2012
Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve
Nëntor 2012


Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve

Elder Richard G. Scott

“Ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre.”

Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith doktrinën frymëzuese në lidhje me ordinancën e shenjtë të pagëzimit. Ajo dritë erdhi kur kishat e tjera të krishtera jepnin mësim se vdekja përcaktonte në mënyrë të pakthyeshme dhe të përjetshme fatin e shpirtit. Ato jepnin mësim se të pagëzuarit shpërbleheshin me gëzim të pafund ndërsa gjithë të tjerët përballeshin me mundim të përjetshëm, pa shpresë për shëlbim.

Zbulesa e Zotit se, nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë, pagëzimi mund të kryhej me mëkëmbës për të vdekurit ruajti drejtësinë e deklarimit të Tij: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”1. Pagëzimi me mëkëmbës mund ta sigurojë mëshirshëm këtë ordinancë thelbësore për të gjithë të vdekurit e denjë që nuk e morën atë në vdekshmëri.

Kjo doktrinë e lavdishme është një tjetër dëshmi e natyrës gjithëpërfshirëse të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai e bëri shpëtimin të disponueshëm për çdo shpirt të penduar. Shlyerja e Tij e mposhti vdekjen dhe Ai u lejon të vdekurve të denjë që t’i marrin me mëkëmbës të gjitha ordinancat e shpëtimit.

Në një letër, shkruar më shumë se 150 vite më parë, Jozef Smithi pohoi: “Shenjtorët kanë privilegjin që të pagëzohen për … të afërmit e tyre që kanë vdekur, … të cilët e kanë marrë Ungjillin në shpirt, nëpërmjet … atyre që kanë marrë detyrën që t’u predikojnë atyre.”2 Më vonë ai shtoi: “Ata shenjtorë që nuk e përfillin atë në emër të të afërmve të tyre të vdekur, e bëjnë këtë duke rrezikuar vetë shpëtimin e tyre”3.

Profeti Elija ia besoi Jozef Smithit çelësat për punën mëkëmbëse në Tempullin e Kirtlandit4 për të përmbushur premtimin e Zotit se “ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre5.

Me anë të zbulesës së mëtejshme ndaj Jozef Smithit dhe profetëve vijues, ka ardhur një kuptueshmëri dhe përgatitja për punën në tempull dhe përpjekjen për historinë familjare që e mbështet atë. Secili profet, që nga Jozef Smithi, ka theksuar nevojën e domosdoshme për të siguruar të gjitha ordinancat për vete dhe për paraardhësit tanë të vdekur.

Tempulli dhe puna për historinë familjare është një punë e ndarë në dy pjesë. Ato janë të lidhura së bashku ashtu si ordinancat e pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë. Disa anëtarë mund të mos jenë në gjendje që t’i bëjnë të dyja punët për shkak të shëndetit ose të largësisë nga tempujt.

Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim:

“Ne duhet ta kryejmë punën e ordinancave të priftërisë në tempull të domosdoshme për vetë ekzaltimin tonë; pastaj duhet ta bëjmë punën e domosdoshme për ata që nuk patën mundësinë ta pranojnë ungjillin në jetë. Kryerja e punës për të tjerët realizohet në dy hapa: së pari, me anë të kërkimit për historinë familjare për të përcaktuar stërgjyshërit tanë; dhe së dyti, duke kryer ordinancat e tempullit për t’u dhënë atyre të njëjtat mundësi që u jepen të gjallëve.

Sidoqoftë, ka shumë anëtarë të Kishës që kanë vetëm qasje të kufizuar për tek tempujt. Ata bëjnë më të mirën që munden. Ata punojnë në kërkimin për historinë familjare dhe bëjnë që puna për ordinancat e tempullit të kryhet nga të tjerë. Anasjelltas, ka disa anëtarë që përfshihen në punën në tempull, por nuk ia dalin të bëjnë kërkime për historinë familjare në vetë linjat e tyre familjare. Edhe pse kryejnë një shërbim hyjnor duke i ndihmuar të tjerët, ata humbasin një bekim duke mos kërkuar farefisin e tyre të vdekur siç janë drejtuar hyjnisht të bëjnë nga profetët e ditëve të mëvonshme. …

“Kam mësuar se ata që përfshihen në kërkime për historinë familjare dhe pastaj kryejnë punën për ordinancat e tempullit për ata të cilëve iu kanë gjetur emrat, do të njohin gëzimin e mëtejshëm të marrjes së të dy gjysmave të bekimit.”6

Ati në Qiell dëshiron që secili prej nesh të marrë të dy pjesët e bekimit të kësaj pune jetike mëkëmbëse. Ai ka drejtuar të tjerë që të na tregojnë se si të kualifikohemi. Varet prej jush dhe prej meje që t’i marrim ato bekime.

