2013
Fuqia, Gëzimi dhe Dashuria e Mbajtjes së Besëlidhjeve
Nëntor 2013


Fuqia, Gëzimi dhe Dashuria e Mbajtjes së Besëlidhjeve

E ftoj çdonjërën prej nesh të vlerësojë se sa shumë e duam Shpëtimtarin, duke përdorur si matës faktin se me sa gëzim i mbajmë besëlidhjet tona.

Do të doja të filloja duke treguar një histori që më prek në zemër.

Një mbrëmje, një burrë i thirri pesë delet e tij që të futeshin në kasolle për natën. Familja e tij e vështroi me interes të madh ndërsa ai thjesht thirri: “Hajdeni”, dhe menjëherë të pesë kokat u ngritën dhe u kthyen në drejtim të tij. Katër dele ia krisën me vrap drejt tij. Me dashuri të përzemërt përkëdheli butësisht në kokë secilën nga të katërtat. Delet e njihnin zërin e tij dhe e donin.

Por delja e pestë nuk erdhi duke vrapuar. Ajo ishte një dele e madhe që disa javë më parë i ishte falur nga pronari i saj, i cili tregoi se ajo ishte e egër, e pabindur dhe gjithmonë i drejtonte delet e tjera në rrugë të gabuar. Pronari i ri e pranoi atë dhe e lidhi në një hu në vetë fushën e tij për disa ditë, në mënyrë që të mësonte të qëndronte në vend. Ai me durim e mësoi delen ta donte atë dhe delet e tjera, derisa përfundimisht ajo kishte vetëm një litar të shkurtër përreth qafës, por nuk u lidh më në një hu.

Atë mbrëmje, ndërsa familja e tij vështronte, burri iu afrua deles, e cila qëndronte në anë të fushës, dhe përsëri tha me butësi: “Hajde. Nuk je më e lidhur. Je e lirë.” Më pas me dashuri iu afrua, ia vuri dorën në kokë dhe u kthye me të dhe delet e tjera drejt kasolles.1

Me shpirtin e kësaj historie, unë lutem që Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë sonte të mësojmë së bashku rreth mbajtjes së besëlidhjeve. Të bësh dhe të mbash besëlidhjet do të thotë të zgjedhim për t’u lidhur me Atin tonë në Qiell dhe Jezu Krishtin. Do të thotë të zotohemi për të ndjekur Shpëtimtarin. Do të thotë t’i mirëbesojmë Atij dhe të dëshirojmë të tregojmë mirënjohjen tonë për çmimin që Ai pagoi për të na çliruar përmes dhuratës së pafundme të Shlyerjes.

Plaku Xhefri R. Holland shpjegoi se “një besëlidhje është një kontratë shpirtërore detyruese, një premtim solemn ndaj Perëndisë, Atit tonë, që ne do të jetojmë, mendojmë dhe veprojmë në një mënyrë të caktuar – mënyrën e Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht. Në këmbim, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë na premtojnë shkëlqimin e plotë të jetës së përjetshme.”2 Në atë kontratë detyruese, Zoti vendos kushtet dhe ne biem dakord për t’i mbajtur ato. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve tona është shprehje e zotimit tonë për t’u bërë si Shpëtimtari.3 Idealja është të përpiqemi të kemi qëndrimin që shprehet më mirë në pak fraza të një himni të parapëlqyer: “Do shkoj ku ti do që të shkoj. … Do them çfar’ ti do që un’ të them. … Do jem çfar’ ti do që të jem.”4

Përse t’i Bëjmë dhe t’i Mbajmë Besëlidhjet?

1. Mbajtja e besëlidhjeve forcon, fuqizon dhe mbron.

Nefi pa në vegim bekimet domethënëse që Zoti i derdh mbi mbajtësit e besëlidhjeve: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti … mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit … dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”5.

Kohët e fundit takova një mikeshë të re të dashur. Ajo dëshmoi se pasi kishte marrë indaumentin e saj në tempull, u ndje e forcuar me fuqinë për t’iu bërë ballë tundimeve me të cilat kishte luftuar më parë.

Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, ne gjithashtu marrim kurajë dhe forcë të cilat na ndihmojnë të mbajmë barrat e njëra-tjetrës. Një motër shpirtkëputur kishte një djalë që po përjetonte një sfidë të vështirë vdekjeprurëse. Për shkak të besimit të saj te motrat e Shoqatës së Ndihmës si mbajtëse të besëlidhjeve, ajo me kurajë i ftoi ato që të agjëronin dhe të luteshin për djalin e saj. Një motër tjetër shprehu se si ajo uronte të kishte kërkuar lutje të ngjashme nga motrat e saj. Vite më parë, vetë djali i saj po luftonte. Ajo uronte t’i kishte ftuar ato ta ndihmonin familjen e saj për ta mbajtur këtë barrë. Shpëtimtari tha: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”6.

O, motra, ne të gjitha kemi barra për të mbajtur dhe barra për të ndarë [me njëra-tjetrën]. Ftesa për të mbajtur barrat e njëra-tjetrës është ftesë për të mbajtur besëlidhjet tona. Këshilla e Lusi Mek Smithit për motrat e para të Shoqatës së Ndihmës është më me vend sot sesa ndonjëherë më parë: “Ne duhet ta duam fort njëra-tjetrën, ta mbrojmë njëra-tjetrën, ta ngushëllojmë njëra-tjetrën dhe të marrim udhëzim, që të mund të qëndrojmë të gjitha në qiell së bashku”7. Kjo është mbajtja e besëlidhjeve dhe bërja e vizitave mësimore në mënyrën më të mirë!

Libri i Mormonit na kujton se edhe profeti Alma duhej të mbante barrën e të pasurit të një djali të pabindur. Por Alma u bekua me vëllezër e motra mbajtës të besëlidhjeve në ungjill, të cilët ishin thellësisht të kthyer në besim te Zoti dhe kishin mësuar se çfarë do të thoshte të mbaje barrat e njëri-tjetrit. Ne e njohim vargun te Mosia që flet për besimin e madh të lutjeve të Almës në emër të të birit. Por anali shpall se “Zoti … [i] dëgj[oi] lutjet e popullit të tij dhe gjithashtu lutjet e shërbëtorit të tij, Almës”8.

Ne e dimë se Zoti gjithnjë gëzon “për shpirtin që pendohet”9, por ne dëshirojmë mbi të gjitha që fëmijët tanë të ndjekin këshillën e Presidentit Henri B. Ajring për të “filluar herët dhe për të qenë të vazhdueshëm” në bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve.10 Jo shumë kohë më parë, një pyetje e sinqertë dhe që ndillte mendime u ngrit në një këshill të udhëheqësve të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse: a presim vërtet që tetëvjeçarët t’i mbajnë besëlidhjet e tyre? Ndërsa u këshilluam së bashku, u sugjerua se një mënyrë për t’i përgatitur fëmijët t’i bënin dhe t’i mbanin besëlidhjet e shenjta të pagëzimit është që t’i ndihmojmë të mësojnë të bëjnë dhe mbajnë një premtim të thjeshtë.

Prindërit besnikë kanë të drejtë të dinë se si të japin mësim më mirë për t’i plotësuar nevojat e fëmijëve të tyre. Ndërsa prindërit kërkojnë dhe veprojnë sipas zbulesës vetjake, këshillohen bashkërisht, shërbejnë dhe i japin mësim parimet e thjeshta të ungjillit, ata do të kenë fuqi t’i forcojnë dhe mbrojnë familjet e tyre. Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes mund të ndihmojnë. Gjyshi im i çmuar na mësoi rëndësinë e mbajtjes së premtimeve përmes një kënge të thjeshtë. Ishte pak a shumë kështu: “Përpara se ta bësh premtimin, rëndësinë e tij mirë kupto. Më pas kur ta kesh bërë, në zemër gdhende atë. Në zemër gdhende atë.” Kjo këngë e shkurtër na u mësua me dashuri, bindje dhe fuqi sepse gjyshi i kishte gdhendur në zemër vetë premtimet e tij.

