2013
Ejani, Bashkohuni me Ne
Nëntor 2013


Ejani, Bashkohuni me Ne

Pavarësisht nga rrethanat tuaja, nga historia juaj personale ose forca e dëshmisë suaj, ka vend për ju në këtë Kishë.

Njëherë ishte një burrë që ëndërroi se ishte në një sallë të madhe, ku ishin mbledhur të gjitha fetë e botës. Ai e kuptoi se secila fe kishte shumë që dukej e dëshirueshme dhe me vlerë.

Ai takoi një çift dashamirës që përfaqësonin Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe i pyeti: “Çfarë kërkoni ju nga anëtarët tuaj?”

Ne nuk kërkojmë asgjë”, u përgjigjën ata. “Por Zoti kërkon që ne të përkushtojmë gjithçka.”

Çifti vijoi të shpjegonte rreth thirrjeve në Kishë, mësimit të shtëpisë dhe vizitës mësimore, misioneve kohëplota, mbrëmjeve të përjavshme familjare, punës në tempull, shërbimit të mirëqenies, shërbimit humanitar dhe detyrave për të dhënë mësim.

“A i paguani njerëzit tuaj për gjithë punën që bëjnë?” pyeti burri.

“O, jo”, shpjegoi çifti. “Ata e ofrojnë lirisht kohën e tyre.”

“Gjithashtu”, vijoi çifti, “çdo gjashtë muaj, anëtarët e Kishës sonë kalojnë një fundjavë duke ndjekur në sallë ose duke parë 10 orë konference të përgjithshme.”

“Dhjetë orë me njerëz që japin biseda?” pyeti burri me mëdyshje.

“Po shërbimet tuaja javore në kishë? Sa zgjasin ato?”

“Tri orë, çdo të diel!”

“O, ç’thua”, tha burri. “A e bëjnë me të vërtetë anëtarët e kishës suaj atë që keni thënë?”

“Ato dhe më shumë. Ne madje nuk kemi përmendur historinë familjare, kampet e rinisë, takimet shpirtërore, studimin e shkrimeve të shenjta, trajnimin e udhëheqjes, veprimtaritë e të rinjve, seminarin herët në mëngjes, mirëmbajtjen e ndërtesave të Kishës dhe sigurisht kemi ligjin e Zotit për shëndetin, agjërimin e përmuajshëm për të ndihmuar të varfrit dhe të dhjetën.”

Burri tha: “Tani, jam i hutuar. Përse dikush do të dëshironte të bashkohej me një kishë të tillë?”

Çifti buzëqeshi dhe tha: “Menduam se nuk do ta bëje kurrë atë pyetje”.

Përse Dikush do të Bashkohej me një Kishë të Tillë?

Në një kohë kur shumë kisha kudo në botë po përjetojnë pakësim të konsiderueshëm në anëtarë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – ndonëse e vogël në krahasim me shumë të tjera – është një prej kishave me rritje më të shpejtë në botë. Që prej shtatorit 2013, Kisha ka më shumë se 15 milionë anëtarë nëpër botë.

Ka shumë arsye për këtë, por a mund të jap disa?

Kisha e Shpëtimtarit

Së pari, kjo Kishë u rivendos në kohën tonë nga Vetë Jezu Krishti. Këtu ju do të gjeni autoritetin për të vepruar në emrin e Tij – për të pagëzuar për heqjen e mëkateve, për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për të vulosur në tokë dhe në qiell.1

Ata, të cilët bashkohen me këtë Kishë, e duan Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe dëshirojnë ta ndjekin Atë. Ata gëzohen në njohurinë se Perëndia i flet njerëzimit sërish. Kur marrin ordinanca të shenjta të priftërisë dhe bëjnë besëlidhje me Perëndinë, ata mund ta ndiejnë fuqinë e Tij në jetën e tyre.2 Kur hyjnë në tempullin e shenjtë, ata ndiejnë se janë në praninë e Tij. Kur i lexojnë shkrimet e shenjta3 dhe i jetojnë mësimet e profetëve të Tij, ata afrohen më pranë Shpëtimtarit që e duan kaq shumë.

Një Besim Aktiv

Një tjetër arsye është ngaqë Kisha ofron mundësi për të bërë mirë.