Çfarëdo pune që bëni në tempull, është kohë e shpenzuar mirë, por marrja e ordinancave si mëkëmbës për një nga vetë paraardhësit tuaj do ta bëjë kohën në tempull më të shenjtë dhe bekime edhe më të mëdha do të merren. Presidenca e Parë ka shpallur: “Detyrimi ynë i lartë është të kërkojmë dhe të identifikojmë paraardhësit tanë7.

Ju të rinj, a dëshironi një mënyrë të sigurt për ta larguar ndikimin e kundërshtarit në jetën tuaj? Zhytuni në kërkimin për paraardhësit tuaj, përgatitini emrat e tyre për ordinancat e shenjta mëkëmbëse të disponueshme në tempull dhe pastaj shkoni në tempull për të qëndruar si mëkëmbës për ata për të marrë ordinancat e pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ndërsa rriteni, ju do të jeni në gjendje të merrni pjesë edhe në marrjen e ordinancave të tjera. Nuk mundem të mendoj për mbrojtje më të madhe nga ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj.

Në Misionin e Rusisë, Rostov-mbi-Don, rinia mori ftesën që secili të indeksonte 2.000 emra dhe pastaj të përgatiste të paktën një emër nga vetë familja e vet për ordinanca tempulli. Ata që e realizuan këtë synim, morën ftesën që të kryenin një udhëtim të gjatë për në Tempullin e ri të Kievit në Ukrainë. Një i ri tregoi këtë përvojë: “Po harxhoja shumë kohë duke luajtur lojëra në kompjuter. Kur fillova të bëj indeksim, nuk kisha kohë të luaja lojëra. Fillimisht mendova: ‘Oh, jo! Si është e mundur kjo!’ Kur ky projekt mori fund, unë madje e kisha humbur interesin për lojërat. … Puna gjenealogjike është diçka që ne mund ta bëjmë këtu në tokë dhe do të mbetet në qiell.”

Shumë shenjtorë besnikë e kanë kryer punën e kërkimit në linjat e tyre familjare dhe po përdorin mundësinë e rezervimit në FamilySearch për t’i lënë në pritje ordinancat për pjesëtarët e vetë familjeve të tyre, që të shërbejnë si mëkëmbës. Qëllimi i rezervimit të emrave është që t’u japë individëve një periudhë të arsyeshme kohe që të kryejnë ordinanca për paraardhësit dhe farefisin nga degë të tjera të familjes. Aktualisht ka 12 milionë emra dhe miliona ordinanca korresponduese që janë rezervuar. Shumë emra janë rezervuar prej vitesh. Paraardhësit që janë gjetur, pa dyshim që janë të dëshiruar e të emocionuar kur emrat e tyre autorizohen për kryerjen e ordinancave. Megjithatë, ata mund të mos jenë shumë të lumtur kur u duhet të vazhdojnë të presin që ordinancat e tyre të kryhen.

Ne ju nxisim juve që keni një numër të madh emrash të rezervuar, që t’i ndani ato, në mënyrë që pjesëtarët e familjes suaj të gjerë ose anëtarë të lagjes dhe kunjit të mund t’ju ndihmojnë në kryerjen e asaj pune. Ju mund ta bëni këtë duke iu shpërndarë karta tempulli anëtarëve të lagjes dhe të kunjit që janë të gatshëm të ndihmojnë, ose duke përdorur sistemin kompjuterik të FamilySearch për t’i paraqitur emrat drejtpërsëdrejti në tempull. Kjo mundësia e fundit është diçka që Sindi Blevins nga Kasper në Uajoming, ka vite që po e bën.

Motra Blevins u pagëzua kur qe adoleshente dhe ka qenë anëtarja e vetme e familjes së saj që u bashkua me Kishën. Ajo ka përfunduar një sasi të madhe pune gjenealogjike. Por ka së tepërmi emra që t’i përfundojë ajo dhe familja e ngushtë. Si rrjedhim, motra Blevins i ka paraqitur emrat në tempull, të cilët, raporton ajo, shpesh kryhen brenda disa javësh, zakonisht te njëri prej dy tempujve që ndodhet më pranë shtëpisë së saj. Ajo thotë se i pëlqen të mendojë që miqtë e fqinjët në vetë lagjen dhe kunjin e saj mund të jenë mes atyre që ndihmojnë për ta kryer punën për paraardhësit e saj. Ajo e vlerëson që ata e bëjnë këtë.

