2012
Gëzimi i Priftërisë
Nëntor 2012


Gëzimi i Priftërisë

President Dieter F. Uchtdorf

Le ta përqafojmë dhe ta kuptojmë mrekullinë dhe privilegjin e priftërisë. Le t’i pranojmë dhe t’i duam përgjegjësitë që na janë kërkuar të përmbushim.

Gëzimi i të Fluturuarit

Shumë vite më parë, disa kapitenë aeroplanësh të linjave dhe unë vendosëm të plotësonim një ëndërr fëmijërie për të restauruar një aeroplan antik. Së bashku, ne blemë një aeroplan të tipit Pajpër Kab të vitit 1938, të vjetëruar, dhe filluam të punojmë që ta kthenim në formën e tij origjinale. Projekti ishte një punë që e bënim me qejf. Ai kishte një domethënie të veçantë për mua sepse unë mësova të fluturoj me një aeroplan të ngjashëm kur isha i ri.

Ky aeroplan ishte ndërtuar vetëm 35 vite pasi vëllezërit Rajt kryen fluturimin e tyre të parë të famshëm. Thjesht të menduarit e asaj më bën të ndihem shumë i vjetër.

Motori nuk kishte ndezës elektrik; ndërsa e ndizje motorin nga kabina, dikush tjetër në tokë do të kapej pas helikës dhe do ta rrotullonte me gjithë forcën gjersa motori të lëvizte vetë. Çdo ndezje motori ishte një çast emocioni dhe guximi.

Sapo u ngrit në fluturim, u bë e qartë se Pajper Kab nuk ishte ndërtuar për shpejtësi. Në fakt, kur frynte erë e fortë përballë aeroplanit, dukej sikur ne nuk po lëviznim fare. Unë kujtoj kur fluturonim së bashku me djalin tim adoleshent, Guido, mbi autoban në Gjermani dhe pa dyshim, makinat poshtë lëviznin shumë më shpejt sesa ne!

Por, oh, sa e doja këtë avion të vogël! Ishte mënyra e përsosur për të përjetuar mrekullinë dhe bukurinë e fluturimit. Mund të dëgjoje, të ndieje, të nuhatje dhe të shihje se ç’do të thotë në fund të fundit fluturim. Vëllezërit Rajt e shprehën atë kështu: “Nuk ka [asgjë] që barazohet me atë që shijojnë aviatorët kur mbarten përmes ajrit mbi krahë të mëdhenj të bardhë”1.

Në kontrast me këtë, më herët këtë vit, pata privilegjin të fluturoja me një reaktiv luftarak të sofistikuar F-18 me Engjëjt Blu me famë botërore, skuadra e fluturimit demonstrativ të Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara. Ishte si të bëje një fluturim mbi dhe përgjatë vijës së kujtesës pasi saktësisht 50 vite më parë, thuajse po atë ditë, unë pata plotësuar trajnimin tim për t’u bërë pilot luftarak i forcave ajrore.

Përvoja e fluturimit me F-18, sigurisht, ishte tërësisht e ndryshme nga ajo me Pajper Kab. Ajo më tregoi një bukuri më të gjallë të fluturimit. Ishte si t’i zbatoje ligjet ekzistuese të aerodinamikës në një mënyrë më të përsosur. Sidoqoftë, fluturimi me Engjëjt Blu shpejt më kujtoi gjithashtu se të jesh pilot reaktivi luftarak është e përshtatshme vetëm për të rinj. Për t’i cituar përsëri vëllezërit Rajt: “Më shumë se çdo gjë tjetër, ndjesia [e fluturimit] është një ndjesi e paqes së përsosur, përzier me një ngacmim që tendos deri në kulm çdo nerv”2. Përveç kësaj, fluturimi me Engjëjt Blu sugjeronte një mënyrë tërësisht të ndryshme të të pasurit rreth vetes “engjëj” që të ngrenë lart.

Nëse do të më pyesnit cilës nga këto dy përvoja fluturimi iu gëzova më shumë, unë nuk jam i sigurt se mund t’jua them. Në disa mënyra të dukshme, ato ishin të ndryshme, për të thënë më të paktën. Dhe përsëri në mënyra të tjera, ato ishin shumë të ngjashme.

