Le Ta Bëjë Me Thjeshtësi
Në kërkim të marrjes së lehtësimit prej trysnive të jetës, kërkofshim me zell mënyra për thjeshtimin e jetës sonë.
Ata prej nesh që kanë jetuar për një periudhë kohe – dhe Plaku Uirthlin dhe unë kemi jetuar për një kohë të gjatë – kanë njohur disa forma tek prova e jetës. Ka cikle të kohëve të mira e të këqija, ulje dhe ngritje, periudha gëzimi e trishtimi dhe kohë bollëku si edhe pamjaftueshmërie. Kur jeta jonë hyn në një drejtim të paparashikuar dhe të padëshiruar, nganjëherë përjetojmë trysni dhe ankth. Një nga sfidat e kësaj përvoje tokësore është të mos i lejojmë trysnitë dhe sforcimet e jetës të na mundin – të durojmë periudhat e ndryshueshme të jetës duke mbetur ndërkohë pozitivë dhe madje optimistë. Ndoshta ne, kur vështirësitë dhe sfidat mësyjnë, duhet që këto fjalë shpresëdhënëse nga Robert Brauning t’i kemi të gdhendura në mendje: “Gjëja më e mirë ende nuk ka ndodhur” (“Rabbi Ben Ezra”, në Charles W. Eliot, bot., The Harvard Classics, 50 vëllime [1909-10], 42:1103). Në jetë nuk mund të parashohim të gjitha mundimet dhe stuhitë, madje as ato që do të ndodhin së shpejti, por si njerëz të besimit dhe të shpresës, ne dimë pa asnjë hije dyshimi se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë dhe që gjëja më e mirë ende nuk ka ndodhur.
Më kujtohet një periudhë e veçantë e jetës sime kur isha nën një trysni të pazakontë. Kishim telashe me punësimin tim dhe njëkohësisht ime shoqe u diagnostikua me një sëmundje që i kërcënonte jetën. Kjo ishte një nga ato kohë kur më dukej sikur kundërshtari pati shpallur luftë frontale kundër meje dhe familjes sime. Në ditët kur tensionet dhe ankthet e jetës sonë të trazuar ishin gati të na mposhtnin, gruaja ime dhe unë gjetëm një mënyrë për t’i lehtësuar.
Ne shkuam në një vend, vetëm pak kilometra larg shtëpisë, për t’u larguar nga andrallat për pak çaste qetësie, të bisedonim dhe t’i jepnim ngushëllim emocional njëri-tjetrit. Ky vend ishte Pellgu Uolden. Ishte një liqen i vogël i mrekullueshëm rrethuar me pyje drurësh. Kur gruaja ime ndihej e fortë fizikisht, ne shkonim për një shëtitje përreth liqenit. Ditë të tjera, kur ajo nuk ndihej për shëtitje, ne thjesht rrinim ulur në makinë dhe bisedonim. Pellgu i Uoldenit ishte vendi ynë i veçantë për të pushuar, menduar dhe për shërim. Ndoshta vinte pjesërisht për shkak të historisë së tij – lidhjes së tij me përpjekjet e Henri Dejvid Thoroit për t’u ndarë nga gjërat e botës për një periudhë vitesh – që ai vend na ofronte aq shumë shpresë për një thjeshtësi dhe na siguronte një ikje aq përtëritëse nga jeta jonë e mbindërlikuar.
Ishte marsi i vitit 1845 kur Thoroi vendosi të shkonte për të jetuar në brigjet e Pellgut Uolden dhe të shpenzonte dy vjet në përpjekje për të kuptuar për se është jeta. Ai zuri vend tek një tokë që ishte në pronësi të mikut të tij të mirë Ralf Uoldo Emerson. Bleu një kasolle të vjetër nga një punonjës hekurudhe dhe e shembi. Me trarë nga kasollja dhe me drurin pyjor ndërtoi dhomën e vet. Ai mbante shënime tepër të përpikta mbi shpenzimet dhe arriti në përfundimin se për shtëpinë dhe për lirinë ai shpenzoi thjesht 28.12 dollarë. Ai krijoi një kopsht ku mbolli bizele, patate, misër, bathë e rrepa për të mbajtur jetën e thjeshtë që bënte. Mbolli dy akra e gjysmë me bathë, me qëllim që ta përdorte fitimin e vogël për të mbuluar nevojat e veta. Në të vërtetë, fitim i vogël: 8.71 dollarë.
