O Ju që Hyni në Shërbim të Perëndisë
Fuqia jonë për të mbartur barrën mund të rritet më tepër se mjaftueshëm për të kompensuar për shërbimin e rritur që do të na kërkohet të japim.
Vëllezërit e mi të dashur, sot dëshiroj të nxit mbajtësit e priftërisë që nganjëherë ndihen të mposhtur nga përgjegjësitë e tyre. Kjo është një sfidë për të cilën kam folur më parë. Unë flas përsëri për të sepse ajo kthehet kaq shpesh në jetën e atyre të cilët i dua dhe u shërbej.
Shumica prej jush kanë zbuluar se detyrat tuaja të priftërisë do t’ju tendosin deri në atë pikë sa të vrisni mendjen nëse mund të tendoseni aq shumë. Kjo mund të ketë ndodhur kur ju kanë kërkuar të flisni në një konferencë kunji përpara qindra njerëzve. Për të sapokthyerin në besim, kjo mund të ketë qenë kur i kanë kërkuar të lutet publikisht ose të zhvillojë një mësim për herë të parë. Për disa, mund të ketë qenë kur janë përpjekur të mësojnë një gjuhë të huaj në një qendër trajnimi misionar. Nëse kjo nuk ju ka shtyrë deri në kufijtë tuaj, sigurisht që ka ndodhur në rrugët e një qyteti të huaj, kur presidenti i misionit tuaj ju ngarkoi t’i flisnit çdo personi që takonit, për të dëshmuar për Shpëtimtarin dhe Rivendosjen e ungjillit.
Ju mund të keni menduar atëherë: “Sapo të mbaroj misionin, të jem një mbajtës besnik i priftërisë, do të jetë më e lehtë.” Por brenda disa vitesh, ju e gjenit veten duke fjetur edhe më pak gjatë natës, ndërsa përpiqeshit të mbështesnit një bashkëshorte dhe një foshnjë të sapolindur, duke qenë i sjellshëm e i dashur, duke u përpjekur të merrni një farë arsimimi, duke iu gjendur anëtarëve të kuorumit tuaj të pleqve, ndoshta madje duke i ndihmuar të transportojnë mobiliet dhe duke u përpjekur të gjeni kohë që t’u shërbeni paraardhësve tuaj në tempull. Ju mund të keni mbajtur një buzëqeshje në fytyrë me mendimin: “Kur të moshohem edhe pak, të jem një mbajtës besnik i priftërisë, nuk do të kërkojë kaq shumë. Do të jetë më e lehtë.”
Ata prej jush që janë edhe më të moshuar, po buzëqeshin, sepse ata dinë diçka për shërbimin e priftërisë. Është kjo: sa më shumë shërbim besnik të jepni, aq më shumë kërkon Zoti prej jush. Buzëqeshja juaj është e lumtur, sepse ju e dini që Ai e rrit fuqinë tonë për ta mbajtur ngarkesën më të rëndë.
Megjithatë, pjesa e rreptë e atij realiteti është se, që Ai t’ju japë atë forcë të shtuar, ju duhet të shërbeni e të keni besim përtej asaj që mendoni se janë aftësitë tuaja.
Është ashtu si forcimi i muskujve. Ju duhet t’i copëtoni muskujt që të mund t’i forconi ata. Ju i ushtroni muskujt deri në rraskapitje. Pastaj ata ripërtërihen vetë dhe fitojnë forcë më të madhe. Forca e rritur shpirtërore është një dhuratë nga Perëndia, të cilën Ai mund ta japë kur ne mbërrijmë deri në kufijtë tanë në shërbimin e Tij. Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit, natyra jonë mund të ndryshohet. Atëherë fuqia jonë për të mbartur barrën mund të rritet më tepër se mjaftueshëm për të kompensuar për shërbimin e rritur që do të na kërkohet të japim.
Kjo më ndihmon të kuptoj, kur shoh dikë tjetër ta bëjë të duket i lehtë shërbimi i priftërisë. E di se ata ose kanë kaluar prova të vështira, ose ato prova i kanë përpara. Prandaj, më tepër se t’i kem zili, unë rri gati t’i ndihmoj kur gjërat të vështirësohen për ta, sepse sigurisht që kjo do të ndodhë.
