2012
Ku Është Tenda?
Nëntor 2012


Ku Është Tenda?

President Henry B. Eyring

Tenda që duket se i bëhet pengesë ndihmës hyjnore nuk mbulon Perëndinë, por me raste ajo na mbulon ne. Perëndia kurrë nuk fshihet, por ama ne ndonjëherë fshihemi.

Në thellësitë e ankthit të tij në burgun e Libertisë, profeti Jozef Smith thirri: “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”1 Shumë prej nesh ndiejnë se e kemi larg Perëndinë në çastet e ankthit vetjak. Tenda që duket se i bëhet pengesë ndihmës hyjnore nuk mbulon Perëndinë, por me raste ajo na mbulon ne. Perëndia kurrë nuk fshihet, por ama ne ndonjëherë fshihemi, të mbuluar nga një tendë arsyesh që na largojnë nga Perëndia dhe e bëjnë Atë të duket i largët dhe i paarritshëm. Ndjesia e një tende që largon Perëndinë, krijohet nga vetë dëshirat tona dhe jo nga një ndjesi e tipit: “U bëftë vullneti yt”2. Perëndia është përherë në gjendje të na shohë e të komunikojë me ne, por ne mund të mos jemi të gatshëm ta dëgjojmë ose t’i nënshtrohemi vullnetit dhe kohës së caktuar prej Tij për ne.

Ndjesitë tona të largësisë nga Perëndia do të zvogëlohen teksa bëhemi më shumë si fëmijë përpara Tij. Kjo nuk është e lehtë në një botë ku mendimet e qenieve të tjera njerëzore mund të kenë ndikim kaq të madh te shtysat tona. Por do të na ndihmojë që ta dallojmë këtë të vërtetë: Perëndia është pranë nesh dhe në dijeni për ne, dhe kurrë nuk u fshihet fëmijëve të Tij besnikë.

Mbesa ime tri vjeçare tregoi fuqinë e pafajësisë dhe përulësisë që na lidh me Perëndinë. Ajo shkoi me familjen e saj në shtëpinë e hapur të Tempullit të Brigam-Sitit në Juta. Në një nga dhomat e asaj ndërtese të bukur, ajo vështroi përreth the pyeti: “Mami, ku është Jezusi?” E ëma i shpjegoi se nuk do ta shihte Jezusin në tempull, por që do të ishte në gjendje të ndiente ndikimin e Tij në zemrën e saj. Eliza e mendoi me kujdes përgjigjen e të ëmës dhe pastaj u duk e kënaqur e tha: “Oh, Jezusi ka ikur të ndihmojë dikë”, arsyetoi ajo.

Asnjë tendë nuk e errësoi kuptueshmërinë e Elizës, as nuk u bë pengesë që ajo ta kuptonte realitetin. Perëndia është pranë saj dhe ajo ndihet pranë Tij. Ajo e dinte se tempulli është shtëpia e Zotit, por gjithashtu kuptoi se Jezu Krishti i ringjallur e i përlëvduar ka një trup dhe mund të jetë vetëm në një vend në një kohë të caktuar.3 Nëse Ai nuk qe në shtëpinë e Tij, ajo e kuptoi se Ai duhet të ishte diku tjetër. Nga njohuria e saj për Shpëtimtarin, ajo e dinte se Ai do të ishte ndokund duke u bërë të mira fëmijëve të Atit të Tij. Ishte e qartë se kishte shpresuar të shihte Jezusin, jo për të pasur një mrekulli që t’ia vërtetonte ekzistencën e Tij, por thjesht sepse e donte Atë.

Shpirti mundi t’i zbulonte mendjes e zemrës së saj fëmijërore ngushëllimin që na duhet dhe dëshirohet prej të gjithëve ne. Jezu Krishti jeton, Ai na njeh, na ruan dhe kujdeset për ne. Në çaste dhembjeje, vetmie apo hutimi, nuk na duhet ta shikojmë Jezu Krishtin që të dimë se Ai është në dijeni të rrethanave tona dhe se misioni i Tij është që të na bekojë.

