2012
Shlyerja
Nëntor 2012


Shlyerja

President Boyd K. Packer

Kudo që mund të shkojnë anëtarët dhe misionarët tanë, mesazhi ynë është ai i besimit dhe i shpresës te Shpëtimtari Jezu Krisht.

Mesazhi im u drejtohet atyre midis nesh që po vuajnë, ngaqë janë rënduar me faj dhe dobësi e dështim, dhembje e dëshpërim.

Në vitin 1971, u caktova në konferencat e kunjeve në Samoan Perëndimore, përfshirë organizimin e një kunji të ri në ishullin Upolu. Pas disa intervistave, ne morëm me qira një aeroplan të vogël për në ishullin Savai, për të mbajtur një konferencë kunji atje. Aeroplani u ul në një fushë me bar në Faala dhe duhej të kthehej të nesërmen pasdite për të na kthyer në ishullin Upolu.

Ditën që duhej të ktheheshim nga Savai, po binte shi. Duke e ditur që aeroplani nuk mund të ulej në fushën e lagur, ne u drejtuam me makinë në anën perëndimore të ishullit, ku qe një lloj piste në majë të një brezi të ngushtë koralesh. Ne pritëm deri në të ngrysur, por nuk erdhi asnjë aeroplan. Më në fund, mësuam nëpërmjet radios se kishte ndodhur një stuhi dhe se aeroplani nuk mund të nisej. Ne iu kthyem një mesazh nëpërmjet radios se do të vinim me anije. Dikush duhej të na takonte në Mulifanu.

Ndërsa u nisëm nga porti i Savait, kapiteni i anijes 12 metërshe e pyeti presidentin e misionit nëse kishte një elektrik dore. Fatmirësisht, ai e kishte dhe ia bëri dhuratë kapitenit. Ne përshkuam kalimin prej 21 kilometrash për në ishullin Upolu në një det shumë të trazuar. Asnjëri prej nesh nuk e kuptoi se një stuhi e egër tropikale e kishte goditur ishullin dhe ne po shkonim drejt e në të.

Ne mbërritëm në skelën e Mulifanit. Qe vetëm një kalim i ngushtë nëpër të cilin duhej të kalonim përgjatë shkëmbinjve nënujorë. Kalimi i ngushtë bëhej i dukshëm nga drita në kodrën sipër plazhit dhe nga një dritë tjetër më e ulët. Kur anija manovrohej në mënyrë që të dyja dritat të ishin njëra mbi tjetrën, anija drejtohej siç duhej për të kaluar përmes shkëmbinjve të rrezikshëm që vijëzonin kalimin.

Por atë natë kishte vetëm një dritë. Dy misionarë po prisnin në vendin e zbarkimit për të na takuar, por për të kaluar nga ana tjetër u desh më shumë kohë se zakonisht. Pasi vëzhguan me orë të tëra për ndonjë shenjë të anijes tonë, misionarët u lodhën dhe i zuri gjumi, duke neglizhuar ndezjen e dritës së dytë, dritën më të ulët. Për pasojë, kalimi mes shkëmbinjve nënujorë nuk qe i qartë.

Kapiteni e manovroi anijen aq mirë sa mundi në drejtim të dritës së vetme të mësipërme në breg, ndërsa një pjesëtar i ekuipazhit mbante mbi kiç elektrikun e dorës të marrë hua duke kontrolluar përpara për shkëmbinj. Ne mund të dëgjonim dallgët duke u përplasur mbi shkëmbinjtë nënujorë. Kur ishim aq pranë sa duhej për t’i parë ata me elektrikun e dorës, kapiteni bënte thirrje me furi për t’u rrotulluar dhe kthehej mbrapsht me qëllim që të përpiqej sërish për të gjetur kalimin.

Pas shumë përpjekjesh, ai e kuptoi se do të ishte e pamundur ta gjente kalimin. Gjithçka që mund të bënim, ishte të përpiqeshim të arrinim skelën e Apias, që ishte 64 kilometra larg. Ne ishim të pambrojtur kundër fuqisë së egër të stuhisë. Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë në një vend me aq errësirë.

Nuk bëmë gjë gjatë orës së parë, ndonëse motori ishte në maksimum. Anija do të luftonte me një dallgë vigane dhe më pas do të ndalonte në rraskapitje në majë të kreshtës me helikat jashtë ujit. Dridhja e helikave e tundte anijen aq shumë sa thuajse do ta ndante copash përpara se të futej poshtë anës tjetër.

