Si një Vazo e Thyer
Si të përgjigjeni më mirë kur sfida mendore apo emocionale ju vihen përballë juve ose atyre që doni?
Apostulli Pjetër shkroi se dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë “të dhembshur [njëri për tjetrin]”1. Me atë ndjenjë, unë dëshiroj t’iu flas atyre që vuajnë nga ndonjë formë e sëmundjeve mendore ose e çrregullimeve emocionale, qofshin ato vuajtje të lehta apo të rënda, me një kohëzgjatje të shkurtër apo të vazhdueshme gjatë një jete të tërë. Ne e ndiejmë ndërlikimin e çështjeve të tilla kur dëgjojmë njerëz profesionistë të flasin për neurozat dhe psikozat, për prirje gjenetike dhe defekte kromozomale, për bipolaritet, paranojë dhe skizofreni. Megjithatë, sado çoroditëse të mund të jetë gjithë kjo, këto vuajtje janë disa nga realitetet e jetës në vdekshmëri dhe nuk duhet të ketë më shumë turp në pranimin e tyre sesa pranimi i një beteje me tensionin e lartë të gjakut ose me shfaqjen e papritur të një tumori malinj.
Duke u përpjekur për ca paqe dhe mirëkuptim në këto çështje të vështira, është thelbësore të kujtojmë se ne po jetojmë – dhe zgjodhëm të jetonim – në një botë të rënë ku, për qëllime hyjnore, kërkimi ynë drejt perëndishmërisë do të vihet në provë dhe do të provohet herë pas here. Siguria më e madhe në planin e Perëndisë është se u premtua një Shpëtimtar, një Shëlbues, i cili, nëpërmjet besimit tonë tek Ai, do të na ngrejë triumfues mbi ato sprova dhe vështirësi, edhe pse çmimi për ta bërë atë do të ishte i pamatshëm si për Atin që e dërgoi Atë, edhe për Birin që erdhi. Është veçse një vlerësim i kësaj dashurie hyjnore që vetë vuajtjen tonë më të paktë do ta bëjë së pari të durueshme, më pas të kuptueshme dhe më së fundi shëlbuese.
Më lejoni të mos flas për sëmundjet e jashtëzakonshme që kam përmendur, por të përqendrohem tek ÇMD-ja – “çrregullimi madhor depresiv” – ose, më zakonisht, “depresioni”. Kur flas për këtë, nuk po flas për ditë kur flokët s’na duken mirë, për afatet e pagimit të taksave apo për çaste shkurajuese që i kemi të gjithë. Gjithsecili do të jetë në ankth apo i ligështuar herë pas here. Libri i Mormonit thotë se Amoni dhe vëllezërit e tij ishin të dëshpëruar në një kohë shumë të vështirë2 dhe po ashtu mund të jemi edhe ne të gjithë. Por sot, unë po flas për diçka më serioze, për një vuajtje kaq të rëndë që e kufizon së tepërmi aftësinë e një njeriu që të funksionojë në mënyrë të plotë, për një krater kaq të thellë në mendje sa askush nuk mund të sugjerojë me përgjegjësi se ajo vuajtje do të largohet me siguri, në qoftë se ato viktima thjesht do ta ngrenë kokën lart dhe do të mendojnë në mënyrë më pozitive – edhe pse unë jam një përkrahës i fuqishëm i ngritjes lart të kokës dhe i të menduarit pozitiv!
Jo, kjo natë e errët e mendjes dhe e shpirtit është më shumë sesa thjesht shkurajimi. E kam parë atë t’i vijë një burri tërësisht ëngjëllor kur ndërroi jetë bashkëshortja e tij e dashur e 50 viteve. E kam parë tek nëna të reja me atë që me eufemizëm quhet “trishtimi pas lindjes”. E kam parë t’iu bjerë studentëve plot ankth, veteranëve ushtarakë dhe gjysheve që shqetësohen për mirëqenien e fëmijëve të tyre të rritur.
Dhe e kam parë atë tek etërit e rinj që po përpiqen të sigurojnë për familjet e tyre. Nga kjo pikëpamje, dikur e pashë atë në mënyrë tmerruese tek vetja ime. Në një kohë në jetën tonë martesore, kur frikat financiare u ndeshën me lodhjen tronditëse, unë mora një goditje psikike që ishte po aq e papritur, sa ishte e vërtetë. Me hirin e Perëndisë dhe me dashurinë e familjes sime, vazhdova të veproja dhe vazhdova të punoja, por edhe pas gjithë këtyre viteve vazhdoj të ndiej keqardhje të thellë për njerëz të tjerë, të brengosur me një zymti të tillë në mënyrë më kronike ose më të thellë sesa isha unë. Në çdo rast, ne të gjithë kemi marrë kurajë prej atyre që, sipas fjalëve të Profetit Jozef, “kërk[uan] e … sodi[tën] humnerën më të errët”3 dhe me këmbëngulje ia dolën mbanë asaj – jo më pak të rëndësishmit prej të cilëve ishin Abraham Linkolni, Uinston Çurçilli dhe Plaku Xhorxh Albert Smith, ky i fundit duke qenë një prej burrave më zemërgjerë dhe më të ngjashëm me Krishtin të periudhës sonë ungjillore, i cili u ndesh me depresion të vazhdueshëm për disa vjet përpara se të bëhej më pas profeti dhe Presidenti i tetë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i dashur prej të gjithëve.
