18
Përgatitja për Ditën Përfundimtare të Gjykimit
Hyrje
Jeta në vdekshmëri është koha për ne që të përgatitemi për ta takuar Perëndinë. Libri i Mormonit shpjegon atë që u ndodh shpirtrave tanë midis vdekjes dhe Ringjalljes. Pasi shpirtrat tanë të rivendosen në trupat tanë të pavdekshëm, ne do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë, ku veprimet tona dhe dëshirat e zemrave tona do të përcaktojnë shpërblimin tonë të përjetshëm.
Lexim Konteksti
Dallin H. Oaks, “Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 14–16.
D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 111–114.
“Understanding Death and Resurrection”, kapitulli 37 në Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 273–278.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 34:32–34; 40:6–7, 11–14
Pas vdekjes, të drejtët shkojnë në parajsë dhe të ligjtë shkojnë në burgun e shpirtrave
Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:
Kërkojuni studentëve t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Më pas kujtojini ata që Libri i Mormonit na ndihmon të kuptojmë qëllimin e jetës në tokë dhe na mëson se jeta vazhdon pas vdekjes.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 34:32–34 teksa klasa kërkon atë që Amuleku ia dha mësim popullit të Amonihës rreth qëllimit të jetës.
Cilat doktrina të rëndësishme rreth qëllimit të jetës në tokë i dha mësim Amuleku? (Studentët duhet të përcaktojnë disa doktrina në këtë varg, duke përfshirë doktrinën që vijon: Kjo jetë është koha për ne që të përgatitemi për të takuar Perëndinë.)
Në çfarë mënyra ju ndihmon kjo doktrinë që të kuptoni se si duhet ta jetoni jetën tuaj të përditshme këtu në vdekshmëri?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë doktrinë, merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Ne e kuptojmë se kemi ardhur në tokë që të mësojmë, të jetojmë, të përparojmë në udhëtimin tonë të përjetshëm drejt përsosjes. Disa njerëz mbeten në tokë veçse për një çast, ndërsa të tjerë jetojnë gjatë mbi dhe. Njësia matëse nuk është se sa gjatë jetojmë, por përkundrazi se sa mirë jetojmë” (“He Is Risen”, Ensign, nëntor 1981, f. 18).
Përse na paralajmëroi Amuleku që të mos e shtyjmë ditën e pendimit tonë?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë teksa klasa kërkon arsyen përse ekziston rrezik në shtyrjen:
“Ekziston rrezik në frazën ndonjë ditë kur ajo që do të thotë është ‘jo këtë ditë’. ‘Ndonjë ditë do të pendohem.’ ‘Ndonjë ditë do ta fal atë njeri.’ ‘Ndonjë ditë do të flas me mikun tim për Kishën.’ ‘Ndonjë ditë do të filloj ta paguaj të dhjetën.’ ‘Ndonjë ditë do të kthehem në tempull.’ ‘Ndonjë ditë …’ Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë rrezikun e vonesës [shih Alma 34:33–34]. … Kjo ditë është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Mendimi ‘Ndonjë ditë do të’ mund të jetë një vjedhës i mundësive të kohës dhe i bekimeve të përjetësisë” (“This Day”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 89).
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Alma 40:6–7, 11–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Alma i dha mësim birit të tij, Koriantonit, rreth asaj u që ndodh shpirtrave tanë pasi ne vdesim. (Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se, kur Alma përdori frazën “errësirën e mëtejshme”, ai nuk po i drejtohej gjendjes përfundimtare të Satanit dhe atyre që janë të mallkuar. Përkundrazi, po i drejtohej gjendjes së të ligjve midis kohës së vdekjes së tyre dhe ringjalljes së tyre. Ne zakonisht i drejtohemi kësaj gjendjeje si burgu i shpirtrave.)
Cili është ndryshimi midis gjendjes së të drejtëve dhe gjendjes së të ligjve pas vdekjes? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Midis vdekjes dhe ringjalljes, shpirtrat e të drejtëve banojnë në parajsë dhe shpirtrat e të ligjve banojnë në burgun e shpirtrave.)
Përse është e rëndësishme të kuptojmë që veprimet tona në vdekshmëri do ta ndikojnë atë që përjetojmë pas vdekjes?
2 Nefi 9:12–13; Mosia 15:21–26; 16:6–11; Alma 11:40–45; 40:4–5, 19–24
Shpirtrat tanë do të rivendosen te trupat tanë në Ringjalljen
Kujtojini studentët se, kur Abinadi u dha mësim mbretit Noe dhe priftërinjve të tij, ai përshkroi atë që do të na ndodhë pas vdekjes. Doktrinat që ai dha mësim, përshkruajnë atë që do të na ndodhë pas kohës sonë në botën e shpirtrave, qoftë në parajsë apo në burgun e shpirtrave. Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë Mosian 16:6–11 teksa klasa kërkon atë që dha mësim Abinadi.
Cilat doktrina i dha mësim Abinadi rreth asaj që do të na ndodhë pas kohës sonë në botën e shpirtrave? (Theksoni të vërtetat vijuese: Ngaqë Jezu Krishti i këputi lidhjet e vdekjes, secili prej nesh do të ringjallet dhe do të marrë një trup të pavdekshëm. Të drejtët do të trashëgojnë lumturi të pafundme dhe të ligjtë do të dorëzohen në mallkim të pafundëm.)
