2012
Duke u Bërë Dishepull i Vërtetë
Nëntor 2012


Duke u Bërë Dishepull i Vërtetë

Elder Daniel L. Johnson

Ndërsa u bindemi urdhërimeve të Tij dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona, ne bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.

Ata prej nesh që kanë hyrë në ujërat e pagëzimit dhe kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, kanë bërë besëlidhje se janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ose me fjalë të tjera, ne shpallim se jemi dishepuj të Zotit. Ne e përtërijmë atë besëlidhje çdo javë kur marrim sakramentin dhe e tregojmë atë dishepullim nëpërmjet mënyrës se si jetojmë. Një dishepullim i tillë u demonstrua bukur në ngjarjet e fundit në Meksikë.

Kishte qenë një pranverë e bukur për komunitetet e rritjes së frutave në Meksikën veriore. Pemët frutore patën çelur plotësisht dhe shpresat qenë të larta për një vjelje të bollshme. Planet tashmë qenë duke u bërë për të shlyer huatë, për të zëvendësuar pajisjet e domosdoshme e pemishtet frutore të vjetruara dhe për të plotësuar detyrimet financiare vetjake të tilla si pagesat e shkollës për pjesëtarët e familjes. Madje qenë duke u bërë plane për pushimet me familjen. Kishte një atmosferë të përgjithshme optimizmi. Më pas, një pasdite të hëne, nga fundi i marsit, erdhi një shtrëngatë dimërore dhe filloi të binte borë. Ra borë deri në afro tre të mëngjesit. Më pas, kur retë u larguan, temperaturat ranë menjëherë. Përgjatë natës dhe në të gdhirë, u bë çdo përpjekje për të shpëtuar të paktën një pjesë të prodhimeve frutore. Nuk mund të bëhej asgjë. Thjesht u bë shumë ftohtë dhe prodhimet ngrinë plotësisht. Nuk do të kishte asnjë frutë që të vilej dhe të shitej këtë vit. Dita e martë zbardhi me humbjen e papëlqyeshme dhe dëshpëruese të të gjithë atyre planeve, shpresave dhe ëndrrave të mrekullueshme të vetëm një dite më parë.

Unë mora një mesazh elektronik në lidhje me atë mëngjes të tmerrshëm të së martës nga Sandra Heç, bashkëshortja e Xhon Heçit, atëherë këshilltar i parë në presidencën e Tempullit të Kolonia-Huarezit të Çiuauas. Po citoj pjesë të atij mesazhi elektronik: “Xhoni u ngrit herët – rreth orës 06:30 të mëngjesit – për të udhëtuar drejt tempullit që të shihte nëse duhet ta anulonim sesionin këtë mëngjes. Ai u kthye duke thënë se vendi i parkimit dhe rruga ishin të pastra nga bora, ndaj vendosëm të vazhdonim. Menduam se ndoshta disa nga punonjësit që nuk kishin pemishte frutore do të vinin, dhe mund t’i përfshinin të gjithë punonjësit në sesion. … Ishte aq frymëzuese t’i shihje njerëzit të hynin, njëri pas tjetrit. Ja tek ishin, pa gjumë fare dhe duke menduar që prodhimet e tyre ishin çuar dëm. … Po i vëzhgoja gjatë takimit tonë përgatitor dhe e kishin të vështirë të qëndronin zgjuar. Po në vend që të mendonin se kishin justifikim të mirë për të mos ardhur, ata ishin atje. Dhe kishte 38 njerëz në sesion (një sesion i plotë)! Ishte një mëngjes lartësues për ne dhe falënderuam Atin Qiellor për njerëzit e mirë që e kryejnë detyrën e tyre, pavarësisht se çfarë ndodh. Ndieva një shpirt të veçantë atje këtë mëngjes. Jam e sigurt se Ai ishte i kënaqur të dinte se e duam shtëpinë e Tij dhe e ndiem se ishte një vend i bukur për të shkuar në një mëngjes të tillë të vështirë.”

Historia nuk përfundon këtu dhe faktikisht ende po vazhdon.

