Nipërve dhe Mbesave të Mia
Ka një urdhërim mbizotërues që do të na ndihmojë për t’i përballuar sfidat dhe për të na çuar drejt thelbit të një jete familjare të lumtur.
Sivjet do të martohen dy mbesat tona të para. Brenda pak vitesh, gati 10 prej kushërinjve të tyre ka mundësi të arrijnë në një pikë në jetën e tyre ku ata do të hyjnë në botën e mrekullueshme të krijimit të familjes.
Ajo mundësi e lumtur më ka shkaktuar të zhytem thellë në mendime, kur ata më kanë kërkuar këshillë. Në thelb kanë pyetur: “Çfarë zgjedhjesh mund të bëj që do të më çojnë drejt lumturisë?” Dhe nga ana tjetër: “Cilat zgjedhje ka mundësi të më çojnë drejt mungesës së lumturisë?”
Ati Qiellor e ka bërë secilin prej nesh të pashoq. Nuk ka dy prej nesh saktësisht me të njëjtat përvoja. Nuk ka dy familje të ngjashme. Prandaj nuk është e habitshme që është e vështirë të jepet këshillë se si të zgjedhim lumturi në jetën familjare. Sidoqoftë, një Atë i dashur Qiellor ka përcaktuar të njëjtin shteg lumturie për të gjithë fëmijët e Tij. Cilatdo qofshin tiparet tona personale ose cilatdo qofshin përvojat tona, ka vetëm një plan lumturie. Ai plan është t’i ndjekim të gjitha urdhërimet e Perëndisë.
Për të gjithë ne, duke përfshirë nipërit dhe mbesat e mia që mendojnë për martesën, ka një urdhërim mbizotërues që do të na ndihmojë për t’i përballuar sfidat dhe për të na çuar drejt thelbit të një jete familjare të lumtur. Ai gjen zbatim tek të gjitha marrëdhëniet pavarësisht nga rrethanat. Ai përsëritet gjatë gjithë shkrimeve të shenjta dhe në mësimet e profetëve të kohës sonë. Ja ku janë fjalët e Biblës për këshillën e Zotit drejtuar të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë së bashku përgjithmonë në lumturi plot dashuri:
“Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
‘Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?’
Dhe Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”1
Nga ai deklarim i thjeshtë nuk është e vështirë të përmbledh gjithçka që kam mësuar se cilat zgjedhje çojnë drejt lumturisë në familje. E filloj me pyetjen: “Cilat zgjedhje më kanë çuar drejt dashurisë për Zotin me gjithë zemrën time, me gjithë shpirtin tim dhe me gjithë mendjen time?” Për mua, ka qenë që të zgjedh ta vendos veten time atje ku ndjeva gëzimin e faljes nëpërmjet Shlyerjes së Zotit.
Vite më parë pagëzova një djalë të ri në Albakërki, Nju-Meksiko, që e kishim mësuar unë dhe shoku im misionar. E ula të riun poshtë në ujë dhe e nxora lart. Duhej të kishte qenë i gjatë sa unë, sepse më foli drejt e në vesh. Me ujë që i binte nga balli e lot që i zbrisnin në fytyrë dhe me gëzim në zërin e tij, ai tha: “Jam i pastër, jam i pastër”.
I kam parë po ato lot lumturie në sytë e dikujt që përsëriti fjalët e një Apostulli të Perëndisë. Ai i kishte thënë asaj, pas një interviste tërësore dhe plot mirësi: “Unë të fal në emrin e Zotit. Ai do të të japë sigurinë e faljes së Tij në vetë kohën e Tij dhe në vetë mënyrën e Tij”. Dhe Ai e bëri.
E kam kuptuar përse Zoti mund të thotë se, kur mëkatet falen, Ai nuk do t’i kujtojë më ato. Me anë të fuqisë së Shlyerjes, njerëzit që i njoh mirë dhe i dua, u bënë [krijesa] të reja dhe ndikimet e mëkatit u fshinë. Zemra ime është mbushur me dashuri për Shpëtimtarin dhe Atin e dashur që e dërgoi Atë.
