Kini Besim te Zoti
Përfshihuni në bërjen e asaj që mundeni për të ndarë mesazhin e mrekullueshëm të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit.
Kohët e fundit, unë dhe Motra Ballard u kthyem nga një detyrë në pesë vende në Europë. Atje ne patëm privilegjin të takoheshim me shumë prej misionarëve tanë, ndoshta disa prej bijve dhe bijave tuaja. Që nga njoftimi i Presidentit Tomas S. Monson për uljen e moshës për të rinjtë dhe të rejat tona që të shërbenin, kam pasur privilegjin të takoj mbi 3.000 prej tyre. Drita e Krishtit rrezaton në fytyrat e tyre dhe ata kanë mjaft dëshirë ta çojnë punën përpara – të gjejnë e të mësojnë, të pagëzojnë, të aktivizojnë, të forcojnë dhe të ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë. Duke u takuar me ta, një person shpejt arrin të dallojë, sidoqoftë, se ata nuk mund ta bëjnë këtë punë të vetëm. Sot dëshiroj t’u flas të gjithë anëtarëve të Kishës, sepse ka një ngutje për çdonjërin prej nesh që të angazhohet në ndarjen e ungjillit.
Siç është cituar shumë herë, Profeti Jozef Smith shpalli se “pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 352).
Në vitin 1974 Presidenti Spenser W. Kimball tha këtë: “Ndoshta arsyeja më e madhe për punën misionare është që t’i japë botës mundësinë vetjake për ta dëgjuar e pranuar ungjillin. Shkrimet e shenjta janë plot me urdhra e premtime dhe thirrje e shpërblime për mësimdhënien e ungjillit. E përdor me qëllim fjalën urdhër pasi duket të jetë një udhëzim ngulmues nga i cili ne, veç e veç dhe bashkërisht, nuk mund të shpëtojmë” (“When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 4).
Në korrik të po atij viti, unë dhe Motra Ballard u larguam me fëmijët tanë për të kryesuar në Misionin e Kanadasë, Toronto. Fjalët e Presidentit Kimball po më kumbonin në veshë, sidomos kur tha: “Vëllezërit e mi, pyes veten nëse po bëjmë gjithçka mundemi. A jemi të vetëkënaqur në qasjen tonë për të mësuar të gjithë botën? Tanimë, kemi qenë duke kthyer njerëz në besim për 144 vjet. A jemi gati të hedhim hapa më të mëdhenj? Të zgjerojmë largpamësinë tonë?” (Ensign, tetor 1974, f. 5).
Ai gjithashtu na kërkoi ta përshpejtojmë ritmin tonë, duke punuar bashkërisht për të ndërtuar Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë.
Këtë qershor të kaluar, Presidenti Tomas S. Monson u përsëriti saktësisht të njëjtën thirrje anëtarëve të Kishës. Presidenti tha: “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të mblidhen së bashku … [dhe] të punojnë në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. Ai ka përgatitur mjetet që ne ta ndajmë ungjillin në një mori mënyrash dhe Ai do të na ndihmojë në punët tona nëse ne vërtet do të …. të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij” (“Faith in the Work of Salvation” [fjalim dhënë në një transmetim të veçantë, 23 qershor 2013]; lds.org/broadcasts).
Vëllezër dhe motra, është mirë të reflektojmë mbi mësimet e profetëve nga koha e Jozef Smithit deri sot. Ata i kanë inkurajuar e i kanë kërkuar udhëheqjes dhe anëtarëve të Kishës të përfshihen me zell në çuarjen e mesazhit të Rivendosjes së ungjillit te të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor në të gjithë botën.
Mesazhi im këtë pasdite është se Zoti po e përshpejton punën e Tij. Në kohën tonë, kjo mund të bëhet vetëm kur çdo anëtar i Kishës arrin që me dashuri të ndajë të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ne duhet të punojmë së bashku në bashkëpunim me 80.000 misionarët tanë që po shërbejnë tani. Informacioni mbi këtë punë të madhe, veçanërisht mbi detyrat për udhëheqësit e këshillave të kunjeve dhe të lagjeve, përvijohet qartë në faqen e internetit LDS.org të titulluar “Hastening the Work of Salvation” [“Përshpejtimi i Punës së Shpëtimit”].
Ne e dimë nga kërkimi ynë se shumica e anëtarëve aktivë të Kishës dëshirojnë që bekimet e ungjillit të jenë pjesë e jetës së të tjerëve të cilët ata i duan, edhe të atyre që nuk i kanë takuar ndonjëherë. Por ne gjithashtu e dimë se shumë anëtarë ngurrojnë të bëjnë punë misionare dhe të ndajnë ungjillin për dy arsye themelore.