Një nënë e urtë që njoh, me qëllim i përfshin fëmijët e saj në përpjekjet e veta për të mbajtur besëlidhjet e saj. Ajo i mban me gëzim barrat e fqinjëve, miqve dhe anëtarëve të lagjes – dhe i ngushëllon ata që kanë nevojë për ngushëllim. Nuk ishte për t’u çuditur kur kohët e fundit, vajza e saj e vogël erdhi duke kërkuar ndihmë për të ditur se si ta ngushëllonte më mirë shoqen e saj, së cilës sapo i kishte ndërruar jetë i ati. Ky ishte një mjedis i përsosur për të dhënë mësim se dëshira e saj për të ngushëlluar shoqen e vet ishte një mënyrë për të mbajtur besëlidhjen e saj të pagëzimit. Si mund të presim që fëmijët të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjet e tempullit nëse nuk presim që ata të mbajnë besëlidhjen e tyre të parë – besëlidhjen e tyre të pagëzimit?

Plaku Riçard G. Skot vërejti: “Një nga bekimet më të mëdha që mund t’i ofrojmë botës, është fuqia e një shtëpie të përqendruar te Krishti, ku mësohet ungjilli, mbahen besëlidhjet dhe ka shumë dashuri”11. Cilat janë disa mënyra se si mund ta krijojmë një shtëpi të tillë për t’i përgatitur fëmijët tanë t’i bëjnë dhe t’i mbajnë besëlidhjet e tempullit?

  • Ne mund të zbulojmë së bashku se çfarë do të thotë të jesh i denjë për një rekomandim tempulli.

  • Ne mund të zbulojmë së bashku se si ta dëgjojmë Frymën e Shenjtë. Për shkak se indaumenti në tempull merret me anë të zbulesës, ne duhet ta mësojmë atë aftësi jetësore.

  • Ne mund të zbulojmë së bashku se si të mësojmë përmes përdorimit të simboleve, duke filluar me simbolet e shenjta të pagëzimit dhe të sakramentit.

  • Ne mund të zbulojmë së bashku përse trupi është i shenjtë, përse ndonjëherë quhet tempull dhe se si veshja e thjeshtë dhe pamja e jashtme lidhen me natyrën e shenjtë të veshjes së tempullit.

  • Ne mund ta zbulojmë planin e lumturisë në shkrimet e shenjta. Sa më shumë të njihemi me planin e Atit Qiellor dhe Shlyerjen në shkrimet e shenjta, aq më domethënës do të jetë adhurimi në tempull.

  • Ne mund t’i mësojmë së bashku historitë e paraardhësve tanë, të bëjmë kërkime për historinë familjare, indeksin dhe të kryejmë punë mëkëmbëse në tempull për të dashurit e vdekur.

  • Ne mund të zbulojmë së bashku domethënien e termave të tillë si indaument, ordinancë, vulosje, priftëri, çelësa dhe fjalë të tjera të lidhura me adhurimin në tempull.

  • Ne mund të japim mësim se shkojmë në tempull për të bërë besëlidhje me Atin Qiellor – kthehemi në shtëpi për t’i mbajtur ato!12

Le të kujtojmë konceptin “mirë, më mirë, më e mira” ndërsa japim mësim.13 Është mirë t’i mësojmë fëmijët tanë rreth tempullit. Është më mirë t’i përgatisim ata dhe të presim prej tyre që t’i bëjnë e t’i mbajnë besëlidhjet. Është më e mira t’u tregojmë me anë të shembullit se kapemi me gëzim pas vetë besëlidhjeve tona të pagëzimit dhe të tempullit! Motra, a e kuptojmë rolin tonë thelbësor në punën e shpëtimit ndërsa i ushqejmë, i mësojmë dhe i përgatisim fëmijët për të përparuar përgjatë shtegut të besëlidhjes? Fuqia për ta bërë këtë do të vijë ndërsa i respektojmë dhe i mbajmë besëlidhjet tona.

