2008
Shërbesa e Engjëjve
Nëntor 2008


Shërbesa e Engjëjve

Perëndia kurrë nuk na lë të vetëm, kurrë nuk na lë të pandihmë në sfidat që hasim.

Elder Jeffrey R. Holland

Kur Adami dhe Eva hynë vullnetarisht në jetën e vdekshme, e dinin se kjo botë telestiale do të përmbante ferra e gjemba dhe lloj-lloj shqetësimesh. Ndoshta kuptuan që gjëja më sfiduese, sidoqoftë, nuk ishte vuajtja dhe rreziku që ata do të pësonin, por fakti se do të ishin në largësi nga Perëndia, të ndarë nga Ai me të cilin kishin ecur e kishin folur, i cili u kishte dhënë këshilla ballë për ballë. Pas kësaj zgjedhjeje të vetëdijshme ata, siç thotë shkrimi mbi krijimin, “nuk e panë atë; sepse ata ishin larguar nga prania e tij”1. Ndër gjithçka tjetër që duhet t’i ketë shqetësuar ata, me siguri që kjo duhet t’i ketë bërë merak më shumë.

Por Perëndia i dinte sfidat që duhet të përballonin dhe patjetër Ai e dinte sa të vetmuar e të shqetësuar do të ndiheshin hera-herës. Prandaj Ai vigjilonte vazhdimisht mbi familjen e Tij të vdekshme, i dëgjonte gjithnjë lutjet e tyre dhe dërgonte profetë (e më vonë apostuj) që t’i mësonte, t’i këshillonte dhe t’i udhëhiqte ata. Por në kohë kërkesash të veçanta, Ai dërgonte engjëj, korrierë hyjnorë, për të bekuar fëmijët e Tij, për t’i siguruar që qielli ishte përherë mjaft afër dhe që ndihma e Tij ishte gjithnjë shumë pranë. Në të vërtetë, shpejt pasi Adami dhe Eva u gjendën në botën e vetmuar e të zymtë, atyre iu shfaq një engjëll2, i cili u mësoi kuptimin e sakrificës së tyre dhe rolin shlyes të Shëlbuesit të premtuar që do të vinte.

Kur koha e ardhjes së këtij Shpëtimtari ishte pranë, një engjëll u dërgua të njoftonte Marien se do të ishte ajo nëna e Birit të Perëndisë.3 Më pas, një shumicë engjëjsh u caktua të këndonin atë natë që lindi foshnja Jezus.4 Shpejt pas kësaj një engjëll do ta njoftonte Jozefin se foshnja e porsalindur ishte në rrezik dhe që kjo familje e vogël duhet të ikte në Egjipt për siguri.5 Kur ishte e sigurt për t’u kthyer, një engjëll ia përcolli atë informatë familjes dhe ata të tre u kthyen në vendin e trashëgimisë së tyre.6

Që nga fillimi e përmes periudhave ungjillore të mëvonshme, Perëndia ka përdorur engjëjt si përfaqësues të Tij në përcjelljen e dashurisë e të merakut për fëmijët e Tij. Koha në këtë vend nuk lejon as një shqyrtim përciptas të shkrimeve të shenjta ose të historisë sonë të ditëve të mëvonshme, të cilat janë plot me përshkrime për engjëjt në shërbesë të njerëzve në tokë, por, ajo është doktrinë e çmuar dhe histori e pasur, në të vërtetë.

Zakonisht qenie të tilla nuk shihen. Nganjëherë shihen. Por, të shikuar ose jo, ata janë përherë pranë. Nganjëherë detyrat e tyre janë shumë të mëdha dhe kanë rëndësi për mbarë botën. Ndonjëherë mesazhet janë më personale. Herë-herë pikësynimi engjëllor është për të paralajmëruar. Por më së shpeshti është për të ngushëlluar, për të siguruar një formë përkujdesjeje zemërgjerë, udhëheqje në kohë të vështira. Në ëndrrën e Lehit, kur ai gjendej në një vend të frikshëm, “një vend të shkretë, të errët dhe të zymtë”, siç e përshkruante, e takoi një engjëll, “një njeri… veshur me një rrobë të bardhë; … ai më foli”, tha Lehi, “dhe më urdhëroi që ta ndiqja”7. Lehi e ndoqi atë drejt sigurisë dhe përfundimisht drejt shtegut të shpëtimit.