E para është frika. Shumë anëtarë madje as nuk luten për mundësi për të ndarë ungjillin, duke u druajtur se mund të marrin nxitje hyjnore për të bërë diçka që ata mendojnë se nuk janë të aftë ta bëjnë.
Arsyeja e dytë është keqkuptimi i asaj se çfarë është puna misionare.
Ne e dimë se kur dikush ngrihet për të dhënë një bisedë në mbledhjen e sakramentit dhe thotë: “Sot do të flas për punën misionare”, ose ndoshta edhe kur Plaku Ballard ngrihet në konferencën e përgjithshme dhe thotë të njëjtën gjë, disa prej jush duke dëgjuar mund të mendojnë: “O jo, jo më; e kemi dëgjuar këtë më parë”.
Tani, ne e dimë se askujt nuk i pëlqen të ndihet fajtor. Ndoshta mendoni se mund t’ju kërkohet të bëni gjëra jorealiste në marrëdhëniet tuaja me miqtë ose fqinjët. Me ndihmën e Zotit, më lejoni t’ju heq çdo frikë që ju apo cilido nga misionarët tanë kohëplotë mund të ketë për ndarjen e ungjillit me të tjerët.
Merrni vendimin për të bërë atë që Jezu Krishti na ka kërkuar të bëjmë. Shpëtimtari ka thënë:
“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.
Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.
A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?
Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?
Në qoftë se ju … dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:7–11).
Vëllezër dhe motra, frika do të zëvendësohet me besim dhe mirëbesim kur anëtarët dhe misionarët kohëplotë gjunjëzohen në lutje dhe i kërkojnë Zotit t’i bekojë ata me mundësi misionare. Atëherë, ne duhet të tregojmë besimin tonë dhe të shohim për mundësi për t’ua paraqitur ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të Atit tonë Qiellor dhe me siguri këto mundësi do të vijnë. Këto mundësi nuk do të kërkojnë asnjëherë një përgjigje të detyruar apo të sajuar. Ato do të rrjedhin si pasojë normale e dashurisë sonë për vëllezërit dhe motrat tona. Thjesht jini të vërtetë dhe ata me të cilët flisni, do ta ndiejnë dashurinë tuaj. Ata nuk do ta harrojnë asnjëherë atë ndjenjë edhe pse koha mund të mos jetë e përshtatshme për ta për ta përqafuar ungjillin. Edhe kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, kur rrethanat e tyre të ndryshojnë.
Është e pamundur për ne të dështojmë kur bëjmë maksimumin tonë kur jemi në punën e Zotit. Edhe pse përfundimi është pasojë e ushtrimit të lirisë së zgjedhjes vetjake, ndarja e ungjillit është përgjegjësia jonë.
Mirëbesoji Zotit. Ai është Bariu i Mirë. Ai i njeh delet e Tij dhe delet e Tij e njohin zërin e Tij; dhe sot, zëri i Bariut të Mirë është zëri juaj dhe zëri im. Dhe nëse nuk jemi të përfshirë, shumë njerëz që do t’ia vinin veshin mesazhit të Rivendosjes do anashkalohen. E thënë thjesht, është çështje besimi dhe veprimi nga ana jonë. Parimet janë mjaft të thjeshta – lutuni, më vete dhe në familjen tuaj, për mundësi misionare. Zoti ka thënë te Doktrina e Besëlidhje që shumë njerëz janë mbajtur larg nga e vërteta vetëm “ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (DeB 123:12).
Ju nuk keni përse të jeni një njeri miqësor ose një mësues i gojës, bindës. Në qoftë se keni një dashuri të qëndrueshme dhe shpresë brenda jush, Zoti ka premtuar se nëse “ia ngrini zërat tuaj këtij populli [dhe] flisni mendimet që [Ai] do të vë[rë] në zemrat tuaja … ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve;
[Dhe] do t’ju jepet në orën e duhur … në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni” (DeB 100:5–6).
Predikoni Ungjillin Tim na kujton të gjithëve ne se “asgjë nuk ndodh në punën misionare derisa të gje[jmë] dikë për ta mësuar. Flisni me sa më shumë njerëz që të mundeni çdo ditë. Është e natyrshme të jeni pak i frikësuar për të folur me njerëzit, por mund të luteni për besimin dhe forcën, për të qenë më të guximshëm kur të hapni gojën për të shpallur ungjillin e rivendosur” ([2005], f. 163). Ju, misionarë kohëplotë, nëse dëshironi të jepni më shumë mësim, duhet të flisni me më shumë njerëz çdo ditë. Kjo ka qenë gjithnjë ajo që Zoti i ka dërguar misionarët të bëjnë.
