Tani Le Të Gëzohemi
Pjesëmarrja në Shoqatën e Ndihmës është pjesë e bekimit dhe trashëgimisë sonë të lavdishme si gra në Kishën e Zotit.
Të dashura motra të mia, sa të bekuara jemi! Jo vetëm jemi anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por ne jemi gjithashtu anëtare të Shoqatës së Ndihmës – “organizata e Zotit për gratë”1. Shoqata e Ndihmës është tregues i dashurisë së Perëndisë për bijat e Tij.
Nuk ju drithërohen zemrat kur sillni ndër mend historinë e Shoqatës së Ndihmës dhe kujtoni fillimet tona aq ngazëlluese? Më 17 mars 1842, në mbledhjen e parë të Shoqatës së Ndihmës, Profeti Jozef Smith deklaroi se “Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosmërisht gjersa gratë u organizuan kështu”2. Pastaj Ai organizoi motrat “nën drejtimin e priftërisë sipas modelit të priftërisë”3. Grupe të vogla, të ndryshme të grave që u grumbulluan në atë Shoqatë të parë të Ndihmës ishin gra të përkushtuara, të ngjashme me anëtaret e Shoqatës së Ndihmës sot. Kishte gra të reja dhe gra më të moshuara, gra që ishin të arsimuara dhe gra të pa arsimuara. Kishte gra të martuara, nëna dhe gra beqare. Kishte gra të pasura dhe disa që ishin shumë të varfra. Ato kishin secila dashuri për njëra-tjetrën, dashuri për Zotin dhe dëshirë për të shërbyer. Duke kujtuar atë që bënë në të kaluarën motrat e Shoqatës së Ndihmës, ne mund të kuptojmë dhe të drejtohemi më mirë sot.
Në mbledhjen e parë të Shoqatës së Ndihmës, motrave iu kërkua nga Jozef Smithi të ndihmonin Vëllezërit “për të parë nevojat e të varfërve—duke kërkuar artikuj bamirësie dhe për të administruar nevojat e tyre” 4. Ai më tej i këshilloi motrat të vepronin “në përputhje me dashurinë që Perëndia ka vendosur në zemrat tuaja”5.
Motrat e morën këtë detyrë me zotim të madh dhe u bënë një shoqatë e përkushtuar për t’u shërbyer të varfërve dhe nevojtarëve. Motra Ema Smith tha: “Ne do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Kur një anije përplaset në rrëpira, me shumë mormonë në bord, ne do ta konsiderojmë atë një thirrje për ndihmë. Ne presim raste të jashtëzakonshme dhe thirrje të ngutshme.”6
Në ditët e hershme të Kishës, motrat jepnin ndihmë duke shkuar shtëpi më shtëpi. Duke bërë atë që ne sot e quajmë mësim i vizitës, motrat shkonin gjithandej duke u shërbyer të gjithëve – duke u kujdesur dhe duke u qëndruar pranë nevojave të të tjerëve dhe duke siguruar që njerëzit të kishin ushqim, veshje, strehë dhe duke dhënë ndihma plotësuese kur ishte e nevojshme. Nëse një motër kishte diçka për të dhënë, ajo do t’ua jepte atë motrave që bënin vizita. Nëse ajo ishte në nevojë, motrat do të ndihmonin duke dhënë për të7.
Le t’ia kushtojmë veten Shoqatës së Ndihmës, siç këshillonte Presidenti Boid K. Paker: “Shërbimi në Shoqatën e Ndihmës rrit dhe shenjtëron secilën motër individualisht… Kur i kushtoni veten Shoqatës së Ndihmës, dhe e organizoni, dhe e vini në punë, dhe merrni pjesë në të, ju mbështesni kauzën që do të bekojë çdo grua që vjen në ndikimin e saj.”8
Pikërisht ashtu siç e përshkroi Ema anijen e përplasur në rrëpira dhe njerëzit që kishin nevojë për ndihmë, ne mund ta krahasojmë atë me ditët tona kur ne shohim gjëra të tilla si një fqinjë të sëmurë, një fëmijë që ka nevojë të udhëzohet, një të ri që ka nevojë për një mik, apo një familje që ka humbur të ardhurat dhe ka nevojë për ndihmë që të mëkëmbet. Ne dëgjojmë për katastrofa, shtrëngata apo tragjedi personale në jetën e motrave tona kudo. Nuk na duhet të ngutemi për të gjetur gjërat që duhet të bëjmë ose qëllime që duhet të arrijmë.
