2008
Edhe një Fëmijë Mund të Kuptojë
Nëntor 2008


Edhe një Fëmijë Mund të Kuptojë

Perëndia … ka siguruar që të vërtetat rreth Perëndisë të jenë të kuptueshme për gjithë fëmijët e Tij, sido qofshin niveli i tyre arsimor apo aftësitë e tyre mendore.

Elder Gérald Caussé

Prindërit shpesh befasohen nga përgjigjet që japin fëmijët e tyre ndaj pyetjeve të të rriturve. Një mbrëmje, kur gruaja ime dhe unë ishim larguar, dadoja e fëmijëve tanë, nga kureshtja që iu ngjall nga lutja që i dëgjoi të thoshin, u bëri atyre këtë pyetje: “Por cili është ndryshimi mes besimit tuaj fetar dhe timit?” Përgjigja nga vajza jonë më e madhe tetëvjeçare qe e menjëhershme: “Janë pothuajse të njëjta, veçse ne studiojmë shumë më tepër sesa ju!” Pa dashur aspak të fyente dadon e saj, bija ime e vogël thjesht dëshironte të theksonte, sipas mënyrës së saj, rëndësinë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme i vënë kërkimit të diturisë.

Jozef Smithi shpalli: “Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri” (DeB 131:6). Ai shtoi: “Parimi i diturisë është parimi i shpëtimit … Dhe çdokush që nuk merr dituri të mjaftueshme për t’u shpëtuar do të mallkohet” (History of the Church, 5:387). Kjo dituri është bazuar në kuptimin e natyrës së Perëndisë e të Jezu Krishtit dhe Planit të Shpëtimit që Ata e kanë përgatitur për të na lejuar të kthehemi në praninë e Tyre. “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).

Parimi i diturisë shpesh është keqinterpretuar nga njerëzit. Lavdia e Perëndisë është inteligjencë (DeB 93:36). Ajo tejkalon gjithçka ne do të mund të kuptojmë ndonjëherë me aftësitë tona mendore. Njerëz, që përpiqen të gjejnë Perëndinë, mendojnë se ata duhet ta kërkojnë Atë në nocione të komplikuara intelektuale.

Megjithatë, Ati ynë Qiellor është gjithmonë i gatshëm për ne. Ai përshtatet me nivelin tonë të të kuptuarit. “Nëse Ai vjen tek një fëmijë i vogël, Ai do ta përshtatë Vetveten me gjuhën dhe aftësinë e një fëmije të vogël” (në History of the Church, 3:392).

Perëndia do të ishte me të vërtetë i padrejtë nëse ungjilli do të ishte i arritshëm vetëm për një elitë intelektuale. Në mirësinë e Tij, Ai ka siguruar që të vërtetat rreth Perëndisë të jenë të kuptueshme për gjithë fëmijët e Tij, sido qofshin niveli i tyre arsimor apo aftësitë e tyre mendore.

Në të vërtetë, fakti që një parim mund të kuptohet madje edhe nga një fëmijë, është provë për fuqinë e tij. Presidenti Xhon Teilor tha: “Është inteligjencë e vërtetë nga ana e një njeriu të marrë një çështje që është e mistershme dhe e madhërishme në vetvete dhe ta shpalosë dhe thjeshtojë atë në mënyrë që një fëmijë të mund ta kuptojë atë” (“Discourse,” Deseret News, 30 shtator 1857, f. 238). Pa ulur aspak ndikimin e saj, pastërtia dhe thjeshtësia e të shprehurit e lejojnë Shpirtin e Shenjtë t’u dëshmojë me siguri më të madhe zemrave të njerëzve.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi vazhdimisht e krahasoi thjeshtësinë dhe vërtetësinë e mësimeve të Tij me arsyetimin e ndërlikuar të farisenjëve dhe mësuesve të tjerë të ligjit. Ata u përpoqën përsëri dhe përsëri për ta vënë në provë Atë me pyetje të stërholluara, por përgjigjet e tij ishin gjithmonë të pastra kristal dhe fëmijërore për nga thjeshtësia e tyre.

Një ditë, dishepujt e Jezusit i bënë Atij pyetjen si vijon: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?”

Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël, e vuri në mes tyre dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:1, 2–4).

Në një rast tjetër, Jezusi tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ia zbulove fëmijëve të vegjël” (Lluka 10:21).

Bibla ka qenë ndoshta subjekt i më shumë interpretimeve dhe debateve filozofike sesa ndonjë libër tjetër. Megjithatë, një fëmijë që e lexon për herë të parë këtë libër, do të ketë të paktën po aq mundësi për ta kuptuar sa shumica e ekspertëve të shkrimeve të shenjta, në mos më shumë. Mësimet e Shpëtimtarit i përshtaten gjithsecilit. Në moshën tetë vjeç, një fëmijë ka kuptim të mjaftueshëm për të hyrë në ujërat e pagëzimit dhe për të bërë një besëlidhje kuptimplote me Perëndinë.

Çfarë do të kuptonte një fëmijë nga leximi i historisë së pagëzimit të Jezusit? Jezusi u pagëzua në lumin Jordan nga Gjon Pagëzori. Fryma e Shenjtë zbriti mbi Të “në trajtën trupore si të pëllumbit”. Një zë u dëgjua: “Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!” (Lluka 3:22). Fëmija do të kishte një përfytyrim të qartë se çfarë është Kreu Perëndi: tre persona të ndryshëm në unitet të plotë – Perëndia, Ati; Biri i Tij, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë.

