2008
Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi
Nëntor 2008


Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi

Mësofshim atë që duhet të mësojmë, bëfshim atë që duhet të bëjmë dhe qofshim ashtu si duhet të jemi.

President Thomas S. Monson

Sonte keni parë një dëshmi të forcës së të dy këshilltarëve në këtë Presidenci të Parë. Unë qëndroj në këmbë para jush dhe deklaroj se kjo Presidenci e Parë është e bashkuar si një e vetme nën drejtimin e Zotit Jezu Krisht.

Dëshiroj të falënderoj veçanërisht këtë kor misionarësh. Kam pasur një përvojë për të cilën mendoj se ata mund të jenë të interesuar dhe, edhe për ju mund të jetë gjithashtu interesante. Shumë vite më parë mora një telefonatë të dëshpëruar nga kreu i qendrës së trajnimit misionar. Ai tha: “Presidenti Monson, kam një misionar që po shkon në shtëpi. Asgjë nuk mund ta ndalojë nga heqja dorë.”

Iu përgjigja: “Epo, kjo nuk është e pazakontë. Ka ndodhur më parë. Cili është problemi i tij?”

Ai tha: “Ai është thirrur në një mision ku flitet spanjisht dhe është absolutisht i sigurt se nuk mund të mësojë spanjisht.”

I thashë: “Kam një sugjerim për ty. Nesër në mëngjes bëjeni të marrë pjesë në një klasë ku mësohet japonisht. Dhe pastaj bëjeni t’ju raportojë juve në orën 12:00 në drekë.”

Mëngjesin tjetër ai telefonoi në orën 10:00! Ai tha: “I riu është këtu me mua tani dhe dëshiron që unë ta di se ai është absolutisht i sigurt që mund të mësojë spanjisht.”

Kur është vullneti, gjendet një mënyrë.

Tani, ndërsa ju flas juve sonte, ju jeni vërtet një priftëri mbretërore, të mbledhur në shumë vende por në unitet. Me të gjitha gjasat, ky është kuvendi më i madh i mbajtësve të priftërisë që janë mbledhur ndonjëherë së bashku. Përkushtimi juaj ndaj thirrjeve tuaja të shenjta është frymëzues. Dëshira juaj për të mësuar detyrën tuaj është e qartë. Pastërtia e shpirtit tuaj e sjell qiellin më pranë jush dhe familjeve tuaja.

Shumë zona të botës kanë përjetuar kohëra të vështira ekonomike. Biznese kanë dështuar, punësime janë humbur dhe investime janë rrezikuar. Ne duhet të sigurojmë që, ata për të cilët ndajmë përgjegjësi, të mos jenë të uritur, të zhveshur, ose pa strehë. Kur priftëria e kësaj Kishe punon së bashku si një i vetëm, për t’u bërë ballë këtyre kushteve të vështira, ndodhin thuajse mrekulli.

Ne i nxitim gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të jenë të matur kur planifikojnë, të jenë të kujdesshëm kur jetojnë dhe të shmangin borxhin e tepërt apo të panevojshëm. Çështjet financiare të Kishës po menaxhohen në këtë mënyrë, sepse jemi të ndërgjegjshëm që e dhjeta juaj dhe kontribute të tjera nuk kanë ardhur pa sakrificë dhe janë fonde të shenjta.

Le t’i bëjmë shtëpitë tona shenjtërore drejtësie, vende lutjeje dhe banesa dashurie, që ne të mund të meritojmë bekimet të cilat mund të vijnë vetëm nga Ati ynë Qiellor. Ne na duhet udhëheqja e Tij në jetën tonë të përditshme.