Gjatë rrjedhës së jetës të gjithë ne kalojmë kohë në vende “të errëta dhe të zymta”, vende të shkreta, rrethana trishtimi ose frike apo shkurajimi. Ditët tona të sotme janë të mbushura me ankth global mbi krizat financiare, problemet e energjisë, sulmet terroriste dhe fatkeqësitë natyrore. Këto kthehen në shqetësime individuale dhe familjare jo vetëm për shtëpitë ku do të jetohet dhe ushqimin e mundshëm që do të hahet, por edhe për sigurinë dhe mirëqenien përfundimtare të fëmijëve tanë dhe për profecitë e ditëve të mëvonshme mbi planetin tonë. Më serioze se këto – dhe nganjëherë të lidhura me to – janë çështjet e kalbëzimit etiko-moral dhe shpirtëror që shihet në komunitete të mëdha e të vogla, brenda vendit dhe kudo. Por unë dëshmoj që engjëjt ende dërgohen për të na ndihmuar, madje siç u dërguan në ndihmë të Adamit dhe Evës, në ndihmë të profetëve dhe, në të vërtetë, në ndihmë të Vetë Shpëtimtarit të botës. Mateu shënon në ungjillin e tij që, pasi Satani e kishte tunduar Krishtin në shkretëtirë, “u afruan engjëjt dhe i shërbenin”8. Madje Biri i Perëndisë, Vetë Perëndi, pati nevojë për ngushëllim qiellor gjatë qëndrimit të tij të përkohshëm në jetë të vdekshme. Dhe kështu shërbesa të tilla do të jenë për të drejtët deri në fund të kohës. Sikurse i tha Mormoni birit të tij Moroni, i cili një ditë do të ishte një engjëll:

“A mos ka pushuar dita e mrekullive?

Ose a kanë pushuar engjëjt së shfaquri fëmijëve të njerëzve? Apo mos e ka mbajtur ai fuqinë e Frymës së Shenjtë nga ata? Apo mos do t’ua mbajë përderisa të zgjasë koha ose derisa të qëndrojë toka, ose përderisa të ketë një njeri mbi faqen e dheut që të shpëtohet?

Vini re, unë ju them juve, Jo; pasi… është nëpërmjet besimit që engjëjt u shfaqen dhe u shërbejnë njerëzve. …

Pasi vini re, ata i janë nënshtruar [Krishtit], që të shërbejnë sipas fjalës së urdhrit të tij, duke iu shfaqur atyre që kanë besim të fortë dhe mendje të vendosur në çdo formë drejtësie.”9

I kërkoj cilitdo që arrin të ma dëgjojë zërin, të marrë zemër, të mbushet me besim dhe të rikujtojë që Zoti ka thënë se Ai “do t’i [luftojë betejat tona,] betejat e fëmijëve [tanë], dhe [betejat e] fëmijëve të fëmijëve [tanë]”10. Dhe çfarë të bëjmë për ta merituar një mbrojtje të tillë? Ne duhet “[të kërkojmë] me zell, [të lutemi] gjithmonë e [të jemi] besimtarë. [Atëherë] gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën [tonë], në qoftë se [ecim] drejt dhe [kujtojmë] besëlidhjen me të cilën [kemi] lidhur besë” 11. Ditët e mëvonshme nuk janë një kohë për frikë dhe dridhje. Ato janë kohë që të jemi besimplotë dhe t’i kujtojmë besëlidhjet tona.