Unë e di nga vetë jeta ime që përvoja e Elizës mund të bëhet përvoja jona edhe shumë kohë pasi e lëmë fëmijërinë. Në vitet e hershme të karrierës sime, punova fort që të fitoja një pozicion si profesor në Universitetin e Stenfordit. Mendova se kisha siguruar një jetë të mirë për veten dhe për familjen time. Jetonim pranë prindërve të gruas sime në një ambient shumë të qetë. Sipas standardeve të botës, kisha arritur sukses të madh. Por m’u dha mundësia nga Kisha që të largohesha nga Kalifornia dhe të shkoja në kolegjin “Riks” në Reksburg të Ajdahos. Synimet e mia profesionale në jetë mund të kishin qenë si një tendë që të më shkëpusnin nga një Atë i dashur që e dinte më mirë se unë se çfarë më priste në të ardhmen. Por pata bekimin se e dija që çfarëdo suksesi që kisha arritur në karrierën e jetën time familjare deri në atë çast, qe një dhuratë nga Perëndia. Dhe kështu, si fëmijë, u gjunjëzova në lutje që të pyesja se çfarë duhet të bëja. Qeshë në gjendje të dëgjoja një zë të ulët në mendjen time që tha: “Është shkolla Ime”. Nuk kishte asnjë tendë që të më mbulonte nga Perëndia. Me besim e përulësi, ia nënshtrova vullnetin tim të Tijit dhe ndieva përkujdesjen e afërsinë e Tij.

Vitet e mia në kolegjin “Riks”, gjatë të cilave u përpoqa të mësoja vullnetin e Perëndisë dhe të veproja sipas tij, nuk e lanë tendën që të më mbulonte apo të fshihte rolin aktiv të Perëndisë në jetën time. Ndërsa përpiqesha të bëja punën e Tij, ndihesha pranë Tij dhe ndieja sigurinë që Ai i dinte rrethanat e mia dhe kujdesej fort për lumturinë time. Por ashtu si me Stenfordin, shtysat e kësaj bote filluan të më paraqiteshin. Njëra qe një ofertë pune tërheqëse, që m’u paraqit kur po mbaroja vitin tim të pestë si president i kolegjit “Riks”. E mora parasysh ofertën dhe u luta rreth saj dhe madje e diskutova me Presidencën e Parë. Ata u përgjigjën me ngrohtësi e pak humor, por sigurisht jo me ndonjë udhëzim. Presidenti Spenser W. Kimball më dëgjoi teksa ia paraqisja ofertën që kisha marrë nga një korporatë e madhe dhe tha: “Epo, Henri, duket si një mundësi e mrekullueshme! Dhe nëse do kemi ndonjëherë nevojë për ty, do ta dimë ku të të gjejmë.” Ata do ta kishin ditur se ku të më gjenin, por dëshirat e mia për sukses profesional mund të kishin krijuar një tendë që do të ma vështirësonin të gjeja Perëndinë dhe do të ma bënin të vështirë që t’i dëgjoja e t’i ndiqja ftesat e Tij.

Gruaja ime, duke e ndier këtë, pati një përshtypje të fortë që nuk duhej të largoheshim nga kolegji “Riks”. Unë thashë: “Kjo mjafton për mua”. Por me urtësi, ajo këmbënguli që duhet të merrja zbulesën time vetjake. Dhe kështu u luta përsëri. Këtë herë mora vërtet udhëzim, në trajtën e një zëri në mendjen time që tha: “Do të të të qëndrosh pak më gjatë në kolegjin ‘Riks’”. Ambiciet e mia vetjake mund ta kishin mjegulluar vështrimin tim të realitetit dhe mund të ma kishin bërë të vështirë që të merrja zbulesë.

Tridhjetë ditë pasi u bekova me vendimin e frymëzuar që ta refuzoja ofertën e punës dhe të qëndroja në kolegjin “Riks”, diga e Tetonit shpërtheu aty afër. Perëndia e dinte që diga do të shpërthente dhe se qindra njerëz do të kishin nevojë për ndihmë. Ai më la që të kërkoja këshillë dhe të merrja lejen e Tij për të qëndruar në kolegjin “Riks”. Ai i dinte të gjitha arsyet përse shërbimi im mund të ishte ende i vlefshëm në kolegj dhe në Reksburg. Pra unë isha aty që t’i kërkoja vazhdimisht në lutje Atit Qiellor që të më drejtonte të bëja ato gjëra që do t’u vinin në ndihmë njerëzve, pasuria dhe jeta e të cilëve qe dëmtuar. Kalova kohë duke punuar me ata njerëz që të pastroja baltën dhe ujin prej shtëpive. Dëshira ime për të ditur dhe për të bërë vullnetin e Tij më dha një mundësi që të hapja shpirtin.

Kjo ngjarje paraqet një mënyrë tjetër se si ne mund të krijojmë një pengesë për të ditur vullnetin e Perëndisë apo për ta ndier dashurinë e Tij për ne: ne s’mund të këmbëngulim tek kalendari ynë ndërkohë që Zoti ka të Tijin. Unë mendova se kisha kaluar mjaft kohë duke shërbyer në Reksburg dhe e kisha me nxitim që të bëja përpara. Ndonjëherë këmbëngulja jonë për të vepruar sipas vetë kalendarit tonë mund të na e turbullojë vullnetin e Tij për ne.

