Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim
Le ta gëzojmë jetën ndërsa e jetojmë atë, të gjejmë gëzim në udhëtim dhe të ndajmë dashurinë tonë me miqtë dhe familjen.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashur, ndihem i përulur tek sa qëndroj përpara jush këtë mëngjes. Unë kërkoj besimin dhe lutjet tuaja për mua gjatë kohës që flas për ato gjëra që kanë qenë në mendjen time dhe të cilat kam pasur përshtypjen t’i ndaj me ju.
Unë po filloj duke përmendur një nga aspektet më të pashmangshme të jetës sonë këtu në tokë dhe ky aspekt është ndryshimi. Një herë apo një tjetër, ne të gjithë kemi dëgjuar ndonjë formulim të thënies së njohur: “Nuk ka asgjë që të jetë aq e vazhdueshme sa ndryshimi.”
Gjatë gjithë jetës tonë, ne duhet të përballemi me ndryshimin. Disa ndryshime janë të mirëpritura, disa jo. Ka ndryshime në jetën tonë, të cilat janë të befasishme, të tilla si vdekja e papritur e një njeriu të dashur, një sëmundje e paparashikuar, humbja e një pasurie që e ruanim si thesar. Por shumica e ndryshimeve ndodhin lehtësisht dhe ngadalë.
Kjo konferencë shënon 45 vjet që kur u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Atëherë, si anëtari më i ri i të Dymbëdhjetëve, unë ngrija sytë nga 14 burrat e jashtëzakonshëm, të cilët ishin më të mëdhenj se unë tek të Dymbëdhjetët dhe në Presidencinë e Parë. Një nga një, secili prej këtyre burrave është kthyer në shtëpi [te Perëndia]. Kur Presidenti Hinkli ndërroi jetë para tetë muajsh, unë kuptova se isha bërë Apostulli më i madh. Ato ndryshimet që gjatë një periudhe prej dyzet e pesë vitesh, ishin në rritje, tani duken monumentale.
Javën që vjen, motra Monson dhe unë do të festojmë përvjetorin e 60-të të martesës. Kur kujtoj fillimet tona së bashku, kuptoj se sa shumë ka ndryshuar jeta jonë që nga ajo kohë. Prindërit tanë të dashur, që qëndruan përkrah nesh kur filluam udhëtimin tonë bashkë, kanë ndërruar jetë. Tre fëmijët tanë, të cilët e mbushnin kaq plotësisht jetën tonë për shumë vite, janë rritur dhe kanë vetë familjet e tyre. Shumica e nipërve e mbesave tona janë rritur dhe tani ne kemi katër stërnipër e stërmbesa.
Ditë pas dite, minutë pas minute, sekondë pas sekonde ne shkuam nga aty ku ishim, tek këtu ku jemi tani. Natyrisht, jeta e të gjithëve ne kalon përmes alternimesh dhe ndryshimesh të ngjashme. Dallimi mes ndryshimeve në jetën time dhe ndryshimeve në jetën tuaj qëndron vetëm tek detajet. Koha kurrë nuk qëndron në vend; ajo duhet të marshojë para në mënyrë të qëndrueshme dhe me marshimin vijnë ndryshimet.
Ky është shansi ynë i vetëm dhe unik në jetën e vdekshme – këtu, tani. Sa më gjatë jetojmë, aq më shumë e kuptojmë që jeta është e shkurtër. Mundësitë vijnë dhe pastaj ikin. Unë besoj se ndër mësimet më të mëdha, që do të marrim në këtë udhëtim mbi tokë, janë mësimet që na ndihmojnë të dallojmë mes asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është. Unë lutem me ju, që të mos lini t’ju ikin gjërat më të rëndësishme, për të planifikuar për atë të ardhme të rremë dhe inekzistente, kur do keni kohë të bëni gjithçka që doni të bëni. Në vend të saj, gjeni gëzim në udhëtim – tani.
Unë jam, si më quan gruaja ime, Francis, “i dhënë pas shfaqjeve”. Unë i pëlqej tërësisht shumë shfaqjet muzikore dhe një nga të preferuarat e mia është shkruar nga kompozitorja amerikane Meredit Uillson dhe titullohet Burri i Muzikës. Profesori Harold Hill, një prej personazheve kryesorë në shfaqje, këndon një paralajmërim që do ta ndaj me ju. Thotë ai: “Mendoni e flisni pa fund për të nesërmet dhe do të zbuloni se keni humbur kohë kot me një të shkuar boshe.”1
Vëllezërit e motrat e mia, nuk ka për të pasur ndonjë të ardhme të denjë për t’u kujtuar nëse ne nuk bëjmë diçka sot.
