2013
Mësimdhënia me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë
Nëntor 2013


Mësimdhënia me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë

Zoti e ka siguruar udhën për çdo shenjtor të denjë të ditëve të mëvonshme që të japë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Ne jemi mirënjohës përtej fuqisë shprehëse për mësuesit kudo në Kishë. Ne ju duam dhe kemi besim të madh te ju. Ju jeni një nga mrekullitë më të mëdha të ungjillit të rivendosur.

Ka vërtet një sekret për t’u bërë një mësues i suksesshëm i ungjillit, për të dhënë mësim me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë. Unë përdor fjalën sekret sepse parimet mbi të cilat qëndron suksesi i një mësuesi mund të kuptohen vetëm prej atyre që kanë një dëshmi për çka ndodhi në mëngjesin e një dite të bukur të kthjellët, herët në pranverën e 1820-ës.

Në përgjigje të lutjes së përulur të një djali 14-vjeçar, qiejt u hapën. Perëndia, Ati i Amshuar, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën dhe i folën Profetit Jozef Smith. Rivendosja e shumëpritur e të gjitha gjërave pati filluar dhe parimi i zbulesës qe vendosur përjetësisht në periudhën tonë ungjillore. Mesazhi i Jozefit dhe mesazhi ynë drejtuar botës mund të përmblidhen në dy fjalë: “Perëndia flet”. Ai foli në lashtësi, Ai i foli Jozefit dhe Ai do t’ju flasë juve. Kjo është ajo që ju veçon nga të gjithë mësuesit e tjerë në botë. Kjo është arsyeja përse ju nuk mund të dështoni.

Ju jeni thirrur nga shpirti i profecisë dhe i zbulesës dhe jeni veçuar nga autoriteti i priftërisë. Çfarë do të thotë kjo?

Së pari, do të thotë se ju jeni në punën e Zotit. Ju jeni vepruesi i Tij dhe ju jeni autorizuar dhe porositur ta përfaqësoni Atë dhe të veproni në emër të Tij. Si veprues të Tij, ju keni të drejtë për ndihmën e Tij. Ju duhet të pyesni veten: “Çfarë do të thoshte Shpëtimtari nëse Ai do t’i jepte mësim klasës sime sot dhe si do ta thoshte Ai?” Ju duhet të veproni po ashtu.

Kjo përgjegjësi mund të bëjë që disa të ndihen të papërshtatshëm ose madje disi të trembur. Shtegu nuk është i vështirë. Zoti e ka siguruar udhën për çdo shenjtor të denjë të ditëve të mëvonshme që të japë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Së dyti, ju jeni thirrur të predikoni ungjillin e Jezu Krishtit. Ju nuk duhet të jepni mësim idetë apo filozofitë tuaja, qoftë edhe të ndërthurura me shkrimet e shenjta. Ungjilli është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin”1 dhe vetëm nëpërmjet ungjillit ne shpëtohemi.

Së treti, ju jeni urdhëruar të jepni mësim parimet e ungjillit siç janë në veprat standarde të Kishës, të jepni mësim fjalët e apostujve dhe profetëve të kohës sonë dhe të jepni mësim atë që ju mësohet nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Pra, nga do ta fillojmë?

Përgjegjësia jonë e parë dhe më madhore është të jetojmë në mënyrë të tillë që të mund ta kemi Frymën e Shenjtë si udhërrëfyesin dhe shoqëruesin tonë. Kur Hajrëm Smithi kërkonte të përfshihej në këtë punë të ditëve të mëvonshme, Zoti tha: “Vër re, kjo është puna jote, të zbatosh urdhërimet e mia, po, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde”2. Kjo është pikënisja. Këshilla e dhënë nga Zoti për Hajrëmin, është e njëjta këshillë që Ai u ka dhënë shenjtorëve në çdo epokë.

Duke u folur mësuesve sot, Presidenca e Parë deklaroi: “Pjesa më e rëndësishme e shërbimit tuaj do të jetë vetë përgatitja juaj e përditshme shpirtërore, duke përfshirë lutjen, studimin e shkrimeve të shenjta dhe bindjen ndaj urdhërimeve. Ne ju nxisim t’ia përkushtoni veten të jetuarit të ungjillit me qëllim më të madh se kurrë më parë.”3

Është e rëndësishme që Presidencat e Parë nuk thotë se pjesa më e rëndësishme e shërbimit tuaj është që ta përgatisni mësimin mirë apo të zotëroni teknika të ndryshme mësimdhënieje. Sigurisht, ju duhet të përgatiteni me zell për çdo mësim dhe të përpiqeni të mësoni se si të mund të jepni mësim në një mënyrë të tillë që t’i ndihmoni studentët tuaj të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes dhe ta lënë ungjillin të futet në zemrat e tyre, por pjesa e parë dhe më e rëndësishme e shërbimit tuaj është përgatitja juaj vetjake shpirtërore. Ndërsa ndiqni këtë këshillë, Presidenca e Parë ka premtuar: “Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të dini çfarë të bëni. Vetë dëshmia juaj do të rritet, kthimi juaj në besim do të thellohet dhe do të forcoheni për t’iu përgjigjur sfidave të jetës.”4

Çfarë bekimesh më të mëdha mund të dëshironte një mësues?