Në burgun e Libertisë, profeti Jozef i kërkoi Zotit t’i ndëshkonte ata që përndiqnin anëtarët e Kishës në Misuri. Lutja e tij qe për një ndëshkim të sigurt dhe të shpejtë. Por Zoti u përgjigj se “jo shumë vjet që nga [a]jo kohë”4 Ai do të merrej me ata armiq të Kishës. Në vargjet 24 dhe 25 të seksionit të 121-të të Doktrina e Besëlidhje, Ai thotë:

“Vini re, sytë e mi i shohin dhe i njohin të gjitha veprat e tyre dhe unë kam në ruajtje një gjykim të shpejtë në stinën e tij për të gjithë ata;

Sepse ka një kohë të caktuar për çdo njeri, sikurse do të jenë veprat e tij”5.

Ne e heqim tendën kur ndiejmë e lutemi: “U bëftë vullneti yt”, dhe “në vetë kohën e caktuar nga Ti”. Koha e Tij duhet të jetë mjaftueshëm shpejt për ne, meqenëse e dimë se Ai dëshiron vetëm më të mirën.

Nusja e njërit prej bijve të mi kaloi shumë vite duke ndier se Perëndia kishte vendosur një tendë mbi të. Ajo qe një nënë e re e tre fëmijëve, e cila dëshironte më shumë fëmijë. Pas dy abortesh, lutjet e saj përgjëruese u bënë më të ankthshme. Teksa kaluan më shumë vite shterpësie, ajo ndieu tundimin për t’u zemëruar. Kur më i vogli shkoi në shkollë, zbrazëtia e shtëpisë së saj dukej se e përqeshte vendimin e saj për t’u përqendruar te mëmësia – po kështu edhe shtatzënësitë e paplanifikuara e madje të padëshiruara të të njohurave të saj. Ajo u ndie po aq e përkushtuar dhe e shenjtëruar sa Maria, e cila pohoi: “Ja shërbëtorja e Zotit”6. Por megjithëse i tha këto fjalë brenda zemrës së saj, ajo nuk mund të dëgjonte asgjë si përgjigje.

I shoqi, duke shpresuar ta ngrinte shpirtërisht, e ftoi të shkonte me të në një udhëtim pune në Kaliforni. Ndërsa ai merrte pjesë në mbledhje, ajo ecte përgjatë një plazhi të bukur e të zbrazët. Me zemrën gati në shpërthim, ajo u lut me zë të lartë. Për herë të parë, nuk kërkoi një fëmijë tjetër, por një qëllim hyjnor. “Atë Qiellor”, thirri ajo, “do të të jap të gjithë kohën time; të lutem më trego se si ta mbush atë.” Ajo shprehu gatishmërinë e saj për ta çuar familjen e vet kudo që do t’u kërkohej të shkonin. Ajo lutje krijoi një ndjenjë të papritur paqeje. Me siguri që nuk e kënaqi dëshirën gërryese të mendjes së saj, por për herë të parë pas kaq vitesh, ia qetësoi zemrën.

Lutja e hoqi tendën dhe hapi pragjet e qiellit. Brenda dy javësh mësoi se po priste një fëmijë. Foshnja e vogël qe vetëm një vjeç kur thirrja e misionit i erdhi tim biri dhe nuses së tij. Duke qenë se kishte premtuar se do të bënte çdo gjë, kudo qoftë, ajo e la mënjanë frikën dhe i mori fëmijët përtej detit. Gjatë kohës së misionit ajo lindi një fëmijë tjetër – në ditën e transferimit të misionarëve.

Nënshtrimi i plotë ndaj vullnetit të qiellit, siç bëri kjo nënë e re, është thelbësor për të larguar tendat shpirtërore që ndonjëherë i vendosim mbi kokat tona. Por kjo nuk siguron përgjigje të menjëhershme ndaj lutjeve tona.

Zemra e Abrahamit duket të ketë qenë e drejtë shumë më përpara se Sara të ngjizej me Isakun dhe përpara se të merrnin tokën e tyre premtuar. Qielli kishte qëllime të tjera për të përmbushur në fillim. Ato qëllime përfshinin jo vetëm forcimin e besimit të Abrahamit dhe Sarës, por edhe t’u mësonin atyre të vërteta të përjetshme, që ata i ndanë me të tjerët në rrugëtimin e tyre të gjatë e gjarpërues drejt tokës së përgatitur për ta. Vonesat e Zotit shpesh duken të gjata; disa zgjatin një jetë të tërë. Por ato gjithmonë kanë qëllim të bekojnë. Ato vonesa kurrë nuk duhet të jenë periudha vetmie apo dhembjeje ose padurimi.