Unë kam ndarë më parë me ju një shembull të kësaj filozofie. Besoj se ia vlen të përsëritet. Shumë vite më parë, Artur Gordon shkroi në një revistë kombëtare, po e citoj:
“Kur isha afro trembëdhjetë vjeç dhe im vëlla dhjetë, Babai na kishte premtuar të na çonte në cirk. Por gjatë drekës mori një telefonatë; duhej përkujdesja e tij për disa punë urgjente në qendër të qytetit. Ne u mbërthyem nga zhgënjimi. Atëherë e dëgjuam atë të thoshte [në telefon]: ‘Jo, nuk do të zbres në qendër. Do t’i duhet të presë.’
Kur ai u kthye në tavolinë, Mamaja buzëqeshi. ‘Besoj e di, cirku kthehet çdo vit,’ [tha ajo].
‘E di,’ tha Babai, ‘Por fëmijëria nuk kthehet’.”2
Nëse keni fëmijë që janë rritur e kanë ikur nga shtëpia, ka shumë të ngjarë të keni ndjerë nganjëherë sëmbimin nga humbja e tyre dhe të keni pranuar se nuk e vlerësuat atë periudhë të jetës aq sa duhej. Natyrisht, nuk ka kthim pas, por vetëm ecje para. Në vend që të jetojmë në të shkuarën, ne duhet ta shfrytëzojmë të sotmen, e këtu-së dhe tani-së, duke bërë gjithçka mundemi që të sigurojmë kujtime të këndshme në të ardhmen.
Nëse jeni akoma në procesin e rritjes së fëmijëve, kuptojeni se gjurmët e vogla që shfaqen pothuaj mbi çdo sipërfaqe të sapopastruar, lodrat e shpërndara nëpër shtëpi, stivat dhe pirgjet me rroba për t’u larë, hekurosur e palosur, do të zhduken të gjitha para se ta kuptoni dhe se ju – për habinë tuaj – do ta ndieni thellësisht mungesën e tyre.
Streset në jetën tonë vijnë pavarësisht nga rrethanat. Ne duhet të përballemi me to në mënyrën më të mirë të mundshme. Por ne nuk duhet t’i lejojmë ato të ndërhyjnë te ajo që është më e rëndësishmja – dhe ajo që është më e rëndësishmja përfshin pothuaj gjithmonë njerëzit përreth nesh. Shpesh ne pretendojmë se ata duhet ta dinë se sa shumë i duam. Por ne nuk duhet të supozojmë asnjëherë; ne duhet t’jua tregojmë. Shkroi Uilliam Shekspir: “Ata që dashurinë s’e shprehin, nuk dashurojnë.”3 Ne nuk do pendohemi kurrë për thënien e fjalëve dashamirëse apo për dashurinë e treguar. Përkundrazi, ne do kemi keqardhje nëse këto gjëra lihen jashtë marrëdhënieve tona me ata që janë më të rëndësishmit për ne.
Dërgojani atë shënim mikut që e keni lënë pas dore; përqafojini fëmijët tuaj; përqafojini prindërit tuaj; thoni më shpesh “Të dua”; shprehini gjithmonë falënderimet tuaja. Mos lejoni kurrë, që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta duash. Miqtë largohen, fëmijët rriten, të dashurit tanë ndërrojnë jetë. Është kaq e lehtë t’i marrësh si të mirëqenë të tjerët, derisa vjen ajo ditë kur ata dalin nga jeta jonë dhe ne mbetemi me ndjenjat “ah sikur” dhe “po sikur”. Tha autorja Harriet Biher Stou: “Lotët më të hidhur, që derdhen mbi varre, janë për fjalët e pathëna dhe veprimet e pabëra.”4
Në vitet 1960, gjatë Luftës së Vietnamit, një anëtar i Kishës, Xhei Hess, pilot, u rrëzua në Vietnamin verior. Për dy vjet familja e tij nuk kishte asnjë ide nëse ai ishte i vdekur apo i gjallë. Robëruesit e tij në Hanoi, përfundimisht, e lejuan t’i shkruante shtëpisë por e kufizuan mesazhin e tij në më pak se 25 fjalë. Çfarë do t’i thoshim unë dhe ju familjeve tona nëse do të ndodheshim në të njëjtën situatë – pa i parë ata për më shumë se dy vjet dhe pa e ditur nëse do t’i shihnim më ndonjëherë? Duke dashur të jepte diçka që familja e tij ta kuptonte që vinte nga ai dhe duke dashur gjithashtu t’u jepte këshillë të vlefshme, vëllai Hess shkroi – po e citoj: “Këto gjëra janë të rëndësishme: Martesa në tempull, misioni, kolegji. Ecni përpara, vendosni qëllime, shkruani histori, bëni fotografi familjare dy herë në vit.”5
Le ta gëzojmë jetën ndërsa e jetojmë atë, të gjejmë gëzim në udhëtim dhe të ndajmë dashurinë tonë me miqtë dhe familjen. Një ditë, secili prej nesh s’do ketë më kohë.
