Mësimdhënia e Ungjillit – Thirrja Jonë Më e Rëndësishme
Kur ne mësojmë disa parime bazë rreth mësimdhënies dhe na tregohet mënyra si të japim mësim, të gjithë ne mund ta bëjmë.
Këto kohët e fundit unë dhe motra Osvald vendosëm t’u mësonim mbesave tona binjake pesëvjeçare të hidheshin në litar. Hedhja në litar është një lojë fëmijësh në të cilën pjesëmarrësit hidhen në litar ndërsa ai kalon nën këmbët e tyre dhe mbi kokat e tyre. Pasi morën disa udhëzime të thjeshta, të dyja vajzat u përpoqën, por dështuan disa herë radhazi.
Atëherë kur ishim gati të dorëzoheshim, dy fëmijë fqinjë më të rritur kaluan aty pranë dhe ne kërkuam ndihmën e tyre. Të dyja vajzat fqinje kishin përvojë në hedhjen në litar dhe ishin në gjendje t’u tregonin mbesave tona si të hidheshin. Ndërsa hidheshin në litar, vura re se vajzat fqinje këndonin një këngë që i ndihmonte të hidheshin sipas ritmit të tundjes së litarit.
Sapo mbesat tona i kuptuan parimet e hedhjes në litar dhe iu tregua se si të hidheshin në të, pjesa tjetër e mësimit ishte e lehtë. Me pak praktikë të dyja binjaket ishin në rrugën e zotërimit të bazave të hedhjes në litar.
Gjatë mësimit të hedhjes në litar, një mbesë tjetër, vetëm tre vjeç, ishte ulur në lëndinë duke na vështruar qetësisht. Kur dikush e pyeti nëse donte ta provonte të hidhej në litar, ajo pohoi me kokë, erdhi aty dhe qëndroi afër litarit. Ndërsa tundëm litarin, për habinë tonë të madhe, ajo kërceu pikërisht siç kërcenin motrat e saj që ajo kishte parë. Ajo u hodh një herë, pastaj dy herë dhe pastaj vazhdimisht, duke përsëritur me zë të lartë të njëjtën këngë që kishin kënduar fëmijët më të rritur.
Të tre mbesat kishin kuptuar se kishte një art në hedhjen në litar. Ishte një gjë e thjeshtë që të gjitha ato mund ta bënin pasi të mësonin disa parime bazë dhe t’u tregohej praktikisht. Po kështu është me mësimdhënien e ungjillit. Kur ne mësojmë disa parime bazë rreth mësimdhënies dhe na tregohet mënyra si të japim mësim, të gjithë ne mund ta bëjmë.
Presidenti Bojd K. Paker shpesh na kujton se, “të gjithë ne – udhëheqës, mësues, misionarë dhe prindër – kemi një sfidë që zgjat tërë jetën, të dhënë nga Zoti qoftë për të dhënë mësim, qoftë për të mësuar vetë doktrinat ungjillit siç na janë zbuluar.” 1 Sikurse u tha thjesht nga Plaku L. Tom Perri: “Çdo pozicion në kishë kërkon një mësues të efektshëm”2.
Meqenëse çdo anëtar është mësues dhe “mësimdhënia është qendra e çdo gjëje që bëjmë,”3 ne të gjithë kemi një përgjegjësi të shenjtë të mësojmë disa parime bazë të mësimdhënies. Ka shumë parime për mësimdhënien e të mësuarin dhe nuk është e mjaftueshme që ne thjesht të lexojmë mbi to. Së pari, ne duhet të kuptojmë këto parime bazë; dhe së dyti, ne duhet të na tregohet nga mësues të suksesshëm se si përdoren ato. Kjo mund të bëhet duke i ndjekur me vëmendje mësuesit e aftë në lagjet e degët tona dhe duke rishqyrtuar mbledhjen mbarëbotërore për trajnimin e udhëheqjes mbi mësimdhënien dhe të mësuarit që gjendet në faqen e internetit të Kishës ose në revistat e Kishës.4
Parimet bazë që zbatohen në të mësuarin dhe në mësimdhënien e ungjillit gjenden në shkrimet e shenjta. Ato gjithashtu diskutohen në një burim të shkëlqyer, por shpesh të neglizhuar për mësimdhënien i titulluar Teaching, No Greater Call (Mësimdhënia, Asnjë Thirrje Më e Madhe).5
Kur kërkojmë modelin e një mësuesi të përsosur që mund të na tregojë se si të mësohet ungjilli, ne na tërheq në mënyrë të pashmangshme Jezusi i Nazaretit. Dishepujt e tij e quanin Rabboni që do të thotë “Mjeshtër” ose “Mësues” 6. Ai ishte dhe është Mësuesi-Mjeshtër.
Jezusi ndryshonte nga mësuesit e tjerë të ditëve të Tij në atë që Ai mësonte “si një që ka autoritet”.7 Ky autoritet për të mësuar dhe shërbyer erdhi nga Ati i Tij Qiellor, sepse “Perëndia e vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin . . , . sepse Perëndia ishte me të.” 8
Duke ndjekur këtë model, Jezusi u mësua nga Ati i Tij Qiellor, siç është shkruar të Gjoni. Jezusi tha, “Unë nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.”9 “Biri nuk mund të Bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; … Sepse Ati e do birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë.”10
Nëpër shkrimet e shenjta ne mund të gjejmë shembuj të tjerë të mësuesve të suksesshëm të ungjillit, të cilët i ndryshuan jetën dhe i shpëtuan shpirtrat atyre që u mësuan. Nga Libri i Mormonit na vijnë menjëherë në mendje, për shembull: Nefi,11 Alma,12 dhe bijtë e Mosias13. Vini re përgatitjen vetjake të bijve të Mosias ndërsa u përgatitën t’u mësonin ungjillin:
“Ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.
Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.”14
Një tjetër mësues i fuqishëm i ungjillit ishte Moroni, i cili u zgjodh si “një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë”15 për të mësuar dhe ndihmuar Profetin Jozef Smith. Jozefi na ka dhënë një përshkrim të shkurtër, por të detajuar të asaj që tha dhe bëri Moroni kur e mësoi atë.16
Herën e parë që Moroni iu shfaq Jozef Smithit, Jozefi ishte një djalë adoleshent 17 vjeç me arsimim të pakët zyrtar. Jozefi e përshkroi veten si “një djalë i panjohur … pa pasoja për botën,”17 dhe një mik e quajti atë më vonë të “paarsimuar” dhe të “pamësuar”18 Në duart e një mësuesi të duruar dhe dashamirës si Moroni – dhe të lajmëtarëve të tjerë qiellorë që e udhëzuan atë – ky djalë i ri do të bëhej figura qendrore në atë që Zoti do ta quante “një vepër të mrekullueshme dhe një çudi.”19
Cilat janë disa prej parimeve të mësimdhënies dhe të mësuarit vetjak që mund të përcaktojmë duke vënë re mënyrën se si Moroni e mësoi Jozef Smithin? Ka një numër parimesh të rëndësishme që mund të diskutojmë, por le të përqendrohemi në tre parime bazë, thelbësore për një mësimdhënie të mirë.
Parimi 1: Tregojuni Dashuri Atyre Që Mësoni dhe Thirrini Ata në Emër
Josef Smithi tha se kur engjëlli Moroni iu shfaq për herë të parë, Jozefi “[pati] frikë, por frika shpejt [iu] largua”. Çfarë ishte ajo që bëri Moroni që ndihmoi në davaritjen e kësaj frike? Jozefi tha: “Ai më thirri me emër.”20 Mësuesit që i duan studentët e tyre dhe i thërrasin në emër, ndjekin modelin qiellor.21
Në një mbledhje të kohëve të fundit me Presidentin Tomas S. Monson, unë vura re se ai e përshëndeti secilin prej nesh në emër. Ai na foli për mësuesen e Shkollës të së Dielës në djalërinë e tij, Lusi Gersh, duke vënë në dukje se ajo ishte një mësuese e cila i dinte emrat e secilit student në klasën e saj. Presidenti Monson ka thënë për të: “Ajo, pa harruar asnjëherë, i telefononte ata që mungonin një të diel ose që thjesht nuk vinin rregullisht. Ne e dinim se ajo kujdesej për ne. Asnjëri prej nesh nuk e ka harruar asnjëherë atë apo mësimet që ajo zhvillonte.”22
Parimi 2: Mësoni nga Shkrimet e Shenjta
Një tjetër parim i mësimdhënies i zbatuar nga Moroni është se ai i njihte dhe jepte mësim nga shkrimet e shenjta. Jozef Smithi tha se, që në takimin e tyre të parë, Moroni “filloi të citonte profecitë e Dhiatës së Vjetër. … Ai citoi shumë pjesë të tjera nga shkrimi i shenjtë dhe ofroi shumë shpjegime.”23 Nga ajo shumicë e shkrimeve të shenjta të cituara nga Moroni, Jozefi mësoi për rolin e tij profetik në sjelljen e Librit të Mormonit dhe në Rivendosjen e ungjillit të vërtetë përsëri mbi tokë.24
Parimi 3: Nxisni Meditimin Mbi të Vërtetat e Ungjillit
Një parim i tretë i vënë në përdorim nga Moroni në mësimin e Jozefit ishte ta bënte atë të meditonte mbi atë që i ishte mësuar. Jozefi pohon se pas takimit të tij të tretë me Moronin, ai “u [la] të [përsiaste] … [atë] që [ai] sapo [kishte] përjetuar.”25 Mësuesit e efektshëm do të duan të ndjekin modelin e Krishtit të ringjallur mes nefitëve kur Ai i kërkoi turmës të ktheheshin në “shtëpitë [e tyre] dhe [ të meditonin] mbi gjërat” që Ai u kishte mësuar në mënyrë që ata të mund “kuptoni[n]”.26
Nefi na kujton se akti i meditimit përfshin jo vetëm përdorimin e mendjes sonë por gjithashtu të zemrës sonë. Ai tha: “Zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar.”27 Akti i meditimit mbi shkrimet e shenjta dhe gjërat që kemi parë e dëgjuar, fton zbulesën vetjake që të vijë në jetën tonë.
Unë dëshmoj se mësimdhënia e ungjillit është një thirrje e shenjtë dhe e shenjtëruar. Kur ju i doni studentët tuaj e i thërrisni në emër, kur ju i hapni shkrimet e shenjta dhe u mësoni prej tyre, dhe kur ju i nxisni studentët tuaj të meditojnë mbi të vërtetat e ungjillit të rivendosur dhe t’i zbatojnë ato, atëherë ndikimi juaj për mirë do të lartësohet dhe jeta e studentëve tuaj do të bekohet më me bollëk. Në atë ditë të lavdishme, ata do t’ju thonë siç u tha për Jezusin nga Nazareti: “Ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia.”28 Në emër të Jezu Krishtit, amen.