Bekimet e Sakramentit
Ne do të bekohemi kur ndiejmë mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit, përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit, ndiejmë falje dhe marrin frymëzim nga Fryma e Shenjtë.
U rrita në Reksburg të Ajdahos, ku u ndikova dhe u mësova nga një familje, miq, mësues dhe udhëheqës të mrekullueshëm. Në jetën e gjithsecilit prej nesh ka përvoja të veçanta që prekin shpirtrat tanë dhe i ndryshojnë gjërat përgjithmonë. Një përvojë e tillë më ndodhi në rini. Kjo përvojë e shndërroi jetën time.
Gjithmonë kam qenë aktiv në Kishë dhe përparova në klasën e Priftërisë Aarone. Kur isha adoleshent, vëllai Xheikobs, mësuesi im, kërkoi që unë të shkruaja në një letër atë që kisha menduar gjatë sakramentit. Mora letrën dhe fillova të shkruaja. E para në listë ishte ndeshja e basketbollit që kishim fituar mbrëmjen e kaluar. Dhe më pas vinte dalja në një takim pas ndeshjes, dhe gjëra të tilla të ngjashme u renditën në letër. Emri i Jezu Krishtit ishte renditur shumë më poshtë dhe pa dyshim jo me shkronja të theksuara.
Çdo të diel plotësonim letrën. Për një mbajtës të ri të Priftërisë Aarone, sakramenti dhe mbledhja e sakramentit tani kishin një kuptim tjetër, të gjerë dhe shpirtëror. Unë i prisja me padurim të dielat dhe mundësinë për të marrë sakramentin, ndërsa kuptimi për Shlyerjen e Shpëtimtarit po më ndryshonte. Çdo të diel deri sot e kësaj dite, kur marr sakramentin, unë mund të shoh letrën time dhe të shqyrtoj listën time. Gjithmonë në listën time tani, para së gjithash, është Shpëtimtari i njerëzimit.
Te Dhiata e Re lexojmë për kohën kur Shpëtimtari dhe apostujt e Tij u takuan në dhomën e sipërme për festën e Pashkës.
“Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim’.
Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ‘Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju’.”1
Jezusi gjithashtu filloi ordinancën e sakramentit gjatë vizitës së Tij te nefitët.2 Kam arritur të di rëndësinë e këtyre dy ngjarjeve.
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Ndihem i nxitur të theksoj atë që Zoti ka përcaktuar si mbledhjen më të rëndësishme në Kishë, dhe ajo është mbledhja e sakramentit”3. Nëse përgatitemi siç duhet për sakramentin, ne mund ta ndryshojmë jetën tonë. Dëshiroj të sugjeroj pesë parime që mund të bekojnë jetën tonë kur e marrin sakramentin denjësisht.
I. Kini një Ndjenjë Mirënjohjeje për Shlyerjen e Jezu Krishtit
Parimi i parë është të kemi një ndjenjë mirënjohjeje ndaj Atit Qiellor gjatë sakramentit për Shlyerjen e Birit të Tij. Historia në vijim tregohet për shpërndarjen e sakramentit:
“Sakramenti në të vërtetë asnjëherë nuk kishte shumë domethënie për mua deri të dielën që u shugurova dhjak. Atë pasdite unë shpërndava sakramentin për herë të parë. Përpara mbledhjes, një nga dhjakët më paralajmëroi: ‘Kij kujdes vëllanë Shmid. Do të duhet ta zgjosh nga gjumi!’ Më në fund erdhi koha për mua që të merrja pjesë në shpërndarjen e sakramentit. I përballova shumë mirë gjashtë rreshtat e parë. Fëmijët dhe të rriturit e morën bukën pa ndonjë vëmendje apo problem të dukshëm. Më pas mbërrita te rreshti shtatë, rreshti ku ulej gjithnjë vëllai Shmid. Por u befasova. Në vend që të ishte i përgjumur, ai ishte plotësisht syhapur. Ndryshe nga shumë të tjerëve që u kisha shërbyer, ai e mori bukën nga sa u duk me mendim dhe nderim të madh.
Pak minuta më vonë u gjenda sërish duke iu afruar rreshtit shtatë me ujin. Këtë herë miku im kishte të drejtë. Vëllai Shmid qe ulur me kokën e përkulur dhe sytë e tij të mëdhenj gjermanë të mbyllur. Dukej sikur po bënte gjumë të thellë. Çfarë mund të bëja apo të thosha? Për një çast pashë ballin e tij, të rrudhosur dhe të veshur nga vite rraskapitjeje dhe mundimi. Ai ishte bashkuar me Kishën që në adoleshencë dhe kishte përjetuar shumë përndjekje në qytetin e tij të vogël gjerman. E kisha dëgjuar historinë shumë herë gjatë mbledhjes së dëshmive. Unë vendosa përfundimisht ta shtyja me butësi shpatullën e tij me shpresën që ta zgjoja. Teksa u zgjata për ta bërë këtë, koka e tij u ngrit ngadalë. Nëpër faqet e tij po rridhnin lot, dhe kur pashë sytë e tij unë mund të shihja dashuri e gëzim. Ai pa zhurmë u zgjat dhe mori ujin. Ndonëse atëherë isha vetëm dymbëdhjetë vjeç, ende mund ta kujtoj qartë ndjenjën që kisha ndërsa pashë këtë burrë të thyer e të rrudhosur të merrte sakramentin. E dija pa mëdyshje se ai po ndiente diçka rreth sakramentit që unë nuk e kisha ndier kurrë. Atëherë vendosa se dëshiroja të ndieja po ato ndjenja.”4
Vëllai Shmid kishte komunikuar me qiellin dhe qielli kishte komunikuar me të.