Në librin e Gjonit tek Dhiata e Re, kapitulli 13, vargu 34, Shpëtimtari na këshillon: “Ta doni njëri tjetrin; sikurse unë ju kam dashur.”
Disa prej jush mund të jenë familjarizuar me dramën klasike të Thornton Uajldërit, Our Town [Qyteti Ynë]. Nëse e njihni, do t’ju kujtohet qyteti Grover’s Corners (i Cepave të Korijes), ku ndodh ngjarja. Në dramë, Emili Ueb vdes gjatë lindjes së fëmijës dhe ne lexojmë për hidhërimin e shkretë të bashkëshortit të saj të ri Xhorxh, i lënë me djalin e tyre katërvjeçar. Emili nuk dëshiron të flejë në paqe; ajo do të përjetojë sërish gëzimet e jetës së saj. Asaj i falet privilegji i kthimit në tokë dhe ajo fillon të rijetojë në ditëlindjen e saj të 12-të. Në fillim, është emocionuese të jesh përsëri e re, por emocioni shuhet shpejt. Dita nuk i sjell gëzim Emilisë tani që e di se çfarë e pret në të ardhmen. Është pafundësisht e dhimbshme të kuptosh se sa e pandërgjegjësuar kishte qenë ajo për kuptimin dhe mrekullinë e jetës ndërsa ishte gjallë. Përpara se të kthehej në vendin e saj të pushimit, Emili vajton: “A e vlerësojnë ndonjëherë jetën, qeniet njerëzore, ndërsa e jetojnë atë – çdo, çdo minutë?”
Të kuptuarit nga ana jonë e asaj që është më e rëndësishme në jetë, qëndron krah për krah me mirënjohjen për bekimet tona.
Tha një autor i mirënjohur: “Në jetën tonë, si bollëku edhe mungesa e [bollëkut] ekzistojnë njëherësh, si realitete paralele. Varet gjithmonë nga zgjedhja jonë e ndërgjegjshme se për cilin nga dy kopshtet do kemi prirje….kur nuk zgjedhim të përqendrohemi tek ajo që mungon në jetën tonë por jemi mirënjohës për bollëkun e pranishëm – dashurinë, shëndetin, familjen, punën, gëzimet e natyrës dhe qëllimet personale që na sjellin [lumturi] – djerrina e iluzionit zhduket dhe ne përjetojmë qiellin mbi tokë.”6
Në Doktrina e Besëlidhje, seksioni 88, vargu 33, ne na thuhet: “Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”
Filozofi i lashtë romak, Horaci, këshilloi: “Me çfarëdo çasti a gjëje t’ju ketë bekuar Perëndia, pranojeni me duar të hapura e mirënjohëse, as mos i shtyni gëzimet tuaja nga viti në vit, kështu që kudo të keni qenë, ju mund të thoni se keni jetuar gëzueshëm.”
Shumë vite më parë u preka nga historia e Borghild Dahl. Ajo u lind në Minesota, në 1890, nga prindër norvegjezë dhe që në vitet e saj të para ajo vuante nga një dëmtim serioz i shikimit. Ajo kishte një dëshirë të llahtarshme për të marrë pjesë në jetën e përditshme pavarësisht nga paaftësia e saj, dhe me vendosmëri absolute, ajo pati sukses në pothuaj çdo gjë që ndërmori. Në kundërshtim me këshillën e arsimtarëve, që mendonin se paaftësia e saj ishte tepër e madhe, ajo mori një diplomë 4vjeçare (Bachelor) në shkenca shoqërore nga Universiteti i Minesotës. Më vonë, ajo studioi në Universitetin e Kolumbisë dhe në Universitetin e Oslos. Përfundimisht, ajo u bë kreu i tetë shkollave në Minesotën perëndimore dhe Dakotën e Veriut.