Besimi në Perëndi është i lavdërueshëm, por shumë njerëz duan të bëjnë më shumë sesa të dëgjojnë predikimet frymëzuese ose shtëpin’ e tyre lart t’ëndërro[jnë].4 Ata duan ta vënë në jetë besimin e tyre. Ata duan t’i përveshin mëngët dhe të përfshihen në këtë kauzë të madhërishme.

Dhe kjo është ajo që ndodh kur ata bashkohen me ne – ata kanë shumë mundësi për t’i shndërruar talentet, dhembshurinë dhe kohën e tyre në punë të mira. Për shkak se ne nuk kemi klerikë vendorë me pagesë në grumbullimet tona mbarëbotërore, anëtarët tanë e kryejnë vetë punën e shërbesës. Ata thirren nëpërmjet frymëzimit. Ndonjëherë ne dalim vullnetarë; ndonjëherë na “nxjerrin vullnetarë”. Ne i shohim detyrat e caktuara jo si barra, por si mundësi për t’i përmbushur besëlidhjet që i bëjmë gëzueshëm për t’i shërbyer Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.

Bekime të Çmuara

Një arsye e tretë përse njerëzit bashkohen me Kishën, është sepse ecja në shtegun e dishepullimit të çon në bekime të çmuara.

Ne e shohim pagëzimin si pikën e nisjes në udhëtimin tonë të dishepullimit. Ecja jonë e përditshme me Jezu Krishtin çon drejt paqes dhe qëllimit në këtë jetë dhe drejt gëzimit të thellë dhe shpëtimit të përjetshëm në botën që vjen.

Ata, të cilët e ndjekin këtë shteg besnikërisht, shmangin shumë nga grackat, hidhërimet dhe keqardhjet e jetës.

Skamësit në frymë dhe të ndershmit në zemër gjejnë thesare të mëdha diturie këtu.

Ata që vuajnë ose brengosen, gjejnë shërim këtu.

Ata, të ngarkuar me mëkat, gjejnë falje, liri dhe çlodhje.

Atyre që Largohen

Kërkimi për të vërtetën i ka çuar miliona njerëz drejt Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Megjithatë, ka disa që largohen nga Kisha, që dikur e donin.

Dikush mund të pyesë: “Nëse ungjilli është kaq i mrekullueshëm, përse do të largohet dikush?”

Ndonjëherë mendojmë se ajo ndodh sepse janë fyer ose janë dembelë apo kanë mëkatuar. Në të vërtetë, nuk është aq e thjeshtë. Në fakt, nuk ka vetëm një arsye që zbatohet në morinë e situatave.

Disa nga anëtarët tanë të dashur ndeshen për vite me pyetjen nëse duhet të veçohen nga Kisha.

Në këtë Kishë që e respekton lirinë vetjake të zgjedhjes kaq fuqishëm, e cila u rivendos nga një djalë i ri që bëri pyetje dhe kërkoi përgjigje, ne i respektojmë ata që me ndershmëri kërkojnë për të vërtetën. Mund të na thyhet zemra kur udhëtimi i tyre i largon nga Kisha që ne duam dhe e vërteta që kemi gjetur, por ne e nderojmë të drejtën e tyre për të adhuruar Perëndinë e Plotfuqishëm sipas zërit të vetë ndërgjegjes së tyre, sikurse ne e shpallim atë privilegj për veten tonë.5

Pyetje të Papërgjigjura

Disa ndeshen me pyetje të papërgjigjura rreth gjërave që janë bërë ose thënë në të kaluarën. Ne e pranojmë hapur se në pothuaj 200 vjet të historisë së Kishës – së bashku me një varg të pandërprerë ngjarjesh frymëzuese, nderuese dhe hyjnore – mund të jenë thënë dhe bërë disa gjëra që mund t’i bëjnë njerëzit të pyesin.

Ndonjëherë pyetjet ngrihen ngaqë ne thjesht nuk e kemi të gjithë informacionin dhe thjesht na duhet pak më shumë durim. Kur e gjithë e vërteta të njihet përfundimisht, gjërat që nuk kishin kuptim për ne më parë, do të zgjidhen për kënaqësinë tonë.

