2012
Së Pari Vëzhgoni, Pastaj Shërbeni
Nëntor 2012


Së Pari Vëzhgoni, Pastaj Shërbeni

Linda K. Burton

Me praktikë, secili prej nesh mund të bëhet më shumë si Shpëtimtari teksa u shërbejmë fëmijëve të Perëndisë.

Një nga treguesit më të mëdhenj që kemi, se profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson është shërbëtori i zgjedhur i Zotit, është që ai ka mësuar të ndjekë shembullin e Shpëtimtarit – duke u shërbyer [njerëzve] personalisht, një e nga një. Ata prej nesh që kanë hyrë në ujërat e pagëzimit, kanë bërë besëlidhje për të bërë të njëjtën gjë. Ne kemi bërë besëlidhje që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë [Shpëtimtarin] e të zbatoj[m]ë urdhërimet [e Tij]”1 dhe Ai ka thënë: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”2.

Vini re se si fjalët vijuese nga Presidenti Monson përfshijnë po të njëjtën ftesë: “Ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, dashamirësinë tonë. … Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.”3

A e dëgjuat atë – ftesën për ta dashur njëri-tjetrin? Për disa, shërbimi ose shërbesa një për një, duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, nuk vjen lehtësisht. Por me praktikë, secili prej nesh mund të bëhet më shumë si Shpëtimtari teksa u shërbejmë fëmijëve të Perëndisë. Do të dëshiroja të sugjeroja pesë fjalë për t’u mbajtur mend që të na ndihmojnë ta duam më shumë njëri-tjetrin: “Së pari vëzhgoni, pastaj shërbeni”.

Pothuajse 40 vjet më parë, bashkëshorti im dhe unë, shkuam në tempull për takimin tonë të së premtes mbrëma. Ne kishim qenë të martuar vetëm për një kohë të shkurtër dhe ndihesha në siklet sepse kjo ishte vetëm hera e dytë që e vizitoja tempullin si e sapomartuar. Një motër, që qe ulur pranë meje, duhet ta ketë vënë re. Ajo u përkul dhe më pëshpëriti me nderim: “Mos u shqetëso. Unë do të të ndihmoj.” Frika ime u qetësua dhe unë qeshë në gjendje ta shijoja pjesën tjetër të sesionit të tempullit. Ajo më parë vëzhgoi, pastaj shërbeu.

Ne ftohemi të gjithë që të ndjekim mësimet e Jezusit dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Kjo ftesë nuk është e kufizuar vetëm për motrat engjëllore. Teksa tregoj disa shembuj të jetës së përditshme rreth anëtarëve që kanë mësuar të vëzhgojnë e më pas të shërbejnë, dëgjoni për të gjetur mësimet e Jezusit që ata ilustrojnë.

Një fëmijë gjashtë vjeçar i Fillores tha: “Kur u zgjodha të isha ndihmësi i klasës, unë mund të zgjidhja një shok që të punonte me mua. Zgjodha [një djalë në klasën time që më ngacmonte] sepse ai nuk zgjidhej kurrë nga të tjerët. Unë dëshiroja që ta bëja të ndihej mirë.”4

Çfarë vëzhgoi ky fëmijë? Ai vuri re se ngacmuesi i klasës nuk zgjidhej asnjëherë. Çfarë bëri ai për të shërbyer? Ai thjesht e zgjodhi atë që të ishte shoku i tij si ndihmës i klasës. Jezusi dha mësim: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë”5.

Në një lagje, mbajtësit e Priftërisë Aarone së pari vëzhguan dhe tani shërbejnë në një mënyrë kuptimplote. Çdo javë, të rinjtë mbërrijnë herët dhe qëndrojnë jashtë shtëpisë së mbledhjes, në shi, në dëborë, ose në të nxehtin përvëlues, duke pritur mbërritjen e shumë anëtarëve të moshuar në lagjen e tyre. Ata nxjerrin karroca dhe këmbësore invalidësh jashtë makinave, sigurojnë krahë të fuqishëm për të shtrënguar dhe shoqërojnë të moshuar me flokë të argjendtë brenda në ndërtesë. Ata janë me të vërtetë duke e plotësuar detyrën e tyre ndaj Perëndisë. Teksa vëzhgojnë dhe pastaj shërbejnë, ata janë shembuj të gjallë të mësimit të Shpëtimtarit: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”6. Teksa zbatohet programi i ri mësimor i rinisë, sytë e këtyre të rinjve do të jenë pa dyshim të hapur ndaj edhe më shumë mundësive për të shërbyer sipas mënyrës së Krishtit.

