e Perëndisë, që pastaj vijnë në Kishën e vërtetë dhe të gjallë.
Është edhe një përmirësim tjetër që kam besim se do të vijë. Familjet në të gjithë Kishën po kërkojnë mënyra si të forcojnë dhe mbrojnë fëmijët e tyre nga të ligat që i rrethojnë. Në disa raste ata prindër po përpiqen me dëshpërim të kthejnë disa nga familja e tyre që kanë shkuar në rrugë të gabuar. Kam besim se do të ketë, gjithmonë e më shumë, një shpërblim të dhënë nga Perëndia për përpjekjet e tyre. Ata që nuk heqin dorë asnjëherë, do të shohin se Perëndia nuk heq dorë asnjëherë dhe se Ai do t’i ndihmojë ata.
Shumë nga kjo ndihmë do të vijë prej atyre të thirrur për të shërbyer në Kishë. Dëshira për t’u shërbyer të tjerëve do të rritet saqë shumë njerëz, ashtu si Peshkopi i ri Tomas Monson, do të frymëzohen me mënyra praktike për të ftuar dhe nxitur ata që mundet, për një farë kohe, të mos kenë njohur bekimet që Perëndia ka ruajtur për ata. Presidenti Monson i kujton edhe sot njerëzit për të cilët është munduar që t’i shpëtojë kur ishte peshkopi i tyre. Shpresa ime do të ishte që të gjithë ne do të kemi besimin, që Perëndia do të na udhëheqë, për t’u dhënë shërbim atyre që Perëndia do të na bënte të merrnim me vete, kur të shkojmë në shtëpi tek Ai.
Një tjetër përmirësim që shoh duke ardhur në mbretëri, është një dëshirë dhe aftësi për të ndihmuar të varfërit dhe ata në nevojë. Kam parë një rritje habitëse të keqardhjes së anëtarëve të Kishës për viktimat e fatkeqësive natyrore në të gjithë botën. Në njoftimet e vdekjeve, shoh familjet që kërkojnë që dhurimet t’i dërgohen Fondit të Qarkullueshëm Arsimor ose Fondit të Ndihmës Humanitare të Kishës.
Profeti Jozef Smith e pa atë zhvillim të mrekullueshëm. Ai tha se kur një person bëhet vërtet i kthyer në besim, ai apo ajo do të dëshirojë të udhëtojë nëpër botë duke u kujdesur për fëmijët e Atit Qiellor.4 Kjo tashmë po fillon të ndodhë midis shumicës së anëtarëve të Kishës. Ajo që është e mrekullueshme për mua është se, modeli i dhënies atyre në nevojë, shtrihet tek ata që kanë pak për vete dhe duket se nuk ndikohet nga fakti nëse jemi në kohë të mira apo të vështira ekonomike. Kjo është provë për mua se Shlyerja po vepron edhe më efektivisht midis anëtarëve.
Dëshmia ime, se kjo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë, filloi në fëmijërinë time. Një nga kujtimet e mia më të hershme është ai i një mbledhjeje konference që nuk mbahej në ndonjë vend si ky, por në një dhomë të marrë me qera të një hoteli. Po fliste një burrë që nuk e njihja dhe nuk ia di emrin as sot. Dija vetëm se ai ishte dikush i dërguar në distriktin tonë të vogël në terrenin e misionit nga dikush që mbante priftërinë. Nuk e di se çfarë tha ai. Por unë mora një dëshmi të fuqishme e të sigurtë para se të isha tetë vjeç, madje para se të pagëzohesha, se po dëgjoja një shërbëtor të Perëndisë në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit. Nuk ishte dhoma e marrë me qera, as përmasa e grumbullimit, që ishte i vogël, por ishte një dëshmi që unë isha bekuar në atë çast të isha në një mbledhje të Kishës së vërtetë.
Kur u zhvendosa me familjen time tek kunjet e organizuar të Kishës në vitet e mia të adoleshencës, për herë të parë ndieva fuqinë e kuorumeve të priftërisë dhe të një peshkopi të dashur. Unë ende kujtoj dhe mund të ndiej sigurimin që erdhi kur ndenja në një kuorum priftërinjsh pranë një peshkopi dhe e dija se ai kishte çelësat e një gjykatësi të vërtetë në Izrael.
E njëjta dëshmi erdhi herët në jetën time në dy të diela, një në Albukerk, Nju Meksiko dhe tjetra në Boston, Masaçusets. Në secilin rast, qeshë i pranishëm ditën kur një kunj u organizua nga një distrikt. Burra në dukje të zakonshëm, të cilët i njihja mirë, u thirrën si presidentë kunji. Unë ngrita dorën ato ditë, ashtu si ju bëtë tani dhe më erdhi një dëshmi se Perëndia kishte thirrur shërbëtorët e Tij dhe se unë do të bekohesha nga shërbimi i tyre dhe për mbështetjen për ta. Tashmë unë e kam ndier të njëjtën mrekulli në herë të panumërta në të gjithë Kishën.
Pashë, në ditët dhe muajt që vijuan votimin mbështetës të tyre, se ata presidentë kunji u lartësuan në nivelin e thirrjeve të tyre. Kam parë të njëjtën mrekulli në shërbimin e Presidentit Monson, kur ai mori thirrjen për të kryesuar si profet dhe President i Kishës dhe për të ushtruar gjithë çelësat e priftërisë në tokë. Zbulesë dhe frymëzim i kanë ardhur atij në praninë time, që më vërteton se Perëndia po i nderon ata çelësa. Unë jam një dëshmitar okular. Ata janë çelësat e një priftërie që është, me fjalët e Zotit, pa “fillim ose mbarim”5.
Unë ju jap juve dëshminë time solemne se kjo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Jezu Krishtit. Ati Qiellor do t’u përgjigjet lutjeve tuaja të zjarrta që ta dini atë vetë. Ju mund të keni një dëshmi se thirrjet që keni mbështetur sot ishin nga Perëndia. Edhe më shumë, mund të dini se brenda kësaj Kishe, kryhen ordinanca që mund të pastrojnë shpirtërat dhe të lidhin në tokë dhe në qiell, siç ishin në ditët e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Këta çelësa dhe ordinanca janë rivendosur tani në plotësinë e tyre nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe se janë pasuar tek pasardhësit e tij. Jezusi është Krishti. Ai jeton. Unë e di atë. Unë dëshmoj se Tomas S. Monson është profeti i Tij i gjallë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë dhe vazhdon të jetojë. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.