Ejani në Sion
Në familjet tona dhe në kunjet e distriktet tona, le të kërkojmë të ndërtojmë Sionin me anë të unitetit, perëndishmërisë dhe dashurisë hyjnore.
Profeti Jozef Smith tha: “Ndërtimi i Sionit është një kauzë që ka shfaqur interes për popullin e Perëndisë në çdo epokë; është një temë rreth së cilës profetët, priftërinjtë dhe mbretërit kanë folur me kënaqësi të veçantë; ata kanë pritur me padurim dhe me shpresë të gëzueshme ditën që ne jetojmë; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme kanë kënduar, dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë kohë tonën; por ata vdiqën pa e parë; ne jemi populli i parapëlqyer të cilin Perëndia e ka zgjedhur të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 2007], f. 186).
Sioni është edhe vend, edhe popull. Sion ishte emri që iu dha qytetit të lashtë të Enokut në kohën para përmbytjes. “Dhe ndodhi në ditët e tij, që ai ndërtoi një qytet që u quajt Qyteti i Shenjtërisë, madje Sion” (Moisiu 7:19). Ky Sion qëndroi për afro 365 vjet (shih Moisiu 7:68). Dokumenti i shkrimit të shenjtë bën të ditur: “Dhe Enoku dhe populli i tij ecën me Perëndinë dhe ai banoi në mes të Sionit; dhe ndodhi që Sioni nuk ishte, sepse Perëndia e mori atë në kraharorin e tij; dhe nga kjo doli shprehja, Sioni u arratis” (Moisiu 7:69). Më vonë, Jeruzalemi dhe tempulli i tij quheshin Mali Sion dhe shkrimet e shenjta profetizojnë për një Jeruzalem të Ri ku Krishti do të mbretërojë si “Mbret i Sionit”, kur “për hapësirën e një mijë vjetëve toka do të pushojë” (Moisiu 7:53, 64).
Zoti e quajti popullin e Enokut Sion, “ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18). Diku tjetër Ai tha: “Sepse ky është Sioni—të kulluarit në zemër” (DeB 97:21).
E kundërta dhe kundërshtarja e Sionit është Babilonia. Qyteti i Babilonisë ishte fillimisht Babeli, i famshëm për Kullën e Babelit, dhe më vonë u bë kryeqyteti i perandorisë babilonase. Ndërtesa e tij kryesore ishte tempulli i Belit, ose Baalit, idhullit që përmendet nga profetët e Dhiatës së Vjetër si “Neverija”, për arsye të zvetënimeve seksuale që lidheshin me adhurimin e tij. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Asirí”, f. 10; “Baal”, f. 11; “Babel, Babiloni”, f.12.) Natyra e saj materaliste, adhurimi i së keqes dhe robëria e fisit të Judës atje mbas pushtimit të vitit 587 para Krishtit, të gjitha bashkohen për ta bërë Babiloninë simbolin e shoqërive amorale dhe të robërisë shpirtërore.
Nisur pikërisht nga ky sfond historik, Zoti u tha anëtarëve të Kishës së Tij: “Ikni nga Babilonia; mblidhuni nga mesi i kombeve, nga të katër erërat, nga njëri skaj i qiellit në tjetrin” (DeB 133:7). Ai u bëri thirrje që pleqtë e Kishës së Tij të dërgoheshin nëpër botë për të përmbushur këtë grumbullim, duke nisur një përpjekje e cila vazhdon me plot fuqi sot. “Dhe vini re e shihni, kjo do të jetë thirrja e tyre dhe zëri i Zotit për të gjithë njerëzit: Shkoni ju në tokën e Sionit, që kufijtë e popullit tim të mund të zgjerohen dhe që kunjet e tij të mund të forcohen dhe që Sioni të mund të përhapet nëpër krahinat përreth” (DeB 133:9).
Dhe kështu sot njerëzit e Zotit po mblidhen “nga mesi i kombeve” kur ata grumbullohen në kongregacione dhe kunje të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilat janë të përhapura nëpër kombe. Nefi parashikoi që këto “zotërime” do të ishin të vogla, por që fuqia e Zotit do të zbriste “mbi shenjtorët e kishës së Qengjit, … që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata [do të] ishin armatosur me drejtësi” (shih 1 Nefi 14:12–14). Zoti na bën thirrje të jemi fanarë drejtësie për udhëheqjen e atyre që kërkojnë sigurinë dhe bekimet e Sionit:
“Në të vërtetë unë ju them ju të gjithëve: Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet;
Dhe që mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij të mund të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun” (DeB 115:5–6).
