2012
Merrni Parasysh Bekimet
Nëntor 2012


Merrni Parasysh Bekimet

President Thomas S. Monson

Ati ynë Qiellor është në dijeni të nevojave tona dhe do të na ndihmojë kur i thërrasim për ndihmë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo konferencë shënon vitin e 49-të që kur u mbështeta si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 4 tetor 1963. Dyzet e nëntë vjet përbën shumë kohë. Megjithatë, në shumë mënyra, më duket se ka kaluar shumë pak kohë që kur qëndrova te podiumi në Tabernakull dhe dhashë pikërisht fjalimin tim të parë në konferencën e përgjithshme.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej 4 tetorit 1963. Ne jetojmë në një kohë të veçantë të historisë së botës. Ne jemi bekuar me kaq shumë gjëra. Dhe prapëseprapë ndonjëherë është e vështirë t’i shikojmë problemet dhe lëshimet për mëkatin rreth nesh e të mos ndihemi të shkurajuar. Kam zbuluar se, në vend që të mendojmë vetëm për negativen, nëse do të hedhim një hap prapa e do të marrim parasysh bekimet në jetën tonë, përfshirë bekimet në dukje të vogla e ndonjëherë të pavënëre, ne mund të gjejmë lumturi më të madhe.

Teksa kam rishqyrtuar 49 vitet e kaluara, kam bërë disa zbulime. Një zbulim është se përvojat e panumërta që kam pasur, nuk kanë qenë domosdoshmërisht nga ato që do të quheshin të jashtëzakonshme. Në fakt, gjatë kohës kur kanë ndodhur, shpesh janë dukur jo mbresëlënëse dhe madje të zakonshme. Dhe ende, kur shikoj prapa, ato kanë pasuruar e bekuar jetë – mes të tjerash dhe vetë jetën time. Do t’jua rekomandoja po këtë ushtrim juve – domethënë, që të bëni një inventar të jetës suaj dhe të shikoni në mënyrë të hollësishme për bekimet, të mëdha e të vogla, që keni marrë.

Dijenia ime që lutjeve tona iu vihet veshi e marrin përgjigje është përforcuar vazhdimisht nga vetë rishqyrtimet që u kam bërë viteve të kaluara. Ne njihemi me të vërtetën që gjendet te 2 Nefi në Librin e Mormonit: “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”1. Dëshmoj se një pjesë e madhe e atij gëzimi vjen kur e kuptojmë se mund të komunikojmë me Atin tonë Qiellor përmes lutjes dhe se ato lutje do të dëgjohen e do të marrin përgjigje – ndoshta jo sipas mënyrës dhe në kohën që presim ne që të marrin përgjigje, por ato do të marrin përgjigje nga një Atë Qiellor që na njeh e na do në mënyrë të përsosur dhe që dëshiron lumturinë tonë. A nuk na ka premtuar Ai: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”2?

Për këto pak minuta në vijim që kam në dispozicion, do të doja të ndaja me ju vetëm një grup të vogël shembujsh nga përvojat që kam pasur kur lutjet janë dëgjuar e kanë marrë përgjigje dhe të cilat, në retrospektivë, kanë sjellë bekime në jetën time si edhe të të tjerëve. Ditari im i përditshëm, i mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve, ka ndihmuar në sigurimin e disa veçorive që në të kundërt ka shumë gjasa që nuk do të isha në gjendje t’i rrëfeja.

Në fillim të 1965-ës, më caktuan të frekuentoja disa konferenca kunji dhe të mbaja mbledhje të tjera nëpër gjithë zonën e Paqësorit Jugor. Kjo qe vizita ime e parë në atë pjesë të botës dhe qe një kohë për të mos u harruar kurrë. Gjatë kësaj detyre, teksa u takova me udhëheqës, anëtarë e misionarë, ndodhën shumë ngjarje që qenë me natyrë shpirtërore.

