2008
Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti
Nëntor 2008


Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti

Ordinanca e sakramentit e bën mbledhjen e sakramentit mbledhjen më të shenjtë e më të rëndësishme në Kishë.

Elder Dallin H. Oaks

Ne jetojmë në kohë të vështira për të cilat profetizoi Apostulli Pal (shih 2 Timoteut 3:1). Ata që përpiqen të ecin në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar shohin kudo rrugë tërheqëse të tërthorta. Ne mund të jemi të hutuar, të degraduar, të ligështuar, apo të zymtë. Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit për të na udhëhequr në zgjedhjet tona dhe për të na mbajtur në shteg?

Në zbulesën moderne Zoti e dha përgjigjen në këtë urdhërim:

“Dhe që të mund të ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;

Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit” (DeB 59:9–10).

Ky është një urdhërim me një premtim. Duke marrë pjesë çdo javë dhe siç duhet në ordinancën e sakramentit ne kualifikohemi për premtimin që ne do të “mund të [kemi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (DeB 20:77). Ai Shpirt është themeli i dëshmisë sonë. Ai dëshmon për Atin dhe Birin, sjell gjithë gjërat në kujtesën tonë dhe na udhëheq ne te e vërteta. Ai është busulla për të na udhëhequr në shtegun tonë. Kjo dhuratë e Frymës së Shenjtë, na mësoi Presidenti Uilford Udraf, “është dhurata më e madhe që mund t’i dhurohet njeriut” (Deseret Weekly, 6 prill 1889, f. 451).

I.

Ordinanca e sakramentit e bën mbledhjen e sakramentit mbledhjen më të shenjtë e më të rëndësishme në Kishë. Është e vetmja mbledhje e Shabatit ku e gjithë familja mund të marrë pjesë së bashku. Përmbajtja e saj, përveç sakramentit, duhet të planifikohet dhe paraqitet gjithmonë që ta përqendrojë vëmendjen tonë tek Shlyerja dhe mësimet e Zotit Jezu Krisht.

Kujtimet e mija të para të mbledhjes së sakramentit u krijuan në qytetin e vogël të Jutas ku unë u shugurova dhjak dhe mora pjesë në shpërndarjen e sakramentit. Të krahasuara me ato kujtime, mbledhjet e sakramentit ku marr pjesë tani në shumë lagje të ndryshme janë përmirësuar shumë. Në mënyrë tipike sakramenti administrohet, shpërndahet dhe merret nga anëtarët në një atmosferë nderimi të qetë. Drejtimi i mbledhjes, përfshirë dhe detyrat e nevojshme, është i shkurtër e me dinjitet dhe bisedat janë shpirtërore në përmbajtje e në mënyrën e shprehjes. Muzika është e përshtatshme dhe po kështu janë lutjet. Ky është standardi dhe përfaqëson përparim të madh që nga përvojat e rinisë sime.

Ka përjashtime rastësore. Unë ndiej se disa nga brezi i ri dhe madje dhe disa të rritur, ende nuk kanë arritur të kuptojnë domethënien e kësaj mbledhjeje dhe rëndësinë e nderimit e adhurimit vetjak në të. Gjërat që kam përshtypjen që t’u mësoj tani iu drejtohen atyre që ende nuk i kuptojnë e praktikojnë këto parime të rëndësishme dhe që nuk gëzojnë ende bekimet e premtuara shpirtërore që ta kenë gjithmonë me vete Shpirtin e Tij udhërrëfyes.

II.

Po e filloj me mënyrën se si anëtarët e Kishës duhet të përgatiten për të marrë pjesë në ordinancën e sakramentit. Në një mbledhje mbarëbotërore të udhëheqjes pesë vjet më parë, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u mësoi udhëheqësve të priftërisë së Kishës se si të planifikojnë dhe drejtojnë mbledhjet e sakramentit. “Ne e përkujtojmë Shlyerjen e Tij në një mënyrë shumë personale,” tha Plaku Nelson. “Ne sjellim një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar në mbledhjen tonë të sakramentit. Ai është kulmi i nderimit prej nesh të ditës së Shabatit” (“Worshiping at Sacrament Meeting,” Liahona, gusht 2004, f. 12).