Edhe në Pajper Kab edhe në F-18, unë ndieva emocionin, bukurinë dhe gëzimin e fluturimit. Në të dyja unë mund ta kuptoja thirrjen e poetit për “[të rrëshqitur] nga prangat armike të Tokës dhe [për të vallëzuar] qiejve mbi krahë argjenduar prej qeshjes”3.

E Njëjta Priftëri Kudo

Tani, ju mund të pyesni, çfarë lidhje kanë këto dy përvoja tërësisht të ndryshme fluturimi, me mbledhjen tonë sot apo me priftërinë, që ne kemi privilegjin ta mbajmë, apo me shërbimin e priftërisë që ne e duam aq shumë?

Vëllezër, a nuk është e vërtetë se përvojat tona vetjake të shërbimit në priftëri mund të jenë të gjitha krejt të ndryshme? Do të mund të thoshim se disa nga ju po fluturojnë në reaktivë F-18, ndërsa të tjerë po fluturojnë në Pajper Kabë. Disa nga ju jetojnë në lagje dhe kunje ku çdo pozitë, nga ndihmësi për udhëheqësin e grupit të pritërinjve të lartë deri te sekretari i kuorumit të dhjakëve, është mbushur me një mbajtës priftërie aktiv. Ju keni privilegjin të merrni pjesë në një organizim lagjeje që ka mjaft njerëz sa t’i plotësojë të gjitha thirrjet.

Të tjerë nga ju jetojnë në zona të botës ku ka vetëm një numër të vogël anëtarësh dhe mbajtës priftërie të Kishës. Ju mund të ndiheni të vetmuar dhe të rënduar me peshën e gjithçkaje që duhet bërë. Për ju mund të kërkojë shumë përfshirje vetjake për ta vënë në lëvizje motorin e shërbimit të priftërisë. Ndonjëherë madje mund të duket se dega apo lagjja juaj nuk po përparon aspak.

Sidoqoftë, pavarësisht se cilat mund të jenë përgjegjësitë apo rrethanat tuaja, ju dhe unë e dimë se ka gjithmonë një gëzim të veçantë që vjen nga shërbimi i përkushtuar i priftërisë.

Gjithmonë e kam dashur fluturimin, qoftë në një Pajper Kab, një F-18 apo çfarëdo avioni tjetër. Në Pajper Kab, nuk u ankova për mungesën e shpejtësisë; ndërkohë në F-18 nuk shfryva kur tendosja nga manovrat akrobatike në ajër zbulonte pa mëshirë realitetet e moshës sime në përparim.

Po, gjithmonë ka diçka të papërsosur në çfarëdo situate. Po, është e lehtë të gjesh gjëra për t’u ankuar.

Por vëllezër, ne jemi mbajtës të Priftërisë së Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë! Secilit prej nesh i janë vendosur duart mbi kokë dhe ne morëm priftërinë e Perëndisë. Neve na është dhënë autoriteti dhe përgjegjësia për të vepruar në emrin e Tij si shërbëtorët e Tij në tokë. Qoftë në një lagje të madhe apo në një degë të vogël, ne jemi thirrur të shërbejmë, të bekojmë dhe të veprojmë me çdo mënyrë për të mirën e të gjithëve dhe çdo gjëje që i është besuar kujdesit tonë. A mund të ketë ndonjë gjë më emocionuese?

Le ta kuptojmë, ta vlerësojmë dhe ta ndiejmë gëzimin e shërbimit në priftëri.

Gëzimi i Priftërisë

Dashuria për fluturimin ndikoi në drejtimin e gjithë jetës sime. Por ndërsa përvojat e mia si pilot ishin gjallëruese dhe të hareshme, përvojat e mia si anëtar i kësaj Kishe kanë qenë shumë më depërtuese, më të gëzueshme dhe tejet më të thella. Ndërsa jam zhytur në shërbimin në Kishë, unë e kam ndier fuqinë e Perëndisë së plotfuqishëm si dhe mëshirat e Tij të dhembshura.

Si pilot, unë kam prekur qiejt. Si anëtar i Kishës, unë kam ndier dashurinë dhe kujdesin nga qielli.