Fundjavën e së shtunës dhe së dielës, më 20 dhe 21 shkurt, qemë në Brisbejn të Australisë, për të mbajtur sesionet e rregullta të konferencës së Kunjit të Brisbejnit. Gjatë mbledhjeve të së shtunës, më prezantuan me presidentin e distriktit nga një zonë fqinj. Kur i dhashë dorën, pata një përshtypje të fortë se duhej të flisja me të dhe t’i ofroja këshillë, dhe kështu i kërkova nëse mund të më shoqëronte të nesërmen për te sesioni i paradites të së dielës në mënyrë që të mund ta përmbushja këtë gjë.

Në vijim të sesionit të së dielës, patëm mundësinë të flisnim së bashku. Ne folëm rreth përgjegjësive të tij të shumta si president distrikti. Teksa e bëmë këtë, ndieva nxitjen për t’i dhënë sugjerime të posaçme në lidhje me punën misionare dhe me mënyrën se si ai dhe anëtarët e tij mund t’i ndihmonin misionarët kohëplotë në punët e tyre në zonën e tij. Më vonë mësova se ky burrë qe lutur për drejtim në lidhje me këtë gjë. Për të, vizita jonë qe një dëshmi e veçantë që lutjet e tij qenë dëgjuar dhe kishin marrë përgjigje. Kjo qe një mbledhje në dukje e zakonshme por e tillë që unë jam i bindur se u udhëhoq nga Shpirti dhe bëri ndryshim në jetën dhe në administrimin [e thirrjes] së presidentit të distriktit, në jetën e anëtarëve të tij dhe në suksesin e misionarëve atje.

Vëllezërit dhe motrat e mia, qëllimet e Zotit shpesh përmbushen kur ia vëmë veshin udhëheqjes së Shpirtit. Besoj se sa më shumë veprojmë sipas frymëzimit dhe përshtypjeve që na vijnë, aq më shumë Zoti do të na i besojë porositë e Tij.

Siç kam përmendur në mesazhet e mëparshme, kam mësuar që të mos e shtyj kurrë një nxitje. Në një rast, shumë vite më parë, po bëja vajtje-ardhje me not në palestrën e vjetër ‘Deseret’ në Solt-Lejk-Siti kur ndieva frymëzimin që të shkoja te Spitali Universitar për të vizituar një shok të mirë timin, i cili kishte humbur përdorimin e gjymtyrëve të tij të poshtme për shkak të një sëmundjeje të keqe dhe ndërhyrjes kirurgjikale pasuese. U largova menjëherë nga pishina, u vesha dhe shpejt mora rrugën për të parë këtë njeri të mirë.

Kur arrita te dhoma e tij, pashë që qe bosh. Pasi pyeta, mësova se ndoshta do ta gjeja në zonën e pishinës së spitalit, një zonë që përdorej për terapi fizike. Dhe kështu ishte vërtet. Ai kishte shkuar vetë atje me karrocën e tij me rrota dhe qe i vetëm në sallë. Ai qe në anën e largët të pishinës, pranë pjesës fundore të thellë. E thirra dhe ai manovroi me karrocën e tij të invalidit drejt meje për të më përshëndetur. Vizita qe e gëzueshme për të dy dhe unë e shoqërova përsëri në kthimin për te dhoma e tij në spital ku i dhashë një bekim.

Më vonë mësova nga shoku im se kishte qenë plotësisht i dëshpëruar atë ditë dhe kishte menduar t’i jepte fund jetës. Ai ishte lutur për qetësim por kishte filluar të ndiente se lutjet e tij nuk kishin marrë përgjigje. Ai kishte shkuar te pishina me mendimin se kjo do të qe mënyra për t’i dhënë fund vuajtjes së tij – duke e çuar karrocën e tij drejt pjesës fundore të thellë të pishinës. Kisha shkuar në një çast vendimtar, në përgjigje të asaj që e di se qe frymëzim nga lart.

