2008
Shkoni, Pra
Nëntor 2008


Shkoni, Pra

Ne të gjithë mund të marrim pjesë në punën misionare. Kjo është puna e Zotit dhe Ai do të na ndihmojë ta kryejmë atë.

Silvia H. Allred

Zoti na mësoi se “kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”1. Pagëzimi është pra, thelbësor për shpëtimin tonë.

Përpara se Shpëtimtari i ringjallur të ngjitej në qiell, Ai udhëzoi dishepujt e Tij: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë… duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.”2

Në kohën e Rivendosjes, Ai përsëriti mandatin e Tij: “Prandaj, ju jeni thirrur t’u shpallni pendim këtyre njerëzve.”3

Kisha e Zotit ka përgjegjësinë të predikojë ungjillin në botë. Ky është themeli i punës misionare, dhe detyra e misionarëve tanë është për të “ftuar të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”4.

Unë dëshiroj të flas e të dëshmoj mbi ndikimin domethënës dhe bekimet e punës misionare në jetën e të kthyerve në besim, brezit të ardhshëm dhe misionarëve, si dhe se si ne mund të marrim pjesë në punën misionare.

Kur isha 14 vjeç, në një mëngjes të bukur gushti, Plaku Prin dhe Plaku Perkins trokitën në derën e shtëpisë tonë. Ata filluan të mësonin familjen tonë rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë. Në vizitat që vijuan, ata na mësuan si të luteshim. Ata gjithashtu na mësuan rreth Rivendosjes dhe planit të shpëtimit. Pas tre apo katër vizitash, pjesa më e madhe e anëtarëve të familjes sime nuk i dëgjuan më misionarët, përveç motrës sime 17-vjeçare, Dinës, dhe meje. Ne të dyja ndiemë dëshminë e Frymës së Shenjtë në zemrat tona dhe morëm konfirmimin shpirtëror se mesazhi ishte i vërtetë.

Ne blemë një kopje të Librit të Mormonit dhe filluam ta lexojmë atë. Çdo ditë pas shkolle, ne do të bënim garë për në shtëpi se kush ta merrte librin e para. Ndërsa ajo që mbërrinte e para në shtëpi lexonte, tjetra priste me padurim deri në kohën e ngrënies, hante me nxitim dhe pastaj fillonte radhën e saj duke lexuar deri në kohën e gjumit. I tillë ishte entuziazmi që ndjenim. Ne filluam të ndjekim kishën dhe shpejt kërkuam të pagëzoheshim. Babai ynë e dha lejen me gatishmëri, por mamaja ngurroi, dhe na u desh edhe një muaj tjetër për ta bindur atë të firmoste lejen me shkrim. Në ditën e pagëzimit tonë, mamaja dhe pjesa tjetër e vëllezërve dhe motrave shkuan në kishë për herë të parë. Ajo ndieu Shpirtin. Pasi dëgjoi dëshmitë tona, ajo shkoi te misionarët dhe u kërkoi të fillonin ta mësonin përsëri. Disa javë më vonë, Mamja, vëllezërit dhe motra jonë më e vogël, u pagëzuan. Jeta ime ndryshoi përgjithmonë dhe ungjilli i Jezu Krishtit u bë forcë shtytëse në jetën time.

Nuk kam fjalë për të shprehur ndjenjat e thella të mirënjohjes për Zotin dhe misionarët që Ai dërgoi në shtëpinë tonë. Zoti më bekoi mua me njohurinë e ungjillit të rivendosur dhe ndjeva një ngutje për ta ndarë këtë njohuri me të tjerët. Unë doja të isha një misionare.

Brenda pak muajve, motra ime Dina dhe unë u thirrëm si misionare lokale në San Salvador. Kjo thirrje na dha mundësinë të shkojmë shtëpi më shtëpi për të ndarë lajmet e gëzuara të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe për të sjellë shumë njerëz në ujërat e pagëzimit. Më vonë, ne të dyja shërbyem misione me kohë të plotë në Misionin e Amerikës Qendrore.