Ne ulemi mjaft më parë se të fillojë mbledhja. “Gjatë atij intervali të qetë, muzika e preludit është më e ulët. Kjo nuk është një kohë për biseda apo shkëmbime mesazhesh por një periudhë meditimi plot lutje, ndërkohë që udhëheqës e anëtarë përgatiten shpirtërisht për sakramentin” (Liahona, gusht 2004, f. 13).

Kur Shpëtimtari iu shfaq nefitëve pas Ringjalljes së Tij, Ai u mësoi atyre se duhet ta ndërprisnin praktikën e sakrificës me derdhje gjaku. Në vend të kësaj “ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:20). Ai urdhërim, i përsëritur në zbulesën moderne që na drejton të marrim sakramentin çdo javë, na tregon se si duhet të përgatitemi. Siç na mësoi Plaku Nelson: “Çdo anëtar i Kishës ka përgjegjësinë për pasurimin shpirtëror që mund të vijë nga një mbledhje sakramenti” (Liahona, gusht 2004, f. 14).

Në shkrimet e tij mbi doktrinat e shpëtimit, Presidenti Jozef Fillding Smith na mëson se ne e marrim sakramentin si pjesë e përkujtimit tonë të vdekjes dhe vuajtjeve të Shpëtimtarit për shëlbimin e botës. Kjo ordinancë u paraqit që ne të mund të rinovojmë besëlidhjet tona për t’i shërbyer Atij, për t’iu bindur Atij dhe për ta kujtuar gjithmonë Atë. Presidenti Smith shton: “Ne nuk mund ta mbajmë Shpirtin e Zotit nëse nuk i bindemi këtij urdhërimi në mënyrë të qëndrueshme” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 2:341).

III.

Mënyra se si vishemi është një tregues i rëndësishëm i qëndrimit dhe përgatitjes tonë për çfarëdo aktivitet në të cilin do të marrim pjesë. Nëse shkojmë të notojmë, ose të marshojmë, ose të luajmë në plazh, veshja jonë, përfshirë këpucët, do ta tregojë këtë. E njëjta gjë duhet të jetë e vërtetë për mënyrën si vishemi kur do të marrim pjesë në ordinancën e sakramentit. Është si të shkosh në tempull. Mënyra si vishemi tregon shkallën në të cilën ne kuptojmë dhe nderojmë ordinancën në të cilën do të marrim pjesë.

Gjatë mbledhjes së sakramentit – dhe veçanërisht gjatë shërbimit të sakramentit – ne duhet të përqendrohemi tek adhurimi dhe të shmangemi nga të gjitha aktivitetet e tjera, veçanërisht nga sjellja që mund të pengojë adhurimin e të tjerëve. Madje edhe një person që dremit qetësisht nuk i pengon të tjerët. Mbledhja e sakramentit nuk është kohë për të lexuar libra ose revista. Të rinj, ajo nuk është kohë për biseda me pëshpërima në celular apo për t’iu dërguar mesazhe personave në vende të tjera. Kur marrim sakramentin, ne bëjmë një besëlidhje të shenjtë që do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Sa e trishtueshme është të shohësh persona që e shkelin dukshëm atë besëlidhje në po atë mbledhje ku po e bëjnë atë.

Muzika e mbledhjes së sakramentit është një pjesë thelbësore e adhurimit tonë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se kënga e të drejtëve është një lutje për Zotin (shih DeB 25:12). Presidencia e Parë ka deklaruar se “disa nga predikimet më të famshme janë bërë duke kënduar himne” (Hymns, ix). Sa e mrekullueshme është kur çdo person i pranishëm bashkohet në adhurimin me këngë – veçanërisht në himnin që na ndihmon të përgatitemi për të marrë sakramentin. Gjithë muzika e mbledhjes së sakramentit kërkon planifikim të kujdesshëm, duke mbajtur mend gjithmonë se kjo muzikë është për adhurim, jo për shfaqje.

