Mirësevini në Konferencë
Ati ynë Qiellor është i kujdesshëm për secilin prej nesh dhe për nevojat tona. U mbushëshim me Shpirtin e Tij ndërsa marrim pjesë në punimet e kësaj, konference.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gjashtë muajt e kaluar, që kur u takuam së fundmi, duket sikur kanë fluturuar. Shumë gjëra kanë ndodhur, ndërsa vepra e Zotit ka ecur përpara e pandërprerë.
Ka qenë privilegji im, i shoqëruar nga këshilltarët e mi dhe nga Autorite të tjera të Përgjithshme, të përkushtoj tre tempuj të rinj: Në Kuritiba, Brazil; në Panama Siti, në Panama; dhe në Tuin Folls, Ajdaho – duke e çuar në 128 numrin e tempujve në aktivitet në mbarë botën.
Mbrëmjen përpara përkushtimit të secilit tempull u zhvilluan aktivitete të shkëlqyera kulturore. Në Kuritiba, Brazil, 4.330 anëtarë nga distrikti i tempullit, të mbështetur nga një kor prej 1.700 zërash, paraqitën një program tepër frymëzues me këngë, vallëzim dhe video. Stadiumi gjigand i futbollit, ku u zhvillua aktiviteti, ishte mbushur me spektatorë. Frynte erë dhe shiu kërcënonte. Unë bëra një lutje të heshtur, duke i kërkuar Atit Qiellor t’i shihte me mëshirë ata që ishin përgatitur me kaq zell për zbavitjen tonë, dhe kostumet e paraqitjet e të cilëve do të dëmtoheshin, nëse do të kishte shi apo erë të fortë. Ai e nderoi atë lutje dhe vetëm pas përfundimit të shfaqjes e më vonë në mbrëmje, shiu ra me bollëk.
Një histori e Kishës në Brazil u paraqit me këngë dhe vallëzim. Një skenë veçanërisht prekëse qe portretizimi i Pleqve Xheims E. Faust dhe Uilliam Grant Bangerter, të cilët shërbyen si misionarë në Kuritiba në vitin 1940. Ndërsa fotografitë e tyre u shfaqën në ekrane të mëdha, një brohoritje e fuqishme u ngrit nga publiku. Në përgjithësi, qe një aktivitet i shkëlqyer.
Në Panama Siti, Panama, mbrëmjen para përkushtimit të tempullit atje, ne vështruam rreth 900 nga të rinjtë tanë, të mbledhur nga mbarë Panamaja. Ata kishin veshur kostume folklorike shumëngjyrëshe ndërsa vallëzuan dhe paraqitën mesazhe për familjen, shoqërimin dhe besimin. Mësuam se ata kishin bërë prova që prej një viti. Ata erdhën nga vende mjaft të largëta si psh ishujt San Blas dhe rajoni Çanguinola në verilindje të Panamasë. Ardhja deri në kryeqytet, për të rinjtë nga San Blasi, kërkonte tre ditë udhëtim në tokë dhe në det. Aktiviteti qe i mrekullueshëm dhe frymëzues.
Gjatë përgatitjeve për përkushtimin tonë më të fundit të tempullit, në Tuin Folls, Ajdaho, anëtarët vendorë të Kishës ndërtuan një skenë gjigande në sheshin e panairit në Fajlër, Ajdaho, dhe e mbushën arenën e pashtruar me bar dhe zbukurime të tjera, përfshirë dhe një ujëvarë të madhe që përfaqësonte Ujvarat Shoshoun, një vend referimi i njohur që ndodhet rreth 3 kilometra larg tempullit të ri. Mbrëmjen e shfaqjes, 3.200 të rinj e të reja hynë në arenë duke valëvitur shirita blu e të bardhë, duke e kthyer arenën në një paraqitje të një lumi të madh me ujë të rrjedhshëm. Me titullin “Uji i Gjallë”, nga Gjoni 4:10, 14, shfaqja mblodhi së bashku të rinj nga 14 kunje në distriktin e ri të tempullit. Ata përshkruan, nëpërmjet këngës dhe vallëzimit, edhe varësinë e tyre për jetën shpirtërore nga uji i gjallë prej Shpëtimtarit, edhe varësinë e tyre për jetën fizike nga rrëketë malore dhe lumenjtë e zonës. Ata prej nesh që patën privilegjin ta dëshmojnë këtë ngjarje, u ngritën dhe u forcuan shpirtërisht.
