Doktrinat dhe Parimet që Përmbahen në Nenet e Besimit
Çdo nen i besimit i shton vlerë të veçantë të kuptuarit tonë për ungjillin e Jezu Krishtit.
Kur m’u caktua detyra për të folur në sesionin e priftërisë të konferencës së përgjithshme, mendova menjëherë për një mësuese të mrekullueshme të Fillores. Dëshira e saj e madhe ishte që të na përgatiste për të qenë të denjë për marrjen e priftërisë. Ajo na pyeste pa pushim lidhur me kërkesat, dikur në vend të diplomimit nga Fillorja – të mësonim përmendsh emrat e anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Nenet e Besimit. Ajo na bëri gjithashtu një premtim – nëse ne të gjithë do të mund të thonim përmendsh të trembëdhjetë Nenet e Besimit, ne mund ta zgjidhnim vendin dhe të shkonim në një ekskursion për orën tonë të fundit mësimore.
Ne vendosëm për një vend të veçantë që na pëlqente për marshime në shpatet shkëmbore, pikërisht sipër digës së parë në hyrje të kanionit të Loganit, në veri të Jutas. Një hapësirë e vogël dhe e rrafshët gjendej në këto rrëpira shkëmbore që kishte një vend natyror për të bërë zjarr, ku mund të piqnit sallam dhe mafishe. Megjithatë, kur e zgjodhëm vendin, ne nuk e morëm parasysh mësuesen tonë, e cila ishte e moshuar dhe sigurisht jo një tip sportiv. Nëse do të kishim menduar për atë më me kujdes, duhej të na kishte shkuar në mendje se ajo do të kishte vështirësi për ta bërë marshimin. Mirëpo premtimi i saj ishte marrëveshja e saj dhe ajo na ndoqi me guxim.
Së pari, ne iu ngjitëm kodrinës. Në kohën tonë nuk kishte tela elektrikë për të parandaluar hyrjen atje. Me pak ndihmë, mësuesja jonë ia doli t’i ngjitej kodrinës. Pasi arritëm në majë, ne zbritëm në një kreshtë shkëmbore për te një vend që e quanim “Kurrizi i Breshkës”.
Pasi arritëm, mësueses sonë iu desh pak kohë për të marrë frymë më me lehtësi. Ndërkohë që u përgatitëm për t’u ulur dhe për të ngrënë, ajo e kishte marrë veten mjaftueshëm për të na mësuar mësimin e fundit. Ajo na tha se sa shumë ishte kënaqur që na kishte dhënë mësim në Fillore në dy vitet e fundit. Ajo na përgëzoi për mënyrën se si i kishim përvetësuar Nenet e Besimit. Ajo mund të zgjidhte cilindo numër prej tyre dhe ne mund t’ia citonim asaj përsëri. Më pas ajo tha se mësimi përmendsh i Neneve të Besimit nuk do të thoshte asgjë më shumë sesa disa fjalë, në qoftë se nuk i kuptonim doktrinat dhe parimet që përmbaheshin në to. Ajo na nxiti ta studionim doktrinën e ungjillit të dhënë mësim në secilin Nen të Besimit. Ajo na shpjegoi se doktrina e gjendur te Nenet e Besimit ishte e ndarë në pjesë.
I. Kreu-Perëndi dhe Doktrina Themelore e Krishtit
Ne mësojmë nga neni i parë i besimit se Kreu-Perëndi është tre persona: Perëndia, Ati; Jezusi, Krishti; dhe Fryma e Shenjtë.
Neni i dytë na mëson se ne jemi përgjegjës për vetë veprimet tona në tokë.
I treti jep një këndvështrim të misionit të Shpëtimtarit për shpëtimin e fëmijëve të Atit në Qiell.
I katërti na mëson rëndësinë e parimeve dhe ordinancave themelore.
