2012
Prova e Besimit Tuaj
Nëntor 2012


Prova e Besimit Tuaj

Elder Neil L. Andersen

Sikurse zjarri i fortë që e shndërron hekurin në çelik, kur ne qëndrojmë besnikë gjatë provave të zjarrta të besimit tonë, ne përpunohemi dhe forcohemi shpirtërisht.

Dhjetë vite më parë, ndërsa bashkëshortja ime, Keti, dhe unë jetonim në Sao-Paulo të Brazilit, Presidenti Dejvid Meriot kryesonte Misionin Brazilian të Interlagosit të Sao-Paulos. Ai dhe bashkëshortja e tij, Nejl, dhe të bijtë Uilli, Uesli dhe Trejsi jetonin pranë nesh. Kishin lënë shtëpinë, punën dhe shumë pjesëtarë të familjes, që t’i përgjigjeshin një thirrjeje nga profeti për të shërbyer në një mision.

Presidenti Meriot më telefonoi një pasdite. Bija e tyre 21-vjeçare, e çmuar dhe e drejtë, Xhorxha, studente në vitin e katërt për interpretim në violinë në Universitetin e Indianës, qe përplasur nga një kamion ndërsa ngiste biçikletën për në shtëpi pas një mbledhjeje të Kishës. Sipas njoftimit të parë, Xhorxha ishte mirë. Në orët e mëvonshme gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë tronditëse.

Familja dhe miqtë filluan të agjëronin dhe të luteshin për një mrekulli për Xhorxhën. Nëna e saj udhëtoi gjatë gjithë natës me avion nga Brazili. Në mbërritje në aeroportin e Indianës të nesërmen, e takuan fëmijët më të rritur, që përmes lotëve i shpjeguan se ata iu ndodhën pranë Xhorxhës kur ajo ndërroi jetë.

Vëzhgova familjen Meriot gjatë kohës së këtij përjetimi dhe në muajt e vitet që pasuan. Ata vajtonin, luteshin, flisnin për Xhorxhën, ndienin dhembje dhe hidhërim të pamasë, por besimi i tyre nuk u ligështua. Në këtë sesion të mëngjesit ne dëgjuam për besim të ngjashëm në jetët e bukura të familjeve Bouen dhe Uilberg.1

Dhurata e besimit është një ndihmë e paçmuar shpirtërore. “Dhe kjo është jeta e përjetshme”, u lut Jezusi, “të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”2.

Besimi ynë përqendrohet te Perëndia, Ati ynë, dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Përkrahet nga dija që plotësia e ungjillit është rivendosur në tokë, që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe që profetët e apostujt mbajnë sot çelësat e priftërisë. Ne e çmojmë besimin tonë, punojmë për ta forcuar besimin tonë, lutemi për besim të zhvilluar dhe bëjmë gjithçka që kemi fuqi, për ta ruajtur dhe mbrojtur besimin tonë.

Apostulli Pjetër përcaktoi diçka që e quajti “prova e besimit tuaj”3. Ai e kishte përjetuar atë. Kujtoni fjalët e Jezusit:

“Simon, … Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket.”4

Pjetri më vonë i inkurajonte të tjerët: “Mos [t’ju] duket çudi”, tha, “për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme”5.

Këto prova zjarri kanë si qëllim t’ju bëjnë më të fortë, por ato kanë mundësinë t’jua zvogëlojnë apo madje t’jua rrënojnë mirëbesimin te Biri i Perëndisë dhe t’jua zvogëlojnë vendosmërinë për t’i mbajtur premtimet që i keni bërë Atij. Këto prova shpeshherë janë të maskuara, gjë që i bën të vështira për t’i dalluar. Ato nisin në dobësitë tona, cënueshmëritë tona, ndjeshmëritë tona ose në ato gjëra që janë më të rëndësishmet për ne. Një provë e vërtetë, por e përballueshme për dikë, për një tjetër mund të jetë provë zjarri.

Si vazhdoni ju të jeni “të paepur dhe të palëvizshëm”6 gjatë një prove besimi? Zhyteni pikërisht në gjërat që ju ndihmuan të zhvilloni bërthamën tuaj të besimit: ju ushtroni besim te Krishti, ju luteni, ju mendoheni thellë për shkrimet e shenjta, ju pendoheni, ju zbatoni urdhërimet dhe ju u shërbeni të tjerëve.

