2013
Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër
Nëntor 2013


Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër

Të jesh i bindur nuk do të thotë dobësi, por do të thotë të sillesh me mirësi dhe ëmbëlsi.

Mormoni na mësoi se njeriu “nuk mund të ketë besim dhe shpresë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përvuajtur në zemër”1. Ai shtoi se pa cilësi të tilla “besimi dhe shpresa … është e kotë, meqë askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër”.2

Bindje është cilësia e atyre që janë “besimtarë, të drejtë, të përulur, të mësueshëm dhe të durueshëm nën vuajtje”.3 Ata që zotërojnë këtë cilësi, janë të gatshëm të ndjekin Jezu Krishtin dhe mësimet e ungjillit të Tij dhe karakteri i tyre është i qetë, i butë, tolerant dhe i bindur.

Apostulli Pal na mësoi se bindja është fryti i Frymës.4 Prandaj, ajo mund të arrihet shumë lehtë në qoftë se “rrojmë në Frymë”.5 Që të rrojmë në Frymë, mënyra jonë e jetesës duhet të pasqyrojë drejtësi përpara Zotit.

Kur marrim emrin e Krishtit mbi vete, pritet që ne të përpiqemi të matemi me cilësitë e Tij dhe të ndryshojmë karakterin tonë për t’u bërë më shumë si Ai çdo ditë. Shpëtimtari, duke këshilluar dishepujt e Tij, tha: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.6 Nëse “[vijmë] te Krishti … dhe do t’i moho[jmë] vetes çdo ligësi … dhe [do ta duam] Perëndinë”, atëherë nëpërmjet hirit të Krishtit dita do të vijë kur ne të mund të bëhemi të përsosur në Të.7

“Cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia. [Këto cilësi] vijnë kur [ne] e përdor[im] me drejtësi zgjedhjen [tonë] të lirë. … Me dëshirën për ta kënaqur Perëndinë, [ne duhet të] prano[jmë] dobësitë [tona] dhe [të jemi] të gatshëm dhe entuziastë për t’u përmirësuar.”8

Bindja është jetike që të bëhemi më shumë si Krishti. Pa të ne nuk do të jemi në gjendje të zhvillojmë virtyte të tjera të rëndësishme. Të jesh i bindur nuk do të thotë dobësi, por do të thotë të sillesh me mirësi dhe ëmbëlsi, duke treguar forcë, qartësi, vetëvlerësim të shëndetshëm dhe vetëkontroll.

Bindja ishte një nga cilësitë më të bollshme në jetën e Shpëtimtarit. Ai Vetë u mësoi dishepujve të Tij: “Mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra”9.

Ne jemi të bekuar që jemi lindur me farën e bindjes në zemrën tonë. Ne duhet të kuptojmë se nuk është e mundur ta rrisim dhe ta zhvillojmë atë sa hap e mbyll sytë, por më tepër nëpër procesin e kohës. Krishti na kërkon të “marr[im] çdo ditë kryqin [tonë]”10, duke nënkuptuar që ky duhet të jetë një përqendrim dhe dëshirë e vazhdueshme.

Presidenti Lorenco Snou, profeti i pestë i periudhës sonë ungjillore, na mësoi: “Është detyra jonë të përpiqemi që të jemi të përkryer, … të përmirësohemi çdo ditë dhe të shohim ecurinë tonë javën e kaluar dhe t’i bëjmë gjërat më mirë këtë javë; t’i bëjmë gjërat më mirë sot nga sa i bëmë dje”11. Kështu, hapi i parë për t’u bërë i bindur është të përmirësohemi ditë pas dite. Çdo ditë duhet të jemi më mirë sesa më parë, ndërsa shkojmë përpara nëpër këtë proces.

Presidenti Snou shtoi:

“Ne kemi marrëzitë tona të vogla dhe dobësitë tona; ne duhet të përpiqemi t’i kapërcejmë ato sa më shpejt që është e mundur, dhe … duhet [ta rrënjosim] këtë ndjenjë në zemrat e fëmijëve tanë … që ata të mund të mësojnë [të sillen] siç duhet përpara Tij në të gjitha rrethanat.

