Forca për të Duruar
Aftësia jonë për të duruar deri në fund me drejtësi do të jetë në përpjesëtim të drejtë me forcën e dëshmisë sonë dhe thellësinë e kthimit tonë në besim.
Çdo mëngjes kur zgjohemi, përballemi me një ditë të re të mbushur me sfidat e jetës. Këto sfida vijnë në shumë forma: sfida fizike, pengesa financiare, vështirësi në marrëdhënie, sprova emocionale dhe madje mundime me besimin tonë.
Shumë prej sfidave që hasim në jetë, mund të zgjidhen dhe të mposhten; megjithatë, të tjera mund të jenë të vështira për t’u kuptuar dhe të pamundura për t’u mposhtur dhe do të na shoqërojnë derisa të kalojmë në jetën tjetër. Ndërsa i durojmë përkohësisht sfidat që mund të zgjidhim, dhe ndërsa vazhdojmë të durojmë sfidat që nuk mund të zgjidhim, është e rëndësishme të kujtojmë se forca shpirtërore që zhvillojmë do të na ndihmojë të durojmë me sukses të gjitha sfidat që hasim në jetë.
Vëllezër dhe motra, ne kemi një Atë të dashur Qiellor, i cili ka hartuar ekzistencën tonë tokësore në mënyrë që ne të mund të mësojmë individualisht mësimet që duhet të mësojmë për t’u kualifikuar për jetë të përjetshme në praninë e Tij.
Një episod në jetën e Profetit Jozef Smith e ilustron këtë parim. Profeti dhe disa shokë qenë të burgosur në Liberti, Misuri, për muaj. Ndërsa po vuanin në burg, Profeti Jozef i kërkoi Zotit me lutje të përulur që shenjtorët të mund të lehtësoheshin nga vuajtja e tyre aktuale. Zoti iu përgjigj duke i mësuar Profetit Jozef, dhe ne të gjithëve, se sfidat që hasim, nëse durohen me sukses, do të jenë për të mirën tonë përfundimtare. Kjo është përgjigjja e Zotit ndaj kërkesës së Jozefit:
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart”1.
Ati Qiellor ka organizuar udhëtimin tonë përmes jetës që të jetë një provë e karakterit tonë. Ne jemi të ekspozuar ndaj ndikimeve si të mira edhe të liga dhe më pas na është dhënë liria morale e zgjedhjes për të zgjedhur për veten tonë se cilin shteg do të ndjekim. Sikurse dha mësim profeti i lashtë i Librit të Mormonit, Samueli: “Ju jeni të lirë; ju jeni të lejuar të veproni nga vetja juaj; pasi vini re, Perëndia ju ka dhënë njohuri dhe ju ka bërë të lirë”2.
Ati Qiellor gjithashtu e kuptoi se, për shkak të vdekshmërisë sonë, ne jo gjithmonë do të bënim zgjedhje të sakta ose të drejta. Ngaqë nuk jemi të përsosur dhe ngaqë bëjmë gabime, neve na nevojitet ndihmë për t’u kthyer në praninë e Tij. Ndihma e nevojshme është dhënë përmes mësimeve, shembullit dhe sakrificës shlyese të Jezu Krishtit. Sakrifica shlyese e Shpëtimtarit e bën të mundur shpëtimin dhe ekzaltimin tonë të ardhshëm përmes parimit të pendimit. Nëse pendohemi me ndershmëri dhe me sinqeritet, Shlyerja mund të na ndihmojë të bëhemi të pastër, të ndryshojmë natyrën tonë dhe të durojmë me sukses sfidat tona.
Durimi është një parim i rëndësishëm që gjendet brenda doktrinës së Jezu Krishtit. Është i rëndësishëm sepse cilësia e së ardhmes sonë të përjetshme është e përpjesshme me aftësinë tonë për të duruar me drejtësi.
Te 2 Nefi 31 profeti Nefi na mëson se, pasi marrim të njëjtën ordinancë shpëtuese të pagëzimit që mori Jezu Krishti dhe më pas marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne duhet të “shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duro[jmë] deri në fund, [dhe atëherë] vini re, kështu thotë Ati: [Ne] do të ke[mi] jetën e përjetshme”3.
Prandaj, për të marrë më të madhin e të gjitha bekimeve të Atit tonë Qiellor, që është jeta e përjetshme, ne duhet të plotësojmë punën e duhur për ordinancat dhe më pas të vazhdojmë të mbajmë besëlidhjet shoqëruese. Me fjalë të tjera, ne duhet të durojmë me sukses.
