2008
Lutuni Kurdoherë
Nëntor 2008


Lutuni Kurdoherë

Lutja bëhet më kuptimplote kur ne këshillohemi me Zotin në të gjitha veprimet tona, kur shprehim mirënjohje të përzemërt dhe kur lutemi për të tjerët.

Elder David A. Bednar

Në konferencën e kaluar mesazhi im përqendrohej mbi parimin ungjillor të të kërkuarit në lutje me besim. Sot dua të shtjelloj tre parime shtesë të cilat mund të ndihmojnë që lutjet tona të bëhen më kuptimplote, dhe lus për vete e për j u ndihmën e Frymës së Shenjtë.

Parimi nr.1. Lutja bëhet më kuptimplote kur ne këshillohemi me Zotin në të gjitha veprimet tona (shih Alma 37:37).

E thënë thjesht, lutja është komunikim drejtuar Atit Qiellor nga bijtë dhe bijat e Tij në tokë. “Sapo mësojmë marrëdhënien e vërtetë që kemi kundrejt Perëndisë (që do të thotë, Perëndia është Ati ynë dhe ne jemi fëmijët e tij), atëherë lutja menjëherë bëhet e natyrshme dhe instiktive për ne” (Bible Dictionary, “Prayer”, f. 752). Ne urdhërohemi t’i lutemi kurdoherë Atit në emër të Birit (shih 3 Nefi 18:19–20). Ne na premtohet që, po të lutemi sinqerisht për atë që është e drejtë, dhe e mirë, dhe në përputhje me vullnetin e Perëndisë, mund të kemi bekim, mbrojtje dhe udhëzim (shih 3 Nefi 18:20; DeB 19:38).

Zbulesa është komunikim nga Ati Qiellor drejt fëmijëve të Tij në tokë. Kur kërkojmë me besim, mund të marrim zbulesë pas zbulese e dije pas dijeje dhe arrijmë të njohim të fshehtat dhe gjërat paqësore që sjellin gëzim dhe jetë të përjetshme (shih DeB 42:61). Të fshehtat janë ato çështje që mund të njihen dhe të kuptohen vetëm nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë (shih Harold B. Lee, Ye Are the Light of the World, [1974], f. 211).

Zbulesat e Atit dhe të Birit transmetohen përmes anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi, pikërisht Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është dëshmuesi dhe lajmëtari për Atin dhe Birin.

Modelet e përdorura nga Perëndia në krijimin e tokës, janë udhëzime me vlerë në ndihmën që na japin për të kuptuar si bëhet lutja kuptimplote. Në kapitullin e tretë të librit të Moisiut mësojmë se gjithçka u krijua shpirtërisht para se të ishte natyralisht mbi tokë.

“Dhe tani, vini re, unë të them se këto janë brezat e qiellit dhe të tokës, kur ata u krijuan, në ditën që unë, Zoti Perëndi, bëra qiellin dhe tokën,

Dhe çdo bimë të fushës përpara se të ishte në tokë, dhe çdo barishte të fushës përpara se të rritej. Sepse unë, Zoti Perëndi, i krijova të gjitha gjërat, për të cilat kam folur, shpirtërisht, përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi faqen e tokës” (Moisiu 3:4–5).

Mësojmë nga këto vargje se krijimi shpirtëror parapriu krijimin material. Në mënyrë të ngjashme, lutja kuptimplote e mëngjesit është një element i rëndësishëm në krijimin shpirtëror të çdo dite – dhe i paraprin krijimit material ose realizimit faktik të ditës. Ashtu si krijimi material lidhej dhe ishte vazhdim i krijimit shpirtëror, ashtu edhe lutjet kuptimplote të mëngjesit e të mbrëmjes lidhen dhe janë vazhdimi i njëra-tjetrës.

