2012
Standardi i Tempullit
Nëntor 2012


Standardi i Tempullit

Elder Scott D. Whiting

Standardet e larta të ndërtimit të tempullit të përdorura nga kjo Kishë, janë një model dhe madje një simbol se si duhet ta jetojmë vetë jetën tonë.

Kohët e fundit, teksa po bëja një vizitë turistike në Tempullin e bukur të Brigam-Sitit në Juta, m’u kujtua një përvojë që pata gjatë kohës që shërbeja si koordinatori i shtëpisë së hapur, i ridedikimit dhe i festimit kulturor të tempullit historik të Laies në Havai.

Pak muaj përpara përfundimit të punës gjithëpërfshirëse restauruese, më ftuan që të vizitoja tempullin me Drejtorin Ekzekutiv të Departamentit të Tempullit, Plakun Uilliam R. Uoker dhe me kolegët e tij të Departamentit të Tempullit. Përveç kësaj, merrnin pjesë edhe anëtarë të ndryshëm të firmës së përgjithshme kontraktuese. Qëllimi i vizitës, pjesërisht, ishte të rishikohej përparimi dhe cilësia e punës së kryer. Në kohën kur po bëhej kjo vizitë, puna ishte 85 përqind e përfunduar.

Teksa lëviznim nëpër tempull, pashë dhe dëgjova Plakun Uoker dhe kolegët e tij se si kontrollonin punën dhe bisedonin me kontraktuesin e përgjithshëm. Gjatë vizitës, vura re një burrë që i prekte vazhdimisht muret me dorën e tij ndërsa ecnim nga dhoma në dhomë. Pasi e bënte këtë disa herë, ai fërkonte gishtat e tij bashkë dhe pastaj i afrohej kontraktuesit të përgjithshëm dhe i thoshte: “Ndiej ashpërsi në këtë mur. Ashpërsia nuk është standardi i tempullit. Duhet ta lëmoni këtë mur”. Kontraktuesi me bindje mbante shënim sa herë që ata ndienin se muri ishte i ashpër.

Kur iu afruam një zone në tempull që vetëm pak njerëz do ta shikonin ndonjëherë, i njëjti burrë na ndaloi dhe e drejtoi vëmendjen tonë te një dritare e bukur e bërë prej xham plumbi, e sapo instaluar. Kjo dritare i kishte përmasat rreth 0.6 m e gjerë dhe 1.8 m e gjatë, dhe përmbante një model të vogël gjeometrik me xham të ngjyrosur. Ai tregoi me gisht një katror xhami të vogël me ngjyrë 5 cm që ishte pjesë e modelit të thjeshtë dhe tha: “Ai katror është i shtrembër”. E pashë katrorin dhe mua nuk m’u duk i shtrembër. Megjithatë, kur përdora një aparat matës për ta këqyrur më nga afër, mund ta shihja që kishte defekt dhe se ky katror i vogël ishte me të vërtetë i shtrembëruar me 3 mm. Kontraktuesit iu dha udhëzimi që kjo dritare do të duhej të zëvendësohej sepse nuk ishte sipas standardit të tempullit.

E pranoj që u habita, që një dritare e tërë do të duhej të zëvendësohej sepse kishte një defekt kaq të vogël që mezi shihej. Sigurisht, nuk kishte të ngjarë që ndonjë njeri ta merrte vesh ose madje ta vinte re këtë dritare, sepse kjo ishte një zonë e tempullit që jo shumë njerëz do ta shihnin ndonjëherë.

Ndërsa i jepja makinës atë ditë nga tempulli për në shtëpi, meditova rreth asaj që mësova nga kjo përvojë – ose me mirë, ajo që mendova se mësova. Nuk ndodhi deri disa javë më vonë, kur u ftova për të bërë një vizitë në tempullin tashmë të përfunduar, që kuptueshmëria ime për përvojën e mëparshme të vizitës u bë më e qartë.

Kur hyra në Tempullin e Laies në Havai të restauruar plotësisht, u mrekullova nga bukuria e tij dhe nga cilësia e ndërtimit të përfunduar. Ju mund ta kuptoni që unë isha i interesuar të shihja sërish muret e “ashpra” dhe dritaren “me defekt”. A i lëmoi muret kontraktuesi? A u zëvendësua dritarja me të vërtetë? Teksa iu afrova mureve të ashpra, u habita kur pashë letrën e bukur të murit që tani ishte ngjitur në të gjitha muret. Mendimi im i parë ishte: “Pra, kjo është mënyra se si kontraktuesi e rregulloi problemin me ashpërsinë – ai e mbuloi atë”. Por jo, unë mësova se plani kishte qenë që në fillim që të ngjisnin letër muri në këto mure. Pyeta veten, pse kishte rëndësi një sasi e vogël ashpërsie që vështirë se dallohej, nëse letra e murit do ta mbulonte atë? Atëherë me padurim iu afrova zonës ku ndodhej dritarja me defekt dhe u habita kur në një vazo pashë një lule të bukur të gjatë deri në tavan, të vendosur përpara dritares. Përsëri mendova: “Pra, kjo është mënyra se si kontraktuesi e rregulloi problemin e katrorit të vogël të shtrembër – ai e fshehu atë”. Kur iu afrova dritares, shtyva mënjanë gjethet e lules dhe buzëqesha ku pashë që dritarja me të vërtetë ishte zëvendësuar. Katrori i vogël, i shtrembër, i mëparshëm tani qëndronte i rregullt dhe në mënyrë të barabartë brenda modelit. Mësova që kishte qenë gjithmonë pjesë e arredimit të brendshëm të vendosej një lule përpara kësaj dritareje.