Thoroi jetonte fare i pavarur prej kohës. Nuk kishte as orë, as kalendar në dhomën e tij të vogël. E kalonte kohën duke shkruar dhe studiuar bukuritë dhe çuditë e natyrës që e rrethonte, përfshirë edhe bimët, zogjtë dhe kafshët në atë vend. Nuk bënte jetën e një vetmitari – vizitonte qytetin e Konkordit në shumicën e ditëve dhe ftonte të tjerët të vinin në shtëpizë për biseda dijesh. Me përfundimin e dy viteve, ai u largua pa keqardhje nga kasollja e tij. Ai e quante kohën që kishte kaluar atje, si një periudhë të duhur kohe për përmbushjen e synimeve të tij – të përjetonte dobitë shpirtërore të një jetese të thjeshtuar. Gjithashtu mendonte se kishte përpara përvoja të tjera të jetës. Ishte koha për të shkuar më tej dhe për të zbuluar mundësi të tjera.
Nga përvojat e tij tek Pellgu Uolden, Thoroi përcaktoi se kishte veçse katër gjëra që i duheshin vërtet një njeriu: ushqim, veshje, strehë dhe lëndë djegëse. Dëshiroj të zgjerohem mbi secilën nga këto nevoja bazë të jetës si edhe mbi dobitë shpirtërore të një jetese të thjeshtuar.
Kërkesa e parë është ushqimi. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ne zotërojmë dijen e shenjtë prej së vërtetës së zbuluar lidhur me marrëdhënien trup-shpirt. Doktrina e Besëlidhje 88:15 shpall: “Fryma e trupi janë shpirti i njeriut”. Që të na bekojë fizikisht dhe shpirtërisht, Zoti na zbuloi gjithashtu ligjin e shëndetit, duke na treguar se cilat ushqime dhe substanca janë të mira për trupin dhe cilat jo. Bashkë me këto udhëzime vjen premtimi që gjendet në seksionin 89 të Doktrinës e Besëlidhjeve:
“Dhe gjithë shenjtorët të cilët kujtohen t’i zbatojnë dhe t’i bëjnë këto thënie, duke ecur me bindje ndaj urdhërimeve, do të marrin shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre;
Dhe do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura;
Dhe do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen.
Dhe unë, Zoti, u jap atyre një premtim se engjëlli shkatërrues do të kalojë pranë tyre, sikurse me fëmijët e Izraelit, dhe nuk do t’i vrasë” (vargjet 18–21).
Nuk ka këshillë më të mirë për sa i përket Fjalës së Urtësisë, sesa ajo që gjendet në broshurën “Për Forcën e Rinisë”. Ajo përcakton:
“Zoti ju ka urdhëruar të kujdeseni për trupin tuaj. Për ta bërë këtë, respektoni Fjalën e Urtësisë që gjendet në Doktrina e Besëlidhje 89. Hani ushqime të ushqyeshme, bëni ushtrime fizike rregullisht dhe flini mjaftueshëm. Kur i bëni këto gjëra, mbeteni të lirë nga veset e dëmshme dhe keni kontrollin e jetës suaj. Fitoni bekimin e një trupi të shëndetshëm, një mendje të zhdërvjellët dhe të udhëheqjes së Frymës së Shenjtë. …
Çdo lloj droge, kimikati apo praktikë e rrezikshme që përdoret për të prodhuar një ndjesi apo një gjendje qejfi mund të shkatërrojë mirëqenien tuaj fizike, mendore dhe shpirtërore. Këto përfshijnë drogat e forta, mjekimet e marra me receta apo që mund të blihen në farmaci pa receta, si edhe kimikate shtëpiake” ([2001], f. 36-37).
