2008
Dikush nga mesi i Turmës
Maj 2008


Dikush nga mesi i Turmës

Le të shtyhemi qetësisht dhe me vendosmëri përpara drejt Shpëtimtarit, duke patur besim se Ai kujdeset për ne dhe ka fuqinë të na shërojë e të na shpëtojë.

Elder Dennis B. Neuenschwander

Në librin e Llukës lexojmë rreth një gruaje e cila për 12 vite të vështirë kishte vuajtuar nga një gjakrrjedhje. Ajo i kishte përdorur të gjitha të ardhurat e saj për një zgjidhje mjekësore por nuk kishte gjetur ndonjë. Në një turmë njerëzish, gruaja iu afrua Shpëtimtarit nga prapa dhe preku cepin e rrobës së Tij. Jezusi donte të dinte cili e kishte prekur sepse ndjeu se një fuqi i ishte larguar Atij. Apostujt nuk mund ta kuptonin pyetjen dhe thanë: “Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: ‘Kush më preku?’”1 Gruaja më pas me mjaft frikë dhe duke u dridhur rrëfeu se ishte ajo e cila i ishte afruar Atij dhe ishte shëruar menjëherë. Shpëtimtari e la atë të shkonte e qetë, duke i thënë se besimi i saj e kishte shëruar.

Ka mjaft për të mësuar dhe medituar nga kjo histori e vogël dhe interesante.

Përfytyroj vetë turmën. Duhet të ketë qenë mjaft e madhe, meqë njerëzit po shtyheshin drejt Jezusit. Mund të ketë qenë edhe një turmë e zhurmshme, meqë njerëzit shtyheshin për të patur një pamje më të mirë të Tij. Pyes veten pse ndodheshin ata atje. Mendoj se shumica erdhën nga kurioziteti. Kudo që Ai shkoi, lajmet e ardhjes së Tij dhe historitë e mrekullive të Tij e paraprinin Atë. Ndoshta ata prisnin të shihnin diçka jashtë të zakonshmes, një ngjarje që nuk duhej munguar. Megjithëse nuk përmendet, duhet të ketë patur farisenj në turmë, të cilët gjithmonë me sa duket qëndronin pranë, duke kërkuar mundësi për të zënë në grackë, turpëruar ose për të gjetur diçka me të cilën ata mund ta dënonin Jezusin. Mund të qe e mundur që disa në turmë madje erdhën për t’u tallur?

Në mes të turmës ishte një grua. Përfytyroj një grua të përulur, ndoshta madje një grua të turpshme, e cila po i afrohej Jezusit nga prapa dhe më pas me droje rrëfeu se ajo kishte prekur cepin e rrobës së Tij. Ajo ishte një grua e rraskapitur dhe e varfëruar nga vështirësitë e saj. Ajo kishte mjaft nevojë për ndihmë. Nga pamja e jashme, nuk kishte shumë gjëra që mund ta dallonin nga ndonjë person tjetër në turmë. Askush nuk e ndaloi atë të shkonte drejt Jezusit. Sigurisht, as Apostujt nuk e vunë re dhe as nuk u përpoqën ta ndalonin atë. Por kishte diçka që e dalloi atë nga gjithë të tjerët në turmë atë ditë. Megjithëse e zhytur mes mizërisë së njerëzve, ajo me vendosmëri dhe qetësisht shkoi përpara me një qëllim të vetëm në mëndje: të afrohej tek Shpëtimtari, duke patur besim se Ai kishte fuqinë për ta shëruar, se Ai merakosej për Të dhe se do t’i përgjigjej nevojës së saj. Në këtë gjë ajo e veçoi veten nga turma. Turma erdhi për të parë, por gruaja erdhi për t’u shëruar.

Ka histori të tjera interesante në shkrimet e shenjta në lidhje me një person besnik në mes të një turme. Alma ishte një ndër priftërinjtë e ligj të Mbretit Noa. Këta ishin burra që përshkruheshin se ngriheshin në lavdinë e zemrave të tyre, përtacë dhe idhujtarë të cilët u folën popullit gjëra mikluese dhe të gënjeshtërta.2 Ata kishin përdhosur udhët e Zotit sepse nuk i kishin përdorur zemrat e tyre që të kuptonin.3 Kur Abinadi u drejtoi mesazhin e tij të pendimit, ata e tallën atë dhe në fund e dënuan me vdekje. Kjo ishte vërtet një turmë e ligë. Megjithatë, ashtu siç tregojnë shkrimet e shenjta, “mes atyre ndodhej njëri”4 i cili besoi. Vetëm Alma i besoi gjërat që mësoi Abinadi. Me kurajo ai u largua nga turma për të ndjekur Zotin. Ndikimi i këtij burri të vetëm nga turma në lidhje me historinë nefite, është e pamatshme.

