2008
Kthimi në Shtëpi
Nëntor 2008


Kthimi në Shtëpi

Çfarë ndikimi të pamasë mund të kemi në jetën e kaq shumëve … kur pranojmë ftesën e Shpëtimtarit që të kujdesemi për delet e Tij.

Eduardo Gavarret

Gjatë dimrit, bën shumë ftohtë në qytetin tim të lindjes Minas, në Uruguai. Në perëndim nëna ime e kishte zakon të vendoste kërcunj në vatër që ta mbante të ngrohtë dhomën tonë të ngrënies dhe një e nga një, prindërit e mi, motrat dhe unë do të mblidheshim së bashku, pasi kishim përfunduar punët e përditshme të shtëpisë. Ajo dhomë e rehatshme që krijohej nga ngrohtësia e vatrës, e ndërthurur me praninë e secilit prej pjesëtarëve të familjes, më rrënjoste brenda meje ndjenja që do t’i ruaj si thesar përgjithmonë.

Pasi bashkëshortja ime dhe unë formuam vetë familjen tonë, kudo që kemi jetuar, edhe ne mblidheshim shpesh, qoftë rreth një vatre apo thjesht rreth ngrohtësisë që ndiejmë gjithmonë, kurdoherë që mblidhemi me fëmijët tanë.

Çfarë ndjenje e mrekullueshme! Çfarë vendi i dashur është banesa jonë, shtëpia jonë, streha jonë.

Gjatë viteve, familja jonë ka jetuar në vende të ndryshme dhe në secilin prej tyre ne kemi mundur të gjejmë brenda Kishës të njëjtën ndjenjë ngrohtësie nga anëtarët e çdo lagjeje ku kemi bërë pjesë.

Secili anëtar i Kishës duhet të ketë mundësinë të provojë ndjenja të tilla kaq të këndshme, dhe ata mund t’i provojnë këto ndjenja nëpërmjet përpjekjeve tona të riaktivizimit dhe punës misionare.

Më lejoni të ndaj me ju diçka që ka ndodhur në disa kunje dhe distrikte në Peru dhe, duke e bërë këtë, do të përmend disa emra familjesh: familja Kauzo, familja Banda, familja Vargas dhe lista vazhdon. Ajo përmban mbi 1.700 emra anëtarësh që kanë ardhur në shtëpi. Ata janë anëtarë të lagjeve, degëve, kunjeve dhe distrikteve të ndryshëm nga e gjithë Peruja, që u ftuan nga presidentët e kunjeve, peshkopët dhe udhëheqësit e kuorumeve e organizatave ndihmëse të kthehen në shtëpi. Ata e pranuan ftesën e bërë nga udhëheqësit e priftërisë, misionarët në shërbim me kohë të plotë dhe nga të tjerë, që morën mbi vete përgjegjësinë për t’i ndihmuar ata të kthehen në Kishë dhe të vijnë tek Krishti. Secilit prej tyre, ne i themi: Mirëserdhët në shtëpi!

Çfarë e bëri të mundur që këta persona të ktheheshin në shtëpi? Ishte përpjekja e ndërthurur e 14 kunjeve dhe 4 distrikteve në një mision që punuan për një vit për të bërë të mundur kthimin e gjithë këtyre personave nëpërmjet riaktivizimit dhe ordinancave të pagëzimit e konfirmimit.

Kjo përpjekje u frymëzua nga fjalët e Shpëtimtarit: “A më do ti mua? … Ki kujdes për delet e mia” (Gjoni 21:16) dhe nga mësimet e Presidentit Tomas S. Monson, që tha: “Gjatë viteve i kemi bërë apel anëtarëve më pak aktivë, të fyerve, kritikuesve, shkelësve – të kthehen. ‘Eja dhe ushqeu në tavolinën e Zotit dhe shijo përsëri frytet e ëmbla dhe të kënaqshme të shoqërimit me shenjtorët’” (“Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 89).

Alma, duke ndierë vuajtje të madhe për shpirtin e vëllezërve të tij, iu lut Zotit, duke thënë:

“O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë ata përsëri te ti, në Krisht.

Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm dhe shumë prej tyre janë vëllezërit tanë, prandaj, na jep, O Zot, fuqi dhe urtësi që të mund t’i sjellim këta, vëllezërit tanë, përsëri tek ti” (Alma 31:34–35).

Presidenti Anxhel Alarkón nga Kunji Puente Piedra në Lima, Peru, ndau përvojën e mëposhtme me mua: “Çdo të shtunë, misionarët, një peshkop, disa udhëheqës nga organizatat ndihmëse dhe unë vizitojmë anëtarët më pak aktivë, disa joanëtarë dhe të sapokthyer në besim, nga ora 8:30 në mëngjes deri në mesditë.”