Zoti na njeh. Ai e di se ne kemi sfidat tona. E marr me mend se disa prej jush mund të ndihen shumë të ngarkuar, por unë lutem që asnjëri prej jush nuk do të ndiejë ndonjëherë se përpjekja për ta ndarë ungjillin në mënyra normale e të këndshme do të jetë ndonjëherë një barrë. Përkundrazi, është një privilegj! Nuk ka gëzim më të madh në jetë sesa të jesh i përfshirë me zell në shërbim të Zotit.
Çelësi është që të jeni të frymëzuar nga Perëndia, që t’i kërkoni Atij drejtim dhe më pas të shkoni e të veproni siç ju nxit Shpirti. Kur anëtarët e shohin punën e shpëtimit si përgjegjësinë e tyre të vetme, ajo mund të jetë frikësuese. Kur e shohin atë si një ftesë për të ndjekur Zotin në çuarjen e shpirtrave tek Ai për t’u mësuar nga pleqtë [misionarët] dhe motrat kohëplota, ajo është frymëzuese, gjallëruese dhe lartësuese.
Ne nuk po i kërkojmë gjithsecilit të bëjë gjithçka. Ne thjesht po u kërkojmë të gjithë anëtarëve të luten, duke e ditur se nëse secili anëtar, i ri dhe i vjetër, do të arrijë te vetëm “një person” midis ditës së sotme dhe Krishtlindjes, miliona do ta ndiejnë dashurinë e Zotit Jezu Krisht. Dhe çfarë dhurate e mrekullueshme për Shpëtimtarin!
Gjashtë javë më parë, mora një letër nga një familje misionare, anëtare e Kishës, shumë e suksesshme, familja Muns nga Florida. Ata shkruanin:
“I dashur Plaku Ballard, 30 minuta pas transmetimit mbarëbotëror mbi përshpejtimin e punës së shpëtimit, ne mbajtëm këshillin tonë familjar si misionarë. Ne u ngazëllyem kur zbuluam se nipërit e mbesat tona adoleshente dëshironin të përfshiheshin. Jemi të lumtur të njoftojmë se që nga mbledhja jonë e këshillit, ne e kemi zgjeruar grupin tonë të mësimdhënies si familje me 200 përqind.
Ne kemi pasur nipër e mbesa që kanë sjellë miq në kishë, jemi kënaqur në mbledhjet e sakramentit me disa prej miqve tanë më pak aktivë dhe kemi pasur disa prej kontakteve tona të reja të zotohen të dëgjojnë diskutimet e misionarëve. Një nga motrat tona më pak aktive jo vetëm që është kthyer në kishë, por ka sjellë kërkues të rinj me vete.
Askush nuk e ka refuzuar ftesën për të dëgjuar diskutimet e misionarëve. Çfarë kohe emocionuese të jesh anëtar i kësaj Kishe” (letër personale, 15 gusht 2013).
Dëgjojini nxitjet e Shpirtit. Përgjërojuni Zotit në lutje të fuqishme. Përfshihuni në bërjen e asaj që mundeni për të ndarë mesazhin e mrekullueshëm të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit.
Po citoj nga një tjetër anëtar misionar i suksesshëm, Klejton Kristenseni: “Çdo herë që merrni dikë në mënyrë figurative për dore dhe e prezantoni atë me Jezu Krishtin, ju do të ndieni se sa thellësisht ju do Shpëtimtari juve dhe personin dora e të cilit është tek e juaja” (The Power of Everyday Missionaries: The What and How of Sharing the Gospel [2013], f. 1).
Zoti ju bekoftë, vëllezër dhe motra, për të gjetur gëzimin e madh që vjen nga të përjetuarit e mrekullive përmes besimit tuaj. Sikurse na mësohet te Moroni, kapitulli 7:
“Krishti ka thënë: Në qoftë se ju do të keni besim në mua, ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme. …
… Pasi është nëpërmjet besimit që mrekullitë bëhen; dhe është nëpërmjet besimit që engjëjt u shfaqen dhe u shërbejnë njerëzve; prandaj, në qoftë se këto gjëra kanë pushuar, mjerë fëmijët e njerëzve, pasi është për shkak të mosbesimit dhe e gjitha është e kotë” (Moroni 7:33, 37).
Nga vetë përvoja ime unë mund t’ju dëshmoj se Zoti do t’i dëgjojë lutjet tuaja dhe ju do të keni shumë mundësi tani dhe për vitet që do të vijnë ta paraqisni ungjillin e Jezu Krishtit te fëmijët e çmuar të Atit Qiellor. Presidenti Monson, ne të kemi dëgjuar. Ne të gjithë do të kërkojmë ta gjejmë personin. Lutem që të gjithë ne mund të përjetojmë gëzimin e madh që vjen nga shërbimi misionar, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krishtit, amen.