Presidenti Jozef Fillding Smith na mësoi: “Ky është një rast kur ungjilli duhet të paraqitet, kur ne duhet të thirremi që të ushtrojmë besim, dhe të mendojmë thellë mbi misionin e Shëlbuesit tonë, dhe të kalojmë kohë duke marrë në konsideratë parimet shpëtuese të ungjillit, dhe jo për qëllime të tjera. Zbavitja, të qeshurat, mendjelehtësia, të gjitha nuk kanë vend në mbledhjet e sakramentit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ne duhet të mblidhemi me shpirtin e lutjes, të përulësisë, me përkushtim në zemrat tona” (Doctrines of Salvation, 2:342).

Kur e bëjmë këtë – kur bashkohemi me solemnitetin që duhet ta shoqërojë gjithmonë ordinancën e sakramentit dhe adhurimin e kësaj mbledhjeje – ne kualifikohemi për shoqërimin dhe zbulesën e Shpirtit. Kjo është mënyra si marrim drejtim për jetën tonë dhe paqe gjatë jetës.

IV.

Zoti i ringjallur e theksoi rëndësinë e sakramentit kur vizitoi kontinentin amerikan dhe filloi këtë ordinancë midis nefitëve besnikë. Ai bekoi emblemat e sakramentit dhe ua dha ato dishepujve të Tij e turmës (shih 3 Nefi 18:1–10), duke urdhëruar:

“Dhe këtë ju do t’ua bëni gjithnjë atyre që pendohen dhe pagëzohen në emrin tim; dhe këtë do ta bëni që të kujtoni gjakun tim që kam derdhur për ju, që ju t’i dëshmoni Atit që më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.

… Dhe në qoftë se do t’i bëni gjithnjë këto gjëra, të bekuar jeni ju, pasi ju jeni ndërtuar mbi shkëmbin tim.

Por, të gjithë ata që do të bëjnë më pak ose më shumë se këto, nuk janë ndërtuar mbi shkëmbin tim, por janë ndërtuar mbi një themel prej rëre; dhe kur shiu të bjerë dhe përmbytjet të vijnë, dhe erërat të fryjnë dhe të përplasen mbi ta, ata do të bien” (3 Nefi 18:11–13).

Sakramenti është ordinanca që zëvendësoi sakrificat e gjakut dhe olokaustet e ligjit të Moisiut, dhe me të erdhi premtimi i Shpëtimtarit: “Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:20).

V.

Tani iu drejtohem veçanërisht mbajtësve të priftërisë që shërbejnë në sakrament. Kjo ordinancë duhet të kryhet gjithmonë me nderim dhe dinjitet. Priftërinjtë që ofrojnë lutjet në emër të kongregacionit duhet t’i thonë fjalët ngadalë dhe dallueshëm, duke shprehur kushtet e besëlidhjeve dhe bekimet e premtuara. Ky është një akt shumë i shenjtë.

Mësuesit që i përgatisin dhe dhjakët që i shpërndajnë emblemat e sakramentit, gjithashtu kryejnë një akt shumë të shenjtë. Më pëlqen shumë rrëfimi i Presidentit Tomas S. Monson, se si, kur ishte dhjak 12 vjeçar, peshkopi i kërkoi t’ia çonte sakramentin një vëllai që kishte zënë shtratin, i cili digjej nga dëshira për këtë bekim. “Mirënjohja e tij më tronditi”, tha Presidenti Monson. “Shpirti i Zotit erdhi mbi mua. Unë qëndrova në tokë të shenjtë” (“Inspiring Experiences That Build Faith”, [1994], f. 188). Të gjithë ata që shërbejnë në këtë ordinancë të shenjtë qëndrojnë në tokë të shenjtë.