Mospranimi i parimit të thjeshtësisë dhe qartësisë ka qenë në origjinë të shumë braktisjeve, si kolektive edhe vetjake. Në Librin e Mormonit, profeti Jakob i dënoi ata të kohëve të lashta të cilët “përçmonin fjalët e qartësisë dhe vranë profetët, dhe kërkuan gjëra që ata nuk mund t’i kuptonin. Prandaj, për shkak të verbërisë së tyre, verbëri e cila erdhi duke parë përtej shenjës, ata duhet të bien; pasi, Perëndia ka hequr qartësinë e tij nga ata dhe u ka dhënë atyre shumë gjëra që nuk mund t’i kuptojnë, sepse ata e dëshironin atë” (Jakobi 4:14).

Ndonjëherë ne mund të tundohemi e mendojmë, “Është tepër e thjeshtë,” ashtu si Naamani, komandanti sirian, i cili, i detyruar nga krenaria e tij, ngurroi t’i bindej këshillës së Eliseut, e cila ishte tepër e thjeshtë në sytë e tij, për shërimin e lebrës së tij. Shërbëtorët e tij e bënë të kuptonte marrëzinë e tij:

“Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: ‘Lahu dhe do të pastrohesh?’

Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai [u] pastrua” (2 Mbretërve 5:13–14).

Pastrimi i tij nuk ishte vetëm fizik, mishi i tij shpirtëror u pastrua gjithashtu kur ai e pranoi këtë mësim të bukur me përulësi.

Fëmijët e vegjël kanë një prirje të mrekullueshme për të mësuar. Ata kanë besim të plotë tek mësuesi i tyre, një shpirt të pastër dhe përulësi të madhe – me fjalë të tjera, të njëjtat cilësi që i hapin derën Shpirtit të Shenjtë. Ai është kanali përmes të cilit ne marrim njohuri të gjërave të Shpirtit. Pali u shkroi korintasve: “Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë” (1 Korintasve 2:11).

Dhe ai shtoi: “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Ne e dimë që njeriu sipas mishit ose i natyrshëm është “një armik ndaj Perëndisë … nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë”. Prandaj ai duhet të bëhet “si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij” (Mosia 3:19).

Në historinë e tij të vogël e filozofike “Princi i Vogël”, Antoni de Sant-Ekzuperì e përshkruan hutimin e djalit të vogël, i cili, pasi zbuloi një fushë me trëndafila, kupton që lulja që ka, për të cilën ai është kujdesur me aq dashuri, nuk është e veçantë por është e zakonshme. Atëherë ai arrin të kuptojë se gjëja që e bën trëndafilin e tij të veçantë nuk është pamja e tij e jashtme, por koha dhe dashuria që ai i ka përkushtuar për t’u kujdesur për të. Ai thërret:

“Njerëzit … rrisin pesë mijë trëndafila në të njëjtin kopsht – dhe ata nuk e gjejnë atë që po kërkojnë. …

Dhe prapëseprapë ajo çfarë po kërkojnë mund të gjendet në një trëndafil të vetëm dhe pak ujë. …

Por sytë e tyre janë të verbër. Ju duhet ta kërkoni me zemër” ([1943], f. 79).

Në të njëjtën mënyrë, njohuria jonë për Perëndinë nuk varet nga sasia e të dhënave që mbledhim. Mbi të gjitha, e gjithë njohuria e ungjillit, e cila është kuptimplote për shpëtimin tonë, mund të përmblidhet në pak pika të doktrinës, në parimet dhe urdhërimet thelbësore që janë tashmë aty, në mësimet e misionarëve të cilat i marrim përpara pagëzimit. Të njohësh Perëndinë është një çështje e hapjes së zemrave tona për të marrë kuptim shpirtëror dhe një dëshmi të zjarrtë të vërtetësisë të këtyre pak pikave themelore të doktrinës. Të njohësh Perëndinë është të kesh një dëshmi të ekzistencës së Tij dhe ta ndjesh në zemër që Ai na do. Është të pranosh Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë dhe të kesh një dëshirë të zjarrtë për të ndjekur shembullin e tij. Në shërbimin ndaj Perëndisë dhe fqinjit tonë, ne dëshmojmë për Krishtin dhe u mundësojmë atyre përreth nesh të arrijnë ta njohin Atë më mirë.

Këto parime gjejnë një zbatim konkret në mësimin që jepet në lagjet dhe degët tona. Për ju, mësues të Kishës, qëllimi kryesor i mësimit tuaj është bashkëbisedimi me zemrat. Cilësia e një mësimi nuk matet nga numri i elementëve të rinj të informacionit që u jepni studentëve tuaj. Ajo rrjedh nga aftësia juaj për të ftuar praninë e Shpirtit dhe për t’i nxitur studentët tuaj të bëjnë zotime. Është nëpërmjet ushtrimit të besimit të tyre, nga vënia në praktikë e mësimeve të marra, që ata do të rrisin njohurinë e tyre shpirtërore.

Unë lutem që ne do të dimë si të hapim zemrat tona si një fëmijë i vogël dhe të kënaqemi duke dëgjuar dhe vënë në praktikë fjalën e Perëndisë në gjithë fuqinë e thjeshtësisë së saj. Unë dëshmoj se nëse ne e bëjmë këtë, ne do të arrijmë të njohim “misteret [e Perëndisë] dhe gjërat paqësore – ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme” (DeB 42:61). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.