Nuk duam ta dëmtojmë trupin tonë të vdekshëm, sepse është dhuratë nga Perëndia, dhe një pjesë e planit të madh për lumturi të Atit Qiellor është ribashkimi i trupit tonë të pavdekshëm me shpirtin tonë.
Një tjetër nevojë bazë është veshmbathja. Një jetë e thjeshtuar e cila sjell bekime shpirtërore, kërkon veshjen e rrobave të thjeshta dhe modeste. Veshja dhe paraqitja jonë u dërgojnë të tjerëve një mesazh se cilët jemi dhe gjithashtu ndikojnë mbi mënyrën tonë të sjelljes me të tjerët. Kur vishemi me modesti, ne gjithashtu ftojmë Shpirtin e Zotit të bëhet mburojë dhe mbrojtje për ne.
Tendencat botërore në modën e grave po nxisin gjithnjë stile ekstreme. Me modelet e tyre më të fundit shumë krijues mode duket sikur përpiqen të bëjnë dy a tre veshje prej sasisë së cohës së nevojshme për një të tillë. Për pjesën më të madhe, ata po u heqin veshjeve të grave tepër shumë lart dhe tepër shumë poshtë dhe, me raste, janë dorështrënguar edhe për mesin. Modat e burrave gjithashtu po përvetësojnë modelet ekstreme. Në kohën time ato do t’i quanin të lerosura dhe të pavend. Unë besoj se veshja tepër e shkujdesur pothuajse gjithnjë pasohet nga sjellje tepër të shkujdesura.
Shumë prej jush po përpiqen të jenë të përveçëm me veshjet dhe stolisjen, që të tërheqin, atë të cilën Zoti do ta quante një lloj të gabuar vëmendjeje. Në historinë e pemës së jetës në Librin e Mormonit, kishte njerëz, “mënyra… e veshjes [të të cilëve] ishte jashtëzakonisht e [shtrenjtë]”, të cilët talleshin me ata që morën prej frutit të pemës. Është serioze të kuptohet se në ndërtesën e gjerë e të madhe, tallësit që merrnin vesh nga moda, ishin përgjegjës për sikletosjen e shumë vetave, dhe ata që u turpëruan “u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën” (1 Nefi 8:27–28).
Presidenti N. Eldon Taner njëherë na paralajmëroi me këto fjalë: “Modestia në të veshur është një cilësi e mirë e mendjes dhe e zemrës, që lind nga respekti për veten, për një tjetër dhe për Krijuesin e ne të gjithëve. Modestia pasqyron një qëndrim përulësie, mirësjelljeje dhe hijeshi. Në përputhje me këto parime dhe të udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë, prindërit, mësuesit dhe të rinjtë le të diskutojnë mbi hollësitë e veshjes, stolisjes dhe pamjes së jashtme, dhe me lirinë e zgjedhjes të pranojnë përgjegjësinë dhe të zgjedhin të drejtën” (“Friend to Friend”, Friend, qershor 1971, f. 3).
Tani le t’i kthehemi kërkesës së tretë të Thoroit, asaj të strehimit. Gazetat gëlojnë nga lajmet për krizën e tanishme të tregut të shtëpive. Ne jemi nxitur në pothuaj çdo konferencë të përgjithshme të Kishës që unë arrij të kujtoj, që të mos jetojmë përtej mundësive tona. Të ardhurat tona le të përcaktojnë llojin e shtëpisë që mund të kemi, jo shtëpia e madhe e një fqinji matanë rrugës.