Ajo provë e kufijve tanë në shërbimin e priftërisë është bërë e nevojshme nga plani i Perëndisë për të kualifikuar fëmijët e Tij që të jetojnë përsëri me Të përgjithmonë. Ati Qiellor i do fëmijët e Tij. Ai na ofroi jetën e përjetshme, të jetojmë përsëri me Të, me familje dhe me lavdi përgjithmonë. Për t’u kualifikuar që ta marrim atë dhuratë, Ai na dha një trup të vdekshëm, mundësinë që të tundohemi nga mëkati dhe një mënyrë që të pastrohemi nga ai mëkat e të ngrihemi në Ringjalljen e Parë. Ai na dha Birin e Tij të Dashur, Jehovan, si Shpëtimtarin tonë, që ta bënte atë të mundur. Shpëtimtari lindi në jetë të vdekshme, u tundua por nuk mëkatoi kurrë dhe pastaj, në Gjetseman dhe në Golgota pagoi çmimin për mëkatet tona që ne të mund të pastrohemi. Dëlirësimi mund t’u vijë vetëm atyre që kanë mjaftueshëm besim tek Jezu Krishti sa të pendohen për mëkatin, të pastrohen nëpërmjet ordinancës së pagëzimit dhe të bëjnë e mbajnë besëlidhjet për t’u bindur gjithë urdhërimeve të Tij. Dhe duhej të ishte armiku i egër i shpirtrave tanë, Luciferi, që me legjionet e tij do të përpiqej pa pushim të bënte për vete secilin fëmijë të Perëndisë, që ta pengonte atë që të mos ketë gëzimin e jetës së përjetshme.
Me mirësinë dhe mirëbesimin e madh të Tij, Ati Qiellor me Shpëtimtarin, u lejuan disa të përzgjedhurve prej bijve të Tij në tokë që të mbajnë priftërinë. Ne kemi autoritetin dhe fuqinë të veprojmë në emrin e Perëndisë, për t’u ofruar ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit dhe ordinancat e tij sa më shumë fëmijëve të Atit Qiellor që të mundemi. Kështu ju mund ta kuptoni madhësinë e asaj që na ka mirëbesuar neve Perëndia. Dhe ju mund ta kuptoni rëndësinë supreme të priftërisë dhe kundërshtimin që hasim.
Nuk është befasuese që, herë pas here, ne ndihemi thuajse të mposhtur. Mendimi juaj: “Nuk jam i sigurt nëse mund ta bëj këtë”, është provë që ju po e kuptoni se çfarë do të thotë të mbash priftërinë e Perëndisë. Fakti është se ju nuk mund ta bëni këtë vetë. Përgjegjësia është tepër e vështirë dhe tepër e rëndësishme për fuqitë tuaja dhe miat në vdekshmëri. Njohja e kësaj është në themel të shërbimit madhështor të priftërisë.
Kur na vijnë këto ndjenja pamjaftueshmërie, është koha për të kujtuar Shpëtimtarin. Ai na siguron se ne nuk e bëjmë vetëm këtë punë. Ka shkrime të shenjta që t’i ngjitim tek muri dhe t’i kujtojmë në çastet kur ju po dyshoni për aftësitë tuaja.
Për shembull, Presidenti Tomas S. Monson kujtoi fjalët e premtuara të Shpëtimtarit, kur më bekoi gjashtë muaj të shkuar, që të qëndroja i patrembur në thirrjen time, kur dukej e vështirë. Këto fjalë të Shpëtimtarit, të cilat Ai ia dha grupit të Tij të vogël të mbajtësve të priftërisë në këtë periudhë ungjillore, i erdhën profetit në mendje ndërsa vuri duart mbi kokën time: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”1
Premtimi që Presidenti Monson e kujtoi dhe e citoi, u përmbush për mua. Besimi në vete i zuri vendin dyshimit, Shpirti erdhi, ndihmësit mjekësorë u frymëzuan, mua mu kursye jeta dhe unë mora mbështetje. Për shkak të atij bekimi nga Presidenti Monson, do të jetë gjithmonë e lehtë për mua ta kujtoj Shpëtimtarin dhe t’i besoj premtimit të Tij që Ai shkon përpara dhe përreth nesh në shërbimin e Tij.