Nganjëherë ka një ndryshim të opinionit për atë se çfarë nënkuptojnë “faktet” në të vërtetë. Një pyetje që krijon dyshim te disa, pas kërkimit të kujdesshëm, mund të ndërtojë besim te të tjerë.

Gabime të Njerëzve të Papërsosur

Dhe, për të qenë përsosmërisht të sinqertë, ka pasur raste kur anëtarë ose udhëheqës në Kishë thjesht kanë bërë gabime. Mund të jenë thënë ose bërë gjëra që nuk ishin në përputhje me vlerat, parimet ose doktrinën tonë.

Mendoj se Kisha do të ishte e përsosur vetëm nëse do të drejtohej nga qenie të përsosura. Perëndia është i përsosur dhe doktrina e Tij është e pastër. Por Ai punon përmes nesh – fëmijëve të Tij të papërsosur – dhe njerëz të papërsosur bëjnë gabime.

Në faqen e titullit të Librit të Mormonit lexojmë: “Dhe tani, në qoftë se ka gabime, ato janë gabime të njerëzve; prandaj mos dënoni gjërat e Perëndisë, që të mund të gjendeni të panjollë në fronin e gjykimit të Krishtit”6.

Kjo është mënyra se si ka qenë përherë dhe do të jetë deri në ditën e përsosur kur Vetë Krishti mbretëron personalisht mbi tokë.

Është për të ardhur keq që disa janë penguar për shkak të gabimeve të bëra nga njerëzit. Por pavarësisht kësaj, e vërteta e përjetshme e ungjillit të rivendosur që gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nuk njolloset, dobësohet apo shkatërrohet.

Si Apostull i Zotit Jezu Krisht dhe si njëri që i ka parë drejtpërdrejt këshillat dhe punët e kësaj Kishe, unë jap dëshmi solemne se asnjë vendim me rëndësi që e ndikon këtë Kishë ose anëtarët e saj, nuk është bërë ndonjëherë pa kërkuar plot zell frymëzimin, drejtimin dhe miratimin e Atit tonë të Amshuar. Kjo është Kisha e Jezu Krishtit. Perëndia nuk do të lejojë që Kisha e Tij të shmanget nga drejtimi i saj i caktuar dhe as të dështojë për të përmbushur fatin e saj hyjnor.

Ka Vend Për Ju

Atyre që janë veçuar nga Kisha, unë u them, miqtë e mi të dashur, ka ende një vend për ju këtu.

Ejani dhe ua shtoni talentet, dhuratat dhe energjitë tuaja tonave. Si rezultat, ne të gjithë do të bëhemi vërtet më të mirë.

Disa mund të pyesin: “Por, ç’thua për dyshimet e mia?”

Është e natyrshme të kemi pyetje – fara e kërkimit të çiltër shpesh është çelur dhe është rritur në një dushk të madh të të kuptuarit. Ka pak anëtarë të Kishës të cilët, në një kohë apo në një tjetër, nuk janë munduar me pyetje serioze ose të ndjeshme. Një nga qëllimet e Kishës është të ushqejë dhe kultivojë farën e besimit – ndonjëherë edhe në tokën plot rërë të dyshimit dhe pasigurisë. Besimi është të shpresosh për gjëra që nuk shihen, por të cilat janë të vërteta.7

Prandaj, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura – miqtë e mi të dashur – ju lutem, së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj.8 Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht.

Disa mund të thonë: “Unë thjesht nuk përshtatem me ju njerëz në Kishë”.

Nëse mund të shihnit në zemrën tuaj, ju ndoshta do të gjenit se përshtateni më mirë sesa mendoni. Ju mund të çuditeni kur të zbuloni se ne kemi dëshira të zjarrta, ndeshje dhe shpresa të ngjashme me tuajat. Formimi kulturor ose edukimi juaj mund të duket i ndryshëm nga ai që dalloni te shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, por ky mund të jetë një bekim. Vëllezër e motra, miq të dashur, ne kemi nevojë për talentet dhe këndvështrimet tuaja të pashoqe. Shumëllojshmëria e njerëzve dhe e popujve përreth gjithë globit është një forcë për këtë Kishë.

Disa mund të thonë: “Nuk mendoj se mund të jetoj në përputhje me standardet tuaja”.

