2012
Kujdestarja
Nëntor 2012


Kujdestarja

President Henry B. Eyring

Ju do të forcoheni dhe madje do të frymëzoheni për të ditur shkallën e aftësisë suaj për të shërbyer.

Jam mirënjohës që ndodhem në praninë tuaj sonte. Gratë e Kishës së Jezu Krishtit kanë përparuar drejt të qenit ajo shoqatë motrash të cilën nëna e Profetit Jozef Smith, Lusi Mek Smith, e përshkroi me këto fjalë: “Ne duhet ta duam fort njëra-tjetrën, ta mbrojmë njëra-tjetrën, ta ngushëllojmë njëra-tjetrën dhe të marrim udhëzim, që të mund të qëndrojmë të gjitha në qiell së bashku”1.

Ka tri pjesë të atij përshkrimi të mrekullueshëm të kushteve për t’u shoqëruar në një gjendje lumturie me Perëndinë. Njëra është që të kujdesemi për njëri-tjetrin. Tjetra është për të dhënë dhe për të marrë mësim nga njëri-tjetri. Dhe e treta është të qëndrojmë së bashku me Perëndinë.

Qëllimi im sonte është t’ju ndihmoj të ndieni miratimin dhe vlerësimin e Perëndisë për atë që keni bërë tashmë, për të ndihmuar njëra-tjetrën që ta arrini atë synim fisnik. Dhe qëllimi i dytë është t’ju përshkruaj pak prej asaj që ende nuk ka ndodhur në shërbimin tuaj të bashkuar.

Njësoj si motrat që jetuan në një kohë më të hershme, ju i jeni përgjigjur thirrjes së Zotit për të shkuar e për t’i ndihmuar të tjerët. Në 1856-ën, profeti Brigam Jang u kërkoi shenjtorëve t’iu vinin në ndihmë pionierëve të karrocave të dorës të bllokuar në malet me dëborë. Ai u tha anëtarëve në atë kohë nevoje në konferencën e përgjithshme: “Besimi, feja dhe shfaqja e besimit tuaj, nuk do të shpëtojnë asnjë shpirt prej jush në mbretërinë çelestiale të Perëndisë sonë, veç nëse veproni sipas pikërisht këtyre parimeve që po ju mësoj tani. Shkoni dhe sillini ata njerëz tani në rrafshina [në Juta] dhe kujdesuni tërësisht për ato gjëra që i quajmë materiale, … përndryshe besimi juaj do të jetë i kotë.”2

[Kësaj] thirrjeje iu përgjigjën qindra gra në Juta. Megjithëse ishin të varfra, ato i mbushën vagonat me gjithçka që mundën të kursenin, dhe gjithçka që mund të merrnin nga të tjerët për të ngushëlluar njerëzit në fatkeqësi. Një nga ato motra trime shkroi: “Unë nuk kam ndier kurrë më shumë përmbushje dhe mund të them, kënaqësi, nga asnjë punë që kam bërë ndonjëherë në jetën time, për shkak të harmonisë së ndjenjës që mbizotëronte”3.

Kur operacioni i shpëtimit përfundoi dhe dëbora u shkri, po e njëjta motër shënoi pyetjen e zemrës së saj besnike: “Çfarë ka për të bërë pas kësaj nga ata që janë të gatshëm të veprojnë?”4

Në kohën tonë, grupe motrash të guximshme përqark botës e kanë kthyer besimin e tyre në veprim në qindra vende. Dhe në zemrat dhe lutjet e tyre ato bëjnë të njëjtën pyetje rreth të ardhmes së jetës së tyre në shërbim.

Secila prej jush është në një situatë të pashoqe në udhëtimin e saj për në jetën e përjetshme. Disa kanë vite përvoje dhe të tjera janë të reja në dishepullimin e tyre në vdekshmëri. Secila është e pashoqe në historinë dhe sfidat e saj vetjake. Por që të gjitha ju jeni motra dhe bija të dashura të Atit tonë Qiellor, i cili e njeh dhe e mbron çdonjërën prej jush.

Ajo që keni bërë mahnitshëm mirë së bashku, është se e keni dashur, e keni mbrojtur dhe e keni ngushëlluar njëra-tjetrën. Unë qeshë dëshmitar i asaj mrekullie tripalëshe vetëm një muaj më parë kur pashë shërbimin tuaj ndaj një motre. Si babai i saj, ju falënderoj dhe e falënderoj Perëndinë i cili udhëhoqi një mësuese vizitore.

