2008
Perëndia i Do dhe i Ndihmon të Gjithë Fëmijët e Tij
Nëntor 2008


Perëndia i Do dhe i Ndihmon të Gjithë Fëmijët e Tij

Ne kemi nevojë për ndihmën e Atit Qiellor. Burime të rëndësishme të kësaj ndihme vijnë nëpërmjet shërbimit të njeriut për njeriun, nëpërmjet lutjes dhe nëpërmjet përqendrimit tek Krishti.

Keith B. McMullin

Një nga të vërtetat më thelbësore të Rivendosjes është se Perëndia jeton dhe qëndron në qiejt e Tij, që Ai është një njeri i ekzaltuar me “trup prej mishi e kockash”1 dhe që Ai është dje, sot dhe përgjithnjë i njëjti Perëndi i pandryshueshëm2, burimi i gjithë virtytit dhe së vërtetës.

Adami dhe Eva ishin fëmijët e Tij të parë të vdekshëm mbi këtë tokë. Lidhur me krijimin e tyre Ai tha: “Dhe unë, Perëndia, e krijova njeriun sipas shëmbëlltyrës sime, sipas shëmbëlltyrës së të Vetëmlindurit tim e krijova atë; mashkull dhe femër i krijova ata”3.

Kjo e vërtetë lartëson familjen njerëzore. Burrat dhe gratë janë krijesa të mahnitshme të pajisura me cilësi hyjnore. Në kohën e Krijmit, Perëndia vendosi tek Adami dhe Eva aftësinë hyjnore për të lindur fëmijë të ngjashëm me ta. Ne të gjithë jemi, pra, sipas pamjes së Tij.

Ne, sidoqoftë, përjetojmë dobësi dhe rreziqe të mëdha të jetës tokësore. Sëmundja, plakja dhe vdekja janë të pashmangshme. Vështirësitë dhe dëshpërimet janë pjesë e udhëtimit të jetës. Çështjet, orekset dhe pasionet vetjake kërkojnë të përmbushen.

Për të gjitha këto dhe më shumë arsye, ne kemi nevojë për ndihmën e Atit Qiellor. Një burim i rëndësishëm i kësaj ndihme vjen nëpërmjet shërbimit të njeriut për njeriun4. Urdhërimi është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”5. Ngaqë jemi të gjithë vëllezër dhe motra, ne jemi të gjithë “fqinj”, megjithëse të ndarë herë-herë nga largësia, kultura, feja, apo raca. Profeti Jozef tha: “Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk është i kënaqur me bekimin vetëm të familjes së tij, por shkon nëpër të gjithë botën, i dëshiruar të bekojë të gjithë racën njerëzore”6. Zoti jep shembullin, “pasi ai bën atë që është e mirë mes fëmijëve të njerëzve; … dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë”7.

Për të siguruar për të tjerët sipas mënyrës së Zotit ne përpiqemi të kujdesemi për vete dhe të sakrifikojmë për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Të varfërit punojnë për atë çka marrin dhe kërkojnë përmirësimin e të tjerëve.8 Ky model ka qenë me ne qysh prej fillimit9.

Plani i ndihmës i Kishës mishëron këtë model hyjnor dhe anëtarët besnikë të Kishës e ndjekin atë. Ofertat e tyre sigurojnë ndihmë për të venë, kujdes për jetimin dhe strehë për ata që vuajnë.

Disa vite përpara, një zyrtar i rangut të lartë nga Kina vizitoi Solt Lejk Sitin, shkoi nëpër vende të Kishës dhe mbajti një fjalë në Universitetin “Brigam Jang”. Duke mësuar mbi programin e ndihmave të Kishës, ai tha: “Nëse ne të gjithë do ta donim njëri-tjetrin kështu, bota do të ishte një vend më paqësor”.

Agjërimi dhe dhënia e vlerës së ushqimit të pakonsumuar për të ndihmuar të varfërit, tërhoqi vëmendjen e tij. Në përfundim të vizitës së tij në Sheshin e Ndihmës, ai i dorëzoi menaxherit atje një zarf të vogël të kuq – një “xhep të vogël”. Në Kinë një “xhep i vogël” jepet në shenjë dashurie, bekimi dhe urimi për fat të mirë. “Ai nuk ka shumë,” tha vizitori, “por ato janë paratë që kurseva duke mos ngrënë vaktet në dy mëngjeset e fundit. Unë do të dëshiroja t’ia jap ofertën time të agjërimit programit të Ndihmës të Kishës.”10

Plani i Kishës për ndihmën sociale është i frymëzuar nga Perëndia. Parimet e tij janë themelore për shpëtimin e njeriut.11 Ai është një tregues për shërbim, një dëshmi për botën se Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur. Ai është ndihma e qiellit në mënyra praktike. Presidenti Tomas S. Monson: “Parimet e ndihmës nuk ndryshojnë. Ato nuk do të ndryshojnë. Ato janë të vërteta të zbuluara”12.