Presidenti Hibër J. Grant njëherë tha: “Nga kujtimet e mia më të hershme, që nga ditët e Brigam Jangut e deri tani, kam dëgjuar me vëmendje burrat që qëndronin në foltore… duke i nxitur njerëzit të mos hynin në borxh; dhe unë besoj që pjesa më e madhe e të gjitha telasheve tona të sotme shkaktohet nga dështimi për zbatimin e asaj këshille (në Conference Report, tetor 1921, f. 3).
Një nga mënyrat më të mira për të thjeshtuar jetën tonë është të ndjekësh këshillën që aq shpesh e kemi marrë, që të jetojmë brenda të ardhurave tona, të qëndrojmë jashtë borxhit dhe të kursejmë për ditë të vështira. Ne duhet të praktikojmë dhe të forcojmë zakonet tona të kursimit, punës sistematike, nikoqirllëkut dhe përdorimit me masë. Anëtarët e një familjeje të mirëadministruar nuk paguajnë interesa; ata i fitojnë ato.
Domosdoshmëria e fundit e Thoroit ishte lënda djegëse. Kemi dëgjuar mjaft mbi lëndën djegëse dhe energjinë – për çmimin e saj të lartë dhe rezervën e kufizuar, varësinë tonë të rrezikshme e të paparashikueshme nga furnitorët e tyre dhe për kërkesën për burime të reja e të qëndrueshme energjie. Diskutimin e këtyre çështjeve të ndërlikuara ia lë drejtuesve të qeverisë dhe të industrisë. Lënda djegëse për të cilën dua të diskutoj është karburanti shpirtëror.
Zoti na ka dhënë një plan të bukur mbi mënyrën për t’u kthyer tek Ai, por plotësimi i udhëtimit tonë të jetës së vdekshme kërkon karburant shpirtëror. Ne dëshirojmë t’u ngjajmë pesë virgjëreshave të zgjuara, të cilat kishin ruajtur lëndë djegëse të mjaftueshme për të shoqëruar dhëndrin kur Ai të vinte (shih Mateu 25:6–10). Çfarë kërkohet për të mbajtur një rezervë të mjaftueshme karburanti shpirtëror? Duhet të sigurojmë njohuri për planin e përjetshëm të Perëndisë dhe për rolin tonë në të dhe, më pas, duke jetuar me drejtësi, duke ia dorëzuar vullnetin tonë vullnetit të Perëndisë, ne marrim bekimet e premtuara.
Sikurse Plaku Uilliam R. Bredford na mësonte tek kjo foltore: “Në drejtësi ka thjeshtësi të madhe. Në çdo situatë që na del përballë në jetë, ka ose një rrugë të drejtë, ose një rrugë të gabuar për veprim. Nëse zgjedhim rrugën e drejtë, në veprimet tona ne mbështetemi nga parimet e drejtësisë, në të cilat gjendet fuqi nga qielli. Nëse zgjedhim rrugën e gabuar dhe veprojmë sipas asaj zgjedhjeje, nuk ekziston një premtim ose fuqi e tillë qiellore dhe ne jemi vetëm dhe të destinuar të dështojmë” (“Righteousness”, Liahona, janar 2000, f. 103).
Pak përpara se Thoroi të vdiste, e pyetën në kishte arritur paqe me Perëndinë. Ai u përgjigj: “Nuk di të jemi grindur ndonjëherë” (në Mardy Grothe, përpilim, Viva la Repartee [2005], f. 181).
Në kërkim të marrjes së lehtësimit prej trysnive të jetës, kërkofshim me zell mënyra për thjeshtimin e jetës sonë. U pajtofshim me këshillën dhe udhëzimin e frymëzuar që na ka dhënë Zoti në planin e madh të lumturisë. Qofshim të denjë të kemi shoqërinë e Frymës së Shenjtë dhe ta ndjekim udhëheqjen e Shpirtit teksa përshkojmë këtë udhëtim të jetës së vdekshme. Bëfshim përgatitje vetjake për të përmbushur qëllimin përfundimtar të kësaj prove tokësore – të kthehemi e të jetojmë me Atin tonë Qiellor – është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.