Shoku im qe në gjendje të jetonte edhe për shumë vite – vite të mbushura me lumturi e mirënjohje. Sa i lumtur jam që kam qenë një mjet në duart e Zotit në atë ditë vendimtare në pishinë.

Në një rast tjetër, kur unë dhe motra Monson po udhëtonim me makinë për në shtëpi pasi vizituam disa miq, pata përshtypjen që duhet të shkonim në qytet – një distancë prej shumë kilometrash me makinë – që t’i bënim një vizitë një të veje të moshuar që dikur kishte jetuar në lagjen tonë. Emri i saj qe Zela Tomas. Në atë kohë ajo qe banore e një qendre përkujdesjeje. Atë pasdite herët e gjetëm tepër të dobët fizikisht, por të shtrirë në paqe në shtratin e vet.

Zela kishte qenë e verbër prej shumë kohësh, por i njohu menjëherë zërat tanë. Më kërkoi nëse mund t’i jepja një bekim, duke shtuar se qe gati të vdiste nëse Zoti dëshironte që ajo të kthehej në shtëpi. Pati një shpirt të ëmbël e paqësor në dhomë, dhe të gjithë ne e dinim se koha që i mbetej në vdekshmëri do të ishte e shkurtër. Zela më kapi për dore dhe tha se qe lutur me gjithë shpirt që të vija ta takoja e t’i jepja një bekim. I thashë se kishim ardhur për shkak të një frymëzimi të drejtpërdrejtë nga Ati ynë Qiellor. E putha në ballë, duke e ditur se ndoshta nuk do ta shihja sërish në këtë jetë tokësore. Dhe kështu ndodhi vërtet, pasi ajo ndërroi jetë ditën tjetër. Qe një bekim për të dhe për mua që qemë në gjendje t’i jepnim disi ngushëllim e paqe Zelës sonë të ëmbël.

Mundësia për të qenë bekim në jetën e dikujt tjetër shpesh vjen papritmas. Një mbrëmje tepër të ftohtë të shtune gjatë dimrit të viteve 1983–1984, unë dhe motra Monson udhëtuam me makinë disa kilometra drejt luginës malore të Midueit në Juta, ku kemi një shtëpi. Temperatura atë natë qe minus 31 gradë celsius (-24°F), dhe ne donim të siguroheshim që çdo gjë shkonte mirë te shtëpia jonë atje. Ne kontrolluam dhe pamë që qe në rregull, kështu që u nisëm për t’u kthyer në Solt-Lejk-Siti. Nuk kishim bërë as pak kilometra në autostradë kur makina jonë ndaloi së punuari. Ndodheshim në një pozitë plotësisht të vështirë. Rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk kam pasur aq ftohtë sa atë natë.

Me gjysmë zemre, filluam të ecnim drejt qytetit më të afërt, makinat na kalonin pranë si shigjetë. Më në fund një makinë ndaloi dhe një i ri u ofrua të ndihmonte. Përfundimisht morëm vesh që nafta në serbatorin tonë qe trashur për shkak të të ftohtit, duke e bërë të pamundur që ta ngisnim makinën. Ky i ri i sjellshëm na ktheu me makinë deri te shtëpia jonë në Miduei. U përpoqa t’ia kompensoja në para shërbimin, por ai refuzoi me mirësjellje. Ai vuri në dukje se qe djalë Skautist dhe dëshironte të jepte një shërbim. Unë i thashë kush isha dhe ai shprehu mirënjohje për privilegjin që pati të na ofronte ndihmë. Duke hamendësuar se ishte pak a shumë në moshë për mision, e pyeta nëse kishte plane të shërbente në një të tillë. Ai tregoi se nuk qe shumë i sigurt se çfarë dëshironte të bënte.

Mëngjesin tjetër të së hënës, i shkrova një letër këtij të riu dhe e falënderova për mirësinë e tij. Në letër e nxita që të shërbente në një mision kohëplotë. Me letrën futa një kopje të një prej librave të mi dhe nënvizova kapitujt mbi punën misionare.