2. Mbajtja e besëlidhjeve është thelbësore për lumturi të vërtetë.

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Besëlidhjet e shenjta duhet të nderohen nga ne dhe besnikëria ndaj tyre është një kërkesë për lumturi”14. Te 2 Nefi lexojmë: “Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë”15. Më përpara në po këtë kapitull, mësojmë se Nefi dhe populli i tij sapo kishin ndërtuar një tempull. Sigurisht, ata ishin mbajtës të lumtur të besëlidhjeve! Dhe tek Alma lexojmë: “Por, vini re, nuk pati kurrë një kohë më të lumtur mes popullit të Nefit që nga ditët e Nefit, sesa në ditët e Moronit”16. Përse? Sërish mësojmë te vargu i mëparshëm se ata “qenë besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Zotit”17. Mbajtësit e besëlidhjeve janë mbajtës të urdhërimeve!

Më pëlqen shkrimi i shenjtë që thotë: “Dhe tani, kur njerëzit kishin dëgjuar këto fjalë [domethënë fjalët që përshkruajnë besëlidhjen e pagëzimit], ata përplasën duart e tyre nga gëzimi dhe thirrën: Kjo është dëshira e zemrave tona”18. Më pëlqen dëshira e zemrave të tyre. Ata me gëzim dëshiruan të bënin dhe t’i mbanin besëlidhjet e tyre!

Një të diel, një motër e re thirri me gëzim: “Sot arrita të merrja sakramentin!” Kur qe hera e fundit që u gëzuam për atë privilegj? Dhe si e tregojmë atë? Ne e bëjmë këtë duke e kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin dhe duke i mbajtur gjithmonë urdhërimet e Tij, që përfshijnë mbajtjen e shenjtë të ditës së Tij të Shabatit. Ne e bëjmë këtë duke e kujtuar gjithnjë Atë ndërsa bëjmë gjithmonë lutjet tona vetjake dhe familjare, studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjet e përjavshme familjare. Dhe kur hutohemi ose merremi me raste me këto gjëra të rëndësishme, ne pendohemi dhe fillojmë sërish.

Bërja dhe mbajtja me gëzim e besëlidhjeve tona i jep vlefshmëri dhe jetë ordinancave të shenjta jetësore dhe shpëtuese që ne duhet të marrim me qëllim që të sigurojmë “gjithçka që Ati … ka”19. Ordinancat dhe besëlidhjet janë “kulme[t] shpirtërore” që përmendi Presidenti Henri B. Ajring kur dha mësim: Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë popull i besëlidhjes. Që nga dita e pagëzimit përmes kulmeve shpirtërore të jetëve tona, ne i bëjmë premtime Perëndisë dhe Ai na bën premtime neve. Ai gjithmonë i mban premtimet e Tij të dhëna përmes shërbëtorëve të Tij të autorizuar, por prova vendimtare e jetës sonë është që të shohim nëse ne do t’i bëjmë e do t’i mbajmë besëlidhjet tona me Të.”20

3. Mbajtja e besëlidhjeve tona tregon dashurinë që kemi për Shpëtimtarin dhe Atin tonë në Qiell.

Nga të gjitha arsyet për të cilat duhet të jemi më të zellshme në mbajtjen e besëlidhjeve tona, kjo arsye është më detyruese se të gjitha – dashuria. Një varg te Dhiata e Vjetër është një varg që më prek në zemër ndërsa marrim parasysh parimin e dashurisë. Cila prej nesh nuk preket nga historia biblike e dashurisë së Jakobit dhe Rakelës ndërsa lexojmë: “Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte”21? Motra, a i mbajmë ne besëlidhjet tona me atë lloj dashurie të thellë e përkushtuese?

Përse ishte Shpëtimtari i gatshëm të mbante besëlidhjen e Tij me Atin dhe të përmbushte misionin e Tij hyjnor për të shlyer për mëkatet e botës? Ishte nga dashuria e Tij për Atin e Tij dhe dashuria e Tij për ne. Përse ishte i gatshëm Ati ta lejonte Birin e Tij të Vetëmlindur dhe të përsosur të vuante dhembje përtej përshkrimit për të mbajtur mëkatet, dhembjet e zemrës, sëmundjet dhe dobësitë e botës dhe gjithçka që është e padrejtë në këtë jetë? Ne e gjejmë përgjigjen në këto fjalë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin”22.