Në këtë pikë të tregimit të tij, më erdhën në mendje fjalët e himnit:

Të çmuar në zemrën e Bariut

Janë qengjat e tufës së Tij;

Disa nga kullota kanë humbur,

Pa ndihmë, në të ftohtë, plot uri.

Shih, Bariu i Mirë po kërkon,

Kërkon ata qengjat që kanë humb’,

Duke i sjellë prapë me gëzim,

Të shpëtuar me atë çmim të pafund.

(“Dear to the Heart of the Shepherd,” Hymns, nr. 221.)

Vëllai Vargas, shtëpia e të cilit ndodhet në një zonë ku shkohet me vështirësi, mori një telefonatë një mëngjes të shtune. Ishte Presidenti Alarkón, që telefononte nga celulari i tij, duke e njoftuar se po mbërrinte. Vëllai Vargas tha atëherë: “Po çuditem, është shumë e vështirë të vish në shtëpinë time.”

Për të cilën erdhi përgjigja: “Epo, nuk jam tek dera jote tamam tani, por dua të flas me ty. Ne kemi nevojë për ty dhe të ftojmë të vish në mbledhjet tona të Kishës nesër.”

Burri që e kishte ndërprerë pjesëmarrjen në kishë prej shumë vitesh, u përgjigj atëherë: “Do të jem atje.” Kështu, ai filloi udhëtimin e tij të kthimit në shtëpi.

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë. …

… Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:35–36, 40).

Kur po merrja pjesë në mbledhjet e së dielës nja dy javë më parë, pata rastin të takoj një vëlla që po merrte pjesë për herë të parë pas shumë vitesh që ishte larguar. Ai shoqërohej nga gruaja e tij, që nuk ishte anëtare e Kishës.

Kur e pyeta se përse vendosi të kthehej, ai u përgjigj: “Miku im Fernando dhe ky peshkop i mirë më ftuan të vija dhe unë erdha. E gjeta Kishën shumë vite më parë dhe ende kam një flakë të vogël që më digjet brenda zemrës. Mund të mos jetë e fortë, por është aty.”

Unë përfundova: “Mirë, si vëllezërit e tu, ne do t’i fryjmë së bashku asaj flake që ta mbajmë gjallë.” Pastaj e përqafuam njëri-tjetrin.

Interesi, vëmendja dhe kujdesi kundrejt vëllezërve tanë janë shfaqje të thella të dashurisë për Atin tonë Qiellor. Në fakt, ne shprehim dashurinë tonë për Perëndinë kur shërbejmë dhe kur ky shërbim përqendrohet në mirëqenien e fqinjit tonë.

Mbreti Beniamin na mësoi për këtë: “Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Çfarë ndikimi të pamasë mund të kemi në jetën e kaq shumë familjeve më pak aktive dhe të atyre që nuk janë anëtarë të Kishës, kur pranojmë ftesën e Shpëtimtarit që të kujdesemi për delet e Tij dhe ndihmojmë gjithkënd të vijë tek Krishti!

Këto përvoja janë disa nga ajo që po bëjnë heshturazi mijëra vëllezër: pranojnë ftesën e Zotit që të kujdesen për delet e Tij. Le të kujtojmë se dashuria dhe shërbimi janë si binjakë që kërkojnë shoqërinë e njëri-tjetrit.

Ah, sikur secili prej nesh të pranonte, si një shfaqje të mrekullueshme të dashurisë tonë për Atin tonë Qiellor, përgjegjësinë që mbartim si anëtarë të kësaj Kishe, që të kërkojmë ata që nuk janë këtu me ne! Nëse nëpërmjet këtij shërbimi të dashur ne do të sillnim vetëm një shpirt në Kishë dhe nëse do ta bënim këtë qëllimin e jetës tonë, sa shumë gëzim do t’i sillnim vetes dhe atyre që do t’i ndihmonim të ktheheshin tek Krishti!

Dëgjoni! Ai po thërret me zell,

Butësisht sot duke u lut’:

“A s’do t’i kërkoni delet e mia,

Që larg nga streha ime kan’ humb’?”

(Hymns, nr. 221).

Unë dëshmoj se ne jemi bij dhe bija të një Ati Qiellor, që na do dhe që e njeh secilin prej nesh me vetë emrin tonë.

Unë jap dëshminë time për dashurinë e Atit dhe Shpëtimtarit tonë. Ai na deshi ne së pari dhe dha Birin e tij që, nëpërmjet Tij, ne të mund të ishim në gjendje të ktheheshim në shtëpi. Unë shpreh dashurinë time për Të, Shpëtimtari im, Zoti im, Mësuesi im dhe Shëlbuesi im, në emrin e Jezu Krishtit, amen.