2012
Ulet Niveli i Moshës së Kërkuar për Shërbim Misionar
Nëntor 2012


Ulet Niveli i Moshës së Kërkuar për Shërbim Misionar

Gjatë fillimit të Konferencës së Përgjithshme Gjysmëvjetore të 182-të, Presidenti Tomas S. Monson njoftoi se, duke hyrë në fuqi menjëherë, meshkujt mund të fillojnë të shërbejnë në misione në moshën 18 vjeç dhe femrat në moshën 19 vjeçe.

Më vonë, në një konferencë për shtyp, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi se ndryshimi është një mundësi: “Të rinjtë dhe të rejat nuk duhet ta fillojnë shërbimin e tyre përpara se të jenë të përgatitur shpirtërisht dhe materialisht”, tha ai. Gjëra të tilla si arsimi, rrethanat familjare dhe shëndeti ende vazhdojnë të jenë faktorë të rëndësishëm për kohën e shërbimit misionar.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se misionarët e ardhshëm mund të rekomandohen nga peshkopi dhe presidenti i tyre i kunjit për shërbim me kohë të plotë 120 ditë përpara ditëlindjes së tyre të 18-të ose datës kur ata janë të disponueshëm. Të rinjtë mund të hyjnë në qendrën e trajnimit të misionarëve (QTM) pasi të kenë marrë diplomën e shkollës së mesme ose të barasvlershmen e saj dhe kur të mbushin 18 vjeç. Femrat mund të hyjnë pasi të kenë mbushur 19 vjeçe.

Misionarëve të ardhshëm po u kërkohet ta shtojnë përgatitjen e tyre para misionit, përpara kohës së tyre në QTM.

“Perëndia po e shpejton punën e Tij”, tha Plaku Holland. “Dhe Ai ka nevojë për gjithnjë e më shumë misionarë të gatshëm e të denjë që të përhapin dritën e së vërtetës dhe shpresën e shpëtimit të ungjillit të Jezu Krishtit në një botë shpesh të errët e të frikshme.”

Plaku Holland tha se ka gjasa që do të krijohen misione të tjera.

Për të ndihmuar që të përshtatet rritja e parashikuar e misionarëve në misionet anekënd botës, koha e kaluar në QTM do të zvogëlohet me një të tretën për të gjithë misionarët. Një kurs trajnimi 12-javor i krijuar së fundi, i mbajtur në terrenin e misionit, do të ndihmojë për t’i përgatitur më tej misionarët.

Të rinjtë dhe të rejat tani mund të fillojnë të shërbejnë në misione përkatësisht nga moshat 18 dhe 19 vjeç, në varësi të rrethanave individuale dhe të përcaktimit nga udhëheqësit vendorë të priftërisë.

© 2004 IRI