Prandaj, si të përgjigjeni më mirë kur sfida mendore apo emocionale ju vihen përballë juve ose atyre që doni? Mbi të gjitha, kurrë mos e humbisni besimin tek Ati juaj në Qiell, i cili ju do më shumë sesa mund ta merrni me mend. Sikurse u tha Presidenti Monson me aq emocion motrave të Shoqatës së Ndihmës mbrëmjen e së shtunës së kaluar: “Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. … Është atje për ju kur jeni të trishtuara ose të lumtura, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo [atë]. Është thjesht gjithmonë atje.”4 Kurrë, asnjëherë mos e dyshoni atë dhe kurrë mos e ngurtësoni zemrën tuaj. Plot besnikëri vazhdoni praktikat e përkushtuara, të sprovuara nga koha, të cilat e sjellin Shpirtin e Zotit në jetën tuaj. Kërkoni këshillën e atyre që mbajnë çelësa për mirëqenien tuaj shpirtërore. Kërkojini dhe mbajini të gjalla bekimet e priftërisë. Merreni sakramentin çdo javë dhe mbahuni fort tek premtimet përkryese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Besoni te mrekullitë. Kam parë shumë prej tyre të vijnë kur çdo tregues tjetër do të thoshte se shpresa ishte humbur. Shpresa nuk humbet kurrë. Nëse ato mrekulli nuk vijnë shpejt ose plotësisht, apo duket s’e nuk vijnë aspak, kujtoni shembullin e pikëlluar të vetë Shpëtimtarit: nëse kupa e hidhur nuk hiqet, pijeni atë dhe jini të fortë, duke pasur besim për ditë më të mira përpara.5
Për ta parandaluar sëmundjen kurdoherë që është e mundshme, jini të vëmendshëm ndaj treguesve të stresit në veten tuaj dhe në të tjerët, që mund të jeni të gjendje t’i ndihmoni. Sikurse me makinën tuaj, jini vigjilentë ndaj temperaturave në rritje, shpejtësisë së tepruar apo një serbatori me pak karburant. Kur hasni “dëshpërim shterues”, bëni rregullimet e duhura. Lodhja është armiku i zakonshëm për ne të gjithë – prandaj, ngadalësohuni, pushoni, rivendosni dhe rimbushni vetveten. Mjekët na premtojnë se, në qoftë se nuk harxhojmë kohë që të jemi mirë, në mënyrën më të sigurt ne vërtet do të harxhojmë kohë më vonë kur të jemi të sëmurë.
Nëse gjërat vazhdojnë të jenë dobësuese, kërkoni këshillën e njerëzve të respektuar, me trajnim të vërtetuar, me aftësi profesionale dhe vlera të mira. Jini të ndershëm me ta rreth historisë suaj dhe vështirësive tuaja. Me lutje dhe përgjegjësi merrni parasysh këshillën që japin dhe zgjidhjet që rekomandojnë ata. Nëse do të kishit apendicit, Perëndia do të priste që ju të kërkonit një bekim të priftërisë dhe të merrnit përkujdesin më të mirë mjekësor të gjindshëm. Po ashtu edhe me çrregullimet emocionale. Ati ynë në Qiell pret nga ne që t’i përdorim të gjitha dhuratat e mrekullueshme që Ai ka dhënë në këtë periudhë të lavdishme ungjillore.
Nëse ju jeni njeriu që vuan ose një përkujdesës për atë njeri, përpiquni të mos tronditeni nga madhësia e detyrës suaj. Mos hamendësoni se mund të rregulloni gjithçka, por rregulloni atë që mundeni. Nëse ato janë vetëm fitore të vogla, jini mirënjohës për to dhe jini të durueshëm. Shumë herë në shkrimet e shenjta, Zoti e urdhëron dikë që të “qëndro[jë] në heshtje” ose të “rri[jë i] qetë” – dhe të presë.6 T’u bëjmë ballë me durim disa gjërave është pjesë e shkollimit tonë në vdekshmëri.