Kam folur këtu për ndihmën qiellore, për engjëjt e dërguar për të na bekuar në kohë nevojash. Por, kur flasim për ata që janë mjet në duart e Perëndisë, na sillet në kujtesë se jo të gjithë engjëjt janë nga ana tjetër e velit. Me disa prej tyre ne ecim dhe flasim – këtu, tani, çdo ditë. Disa prej tyre banojnë në lagjet tona. Disa prej tyre na lindën neve dhe, në rastin tim, një prej tyre pranoi të martohet me mua. Në të vërtetë, qielli kurrë nuk duket më pranë, sesa kur shohim dashurinë e Perëndisë që shfaqet tek dashamirësia dhe përkushtimi i njerëzve aq të mirë e aq të pastër, sa fjala “engjëllorë” është e vetmja që të vjen në mendje. Plaku Xhejms Dan, nga kjo foltore, vetëm pak çaste më parë, e përdori atë fjalë në lutjen e tij të hapjes për të cilësuar këtë kor të Fillores – dhe pse të mos e cilësonte? Me shpirtin, fytyrat dhe zërat e atyre fëmijëve në mendjen tonë dhe para syve tanë, më lejoni t’ju tregoj një histori nga miku dhe kolegu im i UBJ, i ndjeri Klin D. Bérës. E bëj këtë me leje të bashkëshortes së tij, Merilinit, dhe të familjes së tyre.

Duke treguar për fëmijërinë e tij në një fermë të madhe të Ajdahos, Vëllai Bérës foli për detyrën e tij të përnatshme për të mbledhur lopët në kohën e mjeljes. Meqë lopët kullotnin në një fushë që kufizohej nga lumi Teton, herë-herës i pabesë, rregulli strikt i familjes Bérës ishte që gjatë stinës së përmbytjeve pranverore fëmijët asnjëherë s’duhet ta kërkonin ndonjë lopë që guxonte të kapërcente lumin. Ata gjithmonë duhej të ktheheshin në shtëpi dhe të kërkonin ndihmën e të rriturve.

Një të shtunë, vetëm pak mbas ditëlindjes së tij të shtatë, prindërit e Vëllait Bérës i premtuan familjes një mbrëmje në kinema, nëse punët e përditshme përfundonin në kohë. Por, kur Klini i vogël arriti te kullota, lopët që po kërkonte kishin kaluar matanë lumit, megjithëse ai ishte në fazën e vërshimit të madh. Duke e ditur se kjo rrezikonte mbrëmjen e rrallë në kinema, ai vendosi t’i kërkonte vetë lopët, megjithëse ishte paralajmëruar shpesh të mos vepronte kurrë ashtu.

Ndërsa shtatëvjeçari nxiste kalin e tij të vjetër, Bénërin, thellë në rrymën e ftohtë e të shpejtë, koka e kalit mezi dilte mbi ujë. Një i rritur do të ishte i sigurt mbi kalë, por, në moshën e njomë të Vëllait Bérës, rryma e mbulonte plotësisht, përveç atëherë kur kali hidhej lart disa herë për frymëmarrje, duke nxjerrë mbi ujë kokën e Klinit vetëm aq sa thithte pak ajër.

Tani u drejtohem vetë fjalëve të Vëllait Bérës:

“Kur Bénëri më në fund e ngjiti bregun tjetër, kuptova se jeta ime kishte qenë në rrezik serioz dhe se kisha bërë një gjë të tmerrshme – nuk iu binda me dijeni babait tim. Mendova se mund të shlyhesha vetëm duke i sjellë lopët në shtëpi në rregull. Ndoshta atëherë im atë do të më falte. Por tashmë ishte muzg dhe nuk e dija me siguri se ku ndodhesha. Më pushtoi dëshpërimi. Isha i lagur dhe i ftohur, i humbur dhe i frikësuar.

I zbrita Bénërit plak, u ula përtokë pranë këmbëve të tij dhe fillova të qaj. Mes dënesave të forta, u përpoqa të them një lutje, duke i përsëritur pa pushim Atit tim në Qiell fjalët: ‘Më vjen keq. Falmë! Më vjen keq. Falmë!’