Bija jonë, Elizabeta, e cila jeton në një shtet dhe një zonë me orare të ndryshme nga ne, ishte në shtëpi me të bijën trivjeçare. Fëmija tjetër i saj ishte në javën e parë të kopshtit. Elizabeta qe gjashtë muajshe shtatzënë, duke pritur lindjen e fëmijës së saj të tretë, për të cilën mjekët thanë se do të ishte sërish vajzë. I shoqi, Xhoshua, ishte larg me punë.

Kur pa se po humbiste gjak dhe se gjakderdhja po shtohej, ajo i telefonoi të shoqit. Ai i tha asaj t’i telefononte ambulancës dhe se do të takohej me të në spital, që ishte 25 minuta larg shtëpisë së saj. Përpara se ta bënte telefonatën, ajo dëgjoi një trokitje në derën kryesore.

U habit kur pa në derë shoqen me të cilën bënte vizitat mësimore të Shoqatës së Ndihmës. Ato nuk kishin asnjë takim për atë mëngjes. Shoqja e saj e vizitave mësimore thjesht kishte ndier se duhej të vinte ta shihte Elizabetën.

Ajo e ndihmoi atë të futej në makinë. Ato arritën në spital disa minuta përpara se të mbërrinte Xhoshua nga puna. Mjekët vendosën në më pak se 20 minuta për ta nxjerrë foshnjën nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale që të shpëtonin Elizabetën dhe foshnjën e saj. Kështu erdhi në botë një vajzë e vockël, duke qarë fort, 15 javë përpara parashikimit. Ajo peshonte 765 gram. Por ajo ishte gjallë dhe po kështu edhe Elizabeta.

Një pjesë e fjalëve të Lusi Mek Smithit u përmbush atë ditë. Një anëtare besnike e Shoqatës së Ndihmës, e nxitur nga Fryma e Shenjtë, e mbrojti, tregoi dashuri dhe e ngushëlloi motrën e saj në mbretërinë e Perëndisë. Ajo dhe dhjetëra mijëra të tjera që kanë dhënë shërbim kaq të frymëzuar përgjatë brezave, kanë jo vetëm falënderimin e atyre që kanë ndihmuar dhe të njerëzve të tyre të dashur, por edhe të Zotit.

Ju i mbani mend fjalët e Tij vlerësuese ndaj atyre që marrin pak vlerësim për mirëdashjen e tyre: “Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’”5.

Por mrekullia e një motre të Shoqatës së Ndihmës që mbërrin pikërisht në kohë për të ndihmuar, shumëfishohet përmes fuqisë së një shoqate të bashkuar motrash. Këtu është një pjesë e mesazhit që peshkopi i Elizabetës i dërgoi asaj dhe Xhoshuas në spital disa orë pasi kishte lindur foshnja: “Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ka gjithçka nën kontroll. Ne tashmë jemi duke hartuar një plan të ardhshëm për të ndihmuar vajzat tuaja në mënyrë që Elizabeta të shkojë e të vijë në spital ndërkohë që foshnja e bukur dhe pa emër qëndron atje. Ne i kemi ndihmuar të tjerët në situata të ngjashme më parë, për periudha të gjata kohe, dhe njerëzit [tanë] e mirëpresin këtë mundësi”.

Peshkopi vazhdonte të thoshte në letër, duke folur në emrin e vet dhe të lagjes: “Ne madje kemi ardhur në spital dhe jemi ulur me fëmijët në dhomën e lojërave kur nënat nuk dëshironin t’i linin ata diku tjetër”.

Dhe më pas: “Ne sigurisht që nuk do ta zbatojmë planin tonë pa bashkërendim dhe miratim prej teje. Thjesht dëshironim të të vinim në dijeni që të mos shqetësohesh për gjërat që ne mund dhe [do të] bëjmë.”

Ajo që ato bënë për bijën time, bëri të mundur që ajo të kishte një çast të çmuar me vajzën e saj të vockël, kur e mbajti atë për herë të parë në krahë.

