2013
A e Dimë se Çfarë Kemi?
Nëntor 2013


A e Dimë se Çfarë Kemi?

Ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë sigurojnë të drejtën për tërësinë e bekimeve që na janë premtuar nga Perëndia, të cilat janë bërë të mundura me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve shpallin: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.”1 Për ta arritur këtë destinacion hyjnor, çdo biri dhe bije të Perëndisë i duhen ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë.

Na duhet pagëzimi. Kur zhytemi në ujërat e pagëzimit, ne lidhim besë që të marrim emrin e Krishtit mbi vete, ta kujtojmë gjithmonë Atë, t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe t’i shërbejmë Atij deri në fund, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete2.

Na duhet Dhurata e Frymës së Shenjtë. Përmes asaj ordinance, ne mund të kemi të drejtën e shoqërimit të vazhdueshëm të Shpirtit. Presidenti Uillford Udraf dha mësim: “Çdo burrë ose grua që ka hyrë ndonjëherë në Kishën e Perëndisë dhe është pagëzuar për heqjen e mëkateve, ka të drejtën për zbulesë, të drejtën për Shpirtin e Perëndisë, që t’iu vijë në ndihmë në punët e tyre, në drejtimin e fëmijëve të tyre, në këshillimin e fëmijëve të tyre dhe të atyre mbi të cilët janë thirrur të kryesojnë. Fryma e Shenjtë nuk është e kufizuar vetëm për burrat, as për apostujt apo profetët, ajo i përket çdo burri dhe gruaje besnike dhe çdo fëmije që është aq i rritur sa të marrë ungjillin e Krishtit.”3

Na duhet të marrim indaumentin e tempullit. Plaku M. Rasëll Ballard tha: “Kur burrat dhe gratë shkojnë në tempull, atyre të gjithëve [me indaumentin] u dhurohet e njëjta fuqi që, sipas përkufizimit, është fuqia e priftërisë. … Indaumenti është me të vërtetë një dhuratë fuqie.”4

Na duhet ordinanca e vulosjes, që na çon drejt jetës së përjetshme, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”5. Kjo ordinancë priftërie merret vetëm nga një burrë dhe një grua së bashku. Plaku Rasëll M. Nelson na mësoi: “Autoriteti i priftërisë është rivendosur që familjet të mund të vulosen përjetësisht”6.

Na duhet mundësia për t’i përtëritur besëlidhjet tona çdo javë kur marrim sakramentin. “Profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme na kanë mësuar se, kur e marrim sakramentin denjësisht, ne përtërijmë jo vetëm besëlidhjen tonë të pagëzimit, por ‘të gjitha besëlidhjet [në të cilat kemi hyrë] me Zotin’”7.

Këto ordinanca dhe besëlidhje priftërie sigurojnë të drejtën për plotësinë e bekimeve që na janë premtuar nga Perëndia, të cilat janë bërë të mundura me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ato i armatosin bijtë dhe bijat e Perëndisë me fuqi, me fuqinë e Perëndisë8 dhe na sigurojnë mundësinë për të marrë jetë të përjetshme – që të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të jetojmë me Të në familjen e Tij të përjetshme.

Kohët e fundit shkova me udhëheqësit e priftërisë për të vizituar shtëpitë e katër grave në Honduras. Këto motra dhe familjet e tyre kishin nevojë për çelësat dhe autoritetin e priftërisë, ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë dhe fuqinë e bekimet e priftërisë.

Ne vizituam një motër të dashur që është e martuar dhe ka dy fëmijë të bukur. Ajo është besnike dhe aktive në Kishë dhe po u mëson fëmijëve të zgjedhin të drejtën. I shoqi e mbështet veprimtarinë e saj në Kishë, por nuk është anëtar. Familja e tyre është e fortë, por për të gëzuar forcë më të madhe në shtëpinë dhe familjen e tyre iu duhen bekime priftërie shtesë. Atyre iu duhet që babai të marrë ordinancat e pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe t’i jepet priftëria. Atyre iu duhet fuqia e priftërisë që mund të vijë nëpërmjet indaumentit dhe vulosjes.