U luta gjatë. Kur së fundi ngrita sytë, pashë përmes lotëve një person të veshur me të bardha, që ecte drejt meje. Në errësirë, mendova se me siguri duhej të ishte një engjëll i dërguar në përgjigje të lutjeve të mia. Nuk lëviza, as bëra zë, ndërkohë që personi afrohej, aq i pushtuar isha nga ajo që pashë. Me të vërtetë do të dërgonte Zoti një engjëll tek unë, që kisha qenë aq i pabindur?

Atëherë një zë i njohur tha: ‘Bir, unë po të kërkoja’. Në errësirë njoha zërin e babait tim dhe vrapova drejt krahëve të tij të hapura. Ai më shtrëngoi, pastaj tha me të butë: ‘U bëra merak. Gëzohem që të gjeta.’

Provova t’i them sa keq më vinte, por vetëm fjalë të palidhura më dolën nga buzët që dridheshin – ‘Faleminderit… errësira… frikë… lumi… vetëm’. Më vonë atë natë mësova se, kur nuk qeshë kthyer nga kullota, im atë kishte dalë të më kërkonte. Kur as unë dhe as lopët nuk gjendeshim, ai e kuptoi që kisha kapërcyer lumin dhe isha në rrezik. Ngaqë ishte errësirë dhe koha nuk priste, zhveshi rrobat e tij përveç veshjeve të brendshme të gjata e të bardha, i lidhi këpucët rreth qafës dhe notoi nëpër lumin e pabesë për të shpëtuar një bir plangprishës.”12

Fort të dashur vëllezër dhe motra të mia, unë dëshmoj për engjëjt, ata të llojit qiellor dhe ata të vdekshëm. Me këtë gjë po dëshmoj se Perëndia kurrë nuk na lë të vetëm, kurrë nuk na lë të pandihmë në sfidat që hasim. “[As nuk do të na lërë] përderisa të zgjasë koha ose derisa të qëndrojë toka, ose përderisa të ketë një [burrë, grua ose fëmijë] mbi faqen e dheut që të shpëtohet.”13 Me raste, qofshin ato globale ose personale, ne mund të ndihemi sikur jemi të largët nga Perëndia, të lënë jashtë qiellit, të humbur, të vetmuar në vende të errëta e të zymta. Mjaft shpesh ai ankth mund të jetë rezultat i diçkaje që kemi bërë, por edhe atëherë Ati i ne të gjithëve po vigjilon dhe po jep ndihmë. Dhe gjithmonë gjenden ata engjëj që vijnë e shkojnë kudo rreth nesh, të shikuar e të pashikuar, të njohur e të panjohur, të vdekshëm dhe të pavdekshëm.

E besofshim ne të gjithë më lehtë dhe paçim më shumë mirënjohje për premtimin e Zotit sikurse përmbahet në një prej shkrimeve të shenjta të parapëlqyera të Presidentit Monson: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj, … Shpirti im do të jetë në [zemrën tuaj] e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”14 Në procesin e lutjes për kushtim vëmendjeje nga ata engjëj, bëfshim të gjithë ne përpjekje që të jemi vetë pak më shumë engjëllorë – me një fjalë dashamirëse, me krah për mbështetje, me një shpallje të besimit dhe me “besëlidhjen me të cilën [kemi] lidhur besë”15. Ndoshta atëherë mund të jemi ne të dërguarit e Perëndisë kur dikush, ndoshta një fëmijë i Fillores, po thërret: “Errësira… frikë… lumi… vetëm”. Pikërisht për këtë, lutem në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moisiu 5:4.

  2. Shih Moisiu 5:6–8.

  3. Shih Lluka 1:26–38.

  4. Shih Lluka 2:8–14.

  5. Shih Mateu 2:13–15.

  6. Shih Mateu 2:19–23.

  7. 1 Nefi 8:7, 5–6.

  8. Mateu 4:11.

  9. Moroni 7:35–37, 30.

  10. DeB 98:37; theksimet janë shtesë.

  11. DeB 90:24.

  12. Shih Clyn D. Barrus, “Coming Home” Liahona, nëntor 1995, faqet M5–M7.

  13. Moroni 7:36.

  14. DeB 84:88.

  15. DeB 90:24.