Një mënyrë tjetër thelbësore për të marrë ndihmën e Perëndisë është nëpërmjet lutjes. Ne jemi urdhëruar t’i lutemi Perëndisë, Atit tonë, në emër të Jezu Krishtit. Këshilla është: “Lypni dhe do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”13. Ati Qiellor u përgjigjet të gjitha lutjeve të sinqerta. Si profet i Zotit, Presidenti Monson këshillon: “Herë-herë duket sikur nuk ka dritë në fund të tunelit – nuk ka agim që të çajë errësirën e natës… Ne ndihemi të braktisur, zemërthyer, të vetmuar. Nëse e shihni veten në një situatë të tillë, unë ju përgjërohem t’i drejtoheni Atit tonë Qiellor me besim. Ai do t’ju ngrejë dhe do t’ju udhëheqë. Ai jo gjithmonë do t’jua largojë vuajtjet, por Ai do t’ju ngushëllojë dhe do t’ju udhëheqë me dashuri nëpër çfarëdo stuhie me të cilën përballeni.”14

Kur jemi përpara disa nevojave, ne drejtohemi tek një formë lutjeje që është vetëm nën duart e atyre që janë të autorizuar të shërbejnë për Perëndinë. Jezu Krishti shkoi përpara “[duke shëruar] … të [sëmurët], [duke ngritur] … të [vdekurit] ”15 dhe duke gjallëruar shpirtrat e dëshpëruar. Me Rivendosjen e ungjillit erdhi fuqia e priftërisë dhe autoriteti për të vijuar këtë drejtim të punës së Perëndisë.16

Kur një njeri është i sëmurë ose thellësisht i shqetësuar, “le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë”17. Pleqtë besnikë janë të autorizuar të bëjnë atë çka Zoti do të bënte, nëse Ai do të ishte i pranishëm.18

Nëse do të shkruheshin një e nga një lutjet që kanë marrë përgjigje, bota nuk do t’i nxinte volumet e shumta. Nga Plaku Glen L. Rud, një ish-Autoritet i Përgjithshëm nderi dhe mik i dashur, sjell këtë tregim që e pëlqej shumë:

“Pata një telefonatë që më informonte se një pjesëtare familjeje, një vajzë 12 vjeçare e quajtur Xhenisa, ishte në spital me plagë serioze. Nëna e saj donte që ajo të merrte një bekim nga priftëria.

Plaku Kouli dhe unë shkuam në spital. Atje ne mësuam hollësira mbi aksidentin. Xhenis ishte goditur nga një autobus urban. Rrotat dyshe të pasme kishin kaluar mbi kokën dhe trupin e saj.

Plaku Kouli dhe unë hymë në dhomën ku shtrihej Xhenisa. Ajo kishte thyer pelvisin, plagosur rëndë shpatullën, shumë kocka të thyera dhe kishte në kokë plagë të rënda që ishin të pariparueshme. Megjithatë, ne ndienim se duhet t’i bënim shërbesë dhe ta bekonim. Unë e vajosa atë me vaj dhe Plaku Kouli e vulosi vajosjen. Në një mënyrë të fortë dhe të vendosur, ai e bekoi atë që të bëhej mirë dhe e shëndetshme dhe të jetonte një jetë normale. Ai e bekoi atë dhe ajo do të shërohej pa i mbetur gjurmë nga plagët e saj të shumta. Ishte një bekim i madh dhe një moment vërtet i mrekullueshëm.”

Plaku Rud vazhdon më tej duke thënë: “Xhenisa nuk lëvizi asnjë muskul për më se një muaj. Ne nuk e humbëm kurrë besimin. Një bekim ishte shqiptuar se ajo do të bëhej mirë dhe nuk do të kishte mbetje dëmtimesh.”

