Kisha Njofton Programin e Ri Mësimor për Rininë, për vitin 2013
Kisha ka njoftuar një program të ri mësimor – Ejani, më Ndiqni: Burime Mësimdhënieje për Rininë – për klasat e kuorumeve të Priftërisë Aarone, të Të Rejave dhe ato të Shkollës të së Dielës për rininë, për vitin 2013.
Një nga qëllimet madhore të programit Ejani, më Ndiqni është t’i ndihmojë mësuesit – në kishë dhe në shtëpi – të japin mësim siç dha Shpëtimtari, duke i bërë mësimet më shumë si bashkëbisedime që kanë në qendër ungjillin. Rinia do të ftohet të luajë një rol më të madh në mësimdhënie dhe të nxënit.
“Fokusi është në forcimin dhe ndërtimin e besimit, kthimin në besim dhe dëshminë, duke përdorur mësimet më të fundit të Autoriteteve të Përgjithshme dhe të presidencave të përgjithshme të organizatave ndihmëse”, thuhet në letrën e 12 shtatorit 2012 nga Presidenca e Parë.
Ejani, më Ndiqni është e organizuar në njësi, që përqendrohen në një temë doktrinore çdo muaj dhe ndahen nëpër klasat e Shkollës të së Dielës, të Të Rejave dhe Priftërisë Aarone.
Në secilën njësi ka më shumë mësime sesa mund të jepen gjatë një muaji, ndaj mësuesit dhe udhëheqësit ftohen që të kërkojnë frymëzim dhe të bashkëveprojnë për të vendosur se cilat pjesë nga programi mësimor të përdorin.
Një libër i ri udhëzues, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, do t’i ndihmojë udhëheqësit dhe mësuesit të kuptojnë më mirë si t’i përshtasin mësimet me nevojat e veçanta të të rinjve të tyre dhe si ta ndihmojnë rininë të mësojë ungjillin.
Të gjitha mësimet janë të shtypshme nga interneti. Versionet e shtypura të Ejani, më Ndiqni do të jenë të disponueshme më vonë. Nga fundi i vitit 2012 të gjitha pjesët e programit mësimor do të jenë të disponueshme në 23 gjuhë.
Anëtarët, udhëheqësit dhe mësuesit mund ta shqyrtojnë programin e ri mësimor në internet në lds.org/youth/learn.
Udhëheqësit zonalë dhe vendorë do të sigurojnë trajnim për udhëheqësit dhe mësuesit përpara fundit të vitit 2012.