2008
Paraqitje me Material Filmik
Maj 2008


Paraqitje me Material Filmik

Një material filmik i shfaqur gjatë mbledhjes së përgjithshme të Të Rejave, që paraqet këshillë nga Presidenti Tomas S. Monson – si dhe komente nga një grup të rejash dhe udhëheqësja e tyre, mbi një përvojë që kishin patur për të kërkuar dhe marrë udhërrëfim nga Zoti.

Motra Klejton

Verën e shkuar, të rejat tona patën një pyetje përvëluese. Ato donin të dinin cili ishte pozicioni zyrtar i Kishës në lidhje me rrobat e banjos. Në vend që t’u jepnim një përgjigje që ishim të prirura t’ua jepnim vetë, ne vendosëm se do të ishte më e mençur, si udhëheqëset e tyre, t’i drejtonim ato tek Burimi. Ato do të mund të pyesnin; ato do të mund ta gjenin vetë dhe të kishin një proces dhe një dije sesi ndiehesh dhe sesi funksionon që të kërkosh e të marrësh informacion personalisht nga qielli, në mënyrë që të mund ta përsëritnin atë proces më vonë në jetën e tyre.

E Reja e Parë

Kur ne filluam së pari, unë mendova thjesht: “Epo mirë. Është thjesht një detyrë tjetër për ta marrë në shtëpi dhe për ta studjuar.”

E Reja e Dytë

Kjo përvojë më ndihmoi të afrohem më shumë me Atin Qiellor.

E Reja e Parë

Do të më ndihmojë edhe kur të jem më e madhe e të kem bijat e mija.

E Reja e Tretë

Sapo fillova që vërtet të kërkoj përgjigje, ajo erdhi mjaft shpejt.

Motra Klejton

Kur e vështruam nga pikëpamja doktrinore, nuk kishte burim më themelor se shkrimet e shenjta.

E Reja e Tretë

Së pari, unë u përpoqa vërtet të gjeja përgjigje në shkrimet e shenjta dhe dukej sikur nuk ishte atje.

E Reja e Parë

Por kur u thellova në këtë temë u ndjeva me dëshirën për të mësuar dhe zbuluar më shumë.

E Reja e Tretë

Vazhdova të gjej gjithë ato shkrime të shenjta mbi thjeshtësinë, si është e thjeshtë një grua e virtytshme dhe në fillim, kjo për mua nuk kishte kuptim. Dhe pastaj lutja – unë po prisja përgjigje të veçanta nëpërmjet lutjes dhe nuk po i merrja ato. Pastaj siç e kuptova, pasi mora përgjigjen time, lutja thjesht solli Shpirtin dhe shkrimet e shenjta i kishin të gjitha përgjigjet, si dhe se [thjeshtësia] ishte më shumë se një qëndrim.

E Reja e Dytë

Unë kam marrë disa përgjigje, por ato nuk ishin shumë të veçanta, sigurisht sepse gjithmonë unë duhet të bëj pjesën time dhe të mësoj për veten time.

E Reja e Tretë

Unë po prisja të më thoshin: “Këtë mund ta veshësh. Këtë nuk mund ta veshësh.” Dhe nuk e doja të ishte ashtu [siç është], sepse atëherë do të ishte zgjedhja ime dhe unë nuk i kisha rregullat e sakta. Por tani jam shumë mirënjohëse që kjo është përgjigja që mora sepse mendoj se kjo i zbatohet më shumë të gjitha vajzave në të gjithë botën.

E Reja e Parë

Unë thjesht u ndjeva të afrohesha më pranë Atit tim Qiellor dhe m’u mbush zemra, veçanërisht me këto vajza, duke parë çdo gjë që kaluan ato për të gjetur përgjigjet e tyre, më bëri të më gufonte zemra për të gjitha ato; kështu që kam kaq shumë dashuri për të gjitha ato.

Motra Klejton

Kur u angazhuam në këtë proces së bashku, bashkuam zemrat, morëm frymëzim dhe ndjemë efektin e Shpirtit, ne u ndryshuam. Ato mësuan se Ati Qiellor kujdeset për atë që ato kujdesen. Ato mësuan se Ai i do. Ato mësuan se çfarëdo që të pyesin, Ai do të dëgjojë dhe Ai do të përgjigjet.

E Reja e Tretë

Mendoj se nëpërmjet këtij procesi unë kuptova deri në një farë shkalle se të marrësh përgjigje nuk është një gjë që ndodh një herë në jetë, se është diçka që unë mund ta përdor gjithë kohën. Dhe se për të marrë ato përgjigje, duhet të jem e qëndrueshme për të thënë lutjet e mija, për të lexuar shkrimet e mija të shenjta dhe për të mbajtur atë Shpirt me vete.

E Reja e Parë

Unë mund t’i lutem Atij kurdoherë që më duhet dhe Ai është atje për mua, sido që të vijë puna. Ai është gjithmonë pranë meje dhe Ai është gjithmonë duke më ndihmuar në çfarëdo situate.

E Reja e Dytë

Kurdoherë që ndiehem e trishtuar ose kurdoherë që kam nevojë për ndihmë, gjithmonë mund t’i drejtohem Atij.

E Reja e Parë

Unë e di se kush jam, e di se kë përfaqësoj dhe e di si ndjehem kur vesh llojin e duhur të rrobave. Dhe e di se kur vishem me thjeshtësi unë mund të afrohem më pranë Atit tim Qiellor dhe më pranë Shpirtit.

E Reja e Tretë

Është një perceptim mahnitës kur hedh vështrimin pas me anë të ditarit tim dhe zbuloj se gati çdo ditë kam marrë përgjigje për lutjet e përgjigje për pyetjet përmes Zotit.

Presidenti Tomas S. Monson

Ne mund të gjejmë të vërtetën në shkrimet e shenjta, në mësimet e profetëve, në udhëzimet nga prindërit tanë dhe nëpërmjet frymëzimit që na vjen kur gjunjëzohemi dhe kërkojmë ndihmën e Perëndisë.

Nganjëherë përgjigjet më të mira që të rinjtë mund t’u japin pyetjeve të jetës gjenden kur ata janë të gjunjëzuar duke iu drejtuar Atit tonë Qiellor.

Dhe unë dëshmoj se, nëse ata do ta kujtojnë se Zoti mendon për ta dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tyre, ata do të jenë në gjendje të përballojnë çdo sfidë që iu del.