Kur përballeni me një provë të besimit – çfarëdo që të bëni, mos iu largoni Kishës! T’i largohesh mbretërisë së Perëndisë gjatë një prove besimi, është si të lësh sigurinë e një vendstrehimi për stuhi pikërisht kur shfaqet uragani.

Apostulli Pal tha: “Ju … nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë”7. Pikërisht brenda shenjtërores së Kishës është vendi ku ne e mbrojmë besimin. Duke u mbledhur së bashku me të tjerë që besojnë, ne lutemi dhe gjejmë përgjigje për lutjet tona; adhurojmë përmes muzikës, rrëfejmë dëshmi për Shpëtimtarin, i shërbejmë njëri-tjetrit dhe ndiejmë Shpirtin e Zotit. Ne marrim sakramentin, marrim bekimet e priftërisë dhe frekuentojmë tempullin. Zoti shpalli: “Në ordinancat … fuqia e perëndishmërisë manifestohet”8. Kur ju përballeni me një provë besimi, vazhdoni të qëndroni brenda sigurisë dhe mbrojtjes së familjes së Perëndisë. Këtu ka gjithmonë një vend për ju. Asnjë provë nuk është aq e madhe, sa të mos e kapërcejmë dot bashkë.9

Presidenti Tomas S. Monson tha: “Standardet morale të shoqërisë kanë ndryshuar shpejt. Sjellje … dikur të konsideruara të papërshtatshme dhe imorale tani … konsiderohen nga … shumë njerëz si të pranueshme.”10

Në Kishë gjenden shumë të rritur beqarë që janë përtej viteve të tyre të hershme të moshës madhore. Ndonëse jeta e tyre e tanishme është e ndryshme nga ç’e kishin pritur, ata e zbatojnë ligjin e dëlirësisë.11 Kjo mund të jetë provë e besimit të tyre. Unë shpreh respektin dhe admirimin tim të thellë për këta dishepuj të Krishtit.

“Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.”12 Në Dhiatën e Re Shpëtimtari ngriti një standard moral për pasuesit e Tij, kur shpalli: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet”13. Ai na mësoi që të mos i dënojmë të tjerët, por nuk druhej që të fliste drejtpërdrejt: “Shko”, tha ai, “dhe mos mëkato më.”14

Familja jonë ka një mike. Ndoshta ju njihni ndokënd si ajo ose ndoshta ju jeni si ajo. Përherë besnike, shërben me fisnikëri në Kishë, admirohet nga ana profesionale, adhurohet nga familja e vet dhe, ndërsa priste martesë e fëmijë, ajo është beqare. “Mora vendimin”, tha ajo, “që ta vë mirëbesimin … tim te Jezu Krishti. Vajtja e shpeshtë në tempull më ndihmon të mbaj një përqendrim më të madh në përjetësi. Më rikujton që unë nuk jam asnjëherë e vetme. Kam besim … se asnjë … bekim nuk do të frenohet … ndërsa … u qëndroj besnike besëlidhjeve të mia, përfshirë edhe ligjit të dëlirësisë.”15

Një mik tjetër kreu një mision të shquar, që vijoi me një përgatitje të rreptë akademike. Ai shpresonte të kishte një familje. Prova e tij e besimit: ndjesitë e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini. Më shkruante së fundi: “Në bekimin tim patriarkal më premtohet se do të kem një ditë një familje timen. Nëse kjo do të ndodhë në këtë jetë ose tjetrën, nuk e di. Por ajo që unë di është se nuk dëshiroj të bëj diçka që do të rrezikojë bekimet që Perëndia më ka premtuar si mua, ashtu edhe pasardhësve të mi në të ardhmen. … Të jetosh [ligjin e dëlirësisë], është sfidë, por a nuk erdhëm në tokë për të përballuar sfida e për t’i treguar Perëndisë dashurinë dhe respektin tonë për Të duke zbatuar urdhërimet e Tij? Jam bekuar me shëndet të mirë, me ungjillin, me një familje të dashur dhe miq besnikë. Unë jam mirënjohës për bekimet e mia të shumta.”16

Bota bën protestë: “Si mund të kërkosh aq shumë?” Zoti përgjigjet:

“Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia. …

Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.”17

Këta dy dishepuj të Krishtit dhe dhjetëra mijë si ata e kanë ndier premtimin e Shpëtimtarit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”18

Ja një tjetër provë. Përherë ka pasur disa që duan ta turpërojnë Kishën dhe të shkatërrojnë besimin. Sot ata përdorin internetin.