Plaku Rud përfundoi: “Shumë vite kanë kaluar tani që nga ajo vizitë në spital. Unë fola kohët e fundit me Xhenisën. Ajo tani është 70-vjeçare, nëna e 3 fëmijëve, gjyshja e 11 nipërve e mbesave. Deri sot ajo nuk ka vuajtur asnjë pasojë të vetme negative nga aksidenti i saj.”19

Rasti i saj është veç njëri nga shumë shërime të tilla. Por asnjë nuk është një dëshmi më e madhe që Ati Qiellor ndihmon fëmijët e Tij nëpërmjet lutjes, sesa ajo që ndodhi në një dhomë spitali, me Xhenisën 12 vjeçare dhe me dy shërbëtorë të përulur të Perëndisë, rreth 58 vite më parë.

Ndihma vendimtare nga Ati Qiellor na vjen ne nëpërmjet Birit të Tij, “sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”20.

Me nderim dhe druajtje të madhe unë sjell dëshmi për Zotin Jezu Krishtin. Duke bërë këtë, unë kujtoj se sa të kujdesshëm duhet të jemi në përdorimin e emrit të Tij. Ndonëse ndikimi, mësimet dhe shpëtimi i Tij e bëjnë Atë të dashur për ne, ne do të bënim mirë që të mos e përmendnim Atë si të ishte një mik fqinj.

Ai është i Parëlinduri i fëmijëve-shpirtra të Atit tonë. Ai bëri gjithçka për të cilën u shugurua – prandaj të gjitha gjërat i japin Atij nder dhe dëshmojnë për Të.21 Ai u tha profetëve të lashtë çfarë të shkruajnë dhe u zbulon vullnetin e Tij profetëve të Tij në kohën tonë – dhe Ai plotëson çdo fjalë të tyre.22

Ngjizur nga Perëndia, Ai lindi nga virgjëresha Marie, mposhti vdekjen, shlyeu mëkatet e botës dhe solli shpëtimin për të gjallët dhe për të vdekurit. Si Zoti ynë i ringjallur, hëngri peshk dhe mjaltë me Apostujt dhe ftoi njerëzit në të dy hemisferat të prekin plagët në duart, këmbët dhe brinjët e Tij që të gjithë të mund të dinë se Ai është Perëndia i Izraelit—Ai është Krishti i gjallë.

Ai u shpall të gjithëve:

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë, do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë”.23

Ai është Ligjvënësi dhe Gjykatësi ynë, Shëlbuesi i botës. Në Ardhjen e Tij të Dytë, “perandoria do të jetë mbi shpatullën e tij; dhe ai do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndia i Fuqishëm, Ati i Amshuar, Princi i Paqes”24. Për këtë unë dëshmoj në emrin më të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 130:22.

  2. Shih DeB 20:17.

  3. Moisiu 2:27; shih gjithashtu Zanafilla 1:27.

  4. Shih Mosia 2:17.

  5. Mateu 22:39.

  6. History of the Church, 4:227.

  7. 2 Nefi 26:33.

  8. Shih DeB 56:16–18; 78:13–14; 104:13–18.

  9. Shih Zanafilla 3:19; Eksodi 23:10–11; Levitiku 19:9–10; Mateu 25:40; Mosia 4:16–27; Moisiu 4:25; 5:1.

  10. Në Neil K. Newell, “The Red Pocket” (dorëshkrim i pabotuar, 1999), 1.

  11. Shih Mosia 4:16–27.

  12. Tomas S. Monson, “Guiding Principles of Personal and Family Welfare”, Tambuli, shkurt 1987, f. 2.

  13. Mateu 7:7–8.

  14. Tomas S. Monson, “Looking Back and Moving Forward”, Liahona, maj 2008, f. 90.

  15. Mosia 3:5.

  16. Shih DeB 13; 27:12–13; 110:11–16; 128:20–21.

  17. Jakobi 5:14–15.

  18. Shih Gjoni 14:11–14; Nenet e Besimit 1:7; Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. 2-të (1966), f. 345.

  19. Nga një bisedë me Glen L. Rudd; shih gjithashtu Glen L. Rudd, Treasured Experiences of Glen L. Rudd, (dorëshkrim i botuar vetë, 1995), Church Archives, The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, f. 270–273.

  20. Gjoni 3:16.

  21. Shih Mosia 6:63.

  22. Amosi 3:7; DeB 1:38.

  23. Gjoni 11:25–26.

  24. 2 Nefi 19:6; shih gjithashtu Isaia 9:6.