Unë e di që premtimi, se engjëjt do të na mbajnë lart, është i vërtetë. Ju mund të doni të sillni në kujtesë sigurimin e Eliseut për shërbëtorin e tij të frikësuar. Ai sigurim është i yni kur ndihemi se gati po mposhtemi në shërbimin tonë. Eliseu u përball me kundërshtim të vërtetë dhe të tmerrshëm:
“Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: ‘Oh, ç’do të bëjmë, imzot?’.
Ai u përgjigj: ‘Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.’
Pastaj Eliseu u lut dhe tha: ‘O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë.’ Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.”2
Ashtu si për atë shërbëtor të Eliseut, ka më shumë me ju sesa ata që mund të shihni në kundërshtim me ju. Disa që janë me ju do të jenë të padukshëm për sytë tuaj të vdekshmërisë. Zoti do t’ju mbajë dhe nganjëherë do ta bëjë duke thirrur të tjerë që t’ju mbështesin ju. Për këtë i kemi kuorumet. Ja pse udhëheqësit e kuorumeve shohin në fytyrë dhe në sy në mbledhjet e kuorumit. Ja pse peshkopi bën më shumë se të kryesojë në kuorumin e priftërinjve. Ai vështron fytyrat e priftërinjve. Ju do ta keni një peshkop të tillë, ose një president të kuorumit të pleqve të tillë, ose një president misioni të tillë. Dhe ai do të vijë t’ju ndihmojë ju dhe do të thërrasë të tjerë që t’ju mbështesin ju. Mund të ndodhë që të thërrasë shokun e duhur, që të shërbejë bashkë me ju në kohën kur ju duhet.
Kjo sugjeron të paktën dy gjëra. Njëra është që t’i njohim e t’i mirëpresim ata që Zoti i dërgon që të na ndihmojnë. Tjetra është që të shohim në çdo detyrë mundësinë që të forcojmë një tjetër. Një president misioni më tregoi dikur për një misionar që ai ia caktoi më shumë se 12 ose 13 shokëve. Ai më tha: “Secili prej këtyre shokëve qe gati për t’u kthyer para kohe në shtëpi ose për ta kthyer në shtëpi. Por ne nuk humbëm asnjë prej tyre.”
Kur ia përmenda më vonë këtë fakt të mrekullueshëm shokut misionar që shpëtoi kaq shumë në pikën kur po mposhteshin, mora një përgjigje që më befasoi dhe më dha mësim. Qe kjo: “Nuk mendoj se ky tregim është i vërtetë. Nuk kam pasur kurrë një shok që po dështonte.”
Munda të kuptoj që një president misioni kishte qenë frymëzuar të dërgonte herë pas here engjëllin e duhur. Në shërbimin tonë ne mund të presim të na dërgohet ndihma në çastin e duhur që do të shohë forcën që gjendet tek ne dhe të na ngrejë lart. Dhe ne mund të presim me padurim të jemi ai që dërgon Zoti për t’i dhënë kurajë një tjetri.
Mund t’ju tregoj nga përvoja ime diçka se si të ndihmoni nëse jeni ju ai që dërgohet. Pak pasi u thirra në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve, mora një thirrje telefonike nga Presidenti Faust, këshilltar në Presidencinë e Parë. Ai më kërkoi të shkoja në zyrën e tij. Shkova me pak shqetësim se përse ai do të harxhonte kohë për të më takuar mua.
Pas disa fjalësh të përzemërta, ai më pa dhe tha: “A të ka ndodhur tashmë?” Kur unë e pashë i çuditur, ai vazhdoi duke thënë: “Të kam vëzhguar nëpër mbledhje. Mua më duket se ti je ndierë sikur thirrja jote është përtej aftësive të tua dhe se ti nuk je i kualifikuar.”
I thashë se më kishte ardhur ai dyshim, sikur të kisha goditur një mur të pakapërcyeshëm. Prisja që ai të më jepte sigurime. I thashë se e vlerësoja që ai qe i ndërgjegjshëm për dyshimet e mia dhe i kërkova atij ndihmë. Por u befasova nga përgjigja e tij mirëdashëse dhe e prerë. Ai tha: “Mos ma kërko mua. Drejtoju Atij.” Pastaj tregoi me gisht qiellin. Tani vite më vonë, unë ulem në po atë zyrë. Kur hyj aty, ngre sytë lart, e kujtoj atë dhe se si më mësoi me anë të shembullit si të ndihmoj ata që po ndihen të mposhtur në shërbimin e Zotit. Gjeni një mënyrë për t’i drejtuar ata me vetëbesim tek Ai. Nëse do të ndjekin këshillën tuaj, ata do ta fitojnë forcën që ju nevojitet, sa t’u teprojë.
