2013
Çelësi për Mbrojtjen Shpirtërore
Nëntor 2013


Çelësi për Mbrojtjen Shpirtërore

Paqja mund të qëndrojë në zemrën e çdokujt që iu drejtohet shkrimeve të shenjta dhe zbulon premtimet e mbrojtjes dhe të shlyerjes.

Pak kohë më parë, vulosa një çift të ri në tempull. Ky çift e kishte ruajtur veten të denjë për të arritur ditën e mrekullueshme kur një bir dhe një bijë i lënë shtëpitë e rinisë së tyre dhe bëhen burrë e grua. Në këtë rast të shenjtë, ata ishin të dëlirë e të pastër. Në kohën e duhur, ata do të fillojnë të rrisin fëmijë të tyret, në përputhje me modelin e krijuar nga Ati ynë në Qiell. Lumturia e tyre dhe lumturia e brezave [të tyre] të ardhshëm varet nga të jetuarit e atyre standardeve të vendosura nga Shpëtimtari dhe të shtjelluara në shkrimet e Tij të shenjta.

Prindërit sot pyesin veten nëse ka ndonjë vend të sigurt për të rritur fëmijët. Ka një vend të sigurt. Ai është në një vatër familjare të përqendruar tek ungjilli. Ne në Kishë përqendrohemi te familja dhe i këshillojmë prindërit kudo që t’i rrisin fëmijët e tyre në drejtësi.

Apostulli Pal profetizoi dhe paralajmëroi se “në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,

sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,

tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,

të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu”1.

Pali gjithashtu profetizoi: “Njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë”2.

Këto vargje shërbejnë si paralajmërim, duke treguar se cilat modele të shmangen. Ne duhet të jemi ngaherë syçelët dhe të zellshëm. Ne mund ta shqyrtojmë secilën nga këto profeci dhe të vërtetojmë se janë aktuale dhe shqetësuese në botë sot:

Kohë të vështira – aktuale. Ne jetojmë në kohë shumë të rrezikshme.

Lakmues parash, mburravecë, krenarë – të gjithë janë të pranishëm dhe mes nesh.

Blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur – të gjithë këta janë më se të pranishëm sot.

Të papajtueshëm, shpifës e kështu me radhë – të gjitha mund të vërtetohen si aktuale nga faktet në rritje që gjenden gjithkund rreth nesh.

Moroni gjithashtu foli për ligësinë e kohës sonë kur paralajmëroi:

“Kur t’i shihni këto gjëra të vijnë mes jush, [do] të zgjoheni nga ndjenja e gjendjes suaj të tmerrshme. …

Prandaj, unë Moroni, jam urdhëruar t’i shkruaj këto gjëra, që e keqja të mund të zhduket dhe të vijë koha që Satani të mos ketë pushtet mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve, por, që ata të binden të bëjnë vazhdimisht mirë, që ata të mund të shkojnë te burimi i të gjithë drejtësisë dhe të shpëtohen.”3

Përshkrimet që Pali dhe Moroni i bëjnë kohës sonë, janë aq të sakta sa nuk mund të mos merren parasysh. Për shumë njerëz kjo mund të jetë mjaft shqetësuese, madje shkurajuese. Sidoqoftë, kur mendoj për të ardhmen, më kaplojnë ndjenja të mira optimizmi.

Në zbulesën e Palit, përveç listës së sprovave dhe problemeve, ai na tregon edhe se çfarë mund të bëjmë për ta mbrojtur veten:

“Qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus”4.

Shkrimet e shenjta mbartin çelësat e mbrojtjes shpirtërore. Ato përmbajnë doktrinën dhe ligjet e ordinancat që do ta bëjnë çdo fëmijë të Perëndisë të ketë një dëshmi për Jezu Krishtin si Shpëtuesin dhe Shëlbuesin.

Me vite përgatitjeje, është bërë një orvatje e pamasë për t’i prodhuar shkrimet e shenjta në çdo gjuhë me shënimet në fund të faqes dhe referencat kryq. Ne synojmë t’i bëjmë të disponueshme për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë. Ato na mësojmë se ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë. Ato japin shpresë dhe njohuri.