Ne po rrinim të shtrirë mbi mbulesën e ngarkesës me krahët dhe këmbët e shtrira, duke i mbajtur duart tona në njërën anë dhe gishtat e këmbëve të mbërthyera në anën tjetër për t’u mbrojtur nga e lagura jashtë bordit. Vëllai Mark Litëllford e humbi kontrollin dhe u përplas në parmakun e poshtëm prej hekuri. Çau kokën, por parmaku nuk e la që ta rrëmbente dallga.

Përfundimisht, bëmë përpara dhe afër agimit më në fund u futëm në skelën në Apia. Anijet qenë lidhur me litar me njëra-tjetrën për siguri. Skela qe plotësisht e bllokuar nga këto anije. Ne u zvarritëm mbi to, duke u përpjekur që të mos i shqetësonim ata që po flinin në kuvertën e anijes. Arritëm në Pesega, thamë rrobat dhe u drejtuam për në Vailutai për të organizuar kunjin e ri.

Nuk e di se kush kishte qenë duke na pritur në plazhin në Mulifanu. Nuk pranova që të ma tregonin. Por është e vërtetë që pa dritën më të ulët, ne të gjithë mund të kishim vdekur.

Në librin tonë të himneve është një himn shumë i vjetër dhe rrallëherë i kënduar që ka pasur domethënie të veçantë për mua.

Shkëlqen shndritshëm mëshira e Atit tonë

Nga fari i Tij gjithmonë,

Por për ndezjen e dritave përpara bregut

Përgjegjësinë neve na e ka lënë.

Dritat më të ulëta le të ndriçojnë;

Një dritë të vogël matanë dallgëve dërgo.

Disa detarë të shkretë, të drobitur

Ti mund t’i shpëtosh, Ti mund t’i mbrosh.

Errësira e natës së mëkatit ka ardhur;

Gjëmon fort deti i tërbuar.

Sytë e etur janë duke parë, duke u malluar,

Për dritat përgjatë bregut.

Kujdesu për dritat e ulëta, vëlla;

Disa lundërtarë fatkeq, të bllokuar në stuhi,

Që për te porti përpiqen të çajnë,

Në errësirë mund të humbasin.1

Sot u flas atyre që mund të kenë humbur, dhe po kërkojnë atë dritë më të ulët që t’i ndihmojë për t’i drejtuar të kthehen.

Ne e kuptuam që në fillim se në vdekshmëri nuk do të mund të ishim të përsosur. Nuk pritej që ne do të jetonim pa shkelur një ligj apo një tjetër.

“Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot.”2

Nga Perla me Vlerë të Madhe, ne kuptojmë se “asgjë e papastër nuk mund të banojë [në mbretërinë e Perëndisë]”3, dhe kështu që u sigurua një mënyrë që të gjithë ata që mëkatojnë të pendohen dhe të bëhen sërish të denjë për praninë e Atit tonë në Qiell.

U zgjodh një Ndërmjetës, një Shëlbues, dikush që do ta jetonte jetën e Tij përsosmërisht, nuk do të bënte mëkat dhe do ta ofronte “veten si sakrificë për mëkatin, për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit, për të gjithë ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar; dhe për askënd tjetër nuk mund të plotësohen kërkesat e ligjit”4.

Lidhur me rëndësinë e Shlyerjes, tek Alma mësojmë: “Pasi është e nevojshme që një shlyerje duhet bërë; … përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër”5.

Nëse nuk keni bërë asnjë gabim, atëherë nuk keni nevojë për Shlyerjen. Nëse keni bërë gabime, dhe secili prej nesh ka bërë, qoftë të vogla apo serioze, atëherë keni nevojë të pamasë për të zbuluar se si ato mund të fshihen në mënyrë që të mos jeni më në errësirë.

“[Jezu Krishti] është drita dhe jeta e botës.”6 Kur e përqendrojmë vështrimin te mësimet e Tij, ne do të drejtohemi për në portin e sigurisë shpirtërore.

Neni i tretë i besimit shpall: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”7.

