2008
Forca e Pafundme e Shpresës
Nëntor 2008


Forca e Pafundme e Shpresës

Shpresa tek Perëndia, mirësia e Tij dhe fuqia e Tij na gjallëron me kurajo në sfidat e vështira.

President Dieter F. Uchtdorf

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, babai im u rekrutua në ushtrinë gjermane dhe u dërgua në frontin perëndimor, duke e lënë mamanë time vetëm në kujdesin për familjen tonë.

Edhe pse isha vetëm trevjeçar, unë akoma e mbaj mend këtë kohë frike dhe urie. Ne jetonim në Çekosllovaki dhe çdo ditë që kalonte, lufta vinte më afër dhe rreziku bëhej më i madh.

Më në fund, gjatë dimrit të ftohtë të 1944-ës, mamaja ime vendosi të merrte arratinë për në Gjermani, ku jetonin prindërit e saj. Ajo na paketoi ne dhe ia arriti në një farë mënyre të na fuste në një nga trenat e fundit me refugjatë që shkonin drejt perëndimit. Udhëtimi në atë kohë ishte me rrezik. Kudo ku shkuam, zhurmat e shpërthimeve, fytyrat e shqetësuara dhe uria gjithnjë e pranishme, na kujtonte neve se ndodheshim në një zonë lufte.

Përgjatë rrugës, treni ndalonte me raste për të marrë furnizime. Një natë gjatë një prej këtyre ndalesave, mamaja ime zbriti me nxitim nga treni për të kërkuar ndonjë ushqim për katër fëmijët e saj. Kur u kthye, për tmerrin e saj të madh, treni dhe fëmijët e saj kishin ikur!

Ajo qe e dërrmuar nga meraku, zemra iu mbush me lutje të dëshpëruara. Ajo kërkoi furishëm nëpër stacionin e madh e të errët të trenit, duke kapërcyer me nxitim nëpër trasetë e shumta, me shpresë të dëshpëruar se treni tashmë nuk do të ishte nisur.

Ndoshta unë nuk do ta mësoj kurrë gjithçka ndodhi në zemrën dhe mendjen e mamasë time në atë natë të errët, kur kërkoi fëmjët e saj të humbur nëpër një stacion të zymtë treni. Që ajo ishte e tmerruar, nuk kam dyshim. Unë jam i sigurt se ajo mendoi se, nëse nuk do ta gjente këtë tren, ajo mund të mos i shihte më kurrë fëmijët e saj. Unë e di me siguri: besimi i saj e mposhti frikën dhe shpresa e saj e mposhti dëshpërimin. Ajo nuk ishte një grua që do të ulej dhe do të rënkonte nga tragjedia. Ajo lëvizi. Ajo vuri besimin dhe shpresën në veprim.

Dhe kështu ajo vrapoi nga traseja në trasè dhe nga treni në tren deri sa më në fund e gjeti trenin tonë. Ai kishte lëvizur në një zonë të largët të stacionit. Atje, më në fund, i gjeti përsëri fëmijët e saj.

Unë shpesh kam menduar për atë natë dhe për çka duhet të ketë përballuar mamaja ime. Nëse do të mund të kthehesha prapa në kohë dhe të ulesha pranë saj, unë do ta pyesja atë se si ia arriti të vazhdonte duke qenë aq e trembur. Unë do ta pyesja për besimin e shpresën dhe se si e mposhti dëshpërimin.

Edhe pse kjo është e pamundur, ndoshta sot unë mund të ulem pranë jush dhe pranë kujtdo që mund të ndiehet i shkurajuar, i shqetësuar, apo i vetmuar. Sot unë do të doja të flas me ju mbi fuqinë pa fund të shpresës.

Rëndësia e Shpresës

Shpresa është një këmbë e një froni me tre këmbë, bashkë me besimin dhe bamirësinë. Këto të treja e bëjnë të qëndrueshme jetën tonë, pavarësisht sipërfaqeve jo të sheshta që ne mund të ndeshim gjatë kohës. Shkrimet e shenjta shprehen me qartësi dhe siguri mbi rëndësinë e shpresës. Apostulli Pal na mësoi se shkrimet e shenjta u shkruan me qëllim që ne “të kemi shpresë”1.

Shpresa ka fuqinë të mbushë jetën tonë me lumturi2. Mungesa e saj – kur kjo dëshirë e zemrës tonë vonohet – mund ta bëjë të “ligështo[het] zemr[a]”3.