Gruas sime të dashur, Zhaninës, i pëlqente shumë të bënte kërkime për historinë familjare. Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, ajo dhe mikeshat e saj kujdeseshin për fëmijët e njëra-tjetrës, që ajo të mund të kishte disa orë, një herë në disa javë për të punuar për kërkime në linjat tona familjare. Pasi fëmija ynë më i ri u largua nga shtëpia, ajo shënoi në ditarin e saj personal: “Sapo mora një vendim dhe dëshiroj të ngrihem dhe ta them me zë të lartë. Dhoma e vjetër e gjumit e Majkut është bërë dhoma ime e punës për gjenealogjinë. Është e pajisur mirë për të organizuar dokumentet dhe për të punuar. Jeta ime tani do të përqendrohet në kërkimin jetik familjar dhe paraqitjen e emrave në tempull. Jam kaq e emocionuar dhe e dëshiruar që të vazhdoj.”8

Në një tjetër shënim ditari shkruhet: “Mrekullia për mua ndodhi në zyrën e Historisë Familjare të Mel Olsenit, që më paraqiti një kopje të shtypur të të gjitha tabelave të mia gjenealogjike të nxjerra nga përditësimi i regjistrimeve të kompjuterizuara të programit Ancestral File [Dosjet e Paraardhësve] të dërguara në shoqërinë gjenealogjike. Ato vinin kryesisht nga regjistrimet e programit të Kishës të përdorur shumë vite më parë për t’i nxitur të gjithë që të përgatisnin historinë familjare prej katër brezash të paraardhësve të tyre. Isha trullosur nga mendimi i detyrës gjigante që qëndronte meje, që t’i mblidhja të gjitha regjistrimet e kërkimit për paraardhësit e mi nga organizatat familjare, për t’i hedhur të gjitha ato në kompjuter për shpërndarjen e parë të madhe kompjuterike të programit Ancestral File. Dhe ato ishin të gjitha aty, të bukura, të organizuara dhe të shtypura, dhe qëndronin mbi tavolinë para meje. Isha kaq e emocionuar dhe kaq e trullosur saqë thjesht qëndrova atje e shushatur dhe pastaj fillova të qaj se isha kaq e lumtur. … Për dikë që ka bërë kërkime me këmbëngulje, me përpikmëri për tridhjetë vjetë, kompjuterizimi i të gjitha këtyre regjistrimeve është vërtet emocionues. Dhe kur mendoj për qindra mijëra njerëz që tani ose së shpejti do të kompjuterizojnë grupe gjigante regjistrimesh të popullsisë dhe disqeve të kërkimeve private, … jam kaq e emocionuar. Kjo është vërtet puna e Zotit dhe Ai po e drejton atë.”9

Kam shijuar mjaftueshëm nga frytet e kësaj pune frymëzuese sa ta di që çelësat e Elijas rivendosur Jozef Smithit, na ndihmojnë të ndiejmë një lidhje emocionuese dhe të veçantë me paraardhësit tanë që po presin për ndihmën tonë. Nëpërmjet përpjekjeve tona në tempujt e shenjtë këtu në tokë duke përdorur autoritetin e dërguar nga Shpëtimtari, stërgjyshërit tanë marrin ordinancat shpëtuese që u lejojnë atyre të gëzojnë lumturi të përjetshme.

Në të shkuarën, të shtyrë nga një bindje e thellë për shenjtërinë e punës, njerëz të veçantë kanë përballur besnikërisht një sfidë që dukej sikur të përpiqeshe të korrje vetëm të gjithë grurin në Nebraskë. Tani, shumë makina korrëse janë në punë. Së bashku, ne mundemi dhe do ta kryejmë punën e kërkuar.

Unë dëshmoj se Shpirti i Elijas po prek zemrat e shumë fëmijëve të Atit në mbarë botën, duke bërë që puna për të vdekurit të përshpejtohet me një ritëm të pashembullt.

Po ju? A jeni lutur për punën e vetë paraardhësve tuaj? Lërini mënjanë ato gjëra në jetën tuaj që nuk kanë vërtet rëndësi. Vendosni të bëni diçka që do të ketë pasoja të përjetshme. Ndoshta jeni nxitur të kërkoni paraardhës, por ndieni se nuk jeni ekspert në historinë familjare. A mund ta shihni se nuk ju duhet më të jeni i tillë? Gjithçka fillon me dashuri dhe një dëshirë të sinqertë për t’i ndihmuar ata që janë përtej velit, të cilët nuk mund të ndihmojnë veten. Kontrolloni përreth. Do të jetë dikush në zonën tuaj që mund t’ju ndihmojë të keni sukses.

Kjo punë është një punë shpirtërore, një përpjekje monumentale bashkëpunimi në të dyja anët e velit, ku ndihma jepet në të dy drejtimet. Kudo që të jeni në botë, me lutje, besim, vendosmëri, zell dhe njëfarë sakrifice, ju mund të jepni një kontribut të fuqishëm. Filloni tani. Unë ju premtoj se Zoti do t’ju ndihmojë të gjeni një mënyrë. Dhe do t’ju bëjë të ndiheni shkëlqyeshëm. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 3:5.

  2. History of the Church, 4:231.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 504.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 110:13–16.

  5. Doktrina e Besëlidhje 2:2; theksimi i shtuar.

  6. Howard W. Hunter, “A Temple-Motivated People”, Liahona, maj 1995, f. 5–6.

  7. Letër e Presidencës së Parë, 29 shkurt 2012; theksimi i shtuar.

  8. Jeanene Watkins Scott, ditari personal, prill 1988.

  9. Jeanene Watkins Scott, ditari personal, 23 shtator 1989.