Vëzhgimi dhe shërbimi ndonjëherë kërkojnë përpjekje të madhe. Një e re e frymëzuar e quajtur Aleksandria vuri re se kushërira e saj, Medisoni, nuk qe në gjendje t’i plotësonte kërkesat e Përparimit të saj Personal pasi vuante nga një autizëm i rëndë. Aleksandria e mori të renë në lagjen e saj, u këshillua me udhëheqësit e saj dhe vendosën të bënin diçka për Medin që ajo nuk mund ta bënte vetë. Secila prej të rejave përfundoi një pjesëz të veprimtarive dhe të projekteve të Përparimit Personal në emër të saj që t’i jepnin Medit mundësinë për të marrë medalionin e saj.7

Këto të reja do të përparojnë për në rolet e mëmësisë dhe të motërisë së Shoqatës së Ndihmës sepse ato po mësojnë të vëzhgojnë dhe pastaj të shërbejnë në mënyra të dashura.

Presidenti Monson na ka kujtuar se dashuria hyjnore, “dashuria e pastër e Krishtit”8 – ose me fjalë të tjera vëzhgimi dhe shërbimi – “është e dukshme kur njerëzit kujtohen për një vejushë të moshuar dhe e caktojnë në role të lagjes” dhe “kur motra që ulet vetëm në Shoqatën e Ndihmës merr ftesën: ‘Eja – ulu pranë nesh’”9. Këtu zbatohet rregulla e artë: “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre”10.

Një bashkëshort vëzhgues shërbeu në dy mënyra të rëndësishme. Ai tregon:

“Po e ndihmoja bashkëshorten time një të diel në klasën e saj të Fillores plot me shtatë vjeçarë energjikë. Kur filloi koha e përbashkët e Fillores, vura re se një nga anëtaret e klasës u ngjesh pas karriges dhe dukej që nuk ndihej mirë. Shpirti më pëshpëriti se ajo kishte nevojë për lehtësim, kështu që u ula pranë saj dhe e pyeta qetësisht se çfarë nuk shkonte. Ajo nuk u përgjigj … , ndaj fillova t’i këndoja ëmbëlsisht.

Fillorja po mësonte një këngë të re dhe kur kënduam vargjet: ‘E, nëse me zemër dëgjoj, Shpëtimtari po flet’, nisa të ndieja dritën dhe ngrohtësinë më të pabesueshme të më mbushte shpirtin. … Mora një dëshmi vetjake për dashurinë e Shpëtimtarit tonë për të … dhe për mua. … Mësova se ne jemi duart [e Shpëtimtarit] kur i shërbejmë individit.”11

Ky vëlla i ngjashëm me Krishtin, jo vetëm që e vuri re nevojën për ta ndihmuar bashkëshorten e tij me një klasë plot me shtatë vjeçarë; ai i bëri edhe shërbim individual një fëmije në nevojë. Ai ndoqi Shpëtimtarin i cili dha mësim: “Pasi atë që më keni parë të bëj, madje atë duhet të bëni ju”12.

Kohët e fundit një përmbytje krijoi shumë mundësi që dishepujt e Jezu Krishtit së pari të vëzhgonin dhe më pas të shërbenin. Burra, gra, adoleshentë dhe fëmijë panë biznese e shtëpi të shkatërruara dhe lanë gjithçka që të ndihmonin për t’i pastruar e për t’i riparuar godinat e dëmtuara. Disa panë nevojën për të ndihmuar me detyrën mbingarkuese të larjes së rrobave. Të tjerë pastruan me merak fotografi, dokumente ligjore, letra dhe materiale të tjera të rëndësishme në letër, më pas i varën me kujdes që të thaheshin për të ruajtur çfarëdo që mundeshin. Vëzhgimi dhe më pas shërbimi nuk është gjithnjë i leverdisshëm dhe nuk u përshtatet përherë orareve tona.

Cili është vendi më i mirë për të vëzhguar së pari e më pas për të shërbyer se sa në shtëpi? Një shembull nga jeta e Plakut Riçard G. Skot ilustron:

“Një natë, djali ynë i vogël, Riçardi, që kishte një problem zemre, u zgjua duke qarë. … Normalisht, gruaja ime ngrihej gjithmonë që të kujdesej për foshnjën që qante, por këtë herë unë thashë: ‘Do të kujdesem unë për të’.