Shpresa është një dhunti e Shpirtit4. Ka një shpresë që nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së Ringjalljes së Tij, ne do të ngrihemi në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tonë tek Shpëtimtari5. Kjo lloj shprese është edhe një parim i premtimit edhe një urdhërim,6 dhe si me të gjithë urdhërimet, ne kemi përgjegjësinë ta bëjmë atë një pjesë aktive të jetës tonë dhe të mposhtim tundimin për humbjen e shpresës. Shpresa tek plani i mëshirshëm i lumturisë i Atit tonë Qiellor çon në paqe,7 mëshirë,8 festë9 dhe gëzim10. Shpresa e shpëtimit është si një helmetë mbrojtëse,11 ajo është themeli i besimit tonë,12 dhe spirancë për shpirtrat tanë13.

Moroni në vetminë e tij – edhe pasi kishte dëshmuar shkatërrimin e plotë të popullit të tij – besonte tek shpresa. Në muzgun e kombit nefit, Moroni shkroi se pa shpresë ne nuk mund të marrim një trashëgimi për në mbretërinë e Perëndisë.14

Po Përse Atëherë Ka Dëshpërim?

Shkrimet e shenjta thonë se duhet të ketë “një kundërshtim në të gjitha gjërat”15. Kështu është me besimin, shpresën dhe bamirësinë. Dyshimi, dëshpërimi dhe dështimi për t’u kujdesur për njerëzit e tjerë na çon në tundimin, që mund të bëjë që të humbasim zgjedhje dhe bekime të çmuara.

Kundërshtari përdor dëshpërimin që të lidhë zemrat dhe mendjet tona në errësirë mbytëse. Dëshpërimi përthan tek ne çdo gjë të shkëlqyer e të gëzueshme dhe lë mbrapa zbrazëtinë e asaj çka do të ishte jeta. Dëshpërimi vret ambicjen, zhvillon sëmundjen, ndot shpirtin dhe mpin zemrën. Dëshpërimi mund të duket si një shkallë që çon vetëm dhe gjithnjë poshtë.

Shpresa, në anën tjetër, është si një rreze drite që ngrihet lart dhe mbi horizontin e rrethanave tona të tanishme. Ajo çan errësirën me një agim të shkëlqyer. Ajo na nxit dhe na frymëzon të kemi besim në kujdesin plot dashuri të një Ati Qiellor të përjetshëm, që ka përgatitur një rrugë për ata që kërkojnë të vërtetën e përjetshme në një botë relativizmi, rrëmuje dhe frike.

Atëherë, Çfarë Është Shpresa?

Kompleksiteti i gjuhës ofron disa variante dhe intensitete të fjalës shpresë. Për shembull, një fëmijë që sapo ngrihet në këmbë mund të shpresojë për një telefon lodër; një adoleshent mund të shpresojë për një thirrje telefonike nga një mik i veçantë; dhe një i rritur mund të shpresojë që zilja e telefonit të mos bjerë fare.

Unë dëshiroj të flas sot për shpresën që kapërcen vogëlsirat dhe përqendrohet mbi Shpresën e Izraelit16, shpresën e madhe të njerëzimit, madje për Shëlbuesin, Jezu Krishtin.

Shpresa nuk është një njohuri17, por më shumë besimi i qëndrueshëm që Zoti do të plotësojë premtimin që na ka dhënë. Ajo është besimi se nëse ne jetojmë sipas ligjeve të Perëndisë dhe të fjalëve të profetëve të Tij tani, ne do të marrim bekimet e dëshiruara në të ardhmen.18 Ajo është të besosh dhe të presësh që lutjet tona të marrin përgjigje. Ajo manifestohet në besimin tek vetja, optimizmin, entuziazmin dhe këmbënguljen me durim.

Në gjuhën e ungjillit, kjo shpresë është siguri, patundshmëri dhe veprim. Profetët e Dhiatës së Vjetër flasin për një “shpresë të vendosur”19 dhe një “shpresë të gjallë”20. Ajo është një shpresë që përlëvdon Perëndinë nëpërmjet punëve të mira. Me shpresë vjen gëzimi dhe lumturia21. Me shpresë, ne mund të “ke[mi] durim dhe të duro[jmë] … pikëllimet [tona]”22.