Aftësia jonë për të duruar deri në fund me drejtësi do të jetë në përpjesëtim të drejtë me forcën e dëshmisë sonë dhe thellësinë e kthimit tonë në besim. Kur dëshmitë tona janë të forta dhe jemi të kthyer me të vërtetë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit, zgjedhjet tona do të frymëzohen nga Fryma e Shenjtë, ato do të jenë të përqendruara te Krishti dhe do të mbështesin dëshirën tonë për të duruar me drejtësi. Nëse dëshmitë tona janë të dobëta dhe kthimi ynë në besim i cekët, rreziku është shumë më i madh që ne të joshemi nga traditat e rreme të botës për të bërë zgjedhje të varfra.
Do të doja të tregoja një përvojë që ilustron përpjekjen e kërkuar për të duruar fizikisht dhe më pas ta krahasoj atë me përpjekjen e kërkuar për të duruar shpirtërisht. Pas kthimit nga misioni im, pata mundësinë të luaja basketboll për një trajner mjaft të respektuar dhe autor në një kolegj në Kaliforni. Ky trajner ishte shumë serioz që lojtarët e tij të ishin të formë përpara fillimit të sezonit të basketbollit. Një prej kushteve të tij paraprake të trajnimit, përpara se ndonjëri prej nesh të mund të prekte një top basketbolli në fushën e stërvitjes, ishte të vrapoje në një itinerar në natyrë në kodrat pranë shkollës, brenda një kohe të caktuar dhe shumë të shkurtër. Më kujtohet përpjekja ime e parë fare duke vrapuar në këtë itinerar në natyrë menjëherë pas kthimit nga terreni i misionit: Mendova se do vdisja.
U deshën javë trajnimi serioz me qëllim që përfundimisht të arrihej koha që trajneri vendosi si synim. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme që jo vetëm të jesh në gjendje të vraposh sipas itinerarit, por edhe të përshpejtosh drejt vijës fundore.
Që të luash basketboll me sukses, ti duhet të jesh në formë të mirë. Të qenit në gjendje të mirë fizike vjen me një çmim dhe ai çmim është përkushtimi, këmbëngulja dhe vetëdisiplinimi. Edhe durimi shpirtëror vjen me një çmim. Është i njëjti çmim: përkushtimi, këmbëngulja dhe vetëdisiplinimi.
Një dëshmi, sikurse trupi juaj, duhet të jetë në formë nëse dëshironi që të durojë. Pra, si i mbajmë dëshmitë tona në formë? Ne nuk mund t’i mbajmë trupat tanë në formë të mirë për basketboll thjesht duke parë basketboll në televizor. Po ashtu, ne nuk do të jemi në gjendje t’i mbajmë në formë dëshmitë tona thjesht duke e parë në televizor konferencën e përgjithshme. Ne duhet t’i studiojmë dhe mësojmë parimet themelore të ungjillit të Jezu Krishtit dhe më pas duhet të bëjmë më të mirën tonë për t’i jetuar ato. Kjo është mënyra se si ne bëhemi dishepuj të Jezu Krishtit, dhe kjo është mënyra se si ne e ndërtojmë një dëshmi të qëndrueshme.
Kur hasim vështirësi në jetë dhe dëshira jonë është të imitojmë cilësitë e Jezu Krishtit, është thelbësore të jemi shpirtërisht të përgatitur. Të jemi shpirtërisht të përgatitur do të thotë se ne kemi zhvilluar qëndresë ose forcë shpirtërore – ne do të jemi në formë të mirë shpirtërore. Ne do të jemi në formë kaq të mirë shpirtërore saqë do të zgjedhim vazhdimisht të drejtën. Do të bëhemi të palëkundur në dëshirën e aftësinë tonë për ta jetuar ungjillin. Sikurse tha dikur një autor anonim: “Ju duhet të bëheni shkëmbi që lumi nuk mund ta lëvizë”.
Për shkak se hasim sfida çdo ditë, është e rëndësishme që ne të punojmë me qëndresën tonë shpirtërore çdo ditë. Kur ne zhvillojmë qëndresë shpirtërore, traditat e rreme të botës, si dhe sfidat tona të përditshme vetjake, do të kenë pak ndikim negativ në aftësinë tonë për të duruar me drejtësi.
Shembuj të mrekullueshëm të qëndresës shpirtërore vijnë nga vetë historitë tona familjare. Midis historive të shumta nga paraardhësit tanë, ne do të jemi në gjendje të gjejmë shembuj që shfaqin karakteristikat pozitive të durimit.