Nën drejtimin e Profetit Jozef Smith, anëtarët e hershëm të Kishës provuan të ngrinin vendin qendror të Sionit në Misuri, por nuk u kualifikuan për ndërtimin e qytetit të shenjtë. Zoti shpjegoi një nga arsyet e dështimit të tyre:
“Ata nuk kanë mësuar të jenë të bindur ndaj gjërave që i kërkova nga duart e tyre, por janë plot me gjithë llojet e ligësisë dhe nuk u japin nga pasuria e tyre, sikurse u ka hije shenjtorëve, të varfërve dhe të munduarve mes tyre;
Dhe nuk janë të bashkuar sipas bashkimit të kërkuar nga ligji i mbretërisë çelestiale” (DeB 105:3–4).
“Kishte acarime dhe grindje, dhe zilira, dhe zënie, dhe dëshira epshore dhe lakmitare mes tyre; si rrjedhim, prej këtyre gjërave ata i ndotën trashëgimitë e tyre” (DeB 101:6).
Më mirë sesa të gjykojmë mjaft ashpër shenjtorët e hershëm, ne, sidoqoftë, duhet të shqyrtojmë veten tonë, që të shohim a po veprojmë ne diçka më mirë.
Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe të besnikërisë së qytetarëve të tij. Kujtoni: “Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18). Nëse do të dëshironim të ndërtonim Sionin në shtëpitë, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. Do të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë; dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët me aq efektshmëri, sa të zhdukim varfërinë mes nesh. Nuk mund të presim derisa të vijë Sioni, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin.
Uniteti
Ndërsa marrim në shqyrtim unitetin që kërkohet për përparimin e Sionit, duhet të pyesim veten nëse i kemi kapërcyer “acarimet, grindjet, zilirat dhe zëniet” (shih DeB 101:6). A jemi ne si individë dhe si popull të lirë nga zënkat e grindjet dhe të bashkuar “sipas bashkimit të kërkuar nga ligji i mbretërisë çelestiale”? (DeB 105:4.) Falja e njëri-tjetrit është një tjetër element i domosdoshëm i këtij uniteti. Jezusi tha: “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” (DeB 64:10).
Ne do të bëhemi të një mendjeje dhe një zemre, kur ne në mënyrë individuale ta vendosim Shpëtimtarin në qendër të jetës sonë dhe t’u shkojmë pas atyre që Ai i ka ngarkuar të na udhëheqin. Mund të bashkohemi me Presidentin Tomas S. Monson në dashurinë dhe shqetësimin për njëri-tjetrin. Në konferencën e përgjithshme të prillit të kaluar, Presidenti Monson foli për ata të larguar nga Kisha dhe për ne të gjithë, kur tha: “Në ndërgjegjen e çdo njeriu gjendet ajo lloj ndjenje, ajo vendosmëri për ta flakur tutje njeriun e vjetër dhe për t’u ngritur në lartësinë e potencialit tonë të vërtetë. Në këtë frymë, ne përsëri shpallim atë ftesë të çiltër: Kthehuni. Ne ju afrohemi me dashurinë e pastër të Krishtit dhe shprehim dëshirën tonë për t’ju mbështetur dhe mirëpritur në shoqërim të plotë. Atyre që janë vrarë në shpirt ose vuajnë dhe kanë frikë, u themi: na lini t’ju ngremë, t’ju çelim dhe të qetësojmë frikën tuaj” (Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 87–88).
Në fund të korrikut të këtij viti, të rinj të moshës madhore të pamartuar, nga disa vende të Europës lindore u mblodhën në rrethinat e Budapestit të Hungarisë për një konferencë. Mes këtij grupi kishte 20 të rinj e të reja nga Moldavia, të cilët kishin shpenzuar ditë për të marrë pasaportat e vizat dhe mbi 30 orë udhëtimi me autobus, që të arrinin atje. Programi i konferencës përmbante afro 15 seminare të shkurtra. Secili duhet të zgjidhte dy a tre prej atyre ku kishte më shumë dëshirë të merrte pjesë. Më shumë se përqendrimi vetëm në interesat e veta, këta të rinj të moshës madhore moldavianë u mblodhën tok dhe bënë plan që grupi i tyre të shpërndahej së paku një për çdo klasë e të mbanin shënime të plota. Më pas do t’i ndanin me njëri-tjetrin ato që kishin mësuar dhe, më vonë, me të rinj në Moldavi të cilët nuk morën dot pjesë. Në formën e saj më të thjeshtë, kjo ilustron unitetin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, e cila, nëse shumohet me mijëra herë në mënyra të ndryshme, do të “kthejë Sionin” (Isaia 52:8).