Gjëra Tek Të Cilat Ne Shpresojmë

Gjërat për të cilat ne shpresojmë shpesh janë ngjarje të së ardhmes. Sikur vetëm të arrijmë të shohim përtej horizontit të vdekshmërisë në atë që na pret përtej kësaj jete. A është e mundur të imagjinosh një të ardhme më të lavdishme se sa ajo e përgatitur për ne nga Ati ynë Qiellor? Në saje të sakrificës së Jezu Krishtit nuk ka pse të trembemi, sepse ne do të jetojmë përgjithnjë, për të mos e provuar kurrë më vdekjen.23 Në saje të Shlyerjes së pafundme të Tij, ne mund të pastrohemi nga mëkatet dhe të qëndrojmë të pastër dhe të shenjtë përpara bankës së gjykimit.24 Shpëtimtari është Autori i shpëtimit.25

Dhe për çfarë lloj ekzistence mund të shpresojmë ne? Ata që vijnë në Krisht, pendohen për mëkatet e tyre dhe jetojnë në besim, do të qëndrojnë përgjithmonë në paqe. Mendoni për vlerën e kësaj dhurate të përjetshme. Të rrethuar nga ata që ne i duam, ne do të njohim kuptimin e gëzimit më të madh ndërsa përparojmë në njohuri dhe në lumturi. Nuk ka rëndësi sa i acartë duket kapitulli i jetës tonë sot, në saje të sakrificës së Jezu Krishtit, ne mund të shpresojmë dhe të jemi të sigurt se fundi i librit të jetës tonë do të kapërcejë edhe shpresat tona më të mëdha. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”26

Gjërat tek të cilat shpresojmë na mbështesin në rrugën e përditshme. Ato na mbajnë lart nëpër sprova, tundime dhe brenga. Kushdo ka provuar shkurajime dhe vështirësi. Vërtet, ka kohëra kur errësira mund të duket e padurueshme. Është në këto kohëra që parimet hyjnore të ungjillit të rivendosur, në të cilët ne shpresojmë mund të na mbajnë dhe të na çojnë ne derisa, përsëri të ecim në dritë.

Ne shpresojmë në Jezusin, Krishtin, në mirësinë e Perëndisë, në shfaqjet e Frymës së Shenjtë, në dijen se lutjet dëgjohen dhe gjejnë përgjigje. Për arsye se Perëndia ka qenë besnik dhe ka mbajtur premtimet e Tij në të kaluarën, ne mund të shpresojmë me besim se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij për ne tani dhe në të ardhmen. Në kohë dëshpërimi, ne mund të mbahemi fort te shpresa që gjërat “do të punojnë së bashku për të mirën [tonë]”27, kur ne ndjekim këshillën e profetëve të Perëndisë. Kjo lloj shprese tek Perëndia, mirësia e Tij dhe fuqia e Tij na gjallëron me kurajo në sfidat e vështira dhe u jep forcë atyre që ndihen të kërcënuar nga muret bllokues të frikës, dyshimit dhe dëshpërimit.

Shpresa Shpie në Vepra të Mira

Ne mësojmë të edukojmë shpresën në të njëjtën mënyrë siç mësojmë të ecim, shkallë-shkallë. Duke studjuar shkrimet e shenjta, duke folur me Atin tonë Qiellor çdo ditë, duke u angazhuar të mbajmë urdhërimet e Perëndisë, si Fjala e Urtësisë dhe duke paguar të plotë të dhjetën, ne arrijmë shpresën.28 Ne rritemi në aftësinë tonë për patur “mbushulli në shpresë, me anë të Frymës së Shenjtë”29 kur ne jetojmë ungjillin në mënyrë më të përsosur.

Mund të ketë kohëra kur ne duhet të marrim vendime të guximshme për të shpresuar, madje kur çdo gjë përreth nesh bie ndesh me këtë shpresë. Si Ati Abraham, ne “kundra shpresës do të besojmë në shpresë”30. Ose, siç shprehet një shkrimtar: “Në mes të dimrit, [ne gjejmë] brenda [nesh] një verë të pamposhtshme.”31

Besimi, shpresa dhe bamirësia plotësojnë njëra-tjetrën dhe, ndërsa rritet njëra, të tjerat rriten gjithashtu. Shpresa vjen nga besimi32, sepse pa besim nuk ka shpresë.33 Po kështu, besimi vjen nga shpresa, sepse besimi është “siguria e gjërave që shpresohen”34.

Shpresa është vendimtare në të dyja, në besimin dhe në bamirësinë. Kur mosbindja, zhgënjimi dhe zvarritja gërryejnë besimin, shpresa është atje për ta mbajtur besimin tonë. Kur mërzitja dhe padurimi sfidojnë mirësinë, shpresa mban vendosmërinë tonë dhe na nxit të kujdesemi për njerëzit e tjerë, madje edhe pa pritur shpërblim. Sa më e shkëlqyer shpresa jonë, aq më i madh besimi ynë. Sa më e fortë shpresa jonë, aq më e pastër bamirësia jonë.

