2012
Mirësevini në Konferencë
Nëntor 2012


Mirësevini në Konferencë

President Thomas S. Monson

I dëgjofshim me vëmendje mesazhet …, që të mund të ndiejmë Shpirtin e Zotit dhe të marrim njohurinë që Ai do të dëshironte për ne.

Me aq sa mund të shoh, çdo ndenjëse është e zënë – përveç pak atyre atje pas. Ka vend për përmirësim. Kjo do të ishte një mirësjellje për ata që mund të jenë pak vonë, për shkak të trafikut, që të gjejnë një ndenjëse të lirë kur të vijnë.

Kjo është një ditë e shkëlqyer – ditë konference. Kemi dëgjuar një kor të bukur që këndoi muzikë të mrekullueshme. Çdo herë që dëgjoj korin, ose dëgjoj organon, ose dëgjoj pianon, mendoj për nënën time, që tha: “Gëzohem për të gjithë njohjen që të është dhënë, të gjitha diplomat që ke marrë dhe të gjithë punën që ke bërë. Më vjen keq vetëm për një gjë, që nuk vazhdove të luash në piano.” Faleminderit Nënë. Do të doja ta kisha bërë.

Sa mirë është, vëllezërit dhe motrat e mia, t’ju urojmë mirëseardhjen në Konferencën e Përgjithshme Gjysmëvjetore të 182-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Qëkur u takuam gjashtë muaj të shkuar, tre tempuj të rinj janë përkushtuar dhe një tempull është ripërkushtuar. Në maj, qe privilegji im të përkushtoja Tempullin e bukur të Kanzas-Sitit në Misuri dhe të merrja pjesë në festimin kulturor që e shoqëroi atë. Do ta përmend atë festim me më shumë hollësi në fjalën time nesër në mëngjes.

Në qershor, Presidenti Diter F. Uhtdorf përkushtoi tempullin e shumëpritur në Manaus të Brazilit dhe, nga fillimi i shtatorit, Presidenti Henri B. Ajring ripërkushtoi tempullin e saporinovuar në Buenos-Ajres të Argjentinës, një tempull që kam pasur privilegjin ta përkushtoj afërsisht 27 vite më parë. Vetëm dy javë më parë, Presidenti Bojd K. Paker përkushtoi Tempullin e dashur të Brigam-Sitit në qytetin ku ai u lind e u rrit.

Siç kam thënë më parë, asnjë godinë e ndërtuar për Kishën nuk është më e rëndësishme se një tempull dhe kemi kënaqësinë të kemi 139 tempuj në funksionim në mbarë botën, me 27 të tjerë të njoftuar ose në ndërtim. Ne jemi mirënjohës për këto ndërtesa të shenjta dhe për bekimet që ato sjellin në jetën tonë.

Këtë mëngjes, kam kënaqësinë të njoftoj dy tempuj të tjerë, të cilët, në muajt dhe vitet e ardhshëm do të ndërtohen në vendet e mëposhtme: Tukson në Arizona; dhe Arekipa në Peru. Hollësitë në lidhje me këta tempuj do të jepen në të ardhmen, ndërsa sigurohen lejet dhe miratimet e domosdoshme.

Vëllezër dhe motra, tani i drejtohem një tjetër çështjeje – dhe pikërisht, shërbimit misionar.

Prej disa kohësh, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve i kanë lejuar të rinjtë nga disa vende që të shërbejnë në moshën 18-vjeçare, kur janë të denjë, të aftë, kanë marrë diplomën e shkollës së mesme dhe kanë shprehur një dëshirë të sinqertë për të shërbyer. Kjo ka qenë një politikë e posaçme sipas vendeve dhe ka lejuar mijëra të rinj që të shërbejnë në misione të nderuara dhe gjithashtu të përmbushin detyrimet e kërkuara ushtarake dhe mundësitë arsimore.

Përvoja jonë me këta misionarë 18-vjeçarë ka qenë pozitive. Presidentët e tyre të misioneve raportojnë se ata janë të bindur, besnikë, të pjekur dhe shërbejnë po me aq kompetencë sa dhe misionarët më të rritur që shërbejnë në të njëjtat misione. Besnikëria, bindja dhe pjekuria e tyre na ka bërë të dëshirojmë të njëjtën mundësi për shërbim më të hershëm misionar për të gjithë të rinjtë, pavarësisht nga vendi prej nga vijnë.

Kam kënaqësinë të njoftoj se, duke hyrë në fuqi menjëherë, të gjithë të rinjtë e denjë e të aftë, që kanë marrë diplomën e shkollës së mesme ose të barasvlerëshmen e saj, pavarësisht vendit ku jetojnë, do të kenë mundësinë të rekomandohen për shërbim misionar duke filluar nga mosha 18 vjeç në vend të moshës 19 vjeç. Nuk po sugjeroj se të gjithë të rinjtë do të – ose duhet të – shërbejnë në këtë moshë më të hershme. Më saktësisht, bazuar në rrethanat vetjake, si dhe në varësi nga një përcaktim nga udhëheqësit e priftërisë, kjo mundësi tani është e disponueshme.

Ndërsa kemi medituar plot lutje për moshën në të cilën të rinjtë mund të fillojnë shërbimin e tyre misionar, kemi marrë parasysh gjithashtu edhe moshën në të cilën një e re mund të shërbejë. Sot, kam kënaqësinë të njoftoj se të rejat e afta e të denja, që kanë dëshirë të shërbejnë, mund të rekomandohen për shërbim misionar duke filluar nga mosha 19 vjeçe në vend të moshës 21 vjeçe.

Ne pohojmë se puna misionare është një detyrë priftërie – dhe i nxisim të gjithë të rinjtë që janë të denjë dhe që janë të aftë fizikisht dhe mendërisht, që t’i përgjigjen thirrjes për të shërbyer. Shumë të reja shërbejnë gjithashtu, por ato nuk janë nën të njëjtin urdhër për të shërbyer si të rinjtë. Megjithatë, ne i sigurojmë motrat e reja të Kishës se ato japin kontribute të çmuara si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin e tyre.

Neve vazhdojnë të na duhen shumë më tepër çifte në moshë. Si ta lejojnë rrethanat tuaja, kur ju lind e drejta për të dalë në pension dhe si t’jua lejojë shëndeti, unë ju nxis të viheni në dispozicion për shërbim misionar kohëplotë. Si bashkëshorti edhe bashkëshortja, do të kenë gëzim më të madh kur së bashku u shërbejnë fëmijëve të Atit tonë.

Tani vëllezërit e motrat e mia, i dëgjofshim me vëmendje mesazhet që do të na paraqiten gjatë dy ditëve të ardhshme, që të mund të ndiejmë Shpirtin e Zotit dhe të marrim njohurinë që Ai do të dëshironte për ne. Unë lutem që kjo të jetë përvoja jonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.