2013
Kërkoni Bekimet e Besëlidhjeve Tuaja
Nëntor 2013


Kërkoni Bekimet e Besëlidhjeve Tuaja

Teksa i përtërijmë dhe i respektojmë besëlidhjet tona, barrat tona mund të lehtësohen dhe ne mund të pastrohemi dhe forcohemi vazhdimisht.

Motra, sa e mrekullueshme është të jesh me ju sërish.

Kohët e fundit, takova një grua që po përgatitej për t’u pagëzuar. Në atë të diel, ajo mbërriti në kishë pasi kishte ecur për 2 milje (3 km) në baltë të madhe. Ajo menjëherë shkoi në tualet, i hoqi veshjet me baltë, u la dhe veshi rroba të pastra të së dielës. Në mbledhjen e Shoqatës së Ndihmës ajo tregoi për kthimin e saj në besim. U preka nga dëshira e saj kapluese për t’u larë e për t’u bërë e pastër dhe e dëlirë përmes pendimit dhe sakrificës shlyese të Shpëtimtarit dhe nga gatishmëria e saj për të hequr dorë nga “jeta e vjetër” në mënyrë që të bënte besëlidhje të shenjta me Atin tonë në Qiell. Ajo ishte ndarë nga i dashuri, po mposhtte varësi që të jetonte Fjalën e Urtësisë, la punën e saj të së dielës për të ndjekur kishën dhe humbi miqësinë e njerëzve të dashur kur njoftoi planet e saj për t’u pagëzuar. Ajo priste me kaq padurim t’i braktiste të gjitha mëkatet e saj që të mund të ndiente dashurinë shëlbuese të Shpëtimtarit dhe të lahej për t’u pastruar. U frymëzova atë mëngjes nga dëshira e saj për t’u bërë fizikisht dhe shpirtërisht e pastër.

Ne e dimë se shumë prej jush kanë bërë sakrifica të ngjashme kur kanë ndier dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe kanë dëshiruar shumë të pendohen, të pagëzohen dhe të bëhen të pastra. Ndoshta, në asnjë kohë tjetër nuk e ndiejmë dashurinë hyjnore të Shpëtimtarit aq bollshëm sa e ndiejmë kur pendohemi dhe i ndiejmë krahët e Tij të dashur të zgjatur për të na përqafuar dhe siguruar për dashurinë dhe pranimin e Tij.

Disa të diela më parë, kur po dëgjoja lutjen e sakramentit, u mallëngjeva nga mënyra se si prifti e shqiptonte çdo fjalë me ndjenjë të madhe. Më vonë, e mora në telefon atë prift për ta falënderuar që dha ndihmën e tij për ta bërë sakramentin një përvojë të thellë shpirtërore për mua dhe bashkësinë. Ai nuk ishte në shtëpi, por e ëma u përgjigj: “O, ai do të jetë shumë i lumtur që ju telefonuat! Kjo ishte hera e parë që ai bënte lutjen e sakramentit dhe ne ishim përgatitur bashkë, duke folur për rëndësinë e sakramentit dhe përtëritjes me denjësi të besëlidhjeve tona të pagëzimit me Shpëtimtarin.” Sa e dua këtë nënë të dashur që i mësoi të birit rreth fuqisë së besëlidhjeve të pagëzimit dhe mundësisë që ai ka për t’i ndihmuar anëtarët e lagjes ta ndiejnë atë fuqi.

Një nënë tjetër që njoh, është ulur e vetme në kishë për një numër vitesh me katër fëmijët e saj të vegjël. Duke qenë rrallë në gjendje që të përqendrohej te Shpëtimtari gjatë sakramentit, ajo krijoi një plan. Tani, ajo përpiqet të kalojë kohë çdo të shtunë duke shqyrtuar javën e saj dhe duke menduar rreth besëlidhjeve të saj dhe gjërave për të cilat duhet të pendohet. “Pastaj”, thotë ajo, “pavarësisht nga lloji i përvojës që kam me fëmijët e mi të dielën, jam e përgatitur ta marr sakramentin, t’i përtërij besëlidhjet e mia dhe të ndiej fuqinë pastruese të Shlyerjes.”