Fuqia e fjalëve të mësueses sonë ka qenë një burim frymëzimi për mua, për shkak të theksit që ajo vuri mbi studimin e ungjillit. Shkrimet e shenjta na drejtojnë te një standard i së vërtetës me anë të të cilit ne mund të gjykojmë njohurinë që po marrim, nëse është e vërtetë apo e rreme. Doktrina e vërtetë vjen nga Perëndia, burimi dhe themeli i gjithë të vërtetave. Mësimet dhe konceptet e doktrinës së vërtetë gjenden në ungjillin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Mësimet e rreme vijnë nga Satani, ati i gjithë gënjeshtrave. Dëshira e tij është që të shtrembërojë, ndryshojë dhe tjetërsojë të vërtetat e zbuluara. Ai dëshiron të na mashtrojë, kështu që disa prej nesh do ta humbasin rrugën tonë përgjatë udhëtimit të kthimit për te shtëpia jonë qiellore.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se si t’i shmangim mësimet e rreme. Për shembull, në letrën e Palit drejtuar Timoteut, ne lexojmë:
“I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,
që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:16–17).
Kjo doktrinë është për Kishën ashtu si është një bateri për celularin. Kur e hiqni baterinë nga celulari juaj, ai bëhet i papërdorshëm. Një kishë, në të cilën nuk mësohet më doktrina e vërtetë, është po ashtu e padobishme. Ajo nuk mund të na udhëheqë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor dhe shtëpia jonë e përjetshme.
II. Organizimi dhe Urdhri i Priftërisë
Pasi fillojmë ta kuptojmë doktrinën themelore të Krishtit, neni i pestë dhe i gjashtë i besimit na mësojnë për organizimin dhe urdhrin e priftërisë. Nën drejtimin e Zotit, Jozef Smithi organizoi Kishën e Shpëtimtarit duke përdorur autoritetin e priftërisë – fuqinë e Perëndisë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e njëjta organizatë që Krishti organizoi dhe drejtoi kur ishte në tokë.
Ç’ditë e lavdishme ishte për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin në maj të 1829-ës, kur ata shkuan në pyll për t’u lutur rreth doktrinës së pagëzimit për heqjen e mëkateve, që ata e kishin lexuar ndërsa përkthenin Librin e Mormonit! Në fillimet e 1800-ës kishte shumë mësime rreth pagëzimit që mësoheshin nga kisha të ndryshme, dhe Jozefi e Oliveri e dinin se nuk mund të ishin të gjitha të vërteta. Ata donin të dinin rreth mënyrës së saktë të pagëzimit dhe gjithashtu se kush e kishte autoritetin për të pagëzuar.
Në përgjigje të lutjeve të tyre drejtuar Zotit, një lajmëtar nga qielli, Gjon Pagëzori, iu shfaq atyre. Ai i vendosi duart e tij mbi kokat e tyre dhe u dha atyre autoritetin për të pagëzuar me këto fjalë: “Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit” (DeB 13:1).
Ç’ditë e mrekullueshme në historinë e botës! Priftëria u rivendos në tokë.
Kur marrim priftërinë, ne marrim autoritetin për të vepruar në emrin e Perëndisë dhe për të udhëhequr në udhët e së vërtetës dhe të drejtësisë. Ky autoritet është një burim jetik i fuqisë dhe ndikimit të drejtë për përfitimin e fëmijëve të Perëndisë në tokë dhe do të zgjasë përtej velit. Ishte e nevojshme që priftëria të rivendosej përpara se të mund të organizohej Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Ky është mësimi themelor që mësojmë nga nenet e pestë dhe të gjashtë të besimit.
III. Burime të Përjetshme në një Udhëtim në Vdekshmëri
Tre nenet vijuese të besimit – shtatë, tetë dhe nëntë – përvijojnë burime që janë të gjindshme për të na udhëzuar në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Neve na janë dhënë dhurata shpirtërore që të na udhëheqin ndërsa ndjekim mësimet e Zotit dhe që të na mbrojnë nga e liga. Shkrimet e shenjta janë një tjetër udhëzues; nëse e lexojmë me kujdes fjalën e Perëndisë, Ai do të zbulojë shtegun tonë drejt jetës së përjetshme.
Neni i nëntë i besimit na mëson se Perëndia ka zbuluar, vërtet zbulon dhe do t’iu zbulojë në të ardhmen shumë të vërteta të mëdha e të rëndësishme profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij. Ne mësojmë se, përveç dëgjimit të zërit të qetë e të vogël të Shpirtit dhe leximit të shkrimeve të shenjta, një tjetër burim udhëzimi janë udhëheqësit e Kishës, të cilët zgjidhen, thirren dhe veçohen për ta bekuar jetën tonë nëpërmjet mësimeve që na japin.