Mendoni këtë shembull. Në karakterin tonë, në sjelljen tonë ose lidhur me rritjen tonë shpirtërore mund të ketë gjëra për të cilat na nevojitet të këshillohemi me Atin Qiellor në lutjen e mëngjesit. Mbas shprehjes së falënderimeve të duhura për bekimet e marra, ne lutemi për aftësinë që të kuptojmë, për drejtim dhe për ndihmë për të bërë gjërat që vetë nuk mundemi vetëm me forcën tonë. Për shembull, kur lutemi, ne mund të:

  • Mendojmë për ato raste kur kemi folur ashpër ose pa vend për ata që duam më fort.

  • Pranojmë se dimë të veprojmë edhe më mirë, por që jo gjithmonë veprojmë në përputhje me atë që dimë.

  • Shprehim keqardhje për dobësitë tona dhe që nuk zhveshim më seriozisht njeriun tonë të natyrshëm.

  • Vendosim t’i japim formë jetës sonë më plotësisht sipas Shpëtimtarit.

  • Përgjërohemi për fuqi më të madhe për të vepruar e për t’u bërë më të mirë.

Një lutje e tillë është pjesë kyçe e përgatitjes shpirtërore për ditën tonë.

Gjatë gjithë ditës mbajmë në zemër një lutje për ndihmë dhe udhëheqje të vazhdueshme – madje sikurse sugjeroi Alma: “Le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti” (Alma 37:36).

Gjatë kësaj dite të veçantë ne vëmë re se ka rrethana kur zakonisht ne do të kishim prirje të flisnim ashpër, por nuk bëjmë kështu; ose mund të prireshim nga zemërimi, por nuk jemi ashtu. Ne shquajmë një ndihmë e fuqi qiellore dhe me përulje njohim përgjigjet për lutjet tona. Dhe madje në atë çast pranimi ofrojmë një lutje të heshtur mirënjohjeje.

Në përfundim të ditës sonë ne gjunjëzohemi përsëri dhe i raportojmë Atit tonë. Ne shqyrtojmë sërish ngjarjet e ditës dhe shprehim falënderime të përzemërta për bekimet dhe ndihmën që morëm. Ne pendohemi dhe, me ndihmën e Shpirtit të Zotit, përcaktojmë mënyra për të vepruar e për t’u bërë më të mirë nesër. Prandaj lutja e mbrëmjes mbështetet dhe është vazhdim i lutjes sonë të mëngjesit. Dhe lutja jonë e mbrëmjes është gjithashtu përgatitje për lutje kuptimplote në mëngjes.

Lutjet e mëngjesit e të mbrëmjes – dhe të gjitha lutjet e ndërmjetme – nuk janë ngjarje pa lidhje ose të shkëputura; përkundrazi, lidhen së bashku për çdo ditë dhe përgjatë ditëve, javëve, muajve dhe viteve. Kjo është pjesërisht mënyra me të cilën ne përmbushim këshillën “lutuni kurdoherë” (Lluka 21:36; 3 Nefi 18:15, 18; DeB 31:12). Lutje të tilla kuptimplote janë dobiprurëse në marrjen e bekimeve më të larta që Perëndia mban rezervë për fëmijët e Tij besnikë.

Lutja bëhet kuptimplote kur kujtojmë marrëdhënien tonë me Hyjninë dhe mbajmë parasysh këshillën:

“Përgjëroju Perëndisë, për gjithë mbështetjen tënde; po, le të jenë të gjitha veprimet e tua në Zotin dhe kudo që të shkosh, le të jetë në Zotin; po, le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti; po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti.

Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bjer për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falënderime ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se i bën këto gjëra, ti do të ngrihesh në ditën e fundit” (Alma 37:36–37; theksimet janë shtesë).

Parimi nr. 2. Lutja bëhet më kuptimplote kur ne shprehim mirënjohje të përzemërt.