Misioni pati një ndikim të madh në jetën time. Unë mësova të mbështetem më shumë tek Zoti, të ndjek udhëheqjen e Shpirtit dhe të ndiej një dashuri të padiskutueshme për bijtë e Perëndisë. Njohuria ime mbi shkrimet e shenjta dhe kuptimi mbi doktrinat u rrit. Po kështu dhe dëshira ime për të qenë e bindur dhe për të mbajtur urdhërimet me korrektësi. Dëshmia ime mbi Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij të pafundme u forcua. Përvoja misionare m’u bë pjesë e kush dhe çfarë jam unë. Puna misionare u bë pasioni im. Kjo ndikoi më shumë se çdo gjë tjetër në jetën time dhe në jetën e familjes time.

Plaku Xhefri R. Holland përshkroi ndikimin që misioni kishte patur në jetën e tij me këto fjalë: “Misioni do të thotë çdo gjë për 47 vitet pasi ka ndodhur. Mund të ketë qenë një ditë në këto 47 vjet që unë nuk kam menduar mbi misionin; nuk jam i sigurt se çfarë dite mund të ketë qenë ajo.”5

Nja dy vjet më parë, Kristiani, nipi i im, po mbushte tetë vjeç dhe po planifikonte shërbimin e pagëzimit të tij me padurim të madh. Ai pyeti mamanë nëse unë mund të isha një nga folëset dhe të ndaja historinë time të kthimit në besim. Kur e pyeta se përse donte që unë ta bëja atë, ai u përgjigj: “Gjyshe, ajo është tepër e rëndësishme. A e mendon se nëse ti nuk do të kishe pranuar ungjillin, unë nuk do të mund të pagëzohesha? Madje nuk do të isha ky që jam.”

Nuk e di nëse misionarët e kuptojnë sa larg arrin ndikimi i punës së tyre. Në familjen time bekimet e ungjillit kanë prekur tashmë katër breza. A nuk tha Presidenti Gordon B. Hinkli se “kur shpëtojmë një vajzë, ne shpëtojmë brezat”6? Unë u martova në tempull dhe kam tetë fëmijë. Ata të gjithë janë anëtarë besnikë të Kishës, që kanë marrë indaumentin në tempull. Gjashtë prej tyre janë tashmë të martuar dhe kanë fëmijë. Tashmë familja jonë ka 34 anëtarë. Dhe kjo nuk është e gjitha. Që të dy, bashkëshorti im dhe unë shërbyem në misione dhe dy djemtë dhe tre nga gjashtë vajzat tona kanë shërbyer gjithashtu në mision. Bashkarisht kemi ndihmuar qindra njerëz të përqafojnë ungjillin në shumë vende. Disa nga ata të kthyer dhe fëmijët e tyre kanë shërbyer gjithashtu në misione.

Puna misionare është elementi jetësor i Kishës. Nuk ka punë më të madhe, punë më të rëndësishme. Ajo bekon jetën e të gjithë atyre që marrin pjesë në të. Ajo do të vazhdojë të bekojë brezat e ardhshëm.

Mund të jeni duke pyetur veten: Si mund të ndihmoj në punën misionare? Në çfarë mënyre mund të marrë pjesë? Ka dy të vërteta themelore për t’u mbajtur mend ndërsa i përvisheni punës. Së pari, të keni një kuptim të qartë se Perëndia i do të gjithë bijtë e Tij dhe dëshiron shpëtimin e tyre. Në Doktrina e Besëlidhje 18:13 lexojmë: “Dhe sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet!” Së dyti, mesazhi jonë për Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur është dhurata më e rëndësishme që keni për të dhënë.

Siç përvijohet në “Predikoni Ungjillin Tim”, puna misionare është një përpjekje e katërfishtë: gjetja e kërkuesve, mësimi e pagëzimi, shoqërimi i anëtarëve të rinj dhe shoqërimi e mësimi i anëtarëve më pak aktivë.7 Çdo anëtar i Kishës – fëmijë, i ri dhe i rritur – mund të ndihmojnë në secilën ose të gjitha këto përpjekje.