Vite më parë, Plaku S. Diluorth Jang, i Të Shtatëdhjetëve, më dha një mësim rreth leximit të shkrimeve të shenjta. Një kunj po ndeshej me tensione e vështirësi mes anëtarëve dhe duhej dhënë këshillë.

E pyeta Presidentin Jang: “Çfarë duhet të them?”

Ai u përgjigj thjesht: “U thoni që të lexojnë shkrimet e shenjta”.

E pyeta: “Cilat shkrime?”

Ai tha: “Në të vërtetë nuk ka rëndësi. U thoni, për shembull, që të hapin Librin e Mormonit dhe të fillojnë të lexojnë. Shpejt ndjenja e paqes dhe frymëzimi do të vijnë dhe një zgjidhje do të paraqitet.”

Bëjeni leximin e shkrimeve të shenjta pjesë të rutinës suaj të zakonshme dhe bekimet do të pasojnë. Në shkrimet e shenjta gjendet një zë paralajmërimi, por edhe përtëritje e mrekullueshme.

Nëse gjuha e shkrimeve të shenjta fillimisht ju duket e pazakontë, vazhdoni të lexoni. Shpejt do të arrini të dalloni bukurinë dhe fuqinë që gjendet në ato faqe.

Pali tha: “I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi”5.

Ju mund ta provoni këtë premtim vetë.

Ne jetojmë në kohë të vështira; sidoqoftë, ne mund të gjejmë shpresë e paqe për veten tonë dhe për familjet tona. Ata që jetojnë në hidhërim, duke e humbur shpresën te mundësia që fëmijët të shpëtohen prej vendit ku bota i ka çuar, kurrë nuk duhet të heqin dorë. “Mos ki frikë, vetëm ki besim”6. Drejtësia është më e fuqishme sesa ligësia.

Fëmijëve që u është mësuar një kuptueshmëri e shkrimeve të shenjta herët në jetë, do të arrijnë ta njohin shtegun në të cilin duhet të ecin dhe do të jenë më të prirur të qëndrojnë në atë shteg. Ata që dalin jashtë rrugës së drejtë, do të kenë aftësinë të kthehen dhe, me ndihmë, mund ta gjejnë rrugën e tyre të kthimit.

Bijtë e Mosias luftuan kundër Kishës për njëfarë kohe, por më vonë u penduan dhe iu nënshtruan një ndryshimi dramatik. Tek Alma lexojmë: “Këta djem të Mosias … ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë”7.

Presidenti Jozef F. Smith ishte pesë vjeç kur i ati, Hajrëmi, u vra në burgun e Kartheixhit. Më vonë, Jozefi përshkoi rrafshinat me nënën e tij të ve.

Në moshën 15 vjeç, ai u thirr në mision për në Havai. Ai u ndje i humbur e i vetmuar dhe tha: “Isha mjaft i brengosur. … U ndjeva si të isha kaq i zhytur në gjendjen time të varfërisë, mungesës së inteligjencës e njohurisë, thjesht si djalosh, sa as që guxoja ta shihja [ndonjë njeri] në sy.”

Një natë, teksa përsiaste gjendjen e tij të vështirë, Jozefi i ri ëndërroi sikur ishte në një udhëtim, duke u ngutur aq shpejt sa ia lejonte mundësia. Ai mbante me vete një bohçe të vogël. Më në fund, arriti tek një pallat i mrekullueshëm që ishte vendmbërritja e përcaktuar e tij. Ndërsa u qas, pa një shenjë që thoshte: “Banjë”. Sakaq ai u fut dhe u la. Hapi bohçen e tij të vogël dhe gjeti rroba të pastra, të bardha – “një gjë”, tha ai, “që nuk e kisha parë prej shumë kohësh.” I veshi dhe nxitoi për te dera e pallatit.

“Trokita”, tha ai, “e dera u hap, dhe burri që qëndronte atje në këmbë ishte Profeti Jozef Smith. Ai më pa disi qortueshëm dhe fjalët e para që tha [ishin]: ‘Jozef, je vonë’. Sidoqoftë, unë pata vetëbesim dhe thashë:

‘Po, por jam i pastër – jam i pastër!’”8

Dhe po kështu mund të jetë për secilin prej nesh.