IV. Misionarët Anëtarë
Nenet e dhjetë, të njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të besimit na udhëzojnë se si të bëjmë punë misionare dhe ta ndajmë ungjillin në një botë me shumë kombe dhe ligje të ndryshme. Ne mësojmë rreth mbledhjes së Izraelit në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ne udhëzohemi se burrat dhe gratë janë veprues për vete dhe se ata mund ta pranojnë ose ta hedhin poshtë fjalën e Perëndisë sipas vetë ndërgjegjjes së tyre. Së fundi, mësojmë se, ndërsa e shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit në të katër skajet e tokës, ne duhet të respektojmë qeveritë e çdo kombi ku hyjmë. Me të vërtetë, ne besojmë në bindjen ndaj ligjit të çdo vendi, në nderimin dhe mbështetjen e tij.
V. Cilësi për t’u Synuar
Neni i trembëdhjetë i besimit jep një këndvështrim të veçantë se si duhet ta drejtojmë jetën tonë dhe si ta paraqesim veten. Aty thuhet: “Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve; në të vërtetë, ne mund të themi se ndjekim këshillën e Palit – Ne besojmë të gjitha gjërat, ne shpresojmë të gjitha gjërat, ne i kemi duruar të gjitha gjërat dhe shpresojmë të jemi në gjendje t’i durojmë të gjitha gjërat. Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra.”
Të gjithë ne duhet të synojmë mishërimin e këtyre cilësive dhe të jetojmë jetë që i shfaqin ato. Të vërtetat e mësuara te Nenet e Besimit ndërtohen mbi njëra-tjetrën, ashtu si pjesët përbërëse të një celulari e mbështesin në mënyrë të ndërsjelltë njëra-tjetrën. Ashtu si procesi prodhues i detajuar që i shton pjesë përbërëse një celulari, Nenet e Besimit na furnizojnë me doktrinat kyçe të Rivendosjes. Çdo nen i besimit i shton vlerë të veçantë të kuptuarit tonë për ungjillin e Jezu Krishtit.
Mësuesja ime e Fillores nguliti tek unë vendosmërinë për t’i studiuar doktrinat e mbretërisë. Ajo më mësoi të kërkoj kuptimin e thellë që përmbahet në këto Nene të thjeshta të Besimit. Ajo më premtoi se, nëse do të investoja në të mësuarit e këtyre të vërtetave të shenjta, njohuria që do të merrja, do ta ndryshonte jetën time për më mirë dhe ju dëshmoj se e ka ndryshuar.
Pas mësimit të mrekullueshëm të mësueses sime në atë mal në kanionin e Loganit, ne vumë re se kishim qëndruar pak më shumë sesa e kishim planifikuar. Po afrohej mbrëmja dhe e kuptuam se kishim një problem.
Mësuesja ime kishte pasur vështirësi të arrinte te vendi ynë i veçantë, por kthimi paraqiste një sfidë madhore për ne. Kjo e bëri më të gabuar përzgjedhjen tonë për të shkuar në atë vend për ekskursion. Zbritja ishte e vështirë për ne, por edhe më shumë për një njeri në moshën e saj.
Ndërsa po përpiqeshim që ta ndihmonim për të zbritur kodrinën, u shfaqën dy policë. Presidentja e Fillores i kishte dërguar për të na gjetur, me frikën se kishim humbur. Ngjarja dramatike dhe mësimet e dhëna e bënë atë një përvojë të paharrueshme në jetën time.
Ju të rinj – unë ju nxis t’i përdorni mendjet tuaja të ndritura për të studiuar dhe mësuar Nenet e Besimit dhe doktrinat që na mësojnë. Ato janë midis deklarimeve më të rëndësishme dhe me siguri më të sakta të doktrinës në Kishë. Nëse do t’i përdorni si udhëzues për të drejtuar studimet tuaja të ungjillit të Jezu Krishtit, ju do ta gjeni veten tuaj të përgatitur për t’i shpallur botës dëshminë tuaj për të vërtetën e rivendosur. Ju do të jeni në gjendje të deklaroni në mënyra të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe të thella bindjet kryesore që i çmoni shumë si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Unë shtoj dëshminë time për vërtetësinë e trembëdhjetë Neneve të Besimit, në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.