Përse mure me pak ashpërsi dhe një dritare me pak asimetri do të kërkonin punë shtesë madje dhe zëvendësim, kur pak sy ose duar njerëzore do ta vinin re ndonjëherë? Përse duhej që një kontraktues të përmbushte standarde të tilla të larta?

Teksa dola nga tempulli i zhytur në mendime, e mora përgjigjen time kur pashë anën e jashtme të përfunduar dhe pashë këto fjalë: “Shenjtëri Zotit, Shtëpia e Zotit”.

Tempujt e kësaj Kishe janë saktësisht ashtu siç shpallen se janë. Këto ndërtesa të shenjta janë ndërtuar për përdorimin tonë dhe brenda mureve të tyre kryhen ordinanca të shenjta dhe shpëtuese. Por nuk duhet të ketë dyshim për faktin se e kujt është në të vërtetë shtëpia. Duke kërkuar standarde të sakta të ndërtimit deri në detajet më të vogla, ne tregojmë jo vetëm dashurinë dhe respektin tonë për Zotin Jezu Krisht, por ne u tregojmë të gjithë vëzhguesve se ne e nderojmë dhe e adhurojmë Atë, të cilit i përket shtëpia.

Në zbulesën dhënë Profetit Jozef Smith për ndërtimin e një tempulli në Navu, Zoti udhëzoi:

“Ejani me gjithë floririn tuaj dhe argjendin tuaj, dhe gurët tuaj të çmuar, dhe me gjithë gjërat tuaja antike; dhe me gjithë ata që kanë njohuri për gjërat antike … dhe të sjellin … pemët e çmuara të tokës;

… Dhe i ndërtoni një shtëpi emrit tim, që Më i Larti të banojë atje.”1

Kjo ndjek modelin e vendosur nga mbreti Salomon në Dhiatën e Vjetër, kur ai i ndërtoi një tempull Zotit, duke përdorur vetëm materialin dhe punimin më të mirë.2 Sot, kur ndërtojmë tempujt e Kishës, ne vazhdojmë të ndjekim këtë model me përshtatshmërinë e duhur.

Unë mësova që edhe pse sytë dhe duart e vdekshme mund të mos e shohin apo ndiejnë kurrë një defekt, Zoti e di nivelin e përpjekjeve tona dhe nëse kemi bërë më të mirën tonë. E njëjta gjë vlen për vetë përpjekjet tona personale për të jetuar një jetë të denjë për bekimet e tempullit. Zoti këshilloi:

“Dhe për aq sa njerëzit e mi më ndërtojnë një shtëpi mua në emër të Zotit dhe nuk lejojnë gjëra të papastra të hyjnë në të, që ajo të mos ndotet, lavdia ime do të pushojë në të;

Po, dhe prania ime do të jetë atje, sepse unë do të hyj në të, dhe gjithë të kulluarit në zemër që do të hyjnë në të, do ta shohin Perëndinë.

Por, në qoftë se ndotet, unë nuk do të hyj në të dhe lavdia ime nuk do të jetë atje; sepse unë nuk do të hyj në tempuj jo të shenjtë.”3

Ashtu si kontraktuesi, kur bëhemi të vetëdijshëm për elemente në vetë jetën tonë që nuk janë në përputhje me mësimet e Zotit, kur përpjekjet tona kanë qenë më pak se më e mira jonë, ne duhet të veprojmë shpejt për të ndrequr çdo gjë që është gabim, duke pranuar që nuk mund t’ia fshehim mëkatet tona Zotit. Ne duhet të kujtojmë që “kur përpiqemi t’i mbulojmë mëkatet tona …, vini re, qiejt tërhiqen; [dhe] Shpirti i Zotit hidhërohet”4.

Unë gjithashtu mësova që standardet e larta të ndërtimit të tempullit të përdorura nga kjo Kishë, janë një model dhe madje një simbol i mënyrës se si duhet ta jetojmë vetë jetën tonë. Ne mund t’i zbatojmë individualisht mësimet e apostullit Pal dhënë Kishës së hershme, kur ai tha:

“A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?

Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.”5

Secili prej nesh është bërë prej materialit më të mirë dhe ne jemi rezultati i mrekullueshëm i mjeshtërisë hyjnore. Megjithatë, kur e kalojmë moshën e përgjegjshmërisë dhe fillojmë të luftojmë me mëkatin dhe tundimin, shpirti ynë mund të ketë nevojë për pendim dhe riparim shpirtëror. Ndoshta ka mure brenda nesh që janë të ashpra dhe kanë nevojë të lëmohen ose dritare të shpirtit tonë që kanë nevojë të zëvendësohen me qëllim që të qëndrojmë në vende të shenjta. Fatmirësisht, standardi i tempullit që ne kërkojmë të përmbushim, nuk është ai i përsosmërisë, megjithëse përpiqemi për të, por që ne të përpiqemi të mbajmë urdhërimet dhe të bëjmë më të mirën tonë për të jetuar si dishepuj të Jezu Krishtit. Është lutja ime që ne të gjithë do të përpiqemi të jetojmë një jetë të denjë për bekimet e tempullit duke bërë më të mirën tonë, duke bërë përmirësimet e nevojshme dhe duke eliminuar defektet dhe papërsosmëritë, kështu që Shpirti i Perëndisë të mund të jetojë gjithmonë me ne. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.