Të rinjtë që shërbejnë në ordinancën e sakramentit duhet të jenë të denjë. Zoti ka thënë: “Jini të pastër që të mbani enët e Zotit” (DeB 38:42). Paralajmërimi i shkrimit të shenjtë mbi marrjen padenjësisht të sakramentit (shih 1 Korintasve 11:29; 3 Nefi 18:29) sigurisht që zbatohet edhe për ata që shërbejnë në atë ordinancë. Kur administron disiplinim për anëtarët e Kishës që kanë kryer mëkat serioz, një peshkop mund ta tërheqë përkohësisht privilegjin e marrjes së sakramentit. Sigurisht i njëjti autoritet është i disponueshëm për të tërhequr privilegjin e shërbimit në atë ordinancë të shenjtë.

Ajo që thashë më parë për rëndësinë e veshjes së përshtatshme për ata që marrin ordinancën e sakramentit, zbatohet qartë me forcë të veçantë për të rinjtë e Priftërisë Aarone që shërbejnë në çfarëdo pjese të asaj ordinance të shenjtë. Të gjithë duhet të kenë pamje të rregullt dhe të vishen thjesht. Nuk duhet të ketë asgjë në veprimet apo pamjen e tyre vetjake që do të tërhiqte vëmendje të veçantë tek ata, ose do të shpërqendronte ndonjë nga të pranishmit prej vëmendjes së plotë tek adhurimi dhe bërja e besëlidhjes, që janë qëllimet e këtij shërbimi të shenjtë.

Plaku Xhefri R. Holland dha një mësim me vlerë mbi këtë temë në konferencën e përgjithshme 13 vjet më parë. Meqenëse shumica e dhjakëve tanë të tanishëm as nuk kishin lindur kur këto fjalë u thanë së fundi këtu, unë po i përsëris për dobinë e tyre dhe atë të prindërve e mësuesve të tyre: “Më lejoni të sugjeroj që kurdoherë që është e mundshme, të vishet këmishë e bardhë nga dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë që merren me sakramentin. Për ordinanca të shenjta në Kishë ne shpesh përdorim veshje ceremoniale, dhe një këmishë e bardhë mund të konsiderohet si një kujtues i ëmbël i veshjes së bardhë që veshët në vaskën e pagëzimit dhe një paraprirje e këmishës së bardhë që ju do të vishni së shpejti në tempull e në misionet tuaja” (“This Do in Remembrance of Me,” Ensign, nëntor 1995, f. 68).

Së fundi, sakramenti administrohet vetëm kur autorizohet nga ai që mban çelësat e kësaj ordinance të priftërisë. Kjo është arsyeja pse sakramenti në përgjithësi nuk shërbehet në shtëpi ose në bashkimet familjare, edhe kur janë të pranishëm mjaft mbajtës të priftërisë. Ata që shërbejnë në tavolinën e sakramentit, përgatisin sakramentin, ose ia shpërndajnë atë kongregacionit duhet të caktohen nga ai që mban ose ushtron çelësat e kësaj ordinance. Unë i referohem këshillit të peshkopit ose presidencive të kuorumeve të mësuesve apo dhjakëve. “Shtëpia ime është një shtëpi rregulli,” deklaroi Zoti (DeB 132:8).

Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit që të na udhëheqë në zgjedhjet tona, që ne të mund të mbetemi “të panjollë nga bota” (DeB 59:9) dhe në shtegun e sigurt gjatë vdekshmërisë? Ne duhet të kualifikohemi për fuqinë pastruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ne e bëjmë këtë duke mbajtur urdhërimin e Tij për të ardhur tek Ai me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, dhe në atë mbledhje të mrekullueshme e të përjavshme marrim emblemat e sakramentit e bëjmë besëlidhjet që na cilësojnë për premtimin e çmuar që ne gjithmonë do ta kemi Shpirtin e Tij me ne (shih DeB 20:77). Veprofshim ne gjithmonë kështu, është lutja ime e përulur, të cilën e ofroj në emrin e Atij, Shlyerja e të cilit e bëri të mundur gjithë këtë, madje të Jezu Krishtit, amen.