Në këtë mizëri të gjerë janë fuqia e priftërisë dhe aftësia për t’i ndihmuar e për të ndarë ungjillin e lavdishëm me të tjerët. Siç është përmendur, ne kemi duart për të ngritur të tjerët nga vetëkënaqësia dhe mosveprimi. Ne kemi zemrat për të shërbyer besnikërisht në thirrjet tona të priftërisë dhe kështu të frymëzojmë të tjerët për të jetuar jetë më të mirë dhe për të shmangur moçalet e mëkatit që kërcënojnë të gëlltitin kaq shumë njerëz. Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë. Është i yni privilegji i çmuar që, të pajisur me këtë dijeni, të sjellim ndryshim në jetën e të tjerëve. Fjalët që gjenden tek Ezekieli mund të na shkojnë mirë për shtat të gjithëve ne që ndjekim Shpëtimtarin në këtë vepër të shenjtë:

“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri. …

Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.”1

Si mund ta meritojmë ne këtë premtim? Çfarë do të na kualifikojë që të marrim këtë bekim? A ka ndonjë udhëzues që ta ndjekim?

Më lejoni të sugjeroj tre domosdoshmëri që t’i marrim në konsideratë. Ato kanë vend për dhjakun, ashtu si dhe për priftin e lartë. Ato ne mund t’i arrijmë. Një Atë i dashur Qiellor do të na ndihmojë gjatë kërkimit tonë.

Së pari, të mësojmë atë që duhet të mësojmë.

Së dyti, të bëjmë atë që duhet të bëjmë.

Dhe së treti, të jemi ata që duhet të jemi.

Le të diskutojmë këto objektiva, që ne të mund të jemi shërbëtorë të dobishëm në sytë e Zotit tonë.

Së pari, të mësojmë atë që duhet të mësojmë. Apostulli Pal tha se duhet të jenë të ngutshme përpjekjet tona për të mësuar. Ai u tha filipianëve: “Por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.”2 Dhe hebrenjtë i nxiti: “[Hidheni] tej … mëkatin, … le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë [si shembull] te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit.”3

Presidenti Stefen L. Riçards, që shërbeu për shumë vite në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe pastaj në Presidencinë e Parë, u foli shpesh mbajtësve të priftërisë dhe theksoi filozofinë e tij në lidhje me të. Ai shpalli: “Priftëria zakonisht përkufizohet thjesht si ‘fuqia e Perëndisë deleguar njeriut’. Unë mendoj se ky përkufizim është i saktë.”

Ai vazhdoi: “Por për arsye praktike më pëlqen ta përkufizoj Priftërinë në kuptimin e shërbimit dhe shpesh e quaj atë ‘plani i përkryer i shërbimit’. E bëj këtë, sepse mua më duket që vetëm nëpërmjet përdorimit të fuqisë hyjnore dhuruar njerëzve, ata mund të shpresojnë ta kuptojnë ndonjëherë rëndësinë e plotë dhe forcën jetësore të këtij indaumenti [dhurate]. Ajo është një vegël shërbimi … dhe njeriu që nuk arrin ta përdorë atë, është i prirur ta humbasë, sepse na është thënë qartë nëpërmjet zbulesës se ai që do ta lërë pas dore ‘nuk do të llogaritet i denjë për të qëndruar’.”4

Presidenti Harold B. Li, Presidenti i njëmbëdhjetë i Kishës dhe një nga mësuesit e mëdhenj në Kishë, e dha këshillën e tij me fjalë që kuptohen lehtë. Tha ai: “Kur dikush bëhet mbajtës i priftërisë, ai bëhet veprimtar i Zotit. Ai duhet ta konsiderojë thirrjen e tij sikur të ishte në punën e Zotit.”5

Tani, disa nga ju mund të jenë të druajtur nga natyra ose ta konsiderojnë veten të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur pozitivisht një thirrjeje. Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm juaja dhe imja. Ajo është vepra e Zotit, dhe kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni që Zoti do t’i japë shpinës atë formë që të mund ta mbajë barrën e vendosur në të.