Shumë herë gjatë jetës suaj, Zoti ka qenë duke ju dhënë përvoja që të ndërtoni forcë, kurajë dhe vendosmëri. Ai e dinte sa shumë do t’ju nevojiteshin ato që t’i shërbeni Atij. Një pjesë e saj mund të ketë ardhur, siç ndodhi me mua, kur keni qenë bashkë me mbajtës të tjerë të priftërisë dhe keni thënë me zë të lartë fjalët: “Prandaj, O ju që hyni në shërbim të Perëndisë, kujdesuni që t’i shërbeni atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, që ju të qëndroni të pafaj përpara Perëndisë në ditën e fundit.”3
Kur ju u zotuat për atë standard të lartë dhe e plotësuat, Zoti po ndërtonte vetëbesim dhe forcë tek ju, që do të ishin aty kur ju të kishit nevojë për to, kurdoherë që u thirrët për t’i shërbyer një kauze më të lartë se interesi vetjak. Unë e ndjeva një ditë të shkëlqyer pranvere në një lëndinë. Unë kisha marrë detyrën të mbroja vendin tim. Ne nuk ishim në kohë lufte atëherë, por unë po shkoja drejt një shërbimi të panjohur që e dija se do të kërkonte gjithçka kisha për të dhënë, ndoshta dhe jetën time. Bashkë me të tjerët unë ngrita dorën e djathtë që të premtoja se do ta mbroja vendin tim me “bindje e besnikëri të vërtetë” dhe se “unë e merrja përsipër këtë detyrë lirisht, pa asnjë dyshim mendor apo qëllim që t’i shmangesha; dhe se unë do t’i plotësoja mirë dhe besnikërisht detyrat e pozicionit që po zija, prandaj lutesha që Perëndia të më ndihmonte.”4
Nuk kam dyshim që fuqia për ta mbajtur atë premtim, të cilin e mbajta, ishte farkëtuar tek unë që nga koha kur isha dhjak. Në vitet e mia të hershme të priftërisë, kam qëndruar mjaft herë në atë që atëherë quhej “përcjellja e misionarit”. Tani po i përgjigjen kaq shumë thirrjes për të shërbyer, saqë ne i lëmë ata vetëm të flasin shkurt në një mbledhje sakramenti para se të shkojnë. Por dikur, një mbledhje e tërë përqendrohej tek misionari që po hynte në shërbim. Gjithmonë ajo përfshinte muzikë të përzgjedhur. Mund ta ndiej ende atë që ndieja kur një kuartet misionarësh të kthyer do të këndonte: “Do shkoj ku ti do që të shkoj o Zot” dhe fjalët vazhdonin me zotimin: “Do them çfar’ ti do që un’ të them” dhe përfundimisht: “Do jem çfar’ ti do që të jem”5.
Zemra më trazohej në ato ditë atëherë, ashtu si dhe tani, me një bindje se ai premtim ishte i vërtetë për mua dhe për ne gjatë gjithë shërbimit tonë në priftëri. Do të gjejmë gëzim kur të shkojmë kudo që Zoti do që të shërbejmë ne. Do të na jepet zbulesë që të themi fjalët e Tij për të ftuar fëmijët e Atit Qiellor që të ndryshohen nga Shlyerja dhe të përshtaten për të shkuar në shtëpi e jetuar me Të. Dhe e ndieja atëherë siç e ndiej tani, që shërbimi ynë besnik do t’i lejojë Atij të ndryshojë zemrat tona që të përshtatemi për shoqërimin e Tij dhe që t’i shërbejmë Atij përgjithmonë.
Unë ju jap dëshminë time që, kur e japim gjithë vetveten në shërbimin e priftërisë, Zoti do të na japë gjithë kurajën që na duhet dhe sigurinë që Ai shkon me ne dhe që engjëjt do të na mbajnë lart.
Unë dëshmoj se ne jemi thirrur nga Perëndia. Kjo është Kisha e Tij e vërtetë dhe ju mbani priftërinë e Tij të përjetshme. Unë jam dëshmitar që Presidenti Tomas S. Monson mban gjithë çelësat e priftërisë dhe i ushtron ato në botë sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.