Shenjtëria
Mjaft nga puna që duhet të bëhet në ngritjen e Sionit, qëndron në përpjekjet tona vetjake që të bëhemi “të kulluarit në zemër” (DeB 97:21). “Sioni nuk mund të ndërtohet, po të mos jetë përmes parimeve të ligjit të mbretërisë çelestiale”, tha Zoti, “përndryshe unë nuk mund ta pranoj atë për vete” (DeB 105:5). Ligji i mbretërisë qiellore është, natyrisht, ligji dhe besëlidhjet e ungjillit, të cilat përfshijnë të kujtuarit vazhdimisht nga ana jonë të Shpëtimtarit dhe të premtimit tonë për bindje, sakrificë, përkushtim dhe besnikëri.
Shpëtimtari qe kritik ndaj disa shenjtorëve të hershëm, për “dëshirat epshore” të tyre (DeB 101:6; shih edhe DeB 88:121). Këta qenë njerëz të cilët jetonin në një botë pa televizion, pa film, pa internet, pa iPod. Në botën tashmë të qullur nga pamjet dhe muzika seksualizuese, a jemi të lirë ne nga dëshirat epshore dhe të ligat që i shoqërojnë ato? Mjaft larg shtyrjes së kufijve të një veshjeje modeste apo vështrimit të amoralitetit të të tjerëve përmes pornografisë, ne duhet të jemi të uritur dhe të etur për drejtësi. Për të shkuar drejt Sionit, nuk mjafton që ju apo unë të jemi diçka më pak të ligj se të tjerët. Ne duhet të bëhemi jo vetëm të mirë, por burra dhe gra të shenjta. Duke risjellë shprehjen e Plakut Nil A. Maksuell, le ta vendosim njëherë e mirë banesën tonë në Sion dhe të heqim dorë nga shtëpiza verore në Babiloni (shih Neal A. Maxwell, A Wonderful Flood of Light [1990], f. 47).
Kujdesja për të Varfrit
Gjatë gjithë historisë Zoti i ka matur shoqëritë dhe individët nga mënyra e përkujdesjes së tyre për të varfrit. Ai ka thënë:
“Sepse toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer; po, unë i përgatita të gjitha gjërat dhe u kam dhënë fëmijëve të njerëzve që të jenë veprues për veten e tyre.
Si rrjedhim, në qoftë se dikush do të marrë nga bollëku që kam krijuar dhe nuk do t’u japë nga pjesa e tij, sipas ligjit të ungjillit tim, të varfërve dhe nevojtarëve, ai, me të ligjtë, do t’i hapë sytë e tij në ferr, duke qenë i munduar” (DeB 104:17–18; shih edhe DeB 56:16–17).
Për më tepër, Ai shpall: “Në gjërat tuaja tokësore ju duhet të jini të barabartë dhe kjo jo kundër dëshirës, përndryshe begatia e manifestimeve të Shpirtit do të jetë fshehur” (DeB 70:14; shih edhe DeB 49:20; 78:5–7).
Ne kontrollojmë përdorimin e mjeteve dhe burimeve tona, por i japim llogari Perëndisë për këtë kujdestari në gjëra tokësore. Kënaqesh kur dëshmon zemërgjerësinë tuaj, ndërsa kontribuoni për oferta agjërimi dhe projekte humanitare. Gjatë viteve vuajtja e miliona njerëzve është lehtësuar dhe njerëzve të tjerë të panumërt u është dhënë mundësi të ndihmojnë veten përmes bujarisë së shenjtorëve. Sidoqoftë, kur ndjekim kauzën e Sionit, secili prej nesh duhet të shqyrtojë përmes lutjes a po bën atë që duhet dhe gjithçka që duhet në sytë e Zotit, lidhur me të varfrit dhe nevojtarët.