Vizita jonë pasuese ishte në shtëpinë e dy motrave beqare, gra me besim të madh. Një motër ka një djalë që po përgatitet për mision. Motra tjetër po merr një trajtim për kancer. Në kohë shkurajimi dhe dëshpërimi, ato kujtojnë Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe mbushen me besim e shpresë. Atyre të dyjave u duhen bekimet e tjera dhe fuqia e mundësuar përmes ordinancave të tempullit. Ne i nxitëm ato të bashkoheshin me misionarin e ardhshëm në shtëpinë e tyre që të përgatiteshin për t’i marrë ato ordinanca.

Vizita jonë e fundit ishte në shtëpinë e një motre, bashkëshorti i së cilës vdiq kohët e fundit në një aksident tragjik. Si e sapokthyer në besim në Kishë, ajo nuk e kishte kuptuar se mund ta merrte indaumentin e saj dhe të vulosej me të shoqin. Kur ia mësuam se këto bekime mund të ishin në dispozicion të saj dhe të të shoqit të ndjerë, ajo u mbush me shpresë. Duke e ditur se, përmes ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit, familja e saj mund të vuloset së bashku, ajo ka besim dhe vendosmëri për t’u bërë ballë sprovave që e presin.

I biri i kësaj vejushe po përgatitet të marrë Priftërinë Aarone. Shugurimi i tij do të jetë një bekim i madh për të dhe familjen e saj. Ata do të kenë një mbajtës të priftërisë në shtëpi. 

Kur i takova këto gra besnike në Honduras, munda të shihja se ato po përpiqeshin t’i mbanin familjet e tyre aktive në ungjill. Ato shprehën mirënjohje për anëtarët e lagjes, mbajtës të besëlidhjeve, të cilët përkujdesen për to me dhimbsuri dhe ndihmojnë për t’i mbështetur me nevojat e tyre materiale e shpirtërore. Megjithatë, secila prej këtyre motrave kishte nevoja që nuk ishin plotësuar tërësisht.

Në secilën prej tri shtëpive që vizituam, një mbajtës i urtë i priftërisë e pyeti secilën motër nëse kishte marrë një bekim priftërie. Çdo herë, përgjigjja ishte jo. Çdo motër kërkoi dhe mori një bekim priftërie atë ditë. Çdonjëra u përlot ndërsa shprehu mirënjohje për ngushëllimin, drejtimin, inkurajimin dhe frymëzimin që i erdhi nga Ati i saj Qiellor përmes një mbajtësi të denjë të priftërisë.

Këto motra më frymëzuan. Ato treguan nderim për Perëndinë, për fuqinë dhe autoritetin e Tij. Isha mirënjohëse edhe për udhëheqësit e priftërisë që i vizituan këto shtëpi me mua. Kur u larguam nga secila shtëpi, ne u këshilluam së bashku rreth mënyrës se si t’i ndihmonim këto familje të merrnin ordinancat që iu nevojiteshin për të përparuar në shtegun e besëlidhjes dhe për t’i forcuar shtëpitë e tyre.

Sot, ekziston një nevojë e madhe që burrat dhe gratë të kultivojnë respekt për njëri-tjetrin si bij e bija të Perëndisë dhe nderim për Atin tonë në Qiell dhe priftërinë e Tij – fuqinë e autoritetin e Tij.

Ai ka një plan për ne dhe, kur e ushtrojmë besimin dhe mirëbesimin tonë në planin e Tij, nderimi ynë për Të dhe për fuqinë dhe autoritetin e priftërisë së Tij do të forcohet.

Në trajnimin mbarëbotëror të udhëheqjes mbi Forcimin e Familjes dhe të Kishës përmes Priftërisë, na u mësua se motrat që nuk kanë mbajtës të priftërisë në shtëpitë e tyre, nuk duhet të ndihen kurrë vetëm. Ato bekohen e forcohen përmes ordinancave që kanë marrë dhe besëlidhjeve që mbajnë. Ato nuk duhet të ngurrojnë të bëjnë përpjekje kur nevojitet ndihmë. Plaku M. Rasëll Ballard na mësoi se çdo grua në Kishë duhet të dijë se ajo e ka një peshkop, një president të kuorumit të pleqve, një mësues shtëpie dhe mbajtës të tjerë të priftërisë ku mund të mbështetet që mund t’i vijnë në shtëpi dhe ta ndihmojnë atë dhe, sikurse shtoi motra Rozmari M. Uiksom, “të jap[in] një bekim”9.