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim: “Njerëzit nuk mund t’i falin vetë mëkatet e tyre; ata nuk mund ta pastrojnë veten nga pasojat e mëkateve të tyre. Njerëzit mund të reshtin së mëkatuari dhe mund të bëjnë atë që është e drejtë në të ardhmen, dhe [për] aq sa veprimet e tyre të jenë të pranueshme përpara Zotit, ata [bëhen] të denjë për t’u marrë në konsideratë. Por kush do t’i ndreqë gabimet që ata i kanë bërë vetes dhe të tjerëve, që duket e pamundur që ata t’i ndreqin vetë? Nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit mëkatet e të penduarit do të pastrohen; sikur të jenë të kuqe purpur, do të bëhen të bardha si leshi [shih Isaia 1:18]. Ky është premtimi i dhënë për ne.”8

Ne nuk e dimë me saktësi se si Zoti e kreu Shlyerjen. Por ne vërtet dimë se tortura mizore e kryqëzimit qe vetëm një pjesë e dhembjes së tmerrshme që filloi në Gjetseman – ai vend i shenjtë i vuajtjes – dhe përfundoi në Golgota.

Lluka shënon:

“Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,

duke thënë: ‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti’.

Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë.

Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.”9

Me aq sa kam qenë në gjendje të kuptoj, ka vetëm një rrëfim me fjalët e vetë Shpëtimtarit që përshkruan atë që Ai duroi në Kopshtin e Gjetsemanit. Zbulesa shënon:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por.”10

Do të ketë periudha, gjatë jetës suaj, kur keni shkuar në vende ku nuk duhej të kishit shkuar asnjëherë dhe keni bërë gjëra që nuk duhej t’i kishit bërë kurrë. Nëse do të largoheni nga mëkati, ju do të jeni në gjendje që një ditë ta njihni paqen që vjen nga ndjekja e shtegut të pendimit të plotë.

Pavarësisht se cilat kanë qenë shkeljet tona, pavarësisht se sa shumë mund të jenë lënduar të tjerët nga veprimet tona, ai faj mund të harrohet i gjithi. Për mua, ndoshta fraza më e bukur në të gjithë shkrimin e shenjtë është kur Zoti tha: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”11.

Ky është qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit dhe i Shlyerjes: të marrë këdo që vjen, këdo që do të bashkohet dhe t’i bëjë të kalojnë përmes një përvoje në mënyrë që në fund të jetës së tyre, ata të mund ta kalojnë velin duke qenë të penduar për mëkatet e tyre dhe duke qenë të pastruar përmes gjakut të Krishtit.12

Kjo është ajo që shenjtorët e ditëve të mëvonshme bëjnë anekënd botës. Kjo është Drita që ne iu ofrojmë atyre që janë në errësirë dhe që kanë humbur rrugën. Kudo që mund të shkojnë anëtarët dhe misionarët tanë, mesazhi ynë është ai i besimit dhe i shpresës te Shpëtimtari Jezu Krisht.

Presidenti Jozef Filding Smith shkroi tekstin e himnit “Does the Journey Seem Long?” [“I Gjatë, Udhëtimi, a Duket?”] Ai ishte një mik i im i dashur. Himni përmban inkurajim dhe një premtim ndaj atyre që kërkojnë të ndjekin mësimet e Shpëtimtarit:

I gjatë, udhëtimi, a duket,

A rrugët të vështira e të rrëpirëta?

A ka shqopa dhe gjemba përgjatë rrugës?

Gurët e mprehtë, këmbët, a t’i çajnë

Teksa orvatesh të ngrihesh

Në lartësitë përmes nxehtësisë së ditës?

Zemrën, a e ke të dobët e të trishtë,

Shpirti yt i lëshuar a është,

Teksa mundohesh nën barrën e kujdesit?

Barra e rëndë a duket

A je i detyruar që të ngjitesh?

A nuk ke ndokënd që barrën të ndash?

Zemrën mos e lejo të ligështohet

Tani që udhëtimin fillove;

Është Dikush që thirrje ende të bën.

Ndaj shih lart me gëzim

Dhe mbahu pas dorës së Tij;

Ai do të drejtojë për në lartësitë që janë të reja -

Në një tokë të shenjtë e të pastër,

Ku gjithë shqetësimet përfundojnë,

Dhe jeta jote do të çlirohet nga të gjitha mëkatet,

Ku asnjë lot nuk do të derdhet,

Pasi asnjë hidhërim s’do mbetet.

Dorën e Tij merr dhe hyr bashkë me Të.13

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.