Ai bekim i madh ka ardhur duke i nxitur njerëzit që i dua, që të shkojnë te Shpëtimtari për lehtësim nga dhembja, një lehtësim të cilin vetëm Ai mund ta japë. Ajo është arsyeja përse unë i këshilloj ata që i dua, ta pranojnë dhe ta lartësojnë çdo thirrje që u ofrohet në Kishë. Ajo zgjedhje është një nga kyçet madhore për lumturinë familjare.
Trysnitë në çdo fazë të jetës mund të na tundojnë të mos i pranojmë ose t’i lëmë pas dore thirrjet për t’i shërbyer Shpëtimtarit. Kjo do të na vërë në rrezik shpirtëror për veten tonë, bashkëshortët tanë e bashkëshortet tona dhe familjet tona. Disa prej atyre thirrjeve mund të duken të parëndësishme, por jeta ime dhe familja ime u ndryshuan për më mirë nëpërmjet pranimit të një thirrjeje nga unë për t’i dhënë mësim një kuorumi dhjakësh. Unë e ndjeva dashurinë e atyre dhjakëve për Shpëtimtarin dhe dashurinë e Tij për ta.
E kam parë atë të ndodhë në jetën e një presidenti të dikurshëm kunji dhe misioni, i cili u thirr nga Ai për të këshilluar një kuorum mësuesish. Njoh edhe dikë tjetër që ka qenë peshkop dhe më pas i Shtatëdhjetë Zonal, i cili u përdor nga Zoti për të ndihmuar një djalë në një kuorum mësuesish që u dëmtua në një aksident. Mrekullitë nga ai shërbim prekën shumë jetë, duke përfshirë timen, dhe e shtuan dashurinë e tyre për Shpëtimtarin.
Ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ka më shumë mundësi të lutemi për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Suksesi në shërbimin ndaj Zotit gjithmonë prodhon mrekulli përtej vetë fuqive tona. Prindi që ndeshet me një fëmijë në rebelim të rëndë, e di se kjo është e vërtetë, ashtu sikurse e di mësuesja vizitore së cilës i drejtohet një grua duke kërkuar ngushëllim, kur bashkëshorti i saj i tha se po e linte. Të dy shërbëtorët janë mirënjohës që iu lutën atë mëngjes Zotit për t’u dërguar Frymën e Shenjtë si shoqërues.
Është vetëm nëpërmjet shoqërimit të Frymës së Shenjtë që ne mund të shpresojmë për t’u lidhur në mënyrë të barabartë në një martesë pa mosmarrëveshje. E kam parë se si ai shoqërim është vendimtar për lumturinë në një martesë. Mrekullia e të qenit të bashkuar kërkon ndihmën e qiellit dhe kërkon kohë. Qëllimi ynë është të jetojmë së bashku përgjithmonë në praninë e Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë.
Ati im dhe nëna ime ishin shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nëna ime ishte këngëtare dhe artiste. Babai im pëlqente kiminë. Njëherë, në një koncert simfonik, nëna ime u befasua kur babai im u ngrit dhe u nis të largohej përpara se të fillonin duartrokitjet. Nëna e pyeti se ku po shkonte. Përgjigjja e tij ishte, gjithë pafajësi: “Epo, mbaroi, apo jo?” Vetëm ndikimi i urtë i Frymës së Shenjtë, në radhë të parë, e çoi atje me të dhe e risolli përsëri në koncerte edhe shumë herë të tjera.
Nëna ime jetoi në Nju-Xhersi për 16 vjet me qëllim që babai të mund ta mbështeste familjen duke bërë kërkime shkencore dhe duke dhënë mësime kimie. Për atë ishte sakrificë që të ishte e ndarë nga nëna e saj e ve dhe nga motra e saj e pamartuar, e cila ishte kujdesur për të në shtëpinë e vjetër në fermën e familjes së tyre. Ato që të dyja vdiqën ndërkohë që nëna ishte shumë larg në Nju-Xhersi. Ato ishin të vetmet herë që unë e pashë ndonjëherë nënën time të qante.
Vite më vonë, babait tim iu ofrua një punë në Juta. Ai e pyeti nënën time, përsëri gjithë pafajësi: “Milldred, ç’mendon se duhet të bëj?”