Afërsisht një javë më pas, nëna e të riut telefonoi dhe tha se i biri qe një i ri i dalluar, por që për shkak të disa ndikimeve në jetën e vet, dëshira e tij e vjetër për të shërbyer një mision ishte zbehur. Ajo tregoi se ajo dhe i ati kishin agjëruar e ishin lutur që zemra e tij të ndryshonte. Ata ia kishin përfshirë emrin te lista e emrave për lutje në Tempullin e Provos në Juta. Ata shpresonin që zemra e tij do të prekej disi, në një farë mënyre, për mirë dhe atij do t’i kthehej dëshira për të përmbushur një mision e për t’i shërbyer Zotit me besnikëri. E ëma dëshironte që të dija se ajo i shikonte ngjarjet e asaj mbrëmjeje të ftohtë si përgjigje të lutjeve të tyre në emrin e tij. I thashë: “Jam dakord me ju”.

Pas disa muajsh e pas më shumë komunikimi me këtë të ri, unë dhe motra Monson patëm gëzimin e madh që të merrnim pjesë në lamtumirën e tij si misionar para nisjes së tij për në Misionin e Kanadasë – Vankuver.

A qe rastësi që rrugët tona u kryqëzuan atë natë të ftohtë dimri? Nuk e besova këtë për asnjë çast. Përkundrazi, besoj se takimi ynë qe një përgjigje e lutjeve të ndiera të një nëne dhe babai për të birin që e donin fort.

Përsëri, vëllezërit e motrat e mia, Ati ynë Qiellor është në dijeni të nevojave tona dhe do të na ndihmojë kur i thërrasim për ndihmë. Unë besoj se asnjë shqetësim i yni nuk është tepër i vogël ose i parëndësishëm. Zoti është i shqetësuar edhe për hollësitë e jetës sonë.

Do të doja ta mbyllja duke treguar një përvojë të kohëve të fundit e cila pati ndikim te qindra veta. Ndodhi gjatë festimit kulturor për Tempullin e Kanzas-Sitit, vetëm pesë muaj më parë. Ashtu si me kaq shumë gjëra që ndodhin në jetën tonë, në atë kohë dukej se qe thjesht një tjetër përvojë ku çdo gjë kishte shkuar për së mbari. Megjithatë, kur mësova rrethanat e lidhura me festimin kulturor mbrëmjen përpara dedikimit të tempullit, kuptova se interpretimi atë mbrëmje nuk qe i zakonshëm. Përkundrazi, qe mjaft mbresëlënës.

Ashtu si me të gjitha ngjarjet kulturore që janë pjesë e përkushtimit të tempujve, të rinjtë në Distriktin e Tempullit të Kanzas-Sitit në Misuri, i kishin bërë provat e shfaqjes në grupe të ndara në vetë zonat e tyre. Plani qe se do të takoheshin të gjithë së bashku në tërësi, do të merrnin me qira qendrën bashkiake mëngjesin e të shtunës së shfaqjes në mënyrë që të mësonin se kur dhe ku do të hynin, ku do të qëndronin, sa hapësirë do të kishte mes tyre dhe personit fqinj, si do të dilnin nga skena kryesore e kështu me radhë – shumë hollësi që duhej t’i kuptonin gjatë ditës teksa njerëzit në detyrë i lidhnin skenat e ndryshme së bashku në mënyrë që shfaqja finale të dilte shkëlqyeshëm dhe të ishte profesionale.

Pati vetëm një problem madhor atë ditë. I tërë xhirimi varej nga fragmente të regjistruara më parë që do të shfaqeshin në ekranin e madh të njohur si Xhambotron. Këto fragmente të regjistruara qenë të rëndësishme për të gjithë xhirimin. Jo vetëm që i vunë ato të gjitha së bashku, por secili fragment televiziv do të prezantonte interpretimin vijues. Fragmentet pamore përbënin strukturën mbi të cilin varej i gjithë xhirimi. Dhe Xhambotroni nuk po punonte.