Kujtoni, shumë shpesh ndihma që nevojitet është në shtëpitë, lagjet dhe komunitetet tona. Një fjalë e këndshme inkurajimi, një shënim falënderimesh, një thirrje në telefon, një buzëqeshje me dashuri, një akt i dobishëm dhe një kujtesë se Perëndia na do, shpesh janë ato çka nevojiten më shumë. Ne mund t’i ngremë dhe t’i bekojmë të tjerët në aq shumë mënyra.
Shoqata e Ndihmës nuk është thjesht një klasë e së dielës. Ajo nuk është thjesht një vend ku ne shkojmë po qe se nuk po japim mësim në Fillore apo në organizatën e Të Rejave. Ajo është organizata e Zotit për gratë. Pjesëmarrja në Shoqatën e Ndihmës është pjesë e bekimit dhe trashëgimisë sonë të lavdishme si gra në Kishën e Zotit.
Në ato mbledhje të hershme të Shoqatës së Ndihmës, Jozef Smithi këshilloi motrat t’i mësonin njëra-tjetrës ungjillin e Jezu Krishtit. Ai tha: “Shoqata nuk është vetëm për t’u dhënë të varfërve, por për të shpëtuar shpirtra.”9 Më tej ai tha: “Unë ua kthej çelësin juve në emër të Perëndisë dhe kjo Shoqatë do të ngazëllehet dhe dija e zgjuarësia do të vërshojnë nga kjo kohë.”10 Oh, mua më pëlqen kjo deklaratë. Ajo më kujton të ngazëllehem në bekimet që Perëndia ka për gratë e kësaj Kishe.
Gratë e Shoqatës së Ndihmës kanë kërkuar gjithnjë të mësojnë dhe të rriten. Ne e dimë se “lavdia e Perëndisë është inteligjencë”11.
Në vitin 1830, në një zbulesë të dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith për bashkëshorten e tij, Ema, Zoti deklaroi se ajo duhet “të sqar[onte] shkrimet e shenjta dhe … ta këshill[onte] kishën, ashtu siç do [t’i] jepe[j] me anë të Shpirtit [të Tij]”12. Kjo detyrë iu dha jo vetëm Emës, por Jozefi sqaroi se të gjitha motrat duhet të kërkonin për këtë dhuratë.13 Gratë u mësuan njerëzve ungjillin e Jezu Krishtit dhe u bënë pasuese të Shpëtimtarit me fjalë dhe me vepra. Motrat ushqenin njëra-tjetrën me fjalën e mirë të Perëndisë.14
Disa gra kanë thënë se është e frikshme t’i japësh mësim një klase apo të flasësh përpara një grupi. Unë mund t’ju siguroj se e di nga përvoja ime që kjo mund të jetë mjaft frikësuese. Le të kujtojmë çfarë i tha Eliza R. Snou njëherë mbesës së saj që ishte ftuar të fliste përpara një grupi. Kur u ngrit mbesa e saj, ajo nuk ishte në gjendje të thoshte ndonjë gjë pasi frika e ndrydhi. Ajo më në fund thjesht u ul. Eliza ngrohtësisht dhe me butësi e këshilloi: “Mos u mërzit, por kur të kërkohet të flasësh përsëri përpiqu dhe kij diçka për të thënë.”15
Ne do të kemi diçka për të thënë kur përgatitemi siç na ka udhëzuar Zoti. Ai thotë “[predikoni] ungjillin tim me anë të Shpirtit” dhe edhe predikuesit edhe ata që e pranojnë “e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku”16. Kur ne përgatitemi me gjithë shpirt duke përdorur shkrimet e shenjta e materialet e miratuara nga Kisha dhe kërkojmë ndihmën e Zotit, Ai do të na japë “dhuratë[n e] papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë”17 dhe ne do të dimë çfarë të themi, kështu që të gjithë të lartësohen.