Shumica e atyre që humbën prodhimet e tyre frutore, kishin pak tokë të disponueshme në të cilën të mbillnin prodhime të tjera për stinën, si spec djegës apo bathë. Këto prodhime mund të siguronin të paktën pak të ardhura në para, të mjaftueshme për të mbijetuar deri pas prodhimeve frutore të vitit të ardhshëm. Megjithatë, ishte një vëlla i dashur me një familje të re, që nuk kishte tokë tjetër, dhe po përballonte një vit pa kurrfarë të ardhurash vjetore. Njerëz të tjerë në komunitet, duke parë gjendjen e skajshme të këtij vëllai dhe duke vepruar me nismën dhe shpenzimet e tyre vetjake, i rregulluan një copë tokë, përdorën pajisjet e tyre për ta përgatitur tokën dhe siguruan farat e specave djegës që ai t’i mbillte.

I njoh njerëzit për të cilët sapo kam folur. Ngaqë i njoh, nuk u habita për atë që bënë. Por ata të cilët nuk i njohin me siguri do të jenë duke bërë dy pyetje, të dyja që fillojnë me fjalën përse. Përse do të vinin në tempull për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të shërbyer pasi kishin qenë zgjuar gjatë gjithë natës, veçse për të arritur në përfundimin se kishin humbur pjesën më të madhe të burimeve të tyre të të ardhurave për të gjithë vitin? Përse do të përdornin ato që tanimë ishin burime të kufizuara dhe tepër të çmuara për të ndihmuar dikë në nevojë të skajshme, kur ata vetë qenë tani në të tilla vështirësi të tmerrshme financiare?

Nëse e kuptoni se çfarë do të thotë të jesh dishepull i Jezu Krishtit, atëherë do ta dini përgjigjen e këtyre dy pyetjeve.

Bërja e besëlidhjes për të qenë dishepull i Krishtit është fillimi i një procesi që zgjat gjithë jetën, dhe udha nuk është gjithnjë e lehtë. Ndërsa pendohemi për mëkatet tona e orvatemi të bëjmë atë që Ai do të donte që të bënim dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona sikurse do t’u shërbente Ai, ne pashmangshmërisht do të bëhemi më shumë si Ai. Të bërit si Ai dhe të qenit një me Të është qëllimi dhe synimi përfundimtar – dhe në thelb përkufizimi i përpiktë i dishepullimit të vërtetë.

Ndërsa Shpëtimtari i pyeti dishepujt e Tij kur vizitoi kontinentin amerikan: “Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Dhe pastaj, duke iu përgjigjur vetë pyetjes së Tij, Ai tha: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).

Nuk është detyrë e lehtë të bëhesh si Shpëtimtari, veçanërisht në botën në të cilën jetojmë. Ne hasim pengesa dhe vështirësi pothuaj çdo ditë të jetës sonë. Ka një arsye për këtë dhe ajo është një nga qëllimet kryesore të vdekshmërisë. Ashtu si lexojmë tek Abrahami 3:25: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”.

Këto prova apo sprova ndryshojnë për nga natyra dhe fuqia. Por askush nuk do të largohet nga kjo ekzistencë në vdekshmëri pa i provuar ato. Përgjithësisht, ne i përfytyrojmë sprovat të jenë gjëra të tilla si humbje të prodhimeve apo të një vendi pune; vdekja e një të dashuri; sëmundje; paaftësi fizike, mendore apo emocionale; varfëri ose humbje e miqve. Megjithatë, edhe arritja e objektivave, në dukje me vlerë, mund të sjellë vetë rreziqet e krenarisë së padobishme, ku ne aspirojmë më shumë për nderet e njerëzve sesa për miratimin e qiellit. Këto mund të përfshijnë popullaritetin e botës, famën publike, aftësitë e mëdha fizike, talentin artistik ose sportiv, të qenit i suksesshëm dhe pasuritë. Lidhur me këto sprova të fundit, disa prej nesh mund të kenë ndjenja të ngjashme me ato të shprehura nga Tevi në Fiddler on the Roof [Violinisti mbi Çati]: Nëse pasuritë janë mallkim, “[Perëndia] më godittë me të. Dhe mos e marrsha veten kurrë!”1