Teknikët punuan me të gjithë forcën për ta zgjidhur problemin teksa të rinjtë prisnin, qindra prej tyre, duke humbur nga koha e çmuar e provave. Situata filloi të dukej e pazgjidhshme.

Skenaristja dhe drejtuesja e festimit, Suzan Kuper, shpjegoi më vonë: “Pasi kaluam nga plani A te ai B e pastaj te ai Zh, e dinim se nuk do të funksiononte. … Teksa po shikonim programin, e dinim se do të ishte përtej aftësive tona, por e dinim se kishim një prej forcave më të mëdha aty poshtë [në skenë] – 3.000 të rinj. Ne duhet t’u dilnim përpara e t’u tregonim atë që po ndodhte dhe të përdornim besimin e tyre.”3

Vetëm një orë para se dëgjuesit do të fillonin të hynin në qendër, 3.000 të rinjtë u gjunjëzuan mbi dysheme dhe u lutën së bashku. Ata u lutën që ata që po merreshin me Xhambotronin do të frymëzoheshin për të ditur se çfarë të bënin që ta riparonin; i kërkuan Atit të tyre Qiellor që të bënte atë që ata vetë nuk mundeshin ta bënin për shkak të kohës së shkurtër.

Një person që shkroi rreth saj më pas tha: “Qe një lutje që rinia nuk do ta harrojë kurrë, jo ngaqë dyshemeja qe e fortë por pasi e ndien Shpirtin gjer në palcë”4.

Nuk kaloi shumë kohë kur një prej teknikëve erdhi t’u thoshte se problemi ishte gjendur dhe zgjidhur. Ai ia dha meritat fatit të mirë për zgjidhjen e problemit, por të gjithë ata të rinj e dinin të vërtetën.

Kur hymë në qendrën bashkiake atë mbrëmje, nuk ia kishim idenë e vështirësive që kishin pasur atë ditë. Vetëm më vonë i morëm vesh. Sidoqoftë, ajo që pamë qe një interpretim i bukur dhe i shkëlqyer – një nga më të mirët që kam parë. Të rinjtë rrezatonin një shpirt të lavdishëm e të fuqishëm, i cili u ndie nga të gjithë të pranishmit. Dukej se e dinin tamam se kur të hynin, ku të qëndronin dhe si të ndërvepronin me të gjithë interpretuesit e tjerë rreth tyre. Kur mësova se provat e tyre ishin shkurtuar dhe se për shumë prej numrave të shfaqjes nuk ishin bërë prova fare nga grupi në tërësi, u habita. Askush nuk do ta kishte vënë re. Zoti me të vërtetë kishte kompensuar atë që ata nuk e kishin bërë dot në prova.

Kurrë nuk resht së mahnituri se si Zoti mund t’i japë shtysë dhe ta drejtojë çdo pjesë të mbretërisë së Tij dhe përsëri ka kohë të japë frymëzim lidhur me një njeri – ose një festim kulturor apo një Xhambotron. Fakti që Ai mundet, dhe Ai e bën këtë, është një dëshmi për mua.

Vëllezërit e motrat e mia, Zoti është i pranishëm në jetën e gjithsecilit prej nesh. Ai na do. Ai dëshiron të na bekojë. Ai dëshiron që ne t’i kërkojmë ndihmë. Teksa Ai na udhëheq e drejton dhe i dëgjon e u përgjigjet lutjeve tona, ne do të gjejmë lumturinë që Ai dëshiron për ne në këtë vend e në këtë kohë. Qofshim të vetëdijshëm për bekimet e Tij në jetën tonë, lutem në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.

Shënime

  1. 2 Nefi 2:25.

  2. Doktrina e Besëlidhje 112:10.

  3. Susan Cooper, në Maurine Proctor, “Nothing’s Too Hard for the Lord: The Kansas City Cultural Celebration”, Meridian Magazine, 9 maj 2012, ldsmag.com.

  4. Proctor, Meridian Magazine, 9 maj 2012.