Një nga turmat më të njohura në Librin e Mormonit është ajo që flet për ndërtesën e gjerë dhe të madhe në vegimin e Lehit mbi pemën e jetës. Ndërtesa ishte e mbushur me njerëz, të vjetër dhe të rinj, meshkuj dhe femra, të cilët po talleshin dhe po tregonin me gisht drejt atyre që po merrnin nga fruti i pemës.5 Fatkeqësisht, disa vetë të cilët kishin shijuar nga fruti dëgjuan turmën dhe “u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën”.6 Kishte të tjerë, megjithatë, të cilët morën nga fruti dhe nuk ia vunë veshin turmës.7 Këta ishin ata që gëzuan bekimet e plota të pemës së jetës.

Në të vërtetë këto histori nuk janë për turmat, por për individët në mes të këtyre turmave. Ato janë në të vërtetë për ju dhe mua. Të gjithë ne jemi në mes të turmave të kësaj bote. Pothuaj të gjithë ne, jemi si gruaja e cila, pavarësisht turmës, vjen tek Shpëtimtari. Të gjithë ne kemi besim se vetëm një prekje do t’i sjellë shërim shpirtit tonë që vuan dhe ngushëllim nevojave tona më të thella.8 Anëtarët e rinj të Kishës në shumë vende, shpesh janë si Alma. Ata dëgjojnë fjalët e jetës kur askush tjetër në familjen e tyre ose në rrethin e miqve nuk e bën atë. Megjithatë, ata akoma kanë kurajon për ta pranuar ungjillin dhe të hapin një shteg në mes të turmës. Mendoj se secili prej nesh e kupton se çfarë do të thotë të marrësh nga fruti përmbushës i pemës së jetës, duke qënë nën vështrimin dhe zërin e njerëzve që përqeshin dhe se çfarë do të thotë të ushtrosh çdo përpjekje kurajoje për mos t’u vënë veshin atyre.

Përpjekja mes turmave të botës mund të jetë e vetmuar dhe e vështirë. Ndikimi dhe efekti i tyre mbi individët të cilët dëshirojnë të largohen drejt diçkaje më të mirë mund të jetë shumë e fortë dhe mjaft e vështirë për t’u kapërcyer.

Cili më mirë se Shpëtimtari mund të arrijë, të mbështesë dhe në fund të shpëtojë ata që ndodhen në mes të turmës? Ai kupton çfarë do të thotë të ngulmosh në mes të një turme mosrespektuese dhe akoma të qëndrosh i vërtetë. Turmat e botës nuk e njohin Atë, duke thënë se “nuk kishte figurë as bukuri” dhe “as paraqitje që ne ta dëshironim.”9 Mbreti Beniamin tha se bota “do ta [konsiderojë] atë një njeri.”10 Isaia akoma më tej e përshkruan vendin e Krishtit në mes të turmave të botës me këto fjalë:

“I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes … ; ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.”11

Nefi shkruan se “bota, për shkak të paudhësisë së vet, do ta gjykojë atë të jetë një gjë pa vlerë.”12

Megjithatë, në fund ky Bir i Parëlindur i Perëndisë i cili kaq shpesh gjykohet dhe kuptohet gabim, do të dalë nga dikush në mes të turmës si i Vajosuri, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Kjo shfaqje profetizohet me përulësi në vetë deklaratën e Shpëtimtarit drejtuar disa kryepriftërinjve dhe pleqve se “guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes.”13

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, lutem që secili nga ne të kalojë me siguri në mes turmave të kësaj bote. Në të gjitha rrethanat e jetës le të shkojmë qetësisht dhe me vendosmëri përpara drejt Shpëtimtarit, duke patur besim se Ai merakoset për ne dhe se ka fuqinë të na shërojë dhe të na shpëtojë. Le të dëgjojmë fjalët e Tij të jetës dhe të marrim plotësisht, vazhdimisht dhe me kurajo nga fryti që vjen prej tyre. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 8:45.

  2. Shih Mosia 11:5–11.

  3. Shih Mosia 12:25–27.

  4. Mosia 17:2.

  5. Shih 1 Nefi 8:27.

  6. 1 Nefi 8:28.

  7. Shih 1 Nefi 8:33.

  8. Shih Lluka 4:18.

  9. Isaia 53:2.

  10. Mosia 3:9.

  11. Isaia 53:3–4.

  12. 1 Nefi 19:9.

  13. Mateu 21:42.