Motra të dashura, përse Shpëtimtari i vë kaq shumë rëndësi sakramentit? Çfarë rëndësie ka kjo përtëritje javore e besëlidhjeve tona të pagëzimit në jetën tonë? A e njohim ne aftësinë e Shpëtimtarit për të na pastruar tërësisht çdo javë teksa e marrim sakramentin denjësisht dhe mendueshëm? Presidenti Bojd K. Paker ka dëshmuar: “Ky është qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit dhe i Shlyerjes: … që në fund të jetës [sonë, ne] të mund ta kaloj[m]ë velin duke qenë të penduar për mëkatet [tona] dhe duke qenë të pastruar përmes gjakut të Krishtit”1.

Presidenca jonë ndien gëzim të madh kur motrat tona dhe familjet e tyre bëjnë dhe mbajnë besëlidhje, por zemra jonë hidhërohet për ato prej jush që po përjetojnë kundërshti të madhe në jetën e tyre për shkak të thyerjes së besëlidhjes nga njerëz të dashur. Profeti Jakob, vëllai i Nefit, u ngarkua nga Zoti që t’iu fliste vëllezërve të tij lidhur me gratë dhe fëmijët e drejtë të kohës së tij. Unë dëshmoj se fjalët e tij janë ruajtur posaçërisht për kohën tonë. Ai na flet neve sikur Vetë Shpëtimtari të ishte duke folur. Jakobi ishte “i ngarkuar me shumë … shqetësim” teksa u dëshmonte bashkëshortëve dhe etërve:

“Më brengos që unë duhet të përdor kaq shumë guxim në të folur … para bashkëshorteve tuaja dhe fëmijëve tuaj, shumë nga ndjenjat e të cilëve janë jashtëzakonisht të buta dhe të dëlira dhe të brishta. …

… Ngashërimi i zemrave të tyre ngjitet lart te Perëndia. … Shumë zemra [kanë vdekur], të shpuara me plagë të rënda.”2

Grave dhe fëmijëve të kohës së tij dhe tonës që i mbajnë besëlidhjet, Jakobi u premton:

“Shikoni te Perëndia me fortësi të mendjes dhe lutjuni atij me besim të jashtëzakonshëm dhe ai do t’ju ngushëllojë në pikëllimet tuaja.

… Ngrini lart kokat tuaja dhe merrni fjalën e këndshme të Perëndisë dhe ushqehuni me bollëk me dashurinë e tij; pasi ju mund ta bëni, në qoftë se mendjet tuaja janë të forta përgjithmonë.”3

Motra, unë dëshmoj për forcën dhe fuqinë e lutjes kur ia shprehim dhembjet dhe dëshirat tona më të thella Atit tonë Qiellor dhe të përgjigjeve që merren kur ne “ushqehemi me bollëk” me shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë.

Pothuajse tre vjet më parë, një zjarr shkatërrues dogji pjesën e brendshme të tabernakullit të dashur e historik në Provo të Jutas. Humbja e tij u mendua si një tragjedi e madhe si nga komuniteti ashtu edhe nga anëtarët e Kishës. Shumë pyetën veten: “Përse Zoti e lejoi këtë të ndodhte? Sigurisht që Ai mund ta kishte parandaluar zjarrin ose ta ndalonte shkatërrimin e tij.”

Dhjetë muaj më vonë, gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2011, pati një pasthirrmë të dëgjueshme kur Presidenti Tomas S. Monson njoftoi se tabernakulli i saposhkatërruar do të bëhej një tempull i shenjtë – një shtëpi e Zotit! Papritur, ne mundëm ta kuptonim atë që Zoti e kishte ditur gjithnjë! Ai nuk e shkaktoi zjarrin, por Ai e lejoi zjarrin ta prishte pjesën e brendshme. Ai e pa tabernakullin si një tempull të mahnitshëm – një shtëpi të përhershme për të bërë besëlidhje të shenjta.4

Motrat e mia të dashura, Zoti na lejon të vihemi në provë e të provohemi, ndonjëherë deri në skaj të mundësisë sonë. Ne e kemi parë jetën e njerëzve të dashur – dhe ndoshta tonën – të digjet në mënyrë figurative deri në fund dhe kemi pyetur veten pse një Atë i dashur dhe përkujdesës Qiellor i lejon gjëra të tilla të ndodhin. Por Ai nuk na le në hi; Ai qëndron në këmbë me krahë të hapur, duke na ftuar me padurim që të vijmë tek Ai. Ai po i ndërton jetët tona për t’i kthyer në tempuj të mahnitshëm ku Shpirti i Tij mund të banojë përjetësisht.