Dhe më pas peshkopi e mbylli mesazhin e tij për Xhoshuan dhe Elizabetën me një mesazh që motrat dërgojnë me zotimin e tyre anekënd botës për t’i shërbyer njëra-tjetrës për Mësuesin: “Vazhdo të besosh”.

Me gjithë ndryshimet në rrethanat dhe në përvojat tuaja të kaluara vetjake, unë mund t’ju them diçka që ju pret në të ardhmen. Ndërsa vazhdoni të jeni besnike, ju do ta gjeni veten të ftuar nga Zoti shpesh për t’i shërbyer dikujt në nevojë kur nuk do të duket e volitshme. Mund të duket një detyrë e papëlqyeshme dhe ndofta edhe e pamundur. Kur vjen thirrja, mund t’ju duket se nuk ka nevojë për ju ose që dikush tjetër mund ta japë ndihmën.

Kujtoni se kur Zoti na lejon të ndeshim dikë në fatkeqësi, ne e respektojmë Samaritanin e mirë për atë që nuk bëri ashtu sikurse edhe për atë që bëri. Ai nuk kaloi nga ana tjetër megjithëse udhëtari i rrahur në rrugë qe një i huaj dhe ndofta një armik. Ai bëri atë që mundi për burrin e rrahur dhe pastaj vuri në veprim një plan të posaçëm që të tjerët të bënin më tepër. Ai e bëri atë sepse e kuptoi se për të ndihmuar mund të nevojitet më shumë se ajo çka mund të bëjë një njeri.

Mësimet në historinë e Samaritanit të mirë mund t’ju udhëzojnë pavarësisht nga ajo që ju pret në të ardhmen. Po të njëjtat mësime qenë të gjindshme në fëmijërinë tuaj dhe në përvojat e kohëve të fundit.

Së paku njëherë, dhe ndoshta shpesh, ju jeni befasuar kur jeni ndeshur me dikë në nevojë për përkujdesje. Mund të ketë qenë një prind, një gjysh, një motër ose një fëmijë, një vëlla apo motër e goditur nga sëmundja ose paaftësia. Ndjenjat tuaja të dhembshurisë mbizotëruan mbi dëshirat tuaja njerëzore. Ndaj, ju filluat të jepnit ndihmë.

Sikurse udhëtari në historinë e shkrimit të shenjtë për Samaritanin e mirë, ka gjasa që ndihma e nevojshme të jetë kthyer në një përkujdesje me afat më të gjatë sesa mund ta jepni të vetme. Samaritanit iu desh ta kalonte udhëtarin nën kujdesin e hanxhiut. Puna në grup për t’u shërbyer njerëzve të tjerë në nevojë është pjesë e planit të Zotit.

Peshkopët dhe presidentet e Shoqatës së Ndihmës i ftojnë gjithnjë pjesëtarët e familjes që ta ndihmojnë njëri-tjetrin kur ka një nevojë. Ka shumë arsye për atë parim. Arsyeja më kryesore është që t’u sigurojë më shumë njerëzve bekimin e dashurisë së madhe që vjen nga shërbimi ndaj njëri-tjetrit.

Ju e keni vëzhguar dhe e keni ndier atë bekim. Kurdoherë që jeni kujdesur për dikë, edhe për një kohë të shkurtër, ju keni ndier dashuri për njeriun të cilit i shërbyet. Kur koha për të dhënë përkujdesje zgjatet, ndjenjat e dashurisë janë të prirura të shtohen.

Duke qenë se ne jemi të vdekshëm, ai shtim i dashurisë mund të ndërpritet nga ndjenjat e acarimit dhe lodhjes. Kjo është një arsye tjetër përse Zoti na lejon që t’i ndihmojmë të tjerët në shërbimin tonë ndaj atyre në nevojë. Kjo është arsyeja përse Zoti ka krijuar shoqata kujdestaresh.

Pak javë më parë, isha i pranishëm kur një grua e re u ngrit për t’u mbështetur në mbledhjen e sakramentit si ndihmësbashkërenduesja e vizitave mësimore. Pyeta veten nëse ajo e dinte se çfarë nderi po i bënte Zoti. Për shkak të një fëmije të zhurmshëm, asaj iu desh të largohej nga mbledhja përpara se të mundesha t’i thoja se sa do ta donte dhe do ta vlerësonte Zoti atë për ndihmën e bashkërendimit të përpjekjeve të dishepujve të Tij.