Më tej, Zoti ka urdhëruar që, përpara se të kërkojmë të shpallim fjalën e Tij, ne duhet të kërkojmë ta fitojmë atë.5 Ju duhet të bëheni burra dhe gra me kuptim të saktë duke i kërkuar me zell shkrimet e shenjta, duke u ushqyer me fjalët e Krishtit dhe duke i ruajtur ato si thesar në zemër. Atëherë, ndërsa kërkoni ndihmën e Zotit, Ai do t’ju bekojë me Shpirtin e Tij dhe fjalën e Tij. Ju do të keni fuqinë e Perëndisë për bindjen e njerëzve.

Pali na tregon se ungjilli vjen te njerëzit në dy mënyra: në fjalë dhe në fuqi.6 Fjala e ungjillit është e shkruar në shkrimet e shenjta dhe ne mund ta fitojmë fjalën duke kërkuar me zell. Fuqia e ungjillit vjen në jetën e atyre që jetojnë në mënyrë të tillë që Fryma e Shenjtë është shoqëruesi i tyre dhe që i ndjekin nxitjet që marrin. Disa e përqendrojnë vëmendjen e tyre vetëm në fitimin e fjalës dhe ata bëhen mjeshtra në dhënie informacioni. Të tjerë e shpërfillin përgatitjen e tyre dhe shpresojnë se Zoti në mirësinë e Tij do t’i ndihmojë disi që ta kalojnë orën e mësimit. Ju nuk mund të prisni që Shpirti t’ju ndihmojë të kujtoni shkrimet e shenjta dhe parimet që nuk i keni studiuar apo ditur. Me qëllim që ta jepni me sukses mësim ungjillin, ju duhet t’i keni edhe fjalën, edhe fuqinë e ungjillit në jetën tuaj.

Alma i kuptonte këto parime kur u gëzua për bijtë e Mosias dhe për mënyrën si jepnin ata mësim me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë. Ne lexojmë:

“Ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin … shpirtin e zbulesës.”7

Më tej, ju duhet të mësoni të dëgjoni. Plaku Xhefri R. Holland ua mësoi këtë parim misionarëve. Do të citoj nga vërejtjet e Plakut Holland, por i kam lejuar vetes të zëvendësoj termat misionarë dhe kërkues përkatësisht me termat mësues dhe studentë: “E dyta, vetëm pas përgjegjësisë që [mësuesit] kanë për të dëgjuar Shpirtin, është përgjegjësia që ata kanë për të dëgjuar [studentin]. … Nëse do të dëgjojmë me veshë shpirtërorë, … [studentët tanë] do të na tregojnë se çfarë mësimesh kanë nevojë të dëgjojnë!”

Plaku Holland vazhdoi: “Fakt për çështjen është që [mësuesit] janë ende tepër të përqendruar për të dhënë përmbajtje mësimi të lehtë e përsëritëse, sesa të përqendrohen te [studentët] e tyre si individë”8.

Pasi e keni përgatitur veten dhe mësimet tuaja me aftësitë më të mira që keni, ju duhet të jeni të gatshëm për ta filluar mësimdhënien. Kur vijnë nxitjet e qeta të Frymës së Shenjtë, ju duhet të keni kurajën që t’i lini mënjanë përmbledhjet dhe shënimet tuaja dhe të shkoni atje ku ato nxitje ju çojnë. Kur ju e bëni këtë, mësimi që jepni nuk është më mësimi juaj, por bëhet mësim i Shpëtimtarit.

Ndërsa e përkushtoni veten te të jetuarit e ungjillit me qëllim më të madh sesa kurrë më parë dhe kërkoni shkrimet e shenjta, duke i ruajtur si thesar në zemrën tuaj, i njëjti Frymë e Shenjtë, që ua zbuloi këto fjalë apostujve dhe profetëve të lashtë, do t’ju dëshmojë vërtetësinë e tyre. Në thelb, Fryma e Shenjtë do t’i zbulojë ato rishtas për ju. Kur kjo ndodh, fjalët që lexoni nuk janë më vetëm fjalë të Nefit apo të Palit, apo të Almës, por ato bëhen fjalët tuaja. Atëherë, ndërsa jepni mësim, Fryma e Shenjtë do të jetë në gjendje të sjellë të gjitha gjërat në kujtesën tuaj. Vërtet, “do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni”9. Kur kjo ndodh, ju do ta gjeni veten duke thënë diçka që nuk e kishit planifikuar ta thonit. Atëherë, nëse do t’i kushtoni vëmendje, ju do të mësoni diçka nga gjërat që thoni kur jepni mësim. Presidenti Marion G. Romni tha: “Unë gjithmonë e di kur jam duke folur nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë ngaqë gjithmonë mësoj diçka nga ajo që kam thënë”10. Kujtoni, një mësues është gjithashtu një student.

Së fundi, ju duhet të qëndroni si dëshmitarë të pavarur të gjërave që jepni mësim dhe jo thjesht të jeni përsëritës të fjalëve të një manuali apo të mendimeve të të tjerëve. Ndërsa ushqeheni me fjalët e Krishtit dhe përpiqeni ta jetoni ungjillin me qëllim më të madh se kurrë më parë, Fryma e Shenjtë do t’ju tregojë se gjërat që po jepni mësim, janë të vërteta. Ky është shpirti i zbulesës dhe po ky shpirt do ta çojë mesazhin tuaj në zemrat e atyre që dëshirojnë e janë të gatshëm ta marrin atë.

Le ta mbyllim tani atje ku filluam – te Koria e Shenjtë. Në saje të asaj që ndodhi në atë mëngjes të bukur pranvere jo shumë kohë më parë, ju keni të drejtë të jepni mësim me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë. Për këtë unë sjell dëshminë time solemne dhe të pavarur në emrin e Jezu Krishtit, amen.