2008
Dëshmia si një Proces
Nëntor 2008


Dëshmia si një Proces

Marrja e dëshmisë së “zërit të vogël”, nganjëherë mund të ketë pasojë më të fortë në dëshmitë tona sesa vizita e një engjëlli.

Carlos A. Godoy

Disa vite më parë, ndërsa po shërbeja si i Shtatëdhjetë i Zonës në Brazil, familja ime dhe unë ishim për pushime në qytetin e bukur Florianópolis. Të dielën, si zakonisht, shkuam tek kisha më e afërt që mundëm të gjenim. Gruaja ime, unë dhe vajza jonë më e madhe ndoqëm një mësim të Shkollës të së Dielës ku po diskutohej dëshmia jonë vetjake për ungjillin.

Në një farë pike të mësimit, mësuesja u kërkoi anëtarëve të klasës nëse do të ndanin një përvojë të fuqishme shpirtërore që kishin pasur, ndërsa zhvillonin dëshminë e tyre për Kishën. Ndërkohë që disa vëllezër e motra po ndanin ndodhitë e tyre, me mendje rikujtova përvojat e mia si i kthyer në besim për diçka që mund ta ndaja me ta, por nuk munda të mendoj për diçka shumë të shquar në procesin tim të fitimit të një dëshmie.

Ndërsa po mendoja dhe dëgjoja përvojat e të tjerëve, e kuptova se mësuesja priste që unë të merrja pjesë. Ajo po dëgjonte anëtarët e tjerë dhe më la të kuptoja se po priste që të ndaja me ta përvojën time të madhe. Në fund të fundit, unë isha një i Shtatëdhjetë Zone dhe duhet të kisha për të ndarë diçka mbresëlënëse. Duke e ndierë se koha po kalonte dhe ajo po më priste, u përpoqa më fort të gjeja diçka që mund të futej në këtë kategori të ndodhive të fuqishme, por, për zhgënjimin e mësueses, nuk munda të mendoja për ndonjë gjë. Megjithëse doja të ndihmoja, nuk mund të plotësoja atë që ajo shpresonte.

Për fat të mirë, ajo qe një e diel agjërimi dhe gjatë mbledhjes së sakramentit, shfrytëzova rastin për t’i shprehur dëshminë time kongregacionit dhe veçanërisht asaj mësueseje dhe klasës së saj të Shkollës të së Dielës. Nuk ishte një përvojë e shquar ajo që kisha për të ndarë, por një dëshmi e sinqertë që kam unë për të vërtetat e ungjillit të rivendosur.

Nganjëherë ne mendojmë se për të pasur një dëshmi në Kishë, na duhet një përvojë e madhe, e fuqishme, ose një ndodhi e vetme që do të na fshinte çfarëdo dyshimi, që ne kishim marrë një përgjigje ose konfirmim.

Presidenti Bojd K. Paker na mësoi: “Zëri i Shpirtit përshkruhet në shkrimin e shenjtë si një zë që nuk është as ‘i fortë’ e as ‘i ashpër’. Ai ‘nuk ishte një zë bubullime, as … zëri i zhurmës së një trazire të madhe’. Por më tepër ‘zëri i vogël, i qetë, që pëshpërit’ dhe ai ‘depërton’ dhe e bën zemrën të digjet (3 Nefi 11:3; Helamani 5:30; DeB 85:6–7). Kujtoni, Elija kuptoi se zëri i Zotit nuk ishte as tek era, as tek tërmeti, as tek zjarri, por ishte ‘një zë, si një shushuritje e ëmbël’ (1 Mbretërve 19:12).”

Presidenti Paker vazhdon: “Shpirti nuk na e tërheq vëmendjen duke bërtitur apo duke na tundur me një dorë të rëndë. Më tepër ai pëshpërit. Ai na ledhaton kaq butë saqë, nëse jemi të shqetësuar, mund të mos e ndiejmë fare. …

Nganjëherë do të na shtyjë me vendosmëri të mjaftueshme sa që ne t’ia vëmë veshin. Por pjesën më të madhe të kohës, nëse nuk ia vëmë veshin ndjenjës së butë, Shpirti do të tërhiqet dhe do të presë derisa ne të vijmë duke kërkuar dhe duke dëgjuar dhe të themi sipas mënyrës dhe shprehjes sonë, ashtu si Samueli i kohëve të lashta, ‘Folë [Zot], sepse shërbëtori yt të dëgjon’ (1 Samueli 3:10)” (“The Candle of the Lord,” Ensign, janar 1983, f. 53).