Përkujdesja për njerëzit në nevojë kërkon një grup, një shoqatë të dashur e të bashkuar. Kjo është ajo që Zoti po ndërton në mesin tuaj. Ai ju do për çdo rol që luani.

Një fakt i vlerësimit të Tij është se Perëndia ju lejon të ndieni gjithnjë e më shumë dashuri për ata të cilëve u shërbeni. Kjo është një arsye përse ju qani në vdekjen e dikujt që i keni shërbyer për një kohë të gjatë. Humbja e mundësisë për t’u kujdesur për ata mund të duket si një humbje madje më e madhe seç duket ndarja e përkohshme. Kohët e fundit, dëgjova një grua, javën kur i vdiq i shoqi, tek jepte një dëshmi mirënjohjeje për mundësinë që pati për t’i shërbyer atij deri në fund të jetës. Lotët nuk i dukeshin, por dukej buzëqeshja e saj e lumtur.

Megjithëse shërbimi i zgjatur dhe i dhembshur ndaj njerëzve shpërblehet bujarisht, ju keni mësuar se ka kufij fizikë, emocionalë dhe financiarë për atë që është e mundur. Njeriu që kujdeset, mund të bëhet pas disa kohësh njeriu që ka nevojë për përkujdesje.

Zoti, që është Ndihmësi Mjeshtër i njerëzve në nevojë, u dha kujdestarëve të lodhur këshillë të frymëzuar me këto fjalë të shënuara në Librin e Mormonit: “Për hirin e ruajtjes së një heqjeje të mëkateve tuaja … unë do të doja që ju t’u jepni nga pasuria juaj të varfërve, çdo njeri sipas asaj që ka, në mënyrë që të ushqehen të uriturit, të vishen të zhveshurit, të vizitohen të sëmurët dhe t’u jepni ndihmë atyre qoftë shpirtërisht, ashtu edhe materialisht, sipas nevojave të tyre”6.

Por më pas Ai vazhdon t’i paralajmërojë ata prej jush që mund të mos reagojnë përpara faktit se ju jeni duke tejkaluar dhe duke e zgjatur më tepër seç duhet shërbimin tuaj me dashuri: “Dhe shikoni, që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull; pasi nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi. Dhe përsëri, është e domosdoshme që ai duhet të jetë i zellshëm, që kështu të mund të fitojë çmimin; prandaj të gjitha gjërat duhet të bëhen në rregull.”7

Ajo këshillë mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar kur duket se zgjedhja po baraspeshon një dëshirë për të bërë gjithçka mundeni për t’i ndihmuar të tjerët, me urtësinë për të qenë të matur në plotësimin e nevojave tuaja vetjake që të mund të keni ende fuqi për të shërbyer. Ju mund t’i keni parë të tjerët duke u munduar me zgjedhje të tilla të vështira. Një shembull është zgjedhja për t’u kujdesur për një njeri në prag të fundit të jetës në shtëpi ose në një godinë përkujdesjeje kur mund të jeni pranë rraskapitjes.

Ajo që dini rreth planit të shpëtimit, mund të jetë udhërrëfyesi juaj në zgjedhje të tilla zemërcopëtuese. Kjo është një nga arsyet përse Lusi Mek Smith tha me urtësi se motrat duhet të “marri[n] udhëzim”.

Kjo ndihmon për të pasur një bindje të sigurt për qëllimin e Zotit për çdo fëmijë të Perëndisë gjatë përvojës të mundimshme të jetës në vdekshmëri. Ai ia mësoi Profetit Jozef Smith thelbin e planit të shpëtimit në këtë mënyrë, ndërsa ai përpiqej t’i kuptonte sprovat e tij në dukje të pafundme: “Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart”8.

Zgjedhja jonë për ta ndihmuar më së miri një njeri atëherë bëhet: “Çfarë drejtimi duhet të ndjek që ta ndihmoj më së miri njeriun që dua që ai të ‘duroj[ë] mirë’?” Qëllimi ynë është që të bëjmë [shërbimin] më të mundur që ata të mund të ushtrojnë besim tek Krishti, të mbajnë një shpresë të shndritshme për jetën e përjetshme dhe të vënë në veprim dashurinë hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit, deri në fund të jetës së tyre.