Disa informacione lidhur me Kishën, sado bindëse qofshin, thjesht nuk janë të vërteta. Më 1985, më kujtohet kur një koleg hyri në zyrën e punës sime në Florida. Ai kishte një artikull të gazetës Time të titulluar “Challenging Mormonism’s Roots” [“Sfidë Rrënjëve të Mormonizmit”]. Fliste për një letër të zbuluar rreth asaj kohe, gjoja e shkruar nga Martin Herrisi, që binte ndesh me rrëfimin e Jozef Smithit për gjetjen e fletëve të Librit të Mormonit.19

Kolegu më pyeti nëse ky informacion i ri do ta rrëzonte Kishën Mormone. Artikulli citonte një njeri i cili tha se po largohej nga Kisha për shkak të atij dokumenti. Më vonë, me sa thuhet, të tjerë u larguan nga Kisha.20 Jam i sigurt se ishte një provë për besimin e tyre.

Pak muaj më vonë, ekspertët zbuluan (dhe falsifikuesi rrëfeu) se letra ishte krejt një mashtrim. Më kujtohet se vërtet shpresoja që ata që u larguan nga Kisha për shkak të këtij mashtrimi, ta gjenin rrugën e tyre të kthimit.

Disa e vënë në dyshim besimin e tyre, kur gjejnë një thënie të një udhëheqësi të Kishës dekada më parë, që duket në mospajtim me doktrinën tonë. Ekziston një parim i rëndësishëm që qeveris doktrinën e Kishës. Doktrina mësohet nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë e të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede. Parimet e vërteta mësohen shpesh e nga shumëkush. Doktrina jonë nuk është e vështirë për t’u gjendur.

Udhëheqësit e Kishës janë njerëz të ndershëm, por të papërkryer. Kujtoni fjalët e Moronit: “Mos më dënoni për papërsosurinë time dhe as atin tim … ; por më mirë jepini falënderime Perëndisë që vuri në dukje papërsosuritë tona, kështu që ju të mësoni dhe të jeni më të urtë sesa qemë ne”.21

Jozef Smithi tha: “Asnjëherë nuk ju thashë se jam i përkryer; por nuk ka gabim te zbulesat”22. Mrekullia e dorës së Perëndisë në historinë dhe fatin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kuptohet vetëm nëpërmjet lentes së kërkimit shpirtëror. Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Çdo [njeri], me kohë, do të mbështetet te muri i besimit dhe atje … duhet ta ketë vendqëndrimin e tij”23. Mos u befasoni kur kjo t’ju ndodhë!

Parimisht, provat do të jenë të vështira. Mund të ketë ankth, pështjellim, netë pa gjumë dhe jastëkë të lagur me lotë. Por nuk lypset që provat tona të jenë shpirtërisht fatale. Nuk lypset të na largojnë nga besëlidhjet tona dhe nga familja e Perëndisë.

“Mbani mend, … është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po, shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien.”24

Sikurse zjarri i fortë që e shndërron hekurin në çelik, kur ne qëndrojmë besnikë gjatë provave të zjarrta të besimit tonë, ne përpunohemi dhe forcohemi shpirtërisht.

Plaku D. Tod Kristoferson shpjegoi se çfarë mësoi nga një provë shpirtërore: “Ndonëse atëherë vuajta, kur shoh pas tani, jam mirënjohës që nuk pati një zgjidhje të shpejtë për problemin tim. Fakti se isha i detyruar t’i drejtohesha Perëndisë për ndihmë thuajse çdo ditë gjatë një periudhe të zgjatur vitesh, më mësoi vërtet se si të lutesha e të merrja përgjigje për lutjen dhe më mësoi në një mënyrë shumë praktike të kisha besim te Perëndia. Unë arrita të njoh Shpëtimtarin tim dhe Atin tim Qiellor në një mënyrë dhe në një shkallë që, përndryshe, nuk do të mund të kishte ndodhur ose që do të më duhej shumë më tepër kohë për ta arritur. … Mësova t’i mirëbesoj Zotit me gjithë zemër. Unë mësova të eci me Të ditë pas dite.”25

Pjetri i përshkroi këto përvoja si “shumë më [të çmuara] nga ari”26. Moroni shtoi se një dëshmi vjen pas “provës së besimit tuaj”27.