Ajo tha: “Henri, bëj atë që mendon se është më e mira”.
Ai nuk e pranoi ofertën. Të nesërmen në mëngjes, ajo i shkroi atij një letër që do të doja ta kisha ende. Më kujtohet që ajo i tha atij: “Mos e hap këtu. Shko në zyrë dhe hape atje.” Fillonte me një qortim. Ai i kishte premtuar vite më parë se, nëse do të mundej ndonjëherë, ai do ta çonte të ishte pranë familjes së saj. Ai u habit nga shprehja e saj e acarimit. Atij nuk i kujtohej dëshira e zemrës së saj. Ai menjëherë dërgoi lajm se e pranonte ofertën e punës.
Ai tha: “Milldred, përse nuk më the?”
Ajo u përgjigj: “Ti duhej ta mbaje mend”.
Ai gjithmonë fliste për atë zgjedhje për të lëvizur në Juta si për zgjedhjen e vet, kurrë si një sakrificë të karrierës së tij profesionale. Ata e kishin marrë mrekullinë e të qenit të bashkuar. Do të kishte qenë më mirë nëse babi do të ishte kujtuar nga Fryma e Shenjtë për premtimin që kishte bërë vite më parë. Por ai vërtet e lejoi Frymën e Shenjtë t’ia zbuste zemrën kështu që zgjedhja e saj u bë zgjedhja e tij.
Ati Qiellor ka largpamësi të përsosur, e njeh secilin prej nesh dhe e njeh të ardhmen tonë. Ai i di se cilat vështirësi do të përjetojmë ne vërtet. Ai e dërgoi Birin e Tij të vuante në mënyrë që Ai të mund të dinte se si të na ndihmonte në të gjitha sprovat tona.
Ne e dimë se Ati Qiellor ka fëmijë shpirtërorë në këtë botë që nganjëherë zgjedhin mëkat dhe hidhërim të madh. Ajo është arsyeja përse Ai dërgoi të Parëlindurin e Tij për të qenë Shëlbuesi ynë, veprimi më i madhërishëm i dashurisë në të gjithë krijimin. Kjo është arsyeja përse duhet të presim që do të kërkojë ndihmën e Perëndisë dhe kohë për të na përgatitur për jetën e përjetshme, për të jetuar me Atin tonë.
Jeta në familje do të na vërë në provë. Ky është një nga qëllimet përse Perëndia na dha dhuratën e jetës në vdekshmëri – për të na forcuar duke kaluar përmes provave. Do të jetë veçanërisht e vërtetë në jetën familjare, ku ne vërtet do të gjejmë gëzim të madh dhe hidhërim e sfida të mëdha, të cilat nganjëherë mund të duken përtej fuqisë sonë për t’i duruar.
Presidenti Xhorxh Q. Kenën tha këtë rreth mënyrës se si Perëndia na ka përgatitur ju, mua dhe fëmijët tanë për provat që vërtet do të hasim: “Nuk ka asnjë prej nesh mbi të cilin nuk është shtrirë dashuria e Perëndisë. Nuk ka asnjë prej nesh për të cilin Ai nuk është kujdesur dhe përkujdesur. Nuk ka asnjë prej nesh të cilin Ai nuk ka dashur ta shpëtojë dhe për të cilin nuk ka krijuar një mënyrë për ta shpëtuar. Nuk ka asnjë prej nesh për të cilin Ai nuk u ka dhënë detyrë engjëjve të Tij. Ne mund të jemi të parëndësishëm dhe të përbuzshëm në sytë tanë dhe në sytë e të tjerëve, por e vërteta mbetet se ne jemi fëmijët e Perëndisë dhe se Ai me të vërtetë u ka dhënë engjëjve të Tij – qenieve të padukshme të fuqisë dhe forcës – përgjegjësi lidhur me ne dhe ata na vëzhgojnë dhe na kanë nën kujdes.”2
Ajo që na mësoi Presidenti Kenën, është e vërtetë. Do të keni nevojë për atë siguri, sikurse kam pasur unë nevojë për të dhe jam mbështetur tek ajo.