Kam parë motra në mbretëri që përqendrohen te Shpëtimtari dhe te qëllimi i Tij. Mendoni për ato kohë kur keni hyrë në dhomën ku janë mbledhur Shoqata e Ndihmës, Fillorja ose Të Rejat.

Një figurë e Shpëtimtarit dhe e Fjalëve të Tij mund të mos jetë e dukshme, por ju e dini se në atë orë është ndier një dëshmi për vërtetësinë dhe vlerat e Shlyerjes së Tij. Atje mund të mos ketë një figurë të një tempulli të shenjtë me fjalët “Familjet Mund të Jenë Përgjithmonë”, por ju e shihni shpresën në buzëqeshjet e tyre.

Dhe ju e keni parë, siç e kam parë unë, një mësuese të mençur vizitore t’i japë një motre që përpiqet, sigurinë se shërbimi i saj ndaj dikujt tjetër është ende i nevojshëm dhe me vlerë. Presidentet e shkëlqyera të Shoqatës së Ndihmës i gjejnë mënyrat për t’i lejuar ato që kanë nevojë për përkujdesje, që të ndihmojnë në kujdesin ndaj të tjerëve. Ato u krijojnë mundësi motrave që t’i durojnë mirë sprovat e tyre ndërsa kujdesen për njëra-tjetrën në dashurinë e pastër të Krishtit. Kjo mund të përfshijë nxitjen e qetë të kujdestares së lodhur që të pushojë e të pranojë ndihmën e të tjerëve.

Motrat e bëjnë këtë të mundur duke qenë të ngadalta në gjykimin e atyre që po kalojnë sprova. Shumica e njerëzve që mbajnë barra të rënda, fillojnë ta vënë veten dhe vlerën e tyre në dyshim. Ne i lehtësojmë barrat e tyre ndërsa jemi të duruar me dobësitë e tyre dhe kremtojmë çfarëdo të mire që mund të shohim tek ata. Këtë bën Zoti. Dhe ne mund ta ndjekim shembullin e Tij – Ai, ndihmësi më i madh i të gjithëve.

Ne flasim shpesh për forcën e grupit të motrave në Kishën e Jezu Krishtit. Ne duhet të mësojmë të dallojmë se Shpëtimtari është përherë në grup kur ne e ftojmë Atë.

Ne do të shohim gjithnjë e më tepër bija të Perëndisë që ftojnë motra në grup me to. Kur motrat të hyjnë në një mbledhje dhe të kërkojnë një karrige, ato do të dëgjojnë të thuhen butësisht fjalët: “Të lutem, eja ulu me mua”.

Ne do t’i dëgjojmë ato fjalë në atë ditë të ardhshme që Lusi Mek Smith parashikoi se motrat do të “qëndrojnë në qiell së bashku”. Ne nuk përgatitemi për atë ditë në një çast të vetëm. Ajo do të vijë nga ditë dhe vite përkujdesjeje për njëri-tjetrin dhe depërtimi i fjalëve të jetës së përjetshme thellë në zemrat tona.

Lutja ime është që shumë prej nesh do të jenë së bashku në të ardhmen e lavdishme që shtrihet para nesh. Unë ju jap dëshminë time se shpresa juaj për ato ditë do të jetë e justifikuar. Zoti Jezu Krisht e bëri të mundur këtë për secilën prej jush nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme. Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tuaja me besim për drejtim dhe për ndihmë që të duroni në shërbimin tuaj.

Juve dhe atyre të cilëve u shërbeni me gjithë zemër ju është dërguar Fryma e Shenjtë. Ju do të forcoheni dhe madje do të frymëzoheni për të ditur shkallën e aftësisë suaj për të shërbyer. Shpirti do t’ju ngushëllojë kur të pyesni veten: “A bëra aq sa duhej?”

Unë dëshmoj se Zoti do të jetë me ju dhe se udha juaj do të përgatitet dhe do të shënohet për ju nga Ai, kur ju shërbeni në nevojat dhe sprovat e atyre njerëzve që Ai i do. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lucy Mack Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 25.

  2. Brigham Young, në Daughters in My Kingdom, f. 36.

  3. Lucy Meserve Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 37.

  4. Lucy Meserve Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 37.

  5. Mateu 25:40.

  6. Mosia 4:26.

  7. Mosia 4:27.

  8. Doktrina e Besëlidhje 121:8.