II. Kujtoni se po Përtërijmë Besëlidhjet e Pagëzimit
Parimi i dytë është të kujtoni se, kur marrim sakramentin, po përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit. Disa prej premtimeve që bëjmë, siç shkruhen në shkrimet e shenjta, përfshijnë:
“Të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij, … të mbani barrat e njëri-tjetrit … , të vajtoni me ata që vajtojnë … , dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë”5.
“[Të] vi[ni] me zemra të thyera e shpirtra të penduar, … të gatshëm të m[errni] mbi vete emrin e Jezu Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund”6 dhe të zbatoni urdhërimet e Tij dhe gjithmonë ta kujtoni Atë7.
Lutjet e sakramentit janë një kujtues i këtyre besëlidhjeve. Kur marrin sakramentin ne përtërijmë zotimin tonë për të jetuar sipas këtyre besëlidhjeve. Unë mendoj se do të ishte me vend të mësonim përmendsh lutjet e sakramentit në mendjen dhe në zemrën tonë. Kjo do të na ndihmojë të përqendrohemi te përtëritja e besëlidhjeve tona të pagëzimit. Qoftë nëse ishim 8 apo 80 vjeç kur u pagëzuam, shpresoj që nuk do ta harrojmë kurrë atë ditë dhe besëlidhjet që bëmë.
III. Gjatë Sakramentit Ne Mund të Ndihemi të Falur për Mëkatet Tona
Së treti, gjatë sakramentit ne mund të ndihemi të falur për mëkatet tona. Nëse përpara mbledhjes së sakramentit kemi kaluar kohë duke u penduar për mëkatet tona, ne mund të largohemi nga mbledhja e sakramentit duke u ndier të pastër dhe të dëlirë. Presidenti Bojd K. Paker tha: “Sakramenti përtërin procesin e faljes. Çdo të diel kur shërbehet sakramenti, ai është një kremtim për të përtërirë procesin e faljes. … Çdo të diel ju pastroni vetveten në mënyrë që, në kohën e duhur, kur të ndërroni jetë shpirti juaj do të jetë i pastër”8. Marrja e sakramentit me denjësi mund të na ndihmojë të ndihemi si populli i mbretit Beniamin, i cili “u mbush me gëzim, pasi kish[te] marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kish[te] paqe të ndërgjegjes”9.
IV. Ne Mund të Marrim Frymëzim për Zgjidhje të Problemeve Tona
Parimi i katërt është se ne mund të marrin frymëzim për zgjidhje të problemeve tona gjatë mbledhjes së sakramentit. Kur isha president misioni në Bolivi, bashkëshortja ime, Meri En dhe unë patëm bekimin që të merrnim pjesë në një seminar për presidentët e misioneve me Presidentin Henri B. Ajring. Në atë mbledhje ai dha mësim se ka tri mënyra të rëndësishme për t’u përgatitur që të përfitoni nga një mbledhje. Ne duhet të vijmë me problemet tona të përulur si fëmijë, të gatshëm për të mësuar dhe me dëshirën për të ndihmuar fëmijët e Perëndisë.
Kur vijmë të përulur në mbledhjen e sakramentit, ne mund të bekohemi për të ndier mbresa për zgjidhje të problemeve tona të përditshme. Ne duhet të vijmë të përgatitur, të jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të mos hutohemi. Në shkrimet e shenjta lexojmë: “Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.”10 Ne mund të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të zgjidhur problemet tona.
V. Marrja e Sakramentit Denjësisht do të na Ndihmojë të Mbushemi me Frymën e Shenjtë
Parimi i pestë, marrja e sakramentit denjësisht, do të na ndihmojë të mbushemi me Frymën e Shenjtë. Pas fillimit të sakramentit gjatë vizitës së Tij te nefitët, Jezusi shpalli: “Ai që ha këtë bukë, ha nga trupi im në shpirtin e tij; dhe ai që pi nga kjo verë, pi nga gjaku im në shpirtin e tij; dhe shpirti i tij nuk do të ketë kurrë uri ose etje, por do të jetë i ngopur”11. Atyre u është premtuar se, nëse janë të uritur dhe të etur për drejtësi, do të ngopen me Frymën e Shenjtë. Lutja e sakramentit gjithashtu premton se, nëse jetojmë sipas besëlidhjeve tona, do të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne.12
Plaku Melvin J. Ballard tha: “Unë jam dëshmitar që ka një shpirt që merr pjesë në administrimin e sakramentit i cili ngroh shpirtin nga koka te këmbët; ju ndieni plagët e shpirtit të shërohen dhe barrën të hiqet. Ngushëllimi dhe lumturia i vijnë shpirtit që është i denjë dhe vërtet i dëshiruar të marrë nga ky ushqim shpirtëror.”13
Ne do të bekohemi kur ndiejmë mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit, përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit, ndiejmë falje dhe marrin frymëzim nga Fryma e Shenjtë ndërsa marrim sakramentin çdo javë. Nëse sakramenti është në qendër të adhurimit tonë, do të kemi gjithmonë një mbledhje të mrekullueshme sakramenti. Shpreh mirënjohjen time për Shlyerjen e Jezu Krishtit. E di se Ai jeton. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.