Ndodhi të mëdha nuk janë një garanci se dëshmia jonë do të jetë e fuqishme. Lamani dhe Lemueli janë shembuj të mirë të kësaj. Ata i vizituan engjëjt dhe madje edhe atëherë, gati tamam pas një minute, ata po vinin në dyshim vullnetin e Zotit. Disa udhëheqës të shquar të këtyre ditëve të fundit gjithashtu mund të na mësojnë mbi këtë parim. Ata morën mësime nga lart gjatë ditëve të para të Rivendosjes dhe përsëri nuk qenë aq të fortë sa të duronin deri në fund. Këto përvoja na tregojnë se marrja e dëshmisë së “zërit të vogël”, nganjëherë mund të ketë pasojë më të fortë në dëshmitë tona sesa vizita e një engjëlli.

Kur isha i ri në Porto Alegre, Brazil dhe po mësoja rreth Kishës nga dy motra misionare, më kujtohet që kërkoja një përgjigje për lutjet e mia – diçka të madhe dhe të pa diskutueshme. Nuk ndodhi kurrë. Kjo nuk do të thotë se nuk pata mjaft siguri sa të bashkohesha me Kishën e rivendosur.

Alma na mëson këtë proces të ushqimit të një dëshmie: “Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni [dhe mendoj se ky qe rasti im si kërkues], lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia” (Alma 32:27).

Që nga ato ditë, për mua si një kërkues për Kishën, dhe më vonë si misionar, e më tej si atë dhe udhëheqës, të gjitha këto përvoja së bashku formuan një komplet përvojash dhe ndjenjash, më shpesh të vogla, që nuk lënë dyshim se fara “është një farë e mirë” (Alma 32:30).

Alma vazhdon mësimin e tij mbi dëshminë: “Tani, ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. Tani, në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, që ju t’i kundërshtoni Shpirtit të Zotit, vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj—Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi … po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:28).

Një dëshmi pra, për disa njerëz, mund të vijë nëpërmjet një ndodhie të veçantë e të pakundërshtueshme. Por për të tjerë, mund të vijë nëpërmjet një procesi përvojash, ndoshta jo dhe aq të shquara, por që kur ndërthuren, dëshmojnë në një mënyrë të padiskutueshme se ajo që kemi mësuar dhe përjetuar është e vërtetë.

Sot, pas shumë vitesh si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mund të mos jem në gjendje të kujtoj shumicën e përvojave që i kanë dhënë formë dëshmisë sime. Por, të gjitha këto përvoja kanë lënë shenjën e tyre dhe kanë kontribuar për dëshminë time të Kishës së rivendosur. Sot, unë kam një siguri absolute për të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit.

Dëshiroj ta mbyll duke shprehur këtë dëshmi, jo vetëm për atë motër që dha mësim në klasën e Shkollës të së Dielës, por gjithashtu për të gjithë juve. Unë e di që Ati ynë Qiellor jeton. E di se Ai na do. Ne jemi fëmijët e Tij. Ai i dëgjon lutjet tona. Unë e di që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ai vdiq, u ringjall dhe shleu për mëkatet tona. Shlyerja e Tij më ka bekuar çdo ditë të jetës sime.

Unë dëshmoj se Kisha e Jezu Krishtit u rivendos në këto ditët e fundit nga Profeti Jozef Smith. Ai qe profet i Perëndisë. Unë e di se ne udhëhiqemi sot nga një profet i gjallë, Presidenti Tomas S. Monson. Unë e di se ai është profet për kohën tonë, ashtu si Moisiu, Abrahami dhe Isaia qenë në kohën e tyre.

Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, ashtu si dhe Bibla, dhe është një tjetër dëshmi për Shpëtimtarin. Unë e di se fuqia e priftërisë u rivendos dhe se ka bekuar shumë shenjtorë në mbarë botën. Dhe unë dëshmoj për këtë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.