Ajo shkroi sa vijon në një prej 17 librave të shkruara prej saj: “Unë kisha vetëm një sy funksional dhe ai ishte aq i mbuluar me fibrozë të dendur sa që më duhej të shikoja përmes një hapje të vogël në të majtë të syrit. Mund ta shihja një libër vetëm duke e mbajtur pranë fytyrës dhe duke e tensionuar sa më fort të mundesha majtas syrin tim të vetëm.”7
Mrekullisht, më 1943 – kur ishte mbi 50 vjeç – u zhvillua një procedurë revolucionarizuese, e cila përfundimisht i ktheu asaj shumë prej shikimit që ajo nuk e kishte pasur për kaq shumë kohë. Një botë e re dhe emocionuese u hap para saj. Ajo mori kënaqësi të madhe nga gjërat e vogla, që shumica prej nesh i marrin të mirëqena, të tilla si të shikuarit e një zogu në fluturim, të parit e dritës së reflektuar në flluskat e ujit të lavapjatit ose të vështruarit e fazave të hënës çdo natë. Ajo e mbylli një prej librave të saj me këto fjalë: “I dashur… Atë në qiell, unë të falënderoj Ty. Unë të falënderoj Ty.”8
Borghild Dahl, si para edhe pas rikthimit të shikimit, ishte plot mirënjohje për bekimet e saj.
Libri i saj i fundit u botua më 1982, dy vjet para se të vdiste në moshën 92 vjeçare. Titulli i tij: Happy All My Life (E Lumtur Gjithë Jetën Time). Qëndrimi i saj falënderues e mundësoi atë të vlerësonte bekimet e saj dhe të jetonte një jetë të plotë dhe të pasur pavarësisht sfidave të saj.
Tek Një Thesalonikasve në Dhiatën e Re, kapitulli 5, vargu 18, na thuhet nga apostulli Pal: “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë.”
Sillni ndër mend bashkë me mua historinë e 10 lebrozëve:
“Dhe, kur [Jezusi] po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
dhe duke ngritur zërin thanë: ‘Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne’.
Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ‘Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.’ Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë më zë të lartë.
Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
Jezusi atëherë filloi të thotë: ‘A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?’”9
Tha Zoti në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith: “Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka.”10 Qofshim ne mes atyre që i japim falënderimet tona Atit Qiellor. Nëse mosmirënjohja futet mes mëkateve serioze, atëherë mirënjohja zë vendin e saj mes virtyteve më fisnike.
Pavarësisht ndryshimeve që vijnë në jetën tonë dhe me mirënjohje në zemrat tona, bëfshim ne që ditët tona të mbushen – aq shumë sa mundemi – me ato gjëra që kanë më shumë rëndësi. Qofshim ne fort të dashur me ata që i çmojmë shumë dhe u shprehshim dashurinë tonë me fjalë dhe veprime.
Në mbyllje, unë lutem që të gjithë ne do të reflektojmë mirënjohje për Zotin dhe Shpëtimtarin, Jezu Krishtin. Ungjilli i tij i lavdishëm u jep përgjigje pyetjeve më të mëdha të jetës: Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku do të shkojë shpirti im kur të vdes?
Ai na mësoi si të lutemi. Ai na mësoi si të shërbejmë. Ai na mësoi si të jetojmë. Jeta e tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurët Ai i shëroi; të shtypurit Ai i ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi.
Koha erdhi kur Ai qëndroi i vetëm. Disa Apostuj dyshuan; njëri e tradhtoi Atë. Ushtarët romakë shpuan gjymtyrët e Tij. Turma e zemëruar i mori jetën Atij. Por ende ushtojnë që nga kodra e Golgotës, fjalët e tij dashamirëse: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.”11
Më herët, ndoshta duke e nuhatur pikën kulmore të misionit të Tij tokësor, Ai vajtoi: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.”12 “Në han nuk kishte vend”13 nuk ishte shprehja e vetme e mospranimit – ishte vetëm e para. Ende Ai të fton ty dhe mua ta pranojmë Atë. “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.”14
Kush ishte ky Burrë dhembjesh dhe i familjarizuar me vuajtje? Kush është Mbreti i lavdisë, ky Zot i ushtrive? Ai është Mësuesi ynë. Ai është Shpëtimtari ynë. Ai është Biri i Perëndisë. Ai është Vepronjësi i Shpëtimit. Ai na bën me shenjë [të afrohemi]: “Ndiqmë!”15 Ai udhëzon: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”16 Ai lutet: “Zbatoni urdhërimet e mia.”17
Le ta ndjekim Atë. Le të matemi me shembullin e Tij. Le t’i bindemi fjalës së Tij. Duke bërë kështu, ne i japim Atij dhuratën hyjnore të mirënjohjes.
Vëllezër dhe motra, lutja ime e sinqertë është që ne të mund të përshtatemi me ndryshimet në jetën tonë, që të mund të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja, që ne të mund të shprehim gjithmonë mirënjohje dhe kështu të gjejmë gëzim në udhëtim. Në emër të Jezu Krishtit, amen.