Nëse bashkëshorti mund të jetojë një ditë pa grindje me bashkëshorten e tij ose pa trajtuar njeri në mënyrë të pakëndshme ose pa e brengosur Shpirtin e Perëndisë … ; ai është deri këtu i përsosur. Atëherë lejojeni atë të përpiqet të jetë po ashtu ditën tjetër. Por duke supozuar se ai do të dështojë në përpjekjen e tij të ditës tjetër, kjo nuk është arsye që ai nuk duhet të ketë sukses duke e bërë këtë ditën e tretë.”12

Duke njohur përkushtimin dhe vendosmërinë tonë, Zoti do të na japë atë që nuk jemi në gjendje të arrijmë për shkak të papërsosmërive dhe dobësive tona njerëzore.

Një hap tjetër i rëndësishëm për t’u bërë i bindur është të mësuarit se si ta kontrollojmë karakterin tonë. Ngaqë njeriu natyror është te secili prej nesh dhe ngaqë jetojmë në një botë plot me presion, të kontrolluarit e karakterit tonë mund të bëhet një nga sfidat e jetës sonë. Mendoni për pak sekonda se si reagoni ju kur dikush nuk pajtohet me dëshirat tuaja në çastin që ju doni që ai të pajtohet. Çfarë ndodh kur njerëzit nuk janë dakord me idetë tuaja, edhe pse ju jeni absolutisht i sigurt që ato përfaqësojnë zgjidhjen e duhur për një problem? Cila është përgjigjja juaj kur dikush ju ofendon, kritikon përpjekjet tuaja, apo është thjesht i ashpër ngaqë është në humor të keq? Në këto çaste dhe në situata të tjera të vështira, ne duhet të mësojmë ta kontrollojmë karakterin tonë dhe t’i përcjellim ndjenjat tona me durim dhe me bindje fisnike. Kjo është shumë e rëndësishme brenda shtëpive tona dhe në marrëdhëniet tona me shokun apo shoqen tonë të përjetshme. Gjatë 31 viteve të martesës sime me të dashurën time të zemrës, ajo shpesh më ka bërë kujtesa fisnike për këtë kur kemi përjetuar sfida tronditëse të jetës.

Midis mësimeve që gjenden në Letrën e Dytë drejtuar Timoteut, Apostulli Pal thoshte:

“Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,

duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,

dhe të vijnë në vete”13.

Duke kontrolluar reagimet tona, duke qenë të qetë dhe të përmbajtur dhe duke shmangur grindjen, ne do të fillojmë të kualifikohemi për dhuratën e bindjes. Presidenti Henri B. Ajring një herë tha: “Kur i kontrollojmë me besim inatet tona dhe e mposhtim krenarinë tonë, Fryma e Shenjtë jep miratimin e Tij dhe premtimet e besëlidhjet e shenjta bëhen të sigurta”14.

Një hap tjetër për të arritur bindjen është të bëhemi të përulur. Zoti e udhëzoi Tomas B. Marshin nëpërmjet Profetit Jozef Smith, duke i thënë: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”15.

Unë besoj se vetëm ata që janë të përulur, janë në gjendje të njohin dhe të kuptojnë përgjigjet e Zotit ndaj lutjeve të tyre. Të përulurit janë të mësueshëm, duke njohur sa të varur janë nga Perëndia dhe duke dëshiruar të jenë të nënshtruar ndaj vullnetit të Tij. Të përulurit janë të bindur dhe kanë aftësinë të ndikojnë te të tjerët që të jenë po ashtu. Premtimi i Perëndisë për të përulurit është që Ai do t’i udhëheqë ata përdore. Unë vërtet besoj se ne do t’i shmangim devijimet dhe brengën në jetën tonë për sa kohë do të ecim përdore me Zotin.