Megjithëse koha e caktuar nga Ai nuk është gjithmonë koha kur duam ne, ne mund të jemi të sigurt se Zoti i mban premtimet. Për secilin nga ju që tani ndien se Ai është larg për t’u arritur, unë dëshmoj se do të vijë dita që ne të gjithë do ta shohim Atë ballë për ballë. Ashtu si nuk ka asgjë që ta turbullojë vështrimin e Tij drejt nesh, nuk do të ketë asgjë që ta turbullojë vështrimin tonë drejt Tij. Ne të gjithë do të qëndrojmë personalisht para Tij. Ashtu si mbesa ime, ne dëshirojmë ta shikojmë Jezu Krishtin tani, por takimi ynë i sigurt me Të para shufrës së gjykimit do të jetë më i këndshëm nëse bëjmë së pari gjërat që e bëjnë Atë aq të afërt për ne, sa jemi ne për Të. Ndërsa i shërbejmë Atij, ne bëhemi si Ai dhe ndihemi më pranë Tij teksa i afrohemi asaj dite kur asgjë nuk do ta pengojë pamjen tonë.

Ky përparim drejt Perëndisë mund të jetë i vazhdueshëm. “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës”7, jep mësim Shpëtimtari. Dhe pastaj na tregon mënyrën:

“‘Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët:

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë’.

Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’.”8

Kur bëjmë atë që Ai do që ne të bëjmë për fëmijët e Atit të Tij, Zoti e quan atë mirësi ndaj Tij dhe do të ndihemi më pranë Tij teksa ndiejmë dashurinë dhe miratimin e Tij. Me kohë, ne do të bëhemi si Ai dhe do të mendojmë rreth Ditës së Gjykimit duke e pritur me lumturi.

Tenda që duket se ju fsheh nga Perëndia, mund të jetë më tepër frika nga njerëzit se sa kjo dëshirë për t’u shërbyer të tjerëve. Shtysa e vetme e Shpëtimtarit qe që të ndihmonte njerëzit. Shumë prej jush, ashtu si unë, kanë pasur frikë t’i afrohen dikujt që e keni fyer ose dikujt që ju ka lënduar. Dhe prapëseprapë kam parë që Zoti i ka zbutur zemrat herë pas here, përfshirë timen. Dhe kështu ju sfidoj që të shkoni në emër të Zotit te dikush, pavarësisht çdo frike që mund të keni, që t’i tregoni dashuri e falje. Ju premtoj se kur ta bëni këtë, ju do të ndieni dashurinë e Shpëtimtarit për atë njeri dhe dashurinë e Tij për ju, dhe nuk do të duket sikur vjen nga shumë larg. Për ju, ajo sfidë mund të jetë brenda familjes, mund të jetë brenda komunitetit ose mund të jetë përqark një kombi.

Por nëse shkoni në emër të Zotit që të bekoni të tjerët, Ai do ta vërë re e do t’ju shpërblejë për të. Nëse e bëni këtë aq shpesh dhe aq gjatë sa duhet, ju do të ndieni një ndryshim në vetë karakterin tuaj përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Jo vetëm që do të ndiheni më pranë Tij, por ju do të ndieni edhe që gjithmonë e më shumë po bëheni si Ai. Pastaj, kur vërtet ta shihni Atë, siç do ta shohim të gjithë, do të ndodhë me ju siç ndodhi me Moronin, kur tha: “Dhe tani, unë po ju them të gjithëve, lamtumirë. Së shpejti do të shkoj të pushoj në parajsën e Perëndisë, deri kur shpirti dhe trupi im do të bashkohen përsëri dhe unë do të çohem ngadhënjimtar nëpër ajër, për t’ju takuar para shufrës së këndshme të Jehovait të madh, Gjykatësit të Përjetshëm të atyre që janë gjallë dhe që kanë vdekur. Amen.”9

Nëse shërbejmë me besim, përulësi dhe një dëshirë për të bërë vullnetin e Perëndisë, unë ju dëshmoj që shufra e gjykimit e Jehovait të madh do të jetë e këndshme. Ne do ta shohim Atin tonë të dashur dhe Birin e Tij ashtu siç na shohin Ata tani – me qartësi të përsosur dhe dashuri të përsosur. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.