Filloni duke qenë një fqinj i mirë dhe mik i mirë. Jepni një shembull të drejtësisë dhe mirësisë. Lëreni buzëqeshjen t’ju rrezatojë dashuri, paqe dhe lumturi. Jetoni një jetë të përqendruar tek ungjilli.

Më pas, jini më të specifikuar në përpjekjet tuaja misionare. Më lejoni t’ju sugjeroj disa ide. Ju mund të gjeni dy apo tre që funksionojnë për ju:

  • Nëse keni fëmijë, ndihmojini ata të përgatiten për shërbimin misionar.

  • Përgatituni vetë për shërbimin misionar.

  • Ftoni familje dhe miq për të dëgjuar misionarët, apo për të marrë pjesë në mbledhjet dhe aktivitetet tona të Kishës.

  • Shoqëroni misionarët te shtëpitë e kërkuesve ose ftoni misionarët të mësojnë jo anëtarët në shtëpinë tuaj.

  • Ftoni njerëz në një mbrëmje familjare në shtëpinë tuaj.

  • Ftoni njerëz te një qendër e historisë familjare, ose ndihmoini ata të bëjnë kërkime të historisë familjare.

  • Jepuni referime misionarëve. Anëtarët mund të jenë burimi më i madh dhe më i mirë i referencave.

  • Ndani besimet dhe dëshminë tuaj me miq dhe familje jo anëtarë.

  • Kërkoni mundësi për të arritur te të tjerët.

  • Zgjeroni miqësinë me kërkues dhe të kthyer të rinj.

  • Bëni përpjekjet tuaja më të mira për gjetjen e atyre të cilët kërkojnë të vërtetën.

  • Nëse keni anëtarë të familjes ose miq në mision, dërgojuni letra dashurie e kurajoje dhe lutuni për ta.

Ju do t’i gëzoheni rezultateve të punës suaj. Një entuziazëm më i madh për punën misionare do të forcojë tërë lagjen apo degën tuaj. E tërë Kisha do ta ndiejë ndikimin e punës suaj.

Kur vajza jonë Marxhi ishte në klasën e dytë, ftoi shoqen e saj më të mirë për të shkuar me të në Fillore. Të dyjave iu caktuan pjesë për prezantimin e mbledhjes së sakramentit. Babai i shoqes së saj nuk i kishte pranuar misionarët më parë, por kur Marxhi u duk në shtëpinë e tij me një grusht pamfletesh të Kishës, ai dëgjoi me kujdes shpjegimet dhe dëshminë e saj të thjeshtë për Jozef Smithin dhe Vegimin e Parë. Ai jo vetëm e lejoi të bijën të vazhdonte të shkonte në Fillore, por edhe i dha leje për të marrë mësimet nga misionarët dhe për t’u pagëzuar. Ai dhe gruaja e tij morën pjesë në shërbimin e pagëzimit.

Ne të gjithë mund të marrim pjesë në punën misionare. Kjo është puna e Zotit dhe Ai do të na ndihmojë ta kryejmë atë. Ungjilli i Tij duhet të shkojë në çdo vend dhe ne mund të jemi vegël në duart e Tij për të bekuar jetën e të tjerëve duke ndarë me ta të vërtetën e Tij. Ne do të jemi shumë të bekuar gjatë këtij procesi.

Ne jemi bijtë e një Ati të dashur Qiellor. Ai dërgoi Birin e Tij për të hapur udhën që ne të mund të jetojmë përgjithmonë me Të. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 3:5.

  2. Mateu 28:19–20.

  3. DeB 18:14.

  4. Predikoni Ungjillin Tim (2004), 36617.101, f. 1.

  5. Jeffrey R. Holland, “The Atonement” (seminar për presidentë të rinj misioni, 26 qershor 2007), f. 1.

  6. Gordon B. Hinckley, “Our Responsibility to Our Young Women,” Ensign, shtator 1988, f. 10.

  7. Shih Predikoni Ungjillin Tim, 36617.101, f. 219.