Ndodh të më marrë malli që të ulem në një kabinë aeroplani. Por shërbimi pranë vëllezërve dhe motrave të mia në Kishë ma kompenson lehtësisht atë. Mundësia që të ndiej paqen dhe gëzimin madhështor, që vjen nga të qenit një pjesë e vogël e kësaj kauze dhe pune të madhe, nuk do të doja të më mungonte për asnjë gjë në botë.

Sot ne jemi mbledhur si një grup i madh i mbajtësve të priftërisë. Është gëzimi dhe privilegji ynë i shenjtë që t’i shërbejmë Zotit dhe bashkëqenieve tona, të bëjmë më të mirën që është brenda nesh, për kauzën fisnike të lartësimit të të tjerëve dhe për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

Ne e dimë dhe e kuptojmë se priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Ne mund ta recitojmë lehtësisht këtë përkufizim përmendësh. Sidoqoftë, a e kuptojmë vërtet rëndësinë e asaj që po themi? Më lejoni të përsëris: Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë.

Mendoni për të. Me anë të priftërisë, Perëndia i krijoi dhe i qeveris qiejt dhe tokën.

Nëpërmjet kësaj fuqie, Ai i shëlben dhe i ekzalton fëmijët e Tij, duke bërë “të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”4.

Priftëria, siç shpjegoi Profeti Jozef Smth, është “kanali përmes së cilës i Plotfuqishmi filloi të zbulojë lavdinë e Tij në fillim të krijimit të kësaj toke dhe përmes së cilës Ai ka vazhduar t’ia zbulojë Veten fëmijëve të njerëzve deri në kohën e tanishme, dhe përmes së cilës Ai do të bëjë të njohura qëllimet e Tij deri në fund të kohës”5.

Ati ynë i gjithëfuqishëm në Qiell na e ka besuar autoritetin e priftërisë neve – qenieve të vdekshme që, nga përkufizimi, jemi me të meta dhe të papërsosur. Ai na e jep neve autoritetin për të vepruar në emrin e Tij për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Nëpërmjet kësaj fuqie ne jemi të autorizuar për të predikuar ungjillin, për të administruar ordinancat e shpëtimit, për të ndihmuar që të ndërtohet mbretëria e Perëndisë në tokë dhe për të bekuar dhe për t’u shërbyer familjeve e bashkëqenieve tona.

E Disponueshme për të Gjithë

Kjo është priftëria e shenjtë që ne mbajmë.

Priftëria, ose çfarëdo përgjegjësie brenda saj, nuk mund të blihet apo të urdhërohet. Përdorimi i fuqisë së priftërisë nuk mund të ndikohet, t’i bindet apo të detyrohet nga pozita, pasuria apo pushteti. Ajo është një fuqi shpirtërore që vepron sipas ligjit qiellor. Ajo buron nga Ati i madh Qiellor i të gjithëve ne. Fuqia e saj mund të kontrollohet dhe drejtohet vetëm nëpërmjet parimeve të drejtësisë6, jo vetëdrejtësisë.

Krishti është burimi i të gjithë autoritetit dhe fuqisë së vërtetë të priftërisë në tokë.7 Është puna e Tij, në të cilën ne jemi të privilegjuar të ndihmojmë. “Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri, duke patur besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, duke qenë i matur në gjithë gjërat, çfarëdo që do t’i besohet kujdesit të tij.”8

Ne nuk veprojmë për përfitim vetjak, por përkundrazi përpiqemi t’u shërbejmë dhe t’i lartësojmë të tjerët. Ne udhëheqim jo me forcë por përmes “bindjes, … durimit, … mirësjelljes dhe zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur”9.