Unë jam mbështetës për aktivitete të tilla. Ato i bëjnë të mundur rinisë sonë të marrë pjesë në diçka që për ata është vërtet e paharrueshme. Miqësitë që formojnë dhe kujtimet që krijojnë do të jenë të tyret përgjithnjë.
Muajin tjetër, Tempulli i Meksiko Sitit në Meksikë do të ripërkushtohet pas riparimeve të gjera. Në muajt që do të vijnë do të përfundohen ndërtimet e tempujve të tjerë dhe do të zhvillohen shtëpi të hapura dhe përkushtime.
Këtë mëngjes kam kënaqësinë të njoftoj pesë tempuj të rinj, për të cilët janë siguruar vendet e ndërtimit dhe të cilët, në muajt dhe vitet e ardhshme do të ndërtohen në vendet e mëposhtme: Kalgari, Alberta në Kanada; Kordovë, në Argjentinë; pranë Kanzas Sitit; Filadelfia, në Pensilvani dhe Romë, në Itali.
Vëllezër dhe motra, forca jonë misionare, që shërben në mbarë botën, vazhdon të përpiqet të gjejë ata që po kërkojnë të vërtetat të cilat gjenden në ungjillin e Jezu Krishtit. Kisha po rritet gradualisht, kështu ka ndodhur që nga organizimi i saj mbi 178 vite më parë.
Ka qenë privilegji im gjatë gjashtë muajve të shkuar të takohem me udhëheqës vendesh dhe përfaqësues qeverishë. Ata me të cilët jam takuar janë miqësorë kundrejt Kishës e anëtarëve tanë dhe kanë qenë bashkëpunues e të gjindshëm. Megjithatë, mbeten zona të botës ku ndikimi ynë është i kufizuar dhe ku ne nuk lejohemi ta ndajmë ungjillin lirisht. Ashtu si bëri Presidenti Spenser W. Kimball, mbi 32 vjet më parë, unë ju shtyj të luteni për hapjen e atyre zonave, që ne të mund të ndajmë atje gëzimin e ungjillit. Ndërsa u lutëm atëherë në përgjigje të lutjes së Presidentit Kimball, ne pamë të shpalosen mrekulli, ndërkohë që njëri pas tjetrit, vendet që më parë qenë të mbyllur për Kishën, u hapën. Kjo do të ndodhë përsëri ndërsa lutemi me besim.
Tani, vëllezërit dhe motrat e mija, kemi ardhur këtu që të udhëzohemi dhe të frymëzohemi. Disa prej jush janë të rinj në Kishë. Ne ju mirëpresim. Disa prej jush po ndeshen me probleme, me sfida, me zhgënjime, me humbje. Ne ju duam dhe lutemi për ju. Shumë mesazhe do të ndahen gjatë këtyre dy ditëve. Unë mund t’ju siguroj se ata burra e gra që do t’ju flasin, janë lutur për atë që duhet të thonë. Ata kanë marrë frymëzim dhe mbresa, ndërsa kanë kërkuar ndihmën dhe drejtimin nga qielli.
Ati ynë Qiellor është i kujdesshëm për secilin prej nesh dhe për nevojat tona. U mbushëshim me Shpirtin e Tij ndërsa marrim pjesë në punimet e kësaj, Konferencës së Përgjithshme Gjysmëvjetore të 178-të Kishës. Kjo është lutja ime e sinqertë dhe unë e ofroj atë në emrin e Jezu Krishtit, amen.