Jam lutur me besim që dikush që e doja, do të kërkonte dhe do ta ndiente fuqinë e Shlyerjes. Jam lutur me besim që engjëj njerëzorë do t’u vinin në ndihmë dhe ata erdhën.
Perëndia ka krijuar një mënyrë për ta shpëtuar secilin prej fëmijëve të Tij. Për shumë veta, ajo përfshin vendosjen me një vëlla apo motër ose një gjysh apo gjyshe që i do ata pavarësisht nga ajo që bëjnë.
Vite më parë, një miku im foli për gjyshen e tij. Ajo kishte jetuar një jetë të drejtë, gjithmonë besnike ndaj Zotit dhe ndaj Kishës së Tij. Megjithatë, njëri prej nipërve të saj zgjodhi një jetë krimi. Më së fundi, ai u dënua me burgim. Miku im më tregoi se gjyshes së tij, ndërkohë që ngiste makinën përgjatë autostradës për ta vizituar nipin e saj në burg, i dilnin lot nga sytë teksa lutej me ankth: “Jam përpjekur të jetoj një jetë të mirë. Përse, përse ta kem këtë tragjedi për një nip, i cili duket se e ka shkatërruar jetën e tij?”
Përgjigjja i erdhi në mendje me këto fjalë: “Unë ta dhashë atë ty, sepse e dija se ti mund ta doje dhe do ta doje pavarësisht nga ajo që bëri”.
Ky është një mësim i mrekullueshëm për ne të gjithë. Udha për prindërit dhe gjyshërit e dashur dhe për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë nuk do të jetë e lehtë në një botë që po prishet. Ne nuk mund t’i detyrojmë fëmijët e Perëndisë që të zgjedhin udhën drejt lumturisë. Perëndia nuk mund ta bëjë atë për shkak të lirisë së zgjedhjes që Ai na ka dhënë.
Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur i duan të gjithë fëmijët e Perëndisë pavarësisht nga ajo që zgjedhin të bëjnë ose nga ajo që bëhen. Shpëtimtari e pagoi çmimin për të gjitha mëkatet, pavarësisht se sa të urryera janë ato. Edhe pse duhet të ketë drejtësi, jepet mundësia për mëshirë, e cila nuk do ta grabitë drejtësinë.
Alma ia shprehu atë shpresë birit të tij, Koriantonit, me këto fjalë: “Prandaj, sipas drejtësisë, plani i shëlbimit nuk mund të realizohej, vetëm në kushtet e pendimit të njerëzve në këtë gjendje prove, po, në këtë gjendje përgatitore; pasi po të mos ishte për këto kushte, mëshira do të ishte e padobishme përveçse do të shkatërronte punën e drejtësisë. Tani, puna e drejtësisë nuk mund të shkatërrohej; nëse do të ishte kështu, Perëndia do të pushonte së qeni Perëndi.”3
Mesazhi im, atëherë, për mbesat e mia dhe për të gjithë ne që po përpiqemi të farkëtojmë familje të përjetshme, është se ka gëzim të garantuar për besnikët. Që përpara se bota të ishte, një Atë i dashur në Qiell dhe Biri i Tij i Dashur i deshën dhe punuan me ata, të cilët Ata e dinin se do të endeshin. Perëndia do t’i dojë ata përgjithmonë.
Ju keni përparësinë të dini se ata e mësuan planin e shpëtimit nga mësimet që morën në botën e shpirtrave. Ata dhe ju ishit besnikë aq sa të lejoheshit të vinit në botë kur shumë të tjerë nuk u lejuan.
Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, të gjitha të vërtetat do të na sillen në kujtesën tonë. Ne nuk mund t’ua detyrojmë ato të tjerëve, por mund t’i lejojmë ata t’i shohin ato në jetën tonë. Ne gjithmonë mund të gjejmë kurajë nga sigurimi se ne të gjithë dikur e ndiem gëzimin e të qenit së bashku si anëtarë të familjes së dashur të Atit tonë Qiellor. Me ndihmën e Perëndisë ne të gjithë mund ta ndiejmë atë shpresë dhe atë gëzim përsëri. Lutem që të mund të jetë kështu për ne të gjithë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.