Mund të pyesnim veten, meqenëse shumica prej nesh jeton në shoqëri që adhurojnë pronat dhe kënaqësitë, a e ruajmë vetëpërmbajtjen nga lakmia dhe etja për të marrë gjithnjë e më shumë nga gjërat materiale të kësaj bote? Materializmi është thjesht një shfaqje tjetër e idhujtarisë dhe krenarisë që karakterizon Babiloninë. Ndoshta mund të mësojmë të kënaqemi me atë që është e mjaftueshme për nevojat tona.
Apostull Pali e këshilloi Timoteun kundrejt njerëzve të cilët mendojnë “se perëndishmëria është burim fitimi” (1 Timoteut 6:5).
Ai tha: “Ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete;
por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq” (1 Timoteut 6:7–8).
Në shumë pjesë të botës, po hyjmë në kohë paqëndrueshmërie ekonomike. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin sa më mirë që mundet. Më kujtohet historia e një familjeje vietnameze që u largua nga Sajgoni më 1975 dhe përfundoi duke jetuar në një shtëpizë-rimorkio në Provo të Jutas. Një i ri i familjes refugjate u bë shok për mësimin e shtëpisë me Vëllain Xhonson, që jetonte aty pranë me familjen e tij të madhe. Djali tregoi sa vijon:
“Një ditë Vëllai Xhonson vuri re që familja jonë nuk kishte tryezë kuzhine. Të nesërmen ai mbërriti me një tryezë të vjetër në pamje, por shumë funksionale, e cila shkonte për bukuri tek muri i rimorkios, mes lavamanit të kuzhinës dhe banakut. Them e vjetër në pamje, sepse dy këmbë i përgjigjeshin nivelit të tryezës dhe dy jo. Gjithashtu, disa kunja të vegjël druri dilnin jashtë përgjatë njërës anë me sipërfaqe të konsumuar.
Shpejt ne e përdorëm përditë këtë tryezë të veçantë, për përgatitjen e ushqimit dhe për të ngrënë ndonjë vakt të shpejtë. Akoma e hanim ushqimin familjarisht të ulur në dysheme… sipas zakonit të vërtetë vietnamez.
Një mbrëmje po qëndroja tek porta brenda shtëpisë së Vëllait Xhonson, në pritje për të shkuar në një takim për mësimin e shtëpisë. Në kuzhinën aty pranë – u habita kur e pashë – ishte një tryezë pothuaj e njëjtë me atë që ata ia kishin dhënë familjes sime. I vetmi ndryshim ishte që, aty ku tryeza jonë kishte kunja, ajo e Xhonsonve kishte vrima! Atëherë e kuptova që, duke parë nevojën tonë, ky njeri mirëbërës e kishte prerë përgjysmë tryezën e kuzhinës së tij dhe kishte vënë dy këmbë të reja për secilën.
Kuptohej lehtë që familja Xhonson nuk mund të rehatohej rreth kësaj orendie të vogël – ata ndoshta nuk i merrte të gjithë kur ajo ishte e plotë. …
Gjatë gjithë jetës sime, ky akt dashamirësie ka qenë për mua një kujtues i fuqishëm i dhënies së vërtetë” (Son Quang Le, siç tregohet tek Beth Ellis Le, “Two-of-a-Kind Table”, Liahona, korrik 2004, f. 43).
Profeti Jozef Smith tha: “Ngritjen e Sionit ne duhet ta kemi si objektivin tonë më të madh” (History of the Church, 3:390–91, cituar tek Teachings of the Presidents of the Church: Joseph Smith, f. 186). Në familjet tona dhe në kunjet e distriktet tona, le të kërkojmë të ndërtojmë Sionin me anë të unitetit, perëndishmërisë dhe dashurisë hyjnore, duke u përgatitur për atë ditë të madhe kur Sioni, Jeruzalemi i Ri, do të ngrihet. Me fjalët e himnit tonë:
Izrael, Izrael, Perëndia të thërret,
Të thërret nga vendet e mjerimit.
Babilonia e madhe po bie;
Perëndia të gjitha kullat e saj do t’i rrëzojë. …
Ejani në Sion, ejani në Sion,
Dhe gëzoni brenda mureve të saj. …
Ejani në Sion, ejani në Sion,
Se Zoti juaj që vjen është pranë.
(“Israel, Israel, God Is Calling”, Hymns, nr. 7.)
Unë jap dëshmi për Jezu Krishtin, Mbretin e Sionit, në emër të Jezu Krishtit, amen.