Gjatë shërbimit tonë në Universitetin “Brigam Jang – Ajdaho”, Motra Bednar dhe unë prisnim shpesh Autoritete të Përgjithshme në shtëpinë tonë. Familja jonë mësoi një mësim të rëndësishëm për lutjen kuptimplote kur një mbrëmje u gjunjëzuam për t’u lutur me një anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Më herët atë ditë mua dhe Motrën Bednar na informuan mbi vdekjen e papritur të një mikut tonë të dashur dhe dëshira jonë e menjëhershme ishte të luteshim për bashkëshorten dhe fëmijët e mbijetuar. Kur ftova bashkëshorten time të bënte lutjen, anëtari i të Dymbëdhjetëve, pa ditur gjë për tragjedinë, sugjeroi me mirësjellje që në lutje Motra Bednar të shprehte vetëm vlerësim për bekimet e marra dhe të mos kërkonte asgjë. Këshilla e tij ishte e ngjashme me udhëzimin e Almës drejtuar anëtarëve të Kishës së dikurshme “që të luteshin pa pushim dhe të jepnin falënderime në të gjitha gjërat” (Mosia 26:39). Për shkak të tragjedisë së papritur, të kërkoje bekime për miqtë tanë, fillimisht dukej për ne më urgjente, sesa të shprehje falënderime.

Motra Bednar iu përgjigj me besim udhëzimit që mori. E falënderoi Atin Qiellor për përvojat kuptimplote dhe të paharrueshme që kaluam me mikun tonë të dashur. Ajo shprehu mirënjohje të sinqertë për Frymën e Shenjtë si Ngushëllues dhe për dhuratat e Shpirtit që na japin mundësi të përballojmë fatkeqësinë dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Ç’është më e rëndësishme, ajo shprehu vlerësim për planin e shpëtimit, për sakrificën shlyese të Jezu Krishtit, për Ringjalljen e Tij dhe për ordinancat e ungjillit të rivendosur, të cilat bëjnë të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.

Familja jonë nga ajo përvojë mësoi një mësim të madh për fuqinë e falënderimit në lutje kuptimplote. Për shkak të asaj lutjeje dhe nëpërmjet saj, familja jonë u bekua me frymëzim në lidhje me një sërë çështjesh që na ndrydhnin mendjen e na trazonin në zemër. Mësuam se mirënjohja jonë për planin e lumturisë dhe për misionin shpëtues të Shpëtimtarit jepte sigurinë e nevojshme dhe forconte bindjen tonë që gjithçka do të shkonte mirë me miqtë tanë. Gjithashtu ne morëm kuptime për gjërat mbi të cilat duhet të lutemi e të kërkojmë me vend në lutje.

Lutjet më kuptimplote dhe më shpirtërore që kam përjetuar unë, përmbanin shprehje të shumta falënderimesh dhe pak kërkesa, nëse kishte të tilla. Meqenëse jam bekuar tani të lutem me apostuj dhe profetë, unë gjej mes këtyre udhëheqësve të kohëve moderne të Kishës së Shpëtimtarit të njëjtin tipar i cili karakterizonte Kapiten Moronin tek Libri i Mormonit: këta janë njerëz, zemra e të cilëve gufon me falënderim ndaj Perëndisë për privilegjet dhe bekimet e shumta që Ai i jep popullit të Tij (shih Alma 48:12). Gjithashtu, ata nuk shtojnë fjalë të shumta, sepse atyre u jepet ajo që duhet të kërkojnë dhe janë plot dëshirë (shih 3 Nefi 19:24). Lutjet e profetëve janë fëminore në thjeshtësi e në fuqi për arsye të sinqeritetit të tyre.

Kur përpiqemi t’i bëjmë lutjet më kuptimplote, duhet të kujtojmë se “në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka dhe nuk u binden urdhërimeve të tij” (DeB 59:21). Më lejoni të rekomandoj që herë pas here ju dhe unë të bëjmë lutje në të cilat vetëm të japim falënderime dhe të shprehim mirënjohje. Mos kërkoni asgjë; thjesht lejoni shpirtin tuaj të gëzohet e të përpiqet të shprehë vlerësimin me gjithë energjinë e zemrës suaj.

Parimi nr.3. Lutja bëhet më kuptimplote kur ne lutemi për të tjerët me qëllim të vërtetë e me zemër të sinqertë.