“Nëse i vlerësojmë plotësisht bekimet e shumta që janë tonat përmes shëlbimit të bërë për ne, nuk ka asgjë që Zoti mund të na kërkojë që nuk do të ishim të zellshme e të gatshme për ta bërë.”23 Sipas kësaj thënieje nga Presidenti Jozef Filding Smith, mbajtja e besëlidhjeve është një mënyrë për të shprehur dashurinë tonë për Shlyerjen e pakonceptueshme e të pafundme të Shpëtimtarit e Shëlbuesit tonë dhe për dashurinë e përsosur të Atit tonë në Qiell.

Plaku Holland sugjeroi me mallëngjim: “Nuk jam i sigurt tamam se si do të jetë përvoja jonë Ditën e Gjykimit, por do të jem shumë i habitur nëse, në një çast të caktuar gjatë asaj bisede, Perëndia nuk na pyet pikërisht atë që Krishti i pyeti Pjetrit: ‘A më doje Mua?’”24 Sonte e ftoj çdonjërën prej nesh të vlerësojë se sa shumë e duam Shpëtimtarin, duke përdorur si matës faktin se me sa gëzim i mbajmë besëlidhjet tona. Shpëtimtari tha: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”25. Sa nevojë kemi të gjitha për një shfaqje të vazhdueshme të Shpëtimtarit në jetën tonë të përditshme!

Le të kujtojmë se edhe ato që kanë qenë të pabindura në të kaluarën ose që aktualisht kanë mundime, mund ta ndiejnë prekjen e dorës së Bariut të Mirë mbi kokat e tyre dhe ta dëgjojnë zërin e Tij duke thënë: “Hajde. Nuk je më e lidhur. Je e lirë.” Shpëtimtari tha: “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet”26. Ai mund ta thotë atë sepse i mbajti besëlidhjet e Tij me dashuri. Atëherë pyetja është, po ne? Shkofshim përpara me besim, me zemra të gëzuara dhe një dëshirë të madhe për të qenë mbajtëse të besëlidhjeve. Kjo është mënyra se si e tregojmë dashurinë tonë për Atin tonë në Qiell dhe Shpëtimtarin tonë, për të cilët unë dëshmoj me dashuri të madhe, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih D. Todd Christofferson, “You Are Free”, Liahona, mars 2013, f. 16, 18.

  2. Jeffrey R. Holland, “Keeping Covenants: A Message for Those Who Will Serve a Mission”, Liahona, janar 2012, f. 49.

  3. Shih “Understanding Our Covenants with God”, Liahona, korrik 2012, f. 23.

  4. “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 46; theksimi i shtuar.

  5. 1 Nefi 14:14.

  6. Gjoni 13:35.

  7. Lucy Mack Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 25.

  8. Mosia 27:14; theksimi i shtuar.

  9. Doktrina e Besëlidhje 18:13.

  10. Shih Henry B. Eyring, “Spiritual Preparedness: Start Early and Be Steady”, Liahona, nëntor 2005, f. 37–40.

  11. Riçard G. Skot, “Për Paqe në Shtëpi”, Liahona, maj 2013, f. 30.

  12. Shih D. Todd Christofferson, “The Gospel Answers Life’s Problems and Challenges” (mbledhje e trajnimit mbarëbotëror të udhëheqjes, shkurt 2012); lds.org/broadcasts.

  13. Shih Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 104.

  14. Thomas S. Monson, “Happiness – the Universal Quest”, Liahona, mars 1996, f. 5.

  15. 2 Nefi 5:27.

  16. Alma 50:23.

  17. Alma 50:22.

  18. Mosia 18:11.

  19. Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  20. Henry B. Eyring, “Witnesses for God”, Ensign, nëntor 1996, f. 30; theksimi i shtuar.

  21. Zanafilla 29:20.

  22. Gjoni 3:16.

  23. Joseph Fielding Smith, “Importance of the Sacrament Meeting”, Relief Society Magazine, tetor 1943, f. 592.

  24. Xhefri R. Holland, “Urdhërimi i Parë i Madh”, Liahona, nëntor 2012, f. 84.

  25. Gjoni 14:21.

  26. Gjoni 10:11.