Nëse keni filluar në një udhë besimi dhe aktivizimi në Kishë, qëndroni në udhë dhe mbajini besëlidhjet tuaja. Vazhdoni përpara deri në kohën kur bekimet e Zotit do t’ju vijnë ju dhe Fryma e Shenjtë do të zbulohet si një forcë nxitëse në jetën tuaj.

Nëse tani jeni në një udhë që ju çon larg nga udha e përvijuar në shkrimet e shenjta, më lejoni t’ju siguroj se ka një rrugë kthimi.

Jezu Krishti ka përshkruar një mënyrë shumë të qartë që ne të pendohemi dhe të gjejmë shërim në jetën tonë. Mjekimi për shumicën e gabimeve mund të gjendet duke kërkuar falje përmes lutjes vetjake. Mirëpo, ka disa sëmundje shpirtërore, veçanërisht ato që lidhen me shkeljet e ligjit moral, të cilat patjetër kërkojnë ndihmën dhe trajtimin nga një mjek i kualifikuar shpirtëror.

Vite më parë, në zyrë më erdhi një e re dhe i ati i saj i moshuar. Ajo e kishte sjellë atë prej disa qindra miljesh larg që të gjente shërim për fajin që ndiente. Kur qe i ri, kishte bërë një gabim të rëndë dhe në moshën e tij të thyer, iu kthye në mendje [ai] kujtim. Ai nuk mund ta shkundte tej ndjenjën e fajit. Ai nuk mund të kthehej dhe ta zhbënte vetë problemin e rinisë së tij, por ai mund t’ia niste aty ku ishte dhe, me ndihmë, ta fshinte fajin që e kishte ndjekur tërë ato vite.

Isha mirënjohës që, duke i mësuar atij parimet nga Libri i Mormonit, ishte sikur një barrë e tmerrshme iu hoq nga supet. Kur ai dhe e bija u kthyen me makinë për në shtëpi për gjithë ato milje, burri i moshuar e kishte lënë pas fajin e shkeljes së shkuar.

Nëse “zgjoheni nga ndjenja e gjendjes suaj të tmerrshme”9 dhe dëshironi të ktheheni në shëndet të plotë shpirtëror, takoni peshkopin tuaj. Ai mban çelësat dhe mund t’ju ndihmojë përgjatë shtegut të pendimit.

Pendimi është individual, po kështu dhe falja. Zoti kërkon vetëm që një njeri të largohet nga mëkati vetjak dhe “[Ai] do ta falë paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj[ë] më mëkatin e tyre”10.

Ndërsa përfundohet procesi i pendimit, ju do të arrini ta kuptoni domethënien e premtimit të Isaias rreth Shlyerjes: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi”11.

Ashtu si shkumësi mund të fshihet nga dërrasa e zezë, me pendim të sinqertë pasojat e shkeljes sonë mund të shuhen përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai premtim gjen zbatim në çdo rast.

Ungjilli na mëson të jemi të lumtur, të kemi besim më shumë sesa frikë, të gjejmë shpresë dhe ta mposhtim dëshpërimin, ta lëmë errësirën dhe të kthehemi drejt dritës së ungjillit të përhershëm.

Pali dhe të tjerët na paralajmëruan për sprovat e kohës sonë dhe ditët që ende do të vijnë. Por paqja mund të qëndrojë në zemrën e çdokujt që iu drejtohet shkrimeve të shenjta dhe zbulon premtimet e mbrojtjes dhe të shlyerjes që na mësohen aty. Ne i ftojmë të gjithë të kthehen te Shpëtimtari Jezu Krisht, te mësimet e Tij siç gjenden në Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe.

Unë jap dëshmi të sigurt për shkrimet e shenjta si një çelës për mbrojtjen tonë shpirtërore. Unë jap dëshmi edhe për fuqinë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit, “se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen”12. Kisha e Zotit është ngritur në tokë përsëri. Për vërtetësinë e ungjillit jap dëshmi. Për Të unë jam dëshmitar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.