Por këto lloje të fundit të sprovave mund të jenë edhe më frikësuese e të rrezikshme dhe më të vështira për t’u mposhtur sesa të parat. Dishepullimi ynë do të rritet dhe do të provohet jo nga llojet e sprovave që hasim, por nga mënyra se si i durojmë ato. Ashtu si jemi mësuar nga Presidenti Henri B. Ajring: “Kështu, prova e madhe e jetës është të shohim nëse ne do t’ia vëmë veshin dhe do t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë në mes të stuhive të jetës. Nuk është që të durojmë stuhitë, por të zgjedhim të drejtën kur ato shtohen. Dhe tragjedia e jetës është të dështosh në këtë provë dhe kështu dështon për t’u kualifikuar për t’u kthyer me lavdi në shtëpinë tonë qiellore” (“Spiritual Preparedness: Start Early and Be Steady”, Liahona, nëntor 2005, f. 38, “Përgatitja Shpirtërore: Fillo Herët dhe Ji i Qëndrueshëm”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005 (nr. art. 00075 101), f. 53).

Jam gjyshi krenar i 23 nipërve dhe mbesave. Ata asnjëherë nuk reshtin së më mahnituri me kuptueshmërinë e tyre për të vërtetat e përjetshme, edhe në moshën e tyre shumë të hershme dhe delikate. Teksa po përgatitesha për këtë bisedë, i kërkova secilit prej tyre të më dërgonte një përkufizim shumë të shkurtër të asaj se çfarë do të thotë të jesh dishepull ose ndjekës i Jezu Krishtit. Mora përgjigje të mrekullueshme nga të gjithë ata. Por do të doja të ndaja me ju këtë përgjigje nga Beniamini tetë vjeçar: “Të jesh dishepull i Jezu Krishtit do të thotë të jesh shembull. Do të thotë të jesh misionar dhe të përgatitesh për të qenë një misionar. Do të thotë t’u shërbesh të tjerëve. Do të thotë t’i lexosh shkrimet e shenjta dhe të bësh lutje vetjake. Do të thotë që e mban të shenjtë ditën e Shabatit. Do të thotë që ua vë veshin nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Do të thotë të shkosh në kishë dhe të shkosh në tempull.”

Jam dakord me Beniaminin. Dishepullimi ka të bëjë me gjithçka që bëjmë dhe çfarë po bëhemi. Ndërsa u bindemi urdhërimeve të Tij dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona, ne bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit. Bindja dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Tij do të sjellin shoqërimin e Frymës së Shenjtë, së bashku me ato bekime të paqes, gëzimit dhe sigurisë, që gjithmonë e shoqërojnë këtë anëtar të tretë të Kreut-Perëndi. Ato nuk mund të vijnë në asnjë mënyrë tjetër. Përfundimisht, është nëpërmjet nënshtrimit të plotë ndaj vullnetit të Tij që na ndihmon të bëhemi siç është Shpëtimtari ynë. Sërish, të bërit si Ai dhe të qenit një me Të është qëllimi dhe synimi përfundimtar – dhe në thelb përkufizimi i përpiktë i dishepullimit të vërtetë.

Dishepullimi është ajo që pashë të praktikohej në Tempullin e Kolonia-Huarezit dhe në zonat fqinje me të, kur vëllezërit dhe motrat nga Kisha ripohuan zotimet e tyre ndaj Perëndisë dhe njëri-tjetrit pavarësisht fatkeqësisë shpirtcoptuese.

Unë dëshmoj se kur u bindemi urdhërimeve të Tij, u shërbejmë të tjerëve dhe ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Tij, ne do të bëhemi, me të vërtetë, dishepujt e Tij të vërtetë. Unë dëshmoj për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Note

  1. Shih Joseph Stein, Jerry Bock, Sheldon Harnick, Fiddler on the Roof (1964), f. 61.