Plaku Ballard gjithashtu na mësoi: “Ati ynë në Qiell është bujar me fuqinë e Tij. Të gjithë burrat dhe gratë kanë qasje te kjo fuqi për ndihmë në jetën tonë vetjake. Të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje të shenjta me Zotin e që i respektojnë ato besëlidhje, kanë të drejtë të marrin zbulesë vetjake, të bekohen nga shërbesa e engjëjve [dhe] të bashkëbisedojnë me Perëndinë.”10

Ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Bijtë e Perëndisë kanë nevojë për bijat e Perëndisë dhe bijat e Perëndisë kanë nevojë për bijtë e Perëndisë.

Ne kemi dhurata të ndryshme dhe forca të ndryshme. Kapitulli 12 te Letra e Parë drejtuar Korintasve thekson nevojën për bijtë dhe bijat e Perëndisë, për secilin prej nesh, që të përmbushim rolet dhe përgjegjësitë tona individuale sipas planit të Zotit që të mund të përfitojnë të gjithë11.

Bij të Perëndisë, a e dini cilët jeni? A e dini se çfarë keni? A jeni të denjë ta ushtroni priftërinë dhe të merrni fuqinë dhe bekimet e priftërisë? A i përqafoni rolet dhe përgjegjësitë tuaja për të forcuar shtëpitë si etër, gjyshër, bij, vëllezër dhe ungjër? A tregoni respekt për gratë, të qenit grua dhe mëmësinë?

Bija të Perëndisë, a e dini cilat jeni? A e dimë se çfarë kemi? A jemi të denja të marrim fuqinë dhe bekimet e priftërisë? A i marrim dhuratat që na jepen me mirënjohje, hir dhe dinjitet? A i përqafojmë rolet dhe përgjegjësitë tona për t’i forcuar shtëpitë si nëna, gjyshe, bija, motra dhe emta? A tregojmë respekt për burrat, të qenit burrë dhe atësinë?

Si bij e bija të besëlidhjes, a kemi besim në Atin tonë Qiellor dhe në planin e Tij të përjetshëm për ne? A kemi besim te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij? A besojmë se kemi një natyrë dhe destinacion hyjnor? Dhe në përpjekjet tona për ta arritur këtë destinacion dhe për të marrë gjithçka që Ati ka12, a e kuptojmë rëndësinë e marrjes së ordinancave të priftërisë dhe të bërjes, mbajtjes e përtëritjes së besëlidhjeve me Zotin?

Ne jemi bij dhe bija të dashura të prindërve qiellore, me një natyrë e destinacion hyjnor. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti na deshi aq sa dha jetën e Tij për ne. Shlyerja e Tij na siguron mënyrën që të përparojmë në shtegun drejt shtëpisë sonë qiellore nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta të priftërisë.

Këto ordinanca dhe besëlidhje të priftërisë u rivendosën në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe sot, Presidenti Tomas S. Monson mban të gjithë çelësat e priftërisë në tokë.

Plaku D. Tod Kristoferson na mësoi: “Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjendet autoriteti i priftërisë për të administruar ordinancat me të cilat ne mund të hyjmë në besëlidhje me Atin tonë Qiellor në emrin e Birit të Tij të Shenjtë. … Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij ndaj jush kur ju do t’i respektoni besëlidhjet me Të.”13

Për këto gjëra unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  2. Shih Moroni 4:3; 6:3.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 49.

  4. M. Russell Ballard, “Let Us Think Straight”, (Takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin Brigam Jang, 20 gusht, 2013); speeches.byu.edu.

  5. Doktrina e Besëlidhje 14:7; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 131:1–4.

  6. Russell M. Nelson, “Nurturing Marriage”, Liahona, maj 2006, f. 37; ose në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 134.

  7. Delbert L. Stapley, në Conference Report, tetor 1965, f. 14; cituar në L. Tom Perry, “As Now We Take the Sacrament”, Liahona, maj 2006, f. 41; shih edhe Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 561; The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball (1982), f. 220.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 109:22.

  9. Shih M. Russell Ballard and Rosemary M. Wixom, “Blessings of the Priesthood in Every Home”, në Strengthening the Family and the Church through the Priesthood (trajnim mbarëbotëror i udhëheqësve, 2013); lds.org/broadcasts.

  10. M. Russell Ballard, “Let Us Think Straight”; speeches.byu.edu.

  11. Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 46:9, 12.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  13. D. Todd Christofferson, “Forca e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2009, f. 22.