Te Doktrina e Besëlidhje 58:3–4, Zoti na thotë:

“Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh.

Sepse pas shumë mundimesh vijnë bekimet. Si rrjedhim dita vjen që ju do të kurorëzoheni me shumë lavdi; ora nuk është akoma, por është fare pranë.”

Motra, unë dëshmoj se Zoti ka një plan për secilën nga jetët tona. Asgjë që ndodh nuk është një tronditje apo surprizë për Të. Ai është i gjithëditur dhe gjithëdashës. Ai mezi pret të na ndihmojë, të na ngushëllojë dhe të na e lehtësojë dhembjen ndërsa mbështetemi te fuqia e Shlyerjes dhe i respektojmë besëlidhjet tona. Sprovat dhe mundimet që përjetojmë, mund të jenë vetë gjërat që na udhërrëfejnë për të ardhur tek Ai dhe për t’u kapur pas besëlidhjeve tona që të mund të kthehemi në praninë e Tij dhe të marrim gjithçka që ka Ati.

Gjatë këtij viti kam pasur nevojë dhe kam dëshiruar ta ndiej dashurinë e Zotit më thellësisht, të marr zbulesë vetjake, t’i kuptoj më mirë besëlidhjet e mia të tempullit dhe që të më lehtësohen barrat. Teksa jam lutur në mënyrë më të posaçme për këto bekime, e kam ndier Shpirtin të më drejtojë që të shkoj në tempull dhe ta dëgjoj më mirë çdo fjalë të bekimeve që shqiptohen për mua. Dëshmoj se, ndërsa kam dëgjuar më me qëllim dhe jam përpjekur të ushtroj besimin tim, Zoti ka qenë i mëshirshëm me mua dhe ka ndihmuar që barrat e mia të bëhen të lehta. Ai më ka ndihmuar të ndiej paqe të madhe rreth lutjeve që nuk kanë marrë ende përgjigje. Ne e lidhim Zotin që t’i mbajë premtimet e Tij kur i mbajmë besëlidhjet tona dhe ushtrojmë besimin tonë5. Ejani në tempull, të dashura motra dhe kërkojini bekimet tuaja!

Dua të përmend një mënyrë tjetër që mund të na mbushë me siguri dhe besim. Ne ndonjëherë, si gra, kemi një prirje për të qenë shumë kritike ndaj vetes. Gjatë këtyre kohëve, ne duhet të kërkojmë Shpirtin dhe të pyesim: “A është kjo ajo që Zoti dëshiron që të mendoj për veten, apo është Satani që po përpiqet të më shkurajojë?” Mbajeni mend natyrën e Atit tonë Qiellor, dashuria e të cilit është e përsosur dhe e pafundme.6 Ai dëshiron të na japë zemër, jo të na ulë.

Si anëtare të Kishës, ne nganjëherë mund të ndiejmë se na duhet të jemi pjesë e një “familjeje të përsosur shdm” që të pranohemi nga Zoti. Ne shpesh ndihemi “jo në lartësinë e duhur” ose si njerëz të papërshtatshëm në mbretëri nëse e ndiejmë se nuk përshtatemi në atë tablo. Motra të dashura, kur gjithçka të jetë thënë dhe bërë, ajo që do të ketë rëndësi për Atin tonë Qiellor do të jetë mënyra se si i kemi mbajtur besëlidhjet tona dhe sa jemi përpjekur për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Për shkak të sakrificës së Tij shlyese, ne mund të lahemi duke u pastruar çdo javë teksa marrim denjësisht sakramentin e Tij. Ndërsa i përtërijmë dhe i respektojmë besëlidhjet tona, barrat tona mund të lehtësohen dhe ne mund të pastrohemi e forcohemi vazhdimisht që në fund të jetës sonë të quhemi të denjë për të marrë ekzaltimin dhe jetën e përjetshme. Unë dëshmoj për këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.