Një nga shembujt më të mrekullueshëm të bindjes në kohët moderne që mbaj parasysh, është ai i kthimit në besim të Vëllait Moisi Malangu. Kthimi i tij në besim filloi në 1964-ën, kur ai mori një kopje të Librit të Mormonit. Ai u mrekullua ndërsa lexonte këtë libër, por vetëm në fillimet e viteve 70 ai pa një shenjë të Kishës së Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në një ndërtesë në Johanesburg të Afrikës së Jugut, ndërsa po ecte në një rrugë. Vëllai Malangu u intrigua dhe u fut në ndërtesë për të mësuar më shumë rreth Kishës. Atij iu tha me mirësi se nuk mund të merrte pjesë në shërbesat apo të pagëzohej për shkak se ligjet e vendit nuk e lejonin në atë kohë.

Vëllai Malangu e pranoi atë vendim me bindje, përulësi dhe pa u fyer, por ai vazhdoi të ketë një dëshirë të fortë për të mësuar më shumë rreth Kishës. Ai i pyeti udhëheqësit e Kishës nëse mund ta linin hapur një nga dritaret e shtëpisë së mbledhjeve gjatë mbledhjeve të së dielës që ai të mund të ulej jashtë dhe t’i dëgjonte shërbesat. Për disa vite, familja e miqtë e Vëllait Malangu merrnin pjesë rregullisht “nga dritarja” në kishë. Një ditë në 1980-ën atyre iu tha se mund të merrnin pjesë në kishë dhe gjithashtu të pagëzoheshin. Çfarë ditë e lavdishme për Vëllanë Malangu.

Më vonë Kisha organizoi një degë në lagjen e tij në Soveto. Kjo u bë e mundur vetëm për shkak të vendosmërisë, kurajës dhe besnikërisë së njerëzve si Vëllai Malangu, që qëndruan besnikë për aq shumë vite në rrethana të vështira.

Një nga miqtë e Vëllait Malangu, që ishte bashkuar me Kishën në të njëjtën kohë, më tregoi këtë histori kur vizitova kunjin e Sovetos. Në fund të bisedës sonë, ai më përqafoi. Atë çast, vëllezër dhe motra, u ndjeva si të isha futur në krahët e dashur të Shpëtimtarit. Bindje buronte nga sytë e këtij vëllai të mirë. Me një zemër plot mirësi dhe mirënjohje të thellë, ai pyeti nëse mund vetëm t’i thoshja Presidentit Tomas S. Monson se sa mirënjohës dhe i bekuar ishte ai dhe shumë të tjerë që kishin ungjillin e vërtetë në jetën e tyre. Shembulli i bindjes i Vëllait Malangu dhe i miqve të tij ndikoi vërtet në shumë jetë njerëzish për mirë – veçanërisht timen.

Vëllezër dhe motra, unë besoj se Shpëtimtari Jezu Krisht është shembulli më i lartë i bindjes. Edhe gjatë çasteve të fundit të jetës së Tij të vdekshme, i akuzuar dhe i dënuar padrejtësisht, duke mbartur me dhimbje kryqin e Tij drejt Golgotës, i tallur dhe i mallkuar nga armiqtë e Tij, i braktisur nga shumë që e njihnin dhe patën dëshmuar për mrekullitë e Tij, Ai u gozhdua në kryq.

Edhe pas vuajtjes më të madhe fizike, Zoti iu drejtua Atit të Tij dhe i foli nga thellësia e zemrës së Tij të bindur e të përulur: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”16. Krishti përjetoi një vuajtje të skajshme fizike dhe shpirtërore, duke na dhënë mundësinë neve që të ndryshojmë karakterin tonë shpirtëror e të bëhemi të bindur si Ai.

Unë lë dëshminë time që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Unë ju dëshmoj juve se, në saje të dashurisë së Tij, është e mundur të ndryshojmë. Është e mundur t’i lëmë dobësitë tona prapa. Është e mundur t’i kundërshtojmë ndikimet e liga në jetën tonë, të kontrollojmë inatin tonë, të bëhemi të bindur dhe të zhvillojmë cilësitë e Shpëtimtarit tonë. Ai na tregoi udhën. Ai na dha shembullin e përkryer dhe urdhëroi secilin nga ne që të bëhemi siç Ai është. Ftesa e Tij për ne është që të ndjekim Atë, të ndjekim shembullin e Tij dhe të bëhemi si Ai. Për këto të vërteta unë lë dëshmi në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtin, amen.