Gjërat për të cilat ne shpresojmë na çojnë tek besimi, ndërsa gjëra tek të cilat ne besojmë na çojnë tek bamirësia. Këto tre cilësi – besimi, shpresa dhe bamirësia35 – në bashkëveprim, të bazuara në të vërtetën dhe dritën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, na çojnë në morinë e veprave të mira.36

Shpresë nga Përvoja Vetiake

Sa herë që përmbushet një shpresë, ajo krijon besim dhe çon në një shpresë më të madhe. Unë mund të mendoj për shumë raste në jetën time ku kam mësuar direkt forcën e shpresës. Mbaj mend mirë ditët e fëminisë time i përfshirë nga tmerret dhe dëshpërimi i një lufte botërore, mungesa e mundësive për arsim, çështjet shëndetësore me rrezik jete gjatë rinisë dhe përvojat sfiduese dhe çkurajuese ekonomike si refugjat. Shembulli i mamasë tonë, edhe në kohët më të këqija, për të shkuar përpara dhe për të vënë në veprim besimin dhe shpresën, jo thjesht shqetësimi dhe mendimi dëshirues, e mbështetën familjen tonë e mua dhe na dhanë besim që rrethanat e dhëna do t’u hapnin udhë bekimeve të ardhshme.

Unë e di nga këto përvoja se është ungjilli i Jezu Krishtit dhe anëtarësia jonë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që forcojnë besimin, ofrojnë shpresë plot dritë dhe na çojnë ne në bamirësi.

Shpresa na mbështet ne të kalojmë dëshpërimin. Shpresa na mëson se ka arsye të gëzohemi madje edhe kur gjithçka përreth nesh duket e errët.

Me Jeremian unë thërras: “Lum ai njeri … besimi i të cilit është Zoti.”37

Me Joelin unë dëshmoj se: “Zoti [është] një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.”38

Me Nefin unë deklaroj: “Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”39

Kjo është cilësia e shpresës që duhet të ushqejmë dhe të zhvillojmë. Një shpresë e tillë e pjekur vjen dhe nëpërmjet Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sepse “kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai”40.

Zoti na ka dhënë neve një mesazh sigurues shprese: “Mos u trembni, grigjë e vogël.” 41 Perëndia do të presë “krahëhapur për t’[i] pranuar”42 ata që largojnë mëkatet e tyre dhe vazhdojnë me besim, shpresë dhe bamirësi.

Dhe të gjithëve atyre që vuajnë – të gjithë atyre që ndihen të shkurajuar, të shqetësuar apo të vetmuar – unë ju them me dashuri dhe me shqetësim të thellë për ju, kurrë mos u dorëzoni.

Kurrë mos u dorëzoni.

Kurrë mos lejoni që dëshpërimi të mposhtë shpirtin tuaj.

Përqafoni dhe mbështetuni në Shpresën e Izraelit, sepse dashuria e Birit të Perëndisë çan gjithë errësirën, zbut dhimbjen dhe gëzon çdo zemër.

Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Romakëve 15:4.

  2. Shih Psalmet 146:5.

  3. Fjalët e Urta 13:12.

  4. Shih Moroni 8:26.

  5. Shih Moroni 7:41.

  6. Shih Kolosianëve 1:21–23.

  7. Shih Romakëve 15:13.

  8. Shih Psalmet 33:22.

  9. Shih Romakëve 12:12.

  10. Shih Fjalët e Urta 10:28.

  11. Shih 1 Thesalonikasve 5:8.

  12. Shih Hebrenjve 11:1; Moroni 7:40.

  13. Shih Hebrenjve 6:19; Ethëri 12:4.

  14. Shih Ethëri 12:32; shih gjithashtu Romakëve 8:24.

  15. 2 Nefi 2:11.

  16. Shih Jeremia 17:13.

  17. Shih Romakëve 8:24.

  18. Shih DeB 59:23.

  19. Alma 34:41.

  20. 1 Pjetri 1:3.

  21. Shih Psalmet 146:5.

  22. Alma 34:41.

  23. Shih Alma 11:45.

  24. Shih 2 Nefi 2:6–10.

  25. Shih Hebrenjve 5:9.

  26. 1 Korintasve 2:9.

  27. DeB 90:24.

  28. Shih Romakëve 15:14.

  29. Romakëve 15:13.

  30. Romakëve 4:18.

  31. Albert Camus, në John Bartlett, përmb., Familiar Quotations, bot. i 17 (2002), f. 790.

  32. Shih Ethëri 12:4.

  33. Shih Moroni 7:42.

  34. Hebrenjve 11:1.

  35. Shih Moroni 10:20.

  36. Shih Alma 7:24.

  37. Jeremia 17:7.

  38. Joeli 3:16.

  39. 2 Nefi 31:20.

  40. 1 Gjoni 3:3.

  41. DeB 6:34.

  42. Shih Mormoni 6:17.