Akoma më shumë arsye për të ardhur! Kisha krijohet për ta ushqyer të papërsosurin, të munduarin dhe të rraskapiturin. Është e mbushur me njerëz që dëshirojnë me gjithë zemër t’i zbatojnë urdhërimet, edhe në qoftë se ata nuk i kanë zotëruar ato ende.

Disa mund të thonë: “Njoh një anëtar të Kishës suaj që është një hipokrit. Kurrë nuk mund të bashkohesha me një kishë që ka dikë si ai për anëtar.

Nëse e përkufizoni hipokritin si dikë që nuk arrin të jetojë përsosmërisht sipas asaj që ai ose ajo beson, atëherë ne të gjithë jemi hipokritë. Asnjëri prej nesh nuk është tërësisht si Krishti, siç e dimë se duhet të jemi. Por ne me zell dëshirojmë t’i mposhtim gabimet tona dhe dëshirën për të mëkatur. Me zemër dhe shpirt ne dëshirojmë fort të bëhemi më të mirë me ndihmën e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Nëse këto janë dëshirat tuaja, atëherë, pavarësisht nga rrethanat tuaja, nga historia juaj personale ose forca e dëshmisë suaj, ka vend për ju në këtë Kishë. Ejani, bashkohuni me ne!

Ejani, Bashkohuni me Ne!

Pavarësisht nga të metat tona njerëzore, unë kam besim se do të gjeni mes anëtarëve të kësaj Kishe shumë nga shpirtrat më të mirë që ka kjo botë për të ofruar. Kisha e Jezu Krishtit duket të tërheqë bujarin dhe dashamirësin, të ndershmin dhe punëtorin.

Nëse prisni të gjeni njerëz të përsosur këtu, ju do të zhgënjeheni. Por nëse kërkoni doktrinën e pastër të Krishtit, fjalën e Perëndisë “që shëron shpirtin e plagosur”9 dhe ndikimin shenjtërues të Frymës së Shenjtë, atëherë këtu do t’i gjeni ato. Në këtë epokë të besimit të venitur – në këtë epokë kur kaq shumë njerëz ndihen të larguar prej përqafimit qiellor – këtu do të gjeni një popull që ka ëndje për ta njohur Shpëtimtarin e tyre dhe për t’iu afruar më pranë Atij, nëpërmjet shërbimit ndaj Perëndisë dhe bashkëqenieve, sikurse ju. Ejani, bashkohuni me ne!

A Doni edhe Ju të Largoheni?

M’u kujtua një kohë në jetën e Shpëtimtarit kur shumë veta e braktisën Atë.10 Jezusi i pyeti dymbëdhjetë dishepujt e Tij:

“A doni edhe ju të largoheni?

Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.’”11

Ka raste kur ne duhet t’i përgjigjemi të njëjtës pyetje. A doni edhe ju të largoheni? Ose a do të mbahemi ne, sikurse Pjetri, fort te fjalët e jetës së përjetshme?

Nëse kërkoni të vërtetë, kuptim dhe një mënyrë për ta shndërruar besimin në veprim; nëse po kërkoni një vend që t’i përkisni: Ejani, bashkohuni me ne!

Nëse jeni larguar nga besimi që e përqafuat dikur: Kthehuni sërish. Bashkohuni me ne!

Nëse tundoheni të hiqni dorë: Qëndroni pra pak më gjatë. Ka vend për ju këtu.

Iu lutem të gjithë atyre që i dëgjojnë ose i lexojnë këto fjalë: Ejani, bashkohuni me ne. Ejani, dëgjoni thirrjen e Krishtit të dashur. Merrni kryqin tuaj dhe ndiqeni Atë.12

Ejani, bashkohuni me ne! Pasi këtu do të gjeni atë që është aq e çmuar sa s’ka të paguar.

Unë dëshmoj se këtu ju do të gjeni fjalët e jetës së përjetshme, premtimin e shëlbimit të bekuar dhe shtegun drejt paqes e lumturisë.

Unë lutem me zell që vetë kërkimi juaj për të vërtetën do të ngulisë në zemrën tuaj dëshirën për të ardhur dhe për t’u bashkuar me ne. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.