Për shkak të problemit të tij, kur fillonte të qante, zemra e tij e vogël do t’i rrihte shumë shpejt. Ai do ta nxirrte ç’kishte ngrënë dhe do të ndotëte mbulesat e shtratit. Atë natë e mbajta shumë pranë që të përpiqesha t’i qetësoja zemrën që i rrihte dhe ta pushoja së qari, ndërsa i ndërrova rrobat dhe vura shtresa të tjera shtrati. E mbajta derisa e zuri gjumi. Nuk e dija atëherë, se vetëm disa muaj më vonë, ai do të ndërronte jetë. Do ta kujtoj gjithmonë duke e mbajtur në krahë në mes të asaj nate.”13

Jezusi tha: “Secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj”14.

Ndonjëherë ne tundohemi për të shërbyer në mënyrën që ne dëshirojmë të shërbejmë, dhe jo domosdoshmërisht në mënyrën që nevojitet në moment. Kur Plaku Robert D. Hejls dha mësim parimin e të jetuarit me maturi, ai tregoi një shembull kur i bleu një dhuratë bashkëshortes së tij. Ajo e pyeti: “A po e blen këtë për mua apo për vete?”15 Nëse e përshtasim këtë pyetje me veten kur shërbejmë dhe të pyesim: “A po e bëj këtë shërbim për Shpëtimtarin, apo po e bëj për vete?” shërbimi ynë ka më tepër të ngjarë që t’i shëmbëllejë shërbesës së Shpëtimtarit. Shpëtimtari pyeti dhe kështu duhet të pyesim dhe ne: “Çfarë doni të bëj për ju?”16

Pak javë më parë, po nxitoja dhe isha e stresuar me shumë gjëra për të bërë në listën time. Pata shpresuar të shkoja në tempull atë ditë, por ndieva se isha tepër e zënë. Sapo më kaloi ndër mend mendimi i paftuar i të qenit tepër e zënë për shërbim në tempull, ai më kujtoi se çfarë kisha më shumë nevojë të bëja. Dola nga zyra për të ecur drejt Tempullit të Solt-Lejkut, duke pyetur veten nëse do ta rifitoja kohën që po humbisja. Fatmirësisht, Zoti është i duruar dhe mëshirëplotë dhe më dha një mësim të bukur atë ditë.

Kur u ula në dhomën e sesionit, një motër e re dhe e ëmbël m’u afrua dhe më pëshpëriti me nderim: “Jam shumë në siklet. Kjo është vetëm hera ime e dytë në tempull. A mund të më ndihmoni ju lutem?” Si mundi vallë ajo ta dinte se ato fjalë ishin pikërisht ato që kisha nevojë të dëgjoja? Ajo nuk e dinte, por Ati Qiellor e dinte. Ai e kishte vëzhguar nevojën time më të madhe. Unë kisha nevojë të shërbeja. Ai e nxiti këtë motër të re e të përulur që të më shërbente duke më ftuar t’i shërbeja. Ju siguroj se isha unë ajo që përfitoi më shumë.

I falënderoj me mirënjohje të thellë njerëzit e shumtë si Krishti që i kanë shërbyer familjes sonë përgjatë viteve. Unë i shpreh vlerësim veçanërisht bashkëshortit dhe familjes sime të dashur, që shërbejnë me vetmohim e me dashuri të madhe.

Synofshim të gjithë që së pari të vëzhgojmë, pastaj të shërbejmë. Unë dëshmoj se kur e bëjmë këtë, shërbimi ynë, si ai i Presidentit Monson, do të jetë tregues i dishepullimit tonë. E di se Shpëtimtari jeton. Shlyerja e Tij na mundëson t’i jetojmë mësimet e Tij. Unë e di se Presidenti Monson është profeti ynë sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  2. Gjoni 15:12.

  3. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 86.

  4. Canyon H., “A Good Choice”, Friend, janar 2012, f. 31.

  5. Mateu 5:44.

  6. Mateu 25:40.

  7. Shih “For Madison”, lds.org/youth/video/for-madison.

  8. Moroni 7:47.

  9. Tomas S. Monson, “Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë”, Liahona, nëntor 2010, f. 125; shih edhe Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 101.

  10. 3 Nefi 14:12.

  11. Al VanLeeuwen, “Serving the One”, Liahona, gusht 2012, f. 19; shih edhe Sally DeFord, “Nëse me Zemër Dëgjoj”, 2011 Orientues për Kohën e Përbashkët, f. 28.

  12. 3 Nefi 27:21.

  13. Riçard G. Skot, “Bekimet e Përjetshme të Martesës”, Liahona, maj 2011, f. 96.

  14. Mateu 20:26.

  15. Robert D. Hejls, “Të Bëhemi Kujdestarë të Matur, Materialisht dhe Shpirtërisht”, Liahona, maj 2009, f. 9.

  16. Mateu 20:32.