T’i bësh kërkesë Atit Qiellor për bekimet që dëshirojmë në jetën tonë vetjake, është gjë e mirë dhe me vend. Sidoqoftë, të lutesh me zell për të tjerët, si ata që duam, ashtu dhe ata që na keqtrajtojnë, është gjithashtu një element i rëndësishëm i lutjes kuptimplote. Ashtu si shprehja e mirënjohjes më shpesh në lutjet tona, e zgjeron kanalin për zbulesa, ashtu dhe lutja me gjithë energjinë e shpirtit tonë për të tjerët, na shton aftësinë për të dëgjuar e për t’i vënë vesh zërit të Zotit.

Ne mësojmë një mësim jetik nga shembulli i Lehit tek Libri i Mormonit. Lehi iu përgjigj me besim udhëzimit dhe paralajmërimeve profetike në lidhje me shkatërrimin e Jeruzalemit. Ai më pas iu lut Zotit “me gjithë zemrën e tij në emër të popullit të tij” (1 Nefi 1:5; shkronjat kursive janë shtesë). Në përgjigje të lutjes së tij të zjarrtë, Lehi u bekua me një vegim të lavdishëm të Perëndisë e të Birit të Tij lidhur me shkatërrimin e afërt të Jeruzalemit (shih 1 Nefi 1:6–9, 13, 18). Për rrjedhojë, Lehi gëzoi dhe e kishte zemrën plot për shkak të gjërave që Zoti i kishte shfaqur (shih 1 Nefi 1:15). Vëreni, ju lutem, që vegimi erdhi si përgjigje e lutjes për të tjerët dhe jo si rezultat i një kërkese për ngritjen e moralit ose drejtimin vetjak.

Shpëtimtari është shembulli i përkryer i lutjes me qëllim të vërtetë për të tjerët. Në Lutjen e Tij të lartë Në Emër të Të Tjerëve, shqiptuar një natë përpara Kryqëzimit të Tij, Jezusi u lut për Apostujt e Tij e për të gjithë shenjtorët.

“Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. …

Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, …

… që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta” (Gjoni 17:9, 20, 26).

Gjatë shërbesës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan, Ai i udhëzoi njerëzit të mendoheshin për mësimet e Tij dhe të luteshin për kuptim. I shëroi të sëmurët e u lut për popullin duke përdorur një gjuhë që nuk mund të shkruhet dot (shih 3 Nefi 17:1–16). Ndikimi i lutjes së Tij ishte i thellë: “Askush nuk mund ta kuptojë gëzimin që mbushi shpirtrat tanë kur e dëgjuam t’i lutej Atit për ne” (3 Nefi 17:17). Përfytyroni se ç’gjë mund të kishte qenë të dëgjoje Shpëtimtarin e botës që lutej për ne.

A e ndiejnë po ashtu gratë, fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes fuqinë e lutjeve tona të ofruara Atit për nevojat dhe dëshirat e tyre të veçanta? A na dëgjojnë të lutemi me besim dhe sinqeritet për ata të cilëve u shërbejmë? Në qoftë se ata që i duam e u shërbejmë nuk kanë dëgjuar dhe ndier ndikimin e lutjeve tona të zellshme në emër të tyre, atëherë është tani koha që të pendohemi. Kur përpiqemi të arrijmë shembullin e Shpëtimtarit, lutjet tona vërtet do të bëhen më kuptimplote.

Ne urdhërohemi të “[lutemi] gjithmonë” (2 Nefi 32:9; DeB 10:5; 90:24) – “me zë, ashtu si dhe në zemrën [tonë]; … përpara botës, ashtu si dhe në fshehtësi, në publik, ashtu si dhe në vetmi” (DeB 19:28). Dëshmoj se lutja bëhet më kuptimplote kur ne këshillohemi me Zotin në të gjitha veprimet tona, kur shprehim mirënjohje të përzemërt dhe kur lutemi për të tjerët me qëllim të vërtetë e zemër të sinqertë.

Dëshmoj që Ati Qiellor jeton dhe që Ai i dëgjon e i përgjigjet çdo lutjeje të zellshme. Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Ndërmjetësi ynë. Zbulesa është një gjë e vërtetë. Plotësia e ungjillit është rivendosur në tokë në këtë periudhë ungjillore. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.