Ndërkohë që mësimi zyrtar mund të na trembë ndonjëherë, disa nga mësimet më efikase zhvillohen jashtë faltores apo klasës. Më kujtohet mirë që disa vite më parë, anëtarë që mbanin Priftërinë Aarone mezi po prisnin një ekskursion vjetor që përkujtonte rivendosjen e Priftërisë Aarone. Me një autobus të mbushur plot, të rinjtë e kunjit tonë udhëtuan 150 kilometra në veri për në Varrezat Klarkston, ku panë varrin e Martin Herrisit, një prej Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit. Ndërsa qenë përreth gurit të mrekullueshëm prej graniti që shënon varrin, një këshilltar i lartë do të paraqiste të dhëna nga jeta e Martin Herrisit, do të lexonte dëshminë e tij nga Libri i Mormonit dhe do të jepte dëshminë e tij vetjake për të vërtetën. Të rinjtë dëgjuan me vëmendje të përqendruar, prekën shënuesin prej graniti dhe medituan për fjalët që kishin dëgjuar e ndjenjat që kishin ndier.

Drekën e shijuan në një park në Logan. Grupi i të rinjve pastaj do të shtrihej në lëndinën e tempullit të Loganit dhe do të vështronte lart tek kullat e tij të larta. Shpesh, re të bardha e të bukura, do të nxitonin pranë kullave, të zhvendosura nga një puhizë e butë. Qëllimi i tempullit u mësua. Besëlidhjet dhe premtimet u bënë shumë më tepër se fjalë. Dëshira për të qenë të denjë për të hyrë në dyert e atij tempulli hyri në ato zemra rinore. Qielli ishin fare pranë. Mësimi i asaj që duhet të mësojmë u sigurua.

Numër dy, të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Në një zbulesë mbi priftërinë, dhënë nëpërmjet Jozef Smith Profetit, të regjistruar si seksioni i 107-të i Doktrina e Besëlidhjes, “mësimi” kalon tek “veprimi” ndërsa lexojmë: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell.”6

Secili mbajtës i priftërisë që merr pjesë në këtë sesion sonte ka një thirrje për të shërbyer, për të bërë përpjekjet e tij më të mira në punën që i është caktuar. Asnjë detyrë nuk është më e ulët në veprën e Zotit, sepse secila ka pasoja të përjetshme. Presidenti Xhon Tejlor, na paralajmëroi: “Në qoftë se nuk i lartësoni thirrjet tuaja, Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës për ata që mund t’i kishit shpëtuar po ta kishit kryer detyrën tuaj.”7 Dhe cili prej nesh mund t’ia lejojë vetes që të jetë përgjegjës për vonesën e jetës së përjetshme të një shpirti njerëzor? Nëse gëzim i madh është shpërblimi për shpëtimin e një shpirti, atëherë sa e tmerrshme duhet të jetë brerja e ndërgjegjes së atyre njerëzve, përpjekjet e ndruajtura të të cilëve kanë lejuar një fëmijë të Perëndisë të jetojë i paparalajmëruar ose i pandihmuar, kështu që atij i duhet të presë derisa të vijë një shërbëtor i besueshëm i Perëndisë.

Fjala e vjetër e urtë është gjithmonë e vërtetë: “Bëj detyrën tënde, kjo është më e mira; pjesën tjetër Zotit lërja.”

Pjesa më e madhe e shërbimit që japin mbajtësit e priftërisë përmbushet heshturazi, pa bujë. Një buzëqeshje miqësore, një shtrëngim i ngrohtë i duarve, një dëshmi e sinqertë e së vërtetës vërtet mund të lartësojë jetë, të ndryshojë natyrën njerëzore dhe të shpëtojë shpirtra të çmuar.

Një shembull i një shërbimi të tillë ishte përvoja misionare e Julius dhe Doroti Fushekut, që u thirrën për të kryer një mision dy-vjeçar në Poloni. Vëllai Fushek qe lindur në Poloni. Ai e fliste gjuhën. Ai i donte njerëzit. Motra Fushek qe angleze dhe dinte pak për Poloninë dhe popullin e saj.

Me besimin tek Zoti, ata nisën detyrën. Kushtet e jetesës qenë të thjeshta, puna e vetmuar, detyra e tyre e pamasë. Në atë kohë në Poloni nuk kishte mision. Detyra që iu dha çiftit Fushek ishte të përgatisnin udhën që të hapej një mision, në mënyrë që misionarë të tjerë të mund të thirreshin për të shërbyer, njerëzve t’u jepej mësim, të kthyerit të mund të pagëzoheshin, degët të mund të formoheshin dhe faltoret të mund të ngriheshin.