Një ndodhi nga vetë historia ime familjare e ilustron këtë parim. Stërgjyshi im, Jozef Uatson Meinis, u lind në vitin 1856 në Hall, Jorkshir, të Anglisë. Familja e tij u bashkua me Kishën në Angli dhe më pas udhëtuan për në Solt-Lejk-Siti. Ai u martua me Emili Kipin në 1883-shin dhe u bënë prindër të tetë fëmijëve. Jozefi u thirr të shërbente një mision kohëplotë në qershor të 1910-ës, kur ishte 53 vjeç. Me mbështetjen e së shoqes dhe të tetë fëmijëve, ai u kthye në vendlindjen e tij, Angli, për të shërbyer në mision.
Pasi shërbeu me besnikëri për afro dy vjet, ai po ngiste biçikletën së bashku me shokun e tij të misionit për shërbimet e Shkollës të së Dielës në Glostër të Anglisë, kur iu ça goma. Ai zbriti nga biçikleta për të parë dëmin. Kur e pa që ishte i rëndë dhe do të kërkonte pak kohë të rregullohej, ai i tha shokut të tij të vazhdonte dhe ta fillonte shërbimin e së dielës dhe ai do të ishte atje pas pak. Sapo mbaroi së thëni këtë, ai ra në tokë. Kishte vdekur papritur nga një infarkt në zemër.
Jozef Uatson Meinisi kurrë nuk i pa më të shoqen dhe tetë fëmijët në këtë jetë. Ata qenë në gjendje ta transportonin trupin sërish në Solt-Lejk-Siti dhe e mbajtën shërbimin mortor në Sallën e vjetër të Mbledhjes Uotërlu. Një deklaratë e bërë në shërbimin e tij mortor nga Plaku Entëni W. Ivins, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na jep një mësim të rëndësishëm për jetën, vdekjen dhe durimin: “Kjo është ajo që na jep ungjilli – jo imunitet nga vdekja, por fitore mbi të përmes shpresës që ne kemi në një ringjallje të lavdishme. … Ajo zbatohet për [Jozef Meinisin]. … Është një kënaqësi dhe një përmbushje e gëzim të dimë që njerëzit sakrifikojnë jetën e tyre me drejtësi, me besim, të vërtetë ndaj besimit.”4
Kjo histori familjare më frymëzon që të përpiqem në maksimum për të ndjekur shembullin e durimit dhe të qëndresës shpirtërore të ilustruar nga stërgjyshi im. Jam njëlloj i frymëzuar nga besimi i bashkëshortes së tij, Emili, jeta e së cilës pas vdekjes së Jozefit ishte sigurisht një barrë e rëndë për t’u mbajtur. Dëshmia e saj qe e fortë dhe kthimi i saj në besim i plotë ndërsa e kaloi pjesën e mbetur të jetës së saj e vërtetë ndaj besimit, i mbështesteste e vetme tetë fëmijët e saj.
Apostulli Pal shpalli: “[Le të] hedh[im] tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh”5. Gara që është vendosur përpara nesh në këtë tokë është një garë durimi e mbushur me pengesa. Pengesat në këtë garë janë sfidat me të cilat zgjohemi çdo mëngjes. Ne jemi këtu në tokë për të vrapuar në garë, për të ushtruar lirinë tonë morale të zgjedhjes dhe për të zgjedhur midis të drejtës dhe të gabuarës. Për ta përfunduar garën me nder e me sukses dhe për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor, do të na duhet të paguajmë çmimin e përkushtimit, këmbënguljes dhe vetëdisiplinimit. Ne duhet të arrijmë formën shpirtërore. Ne duhet të zhvillojmë qëndresën shpirtërore. Neve na nevojiten dëshmi të forta që do të çojnë në kthim të vërtetë në besim, dhe si pasojë ne do të gjejmë brenda vetes paqen e brendshme dhe forcën e nevojshme për të duruar çfarëdo sfidash që mund të hasim.
Kështu që, çfarëdoqofshin sfidat me të cilat zgjoheni çdo mëngjes, kujtoni – me forcën shpirtërore që zhvilloni, së bashku me ndihmën e Zotit, në fund të garës ju do të jeni në gjendje të gëzoni besimin që shprehu Apostulli Pal kur tha:
“Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.
Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.
Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë.”6
Jap dëshminë dhe dëshmimin tim për realitetin e një Ati të dashur Qiellor dhe planin e Tij të madh e të përjetshëm të lumturisë, që na solli në këtë tokë në këtë kohë. Shpirti i Zotit na frymëzoftë ne të gjithëve që të zhvillojmë brenda vetes forcën për të duruar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.