Fillova me ngjarjen e familjes Meriot. Javën e kaluar, Keti dhe unë shkuam me ta te varri i Xhorxhës. Dhjetë vjet kanë kaluar. Familja dhe miqtë folën për dashurinë dhe kujtimet që kanë për Xhorxhën. Pati tullumbace të bardha të fryra me helium, për të lartësuar jetën e saj. Mes lotësh, nëna e Xhorxhës foli me ndjenjë për shtimin e besimit dhe të të kuptuarit që ajo ka marrë, dhe babai i Xhorxhës më tregoi qetas për dëshminë e premtuar që i ka ardhur atij.

Tok me besimin vijnë provat e besimit, duke sjellë shtim të besimit. Siguridhënia ngushëlluese e Zotit për Profetin Jozef Smith, është po i njëjti premtim që Ai ju bën juve në provën tuaj të besimit: “Qëndro … , mos ki frikë … , sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë”28. Për këtë jap dëshminë time të shenjtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Shein M. Bouen, “Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni” dhe En M. Dib, “Unë e Di Këtë. Unë e Jetoj Këtë. Unë e Dua Këtë”, në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme të tetorit 2012.

  2. Gjoni 17:3.

  3. 1 Pjetrit 1:7.

  4. Lluka 22:31–32.

  5. 1 Pjetri 4:12; kursivi iu shtua.

  6. Alma 1:25.

  7. Efesianëve 2:19.

  8. Doktrina e Besëlidhje 84:20.

  9. Shih Mosia 18:8–10.

  10. Tomas S. Monson, “Qëndroni në Vende të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 82.

  11. Shih Ezra Taft Benson, “The Law of Chastity”, New Era, janar 1988, f. 4–7; “The Law of Chastity” në Brigham Young University 1987–88 Speeches (1988), f. 1–5, speeches.byu.edu; shih edhe Parimet e Ungjillit (2010), f. 235–243.

  12. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  13. Mateu 5:28.

  14. Gjoni 8:11.

  15. Letërkëmbim vetjak, 2012.

  16. Letërkëmbim vetjak, 2012.

  17. Isaia 55:8–9.

  18. Gjoni 14:27.

  19. Shih Richard N. Ostling, “Challenging Mormonism’s Roots”, Time, 20 maj 1985, f. 44.

  20. Shih Gordon B. Hinckley, “Lord, Increase Our Faith”, Ensign, nëntor 1987, f. 52.

  21. Mormoni 9:31.

  22. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 556.

  23. Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon Is the Word of God”, Tambuli, maj 1988, f. 6.

  24. Helamani 5:12.

  25. D. Tod Kristoferson “Bukën Tonë të Përditshme Na e Jep Sot” (Mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 9 janar 2011), lds.org/broadcasts.

  26. 1 Pjetri 1:7; shih edhe 1 Pjetri 4:13.

  27. Ethëri 12:6.

  28. Doktrina e Besëlidhje 122:9; Presidenti Xhorxh Q. Kenon tha: “Pavarësisht sa serioze prova, sa i thellë dëshpërimi, sa i madh hidhërimi, [Perëndia] kurrë nuk do të na braktisë. Kurrë nuk na ka braktisur dhe kurrë nuk do të na braktisë. Ai nuk mund ta bëjë. Nuk është karakteri i Tij. Ai është qenie e pandryshueshme; i njëjti dje, i njëjti sot dhe do të jetë i njëjti gjatë gjithë epokave të përjetshme që vijnë. Ne e kemi gjetur atë Perëndi. Ne e kemi bërë Atë mik, duke iu bindur Ungjillit të Tij; dhe Ai do të qëndrojë krah nesh. Ne mund të përshkojmë furrën e zjarrtë; ne mund të përshkojmë ujërat e thella; por ne nuk do të shkatërrohemi e as do të dërrmohemi. Nga të gjitha këto prova e vështirësi ne do të dalim më të mirë e më të pastër prej tyre, nëse vetëm i mirëbesojmë Perëndisë tonë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij” (“Remarks”, Deseret Evening News, Mar. 7, 1891, 4); shih edhe Jeffrey R. Holland, “Come unto Me”, Ensign, prill 1998, f. 16–23.