Për përkujdesësit, në përpjekjen tuaj të përkushtuar që të ndihmoni për shëndetin e dikujt, mos shkatërroni veten tuaj. Në tërë këto gjëra jini të urtë. Mos vraponi më shpejt se sa keni fuqi.7 Pavarësisht nga çfarëdo gjëje tjetër që mund të jeni në gjendje të siguroni apo jo, ju mund të jepni lutjet tuaja dhe mund të jepni “dashuri [të] pashtirur”8. “Dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë; … [i] mban të gjitha gjërat; … shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat. Dashuria hyjnore nuk dështon kurrë.”9
Gjithashtu le te kujtojmë se, përmes çdo sëmundjeje apo sfide të vështirë, ka ende shumë në jetë për të cilën të jemi plot shpresë dhe mirënjohje. Ne jemi pafundësisht më shumë se kufizimet apo vuajtjet tona! Stefani Klark Nilson dhe familja e saj kanë qenë miqtë tanë për më shumë se 30 vjet. Më 16 gusht 2008, Stefania dhe burri i saj, Kristiani, ishin në një rrëzim avioni dhe si pasojë në një zjarr që e la atë me plagë aq të tmerrshme sa vetëm thonjtë e gishtave të këmbëve, të lyera me manikyr, ishin të dallueshme kur anëtarët e familjes erdhën për t’i identifikuar viktimat. Nuk kishte pothuajse asnjë shans që Stefania mund të jetonte. Pas tre muajsh në një komë të shkaktuar nga mjekët, ajo u zgjua për të parë vetveten. Së bashku me të, erdhi depresioni i tmerrshëm dhe plagosës për mendjen. Ngaqë kishte katër fëmijë nën moshën shtatëvjeçare, Stefania nuk dëshironte që ata ta shihnin më kurrë. Ndjeu se do të ishte më mirë të mos jetonte. “Mendova se do të ishte më e lehtë”, më tha njëherë Stefania në zyrën time, “nëse ata thjesht më harronin dhe unë qetësisht të largohesha nga jeta e tyre”.
Por për nderin e saj të përjetshëm dhe me lutjet e bashkëshortit, familjes, miqve, katër fëmijëve të bukur të saj dhe një të pesti që i lindi çiftit Nilson vetëm 18 muaj më parë, Stefania, duke luftuar, e gjeti udhën e saj të kthimit nga humnera e shkatërrimit për të qenë një nga “mamit që mbajnë faqe vetjake interneti” më të famshmet në Shtetet e Bashkuara, duke u shpallur haptazi më shumë se katër milionë njerëzve që e ndjekin faqen e saj, se “qëllimi i saj hyjnor” në jetë është të jetë nënë dhe ta gëzojë çdo ditë që i është dhënë në këtë tokë të mrekullueshme.
Cilado qoftë beteja juaj, vëllezërit dhe motrat e mia – mendore apo emocionale, ose fizike apo diçka tjetër – mos votoni kundër jetës që është kaq e çmueshme, duke i dhënë fund asaj! Mirëbesoni te Perëndia. Mbahuni fort te dashuria e Tij. Dijeni se një ditë, agimi do të çajë plot shkëlqim dhe të gjitha hijet e vdekshmërisë do të largohen. Edhe pse mund të ndihemi se jemi “si një vazo e thyer”, sikurse tha Psalmisti10, ne duhet të kujtojmë se ajo vazo është në duart e poçarit hyjnor. Mendjet e thyera mund të shërohen, në po të njëjtën mënyrë si shërohen kockat e thyera dhe zemrat e thyera. Ndërsa Perëndia është në punë duke i bërë ato riparime, ne të tjerët mund të ndihmojmë duke qenë të mëshirshëm, dashamirës dhe duke mos gjykuar.
Ju dëshmoj për Ringjalljen e shenjtë, atë dhuratë themeltare të papërshkrueshme në Shlyerjen e Zotit Jezu Krisht! Me Apostullin Pal, unë dëshmoj se ajo që u mboll në prishje, një ditë do të ngrihet në paprishje dhe se ajo që u mboll në dobësi, më së fundi do të ngrihet në fuqi.11 Unë jap dëshmi për atë ditë kur të dashurit tanë, të cilët e dinim se kishin paaftësi në vdekshmëri, do të qëndrojnë përpara nesh të përlëvduar dhe të madhërishëm, të përsosur në mënyrë mahnitëse në trup dhe në mendje. Çfarë çasti drithërues do të jetë ai! Nuk e di nëse vërtet do të jemi më të lumtur për veten tonë ngaqë e kemi dëshmuar atë mrekulli, apo më të lumtur për ta ngaqë ata do të jenë tërësisht të përsosur dhe përfundimisht “të lirë më së fundi”12. Deri në atë orë kur dhurata tërësore e Krishtit të jetë e dukshme për ne të gjithë, le të jetojmë me anë të besimit, të mbahemi fort tek shpresa dhe të jemi “të dhembshur [njëri për tjetrin]”13, unë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, amen.