Priftëria e Perëndisë së Plotfuqishëm është e disponueshme për burrat e denjë kudo që mund të jenë – pavarësisht nga prejardhja e tyre, pavarësisht sa të përulura mund të jenë rrethanat e tyre, në pjesët më të afërta apo më të largëta të globit. Ajo është e disponueshme pa para apo çfarëdo çmimi tjetër tokësor. Për të perifrazuar profetin e lashtë Isaia, të gjithë që kanë etje, mund të vijnë tek ujërat dhe nuk kërkohet para për të ardhur dhe për të ngrënë!10

Dhe për shkak të Shlyerjes së përjetshme dhe të pakuptueshme të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht, priftëria e Perëndisë mund të jetë e disponueshme madje edhe nëse keni bërë gabime apo keni qenë i padenjë në të kaluarën. Nëpërmjet përmirësimit shpirtëror dhe procesit pastrues të pendimit, ju mund “të ngrih[eni] dhe të shkëlqeni”11. Për shkak të dashurisë së pakufishme e falëse të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, ju mund t’i ngrini sytë lart, të bëheni të pastër e të denjë dhe të bëheni bij të drejtë dhe fisnikë të Perëndisë – mbajtës të denjë të priftërisë më të shenjtë të Perëndisë së Plotfuqishëm.

Mrekullia dhe Privilegji i Priftërisë

Unë ndiej njëfarë dëshpërimi për ata që nuk e kuptojnë dhe nuk e vlerësojnë mrekullinë dhe privilegjin e priftërisë. Ata janë si pasagjerët në një aeroplan që e kalojnë kohën duke shfryrë për madhësinë e paketës së kikirikave, ndërsa fluturojnë në ajër, shumë mbi retë – diçka për të cilën mbretërit e lashtë do të jepnin gjithçka kishin për ta provuar vetëm një herë!

Vëllezër, ne jemi bekuar për të qenë të përulur për këtë autoritet dhe fuqi të madhe priftërie. Le t’i çojmë sytë lart dhe ta shohim, ta njohim dhe ta pranojmë këtë mundësi për atë që është në të vërtetë.

Nëpërmjet shërbimit të drejtë, të dashur dhe të përkushtuar, ne do të jemi në gjendje të përjetojmë kuptimin e vërtetë të zbulesës: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”12

Le ta përqafojmë dhe ta kuptojmë mrekullinë dhe privilegjin e priftërisë. Le t’i pranojmë dhe t’i duam përgjegjësitë që na janë kërkuar të përmbushim – përgjegjësi në shtëpitë tona dhe në njësitë tona të Kishës, pavarësisht sa të mëdha apo të vogla që mund të jenë. Le të rritemi vazhdimisht në drejtësi, përkushtim dhe shërbim priftërie. Le ta gjejmë gëzimin e të shërbyerit në priftëri!

Ne mund ta bëjmë këtë më mirë duke zbatuar parimet e njohurisë, të bindjes dhe besimit.

Kjo do të thotë se, së pari, ne duhet të njohim dhe të bëjmë pjesë të qenies sonë doktrinën e priftërisë që gjendet te fjala e zbuluar e Perëndisë. Është e rëndësishme t’i kuptojmë besëlidhjet dhe urdhërimet mbi të cilat vepron priftëria.13

Pastaj, le të jemi të urtë dhe të veprojmë sipas kësaj njohurie të fituar vazhdimisht e ndershmërisht. Ndërsa u bindemi ligjeve të Perëndisë, e disiplinojmë mendjen dhe trupin tonë dhe i përputhim veprimet tona me modelet e drejtësisë të dhëna mësim nga profetët, ne do të përjetojmë gëzimin e shërbimit të priftërisë.

Dhe më në fund, le ta thellojmë besimin tonë në Zotin tonë, Jezu Krisht. Le ta marrim mbi vete emrin e Tij dhe të zotohemi çdo ditë të veçantë për të ecur përsëri në shtegun e të qenit dishepull. Le të bëhet besimi ynë i përsosur nëpërmjet veprave tona.14 Nëpërmjet të qenit dishepuj, ne mund të përsosemi shkallë-shkallë duke i shërbyer familjes sonë, bashkënjerëzve tanë dhe Perëndisë.

Kur shërbejmë në priftëri me gjithë zemrën, fuqinë dhe forcën tonë, ne kemi një premtim për njohuri, paqe dhe dhurata shpirtërore madhështore. Ndërsa e nderojmë priftërinë e shenjtë, Perëndia do të na nderojë dhe ne do të “qëndro[jmë] të pafaj përpara [Atij] në ditën e fundit”15.

Paçim përherë sy që të shohim, dhe zemër që të ndiejmë mrekullinë dhe gëzimin e priftërisë së Perëndisë sonë të madh dhe të fuqishëm, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.