Në një mbledhje të mrekullueshme të Shoqatës së Ndihmës, Eliza R. Snou ka shënuar në protokoll se “thuajse të gjitha të pranishmet u ngritën dhe folën, dhe shpirti i Zotit si një rrymë pastruese rigjallëroi çdo zemër”18. Ne shpresojmë se motrat tona sot ndihen të ushqyera, të ndriçuara dhe të lartësuara sa herë që marrin pjesë në një mësim të së dielës, shkojnë në një mësim vizite, marrin pjesë në një veprimtari apo kryejnë një veprim shërbimi.
Motra, tani më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për gra që pranojnë përgjegjësi dhe janë të forta. Ne kemi nevojë për gra që thonë të vërtetën me forcë, besim dhe guxim. Ne kemi nevojë për gra që të jenë shembuj të drejtësisë. Ne kemi nevojë për gra që janë “të dëshiruara të angazhohen për një kauzë të mirë”19. Ne kemi nevojë të jetojmë në mënyrë të tillë që jeta jonë të sjellë dëshmi që ne e duam Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe se do të bëjmë atë që Ata na kanë kërkuar të bëjmë. Ne kemi nevojë të shpëtojmë “gjithçka që është më e mira thellë brenda [nesh]”20 kështu që si bija të Perëndisë të mund të bëjmë pjesën tonë për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ne do të na ndihmojnë për ta bërë këtë. Siç deklaroi Jozefi: “Nëse jetoni denjësisht me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurojnë të bëhen shoqëruesit tuaj.”21
Le të mbajmë barrët e njëri-tjetrit, të vajtojmë me ata që vajtojnë, të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe kështu të mbajmë besëlidhjet që kemi bërë22.
Ne jemi shumë të bekuara. Shpëtimtari qëndron në krye të kësaj Kishe. Ne udhëhiqemi nga profetë, shikues dhe zbulues të gjallë. Ne kemi shkrimet e shenjta për të lexuar, studjuar dhe gjetur përgjigje për jetën tonë të përditshme. Ne kemi tempujt e shenjtë kudo në botë ku ne mund të marrim ordinancat e nevojshme që na ndihmojnë të kthehemi tek Ati ynë Qiellor. Dhe ne kemi njëra-tjetrën që të marrim ndihmë.
Unë shoh “shëmbëlltyrën e Perëndisë të gdhendur mbi pamjen”23 tuaj gra të mira kur udhëtoj në shumë vende të botës. Unë dëgjoj për veprat tuaja të mira dhe përkushtimin e mrekullueshëm. Unë shoh Dritën e Krishtit që pasqyrohet në sytë tuaja.
Unë e di se, ashtu si na nxiti Ema, ne mund të bëjmë diçka të jashtëzakonshme sot. Ne mund të jemi një ushtri e drejtë e grave, e armatosur me dashuri, dhembshuri, mirësi, shërbim dhe besim. Ne mund të jemi një forcë e madhe për të mirën në këtë botë. Atëherë do të jemi ashtu siç e përshkruan Presidenti Paker: “Shoqata e Ndihmës mund të krahasohet me një strehim – vendi i sigurisë dhe i mbrojtjes. … Ju do të jeni të sigurta brenda saj. Ajo e rrethon çdo motër si një mur mbrojtës.”24 Ne duhet ta kemi këtë vend sigurie dhe mbrojtjeje!
A nuk është emocionuese t’i përkasësh Shoqatës së Ndihmës? Duke kujtuar çka ato gra fisnike bënë në të kaluarën, ne do të udhëhiqemi tani dhe në të ardhmen.
Unë dëshmoj që Perëndia, Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe na duan ne. Unë dëshmoj se ne udhëhiqemi nga një profet i Perëndisë. Unë dëshmoj se kur ne mbajmë besëlidhjet, ne do të bekohemi pafundësisht. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.