A u dëshpëruan Vëllai dhe Motra Fushek për shkak të madhësisë së detyrës së tyre? Për asnjë çast. Ata e dinin që thirrja e tyre ishte prej Perëndisë. Ata u lutën për ndihmën e Tij hyjnore dhe iu përkushtuan punës së tyre me gjithë zemër. Ata qëndruan në Poloni jo dy vjet, por pesë vjet. Të gjithë objektivat paraprakë u realizuan.

Pleqtë Rasëll M. Nelson, Hans B. Ringer dhe unë, të shoqëruar nga Plaku Fushek, takuam ministrin Adam Lopatka të qeverisë polake dhe e dëgjuam të thotë: “Kisha juaj është e mirëpritur këtu. Ju mund të ndërtoni ndërtesat tuaja; ju mund të dërgoni misionarët tuaj. Ju jeni të mirëpritur në Poloni. Ky njeri,” duke treguar Julius Fushekun, “i ka shërbyer mirë kishës suaj. Ju mund të jeni mirënjohës për shembullin dhe punën e tij.”

Ashtu si çifti Fushek, le të bëjmë atë që duhet të bëjmë në punën e Zotit. Atëherë ne, së bashku me Julius dhe Doroti Fushekun, mund t’i bëjmë jehonë psalmit: “Ndihma më vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën …, ai që të mbron nuk do të dremitë. Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.”8

Së treti, të jemi ata që duhet të jemi. Pali e këshilloi mikun dhe shoqëruesin e tij të dashur Timoteun: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi.”9

Do të nxisja të gjithë ne të lutemi në lidhje me detyrat tona dhe të kërkojmë ndihmë hyjnore, që ne të mund të kemi sukses në përmbushjen e asaj që jemi thirrur të bëjmë. Dikush ka thënë që “pranimi i fuqisë më të lartë se vetë njeriu në asnjë lloj mënyre nuk e përul atë.”10 Ai duhet të kërkojë, të besojë, të lutet dhe të shpresojë se do të gjejë. Asnjë përpjekje e tillë e sinqertë, plot lutje, nuk do të mbetet pa përgjigje: ky është vetë thelbi i filozofisë së besimit. Miratimi hyjnor do të kujdeset për ata që e kërkojnë përulësisht.

Nga Libri i Mormonit vjen këshilla që shpreh gjithçka. Zoti thotë: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”11

Dhe çfarë lloj njeriu ishte Ai? Çfarë shembulli na dha Ai në shërbimin e tij? Nga Gjoni kapitulli 10 ne mësojmë:

“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.”

Tha Zoti: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.”12

Vëllezër, mësofshim atë që duhet të mësojmë, bëfshim atë që duhet të bëjmë dhe qofshim ata që duhet të jemi. Duke bërë kështu, bekimet e qiellit do të jenë të pranishme. Ne do ta dimë se nuk jemi vetëm. Ai që vë re rënien e harabelit, me mënyrën e Tij, do të na pranojë.

Disa vjet më parë, mora një letër nga një mik i vjetër. Ai dha dëshminë e tij në atë letër. Do të doja të ndaja pjesë të saj me ju sonte, meqenëse ilustron forcën e priftërisë tek dikush që mësoi atë që duhet të mësonte, që bëri atë që duhet të bënte dhe që gjithmonë u përpoq të ishte ai që duhej të ishte. Do të lexoj pjesë nga ajo letër prej mikut tim Teron W. Borup, që ndërroi jetë tre vite më parë në moshën 90 vjeçare:

“Në moshën tetë vjeç, kur u pagëzova dhe mora Frymën e Shenjtë, më la shumë mbresë të qenit i mirë dhe në gjendje për të marrë Frymën e Shenjtë që të ishte një ndihmë gjatë gjithë jetës sime. Më thanë se Fryma e Shenjtë ishte e pranishme vetëm tek njerëzit e mirë dhe se kur e liga hynte në jetën tonë, ai duhej të largohej. Pa e ditur se kur do të më duheshin nxitjet dhe udhëheqja e tij, u përpoqa të jetoja në atë mënyrë që të mos e humbisja atë dhuratë. Në një rast kjo më shpëtoi jetën.

Gjatë Luftës II Botërore, isha inxhinier artilerie në një aeroplan bombardues B-24 që luftonte në Paqësorin e Jugut. … Një ditë u bë një njoftim se do të tentohej fluturimi bombardues më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë për të shkatërruar një rafineri nafte. Nxitjet e Shpirtit më thanë se do të caktohesha në atë fluturim, por se nuk do të humbisja jetën. Në atë kohë unë isha presidenti i grupit shdm.

Ndeshja qe e egër ndërkohë që fluturuam mbi Borneo. Avioni ynë u godit nga avionë sulmues, shpejt shpërtheu në flakë dhe piloti na tha të përgatiteshim për t’u hedhur. Unë u hodha i fundit. Pilotët armiq na qëlluan ndërsa po pluskonim poshtë. Pata vështirësi për të fryrë dyshekun tim të shpëtimit. Duke pluskuar lart e poshtë ujit, fillova të mbytem dhe humba ndjenjat. U përmenda përkohësisht dhe thirra: ‘Perëndi më shpëto!’ … Përsëri u përpoqa të fryja dyshekun tim të shpëtimit dhe kësaj here ia dola. Me vetëm aq ajër sa të më mbante në pluskim, u rrokullisa sipër tij, tepër i rraskapitur sa nuk mund të lëvizja.

Për tri ditë ne pluskuam në territor armik me anije rreth e rrotull dhe avionë sipër kokës. Përse ata nuk mundën të shihnin një grup dyshekësh shpëtimi të verdhë në ujin e kaltër është një e fshehtë”, shkroi ai. “Mbërriti një stuhi dhe dallgët nëntë metër të larta gati i shkatërruan dyshekët tanë. Kaluan tri ditë pa ushqim e as ujë. Të tjerët më pyetën nëse isha lutur. Iu përgjigja se isha lutur dhe ne vërtet do të na shpëtonin. Atë mbrëmje pamë nëndetësen tonë, që qe aty për të na shpëtuar, por ajo nuk na vuri re. Mëngjesin tjetër ndodhi [po ashtu. E dinim] se kjo ishte dita e fundit [që do të] qëndronte në atë zonë. Atëherë erdhën nxitjet e Frymës së Shenjtë. ‘Ti ke priftërinë. Urdhëroje nëndetësen t’ju marrë.’ Në heshtje u luta: ‘Në emrin e Jezu Krishtit dhe me fuqinë e priftërisë, kthehu dhe na merr.’ Pas disa minutash ata qenë pranë nesh. Kur hipëm në kuvertë, kapiteni … tha: ‘Nuk e di fare se si ju gjetëm, ne as nuk po ju kërkonim.’ Unë e dija.”13

Unë po ju lë me dëshminë time se kjo vepër në të cilën jemi përfshirë është e vërtetë. Zoti është në timon. Shkofshim gjithmonë pas Tij është lutja ime e sinqertë dhe e bëj atë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ezekieli 36:26–28.

  2. Filipianëve 3:13–14.

  3. Hebrenjve 12:1–2.

  4. Stephen L Richards, në Conference Report, prill 1937, f. 46.

  5. Harold B. Lee, Stand Ye in Holy Places (1974), f. 255.

  6. DeB 107:99.

  7. John Taylor, “Discourse,” Deseret News, 7 gusht 1878, f. 2.

  8. Psalmeve 121:2–4.

  9. 1 Timoteut 4:12.

  10. Stephen L Richards, në Conference Report, tetor 1937, 10.

  11. 3 Nefi 27:27.

  12. Gjoni 10:11–15.

  13. Letërkëmbim vetjak; theksimi i shtuar.