Tregojuni studentëve se shumë profetë të Librit të Mormonit dëshmuan për Ringjalljen dhe shpjeguan se si do të jetë ajo. Shkruajini fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë (pa përmbledhjet shoqëruese) dhe caktojini çdo studenti të lexojë njërin prej fragmenteve. Sigurohuni që caktohen të gjitha fragmentet. Vërini studentët të lexojnë në heshtje fragmentet e tyre, duke kërkuar hollësi shtesë rreth Ringjalljes.
Jepuni studentëve kohë të shpjegojnë atë që mësuan rreth Ringjalljes nga fragmentet e caktuara atyre. Merrni parasysh të shkruani disa prej ideve të tyre në tabelë pranë fragmenteve përkatëse. Nëse nevojitet, bëni një ose më shumë pyetje si pyetjet vijuese për ta thelluar kuptueshmërinë e këtyre fragmenteve:
Si e forcojnë këto të vërteta besimin tonë se Ringjallja është e vërtetë dhe është një pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si një dëshmi për Ringjalljen mund të na bekojë në vdekshmëri.
“Apostulli Pjetër iu drejtua faktit që Perëndia, Ati, në mëshirën e Tij të madhe, ‘na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish’ (1 Pjetër 1:3; shih edhe 1 Thesalonikasve 4:13–18).
‘Shpresa e gjallë’ që na jepet nga ringjallja, është bindja jonë se vdekja nuk është përfundimi i identitetit tonë, por thjesht një hap i nevojshëm në kalimin e paracaktuar nga vdekshmëria në pavdekësi. Kjo shpresë e ndryshon të gjithë këndvështrimin e jetës në vdekshmëri. …
Siguria e ringjalljes na jep forcë dhe këndvështrim për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë, të hasura nga secili prej nesh dhe nga ata që i duam, gjëra të tilla si mangësitë fizike, mendore ose emocionale që i sjellim me vete në lindje ose që i fitojmë gjatë jetës në vdekshmëri. Për shkak të ringjalljes, ne e dimë se këto mangësi të vdekshmërisë janë thjesht të përkohshme!
Kjo siguri e ringjalljes na jep edhe një shtysë të fuqishme për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë gjatë jetës sonë në vdekshmëri. …
Njohuria jonë e sigurt e një ringjalljeje në pavdekësi gjithashtu na jep kurajën që të përballemi me vetë vdekjen tonë – madje një vdekje që mund të jetë e parakohshme. …
Siguria e pavdekësisë gjithashtu na ndihmon të durojmë ndarjet në vdekshmëri që përfshijnë vdekjen e njerëzve tanë të dashur. … Ne të gjithë duhet ta përlëvdojmë Perëndinë për ringjalljen e sigurt që i bën ndarjet tona në vdekshmëri të përkohshme dhe na jep shpresë e forcë që të vazhdojmë” (“Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 15–16).
Kur ju ka dhënë siguria e Ringjalljes forcë ose ju ka nxitur që të jetoni më me drejtësi?
Jepni vetë dëshminë tuaj rreth realitetit të Ringjalljes.
Alma 5:15–21; 7:21–25; 41:2–6
Përgatitja për Gjykimin Përfundimtar
Shpjegoni se Alma i nxiti anëtarët e Kishës në Zarahemla që të përgatiteshin për Gjykimin Përfundimtar duke iu kërkuar atyre ta përfytyronin vetveten duke qëndruar përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë Almën 5:15–21. Vëreni klasën që të shohë për atë që Alma u kërkoi dëgjuesve të tij që ta merrnin parasysh.
Cila nga pyetjet e Almës është më domethënëse për ju dhe përse?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga dëshmia e Almës në vargun 21 rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u shpëtuar? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Ne nuk mund të shpëtohemi nëse nuk jemi pastruar nëpërmjet gjakut shëlbues të Jezu Krishtit.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë këtë parim, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Nuk kam njohuri për asgjë tjetër që është më e rëndësishme apo e nevojshme në këtë kohë sesa të thërrasësh pendim, madje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, dhe u bëj thirrje atyre … që t’ua vënë veshin këtyre fjalëve të Shëlbuesit tonë. Tani ai e ka shpallur qartësisht se asgjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e tij. Vetëm ata që e provojnë veten e tyre besnikë dhe i kanë larë rrobat e tyre në gjakun e tij nëpërmjet besimit të tyre dhe pendimit të tyre – askush tjetër nuk do ta gjejë mbretërinë e Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 93).
Vërini studentët të studiojnë në heshtje Almën 7:21–25 dhe ftojini të kërkojnë e shenjojnë cilësitë që duhet të përpiqemi t’i zhvillojmë me qëllim që rrobat tona të gjenden të panjolla.
Çfarë tiparesh ose cilësish i përcaktuat në këto fragmente, të cilat janë jetike për ne që t’i zhvillojmë ndërsa përgatitemi për t’u gjykuar nga Zoti?
Nxitini studentët të marrin parasysh nëse veprimet e tyre dhe dëshirat e zemrave të tyre po i përgatitin që të takohen me Perëndinë në Gjykimin Përfundimtar. Nxitini ata të bëjnë çfarëdo ndryshime që janë të nevojshme, kështu që Dita e Gjykimit të mund të jetë një ditë e lumtur.
Materiale Leximi për Studentin
2 Nefi 9:12–13; Mosia 15:21–26; 16:6–11; Alma 5:15–21; 7:21–25; 11:40–45; 16:6–11; 34:32–34; 40:4–7, 11–14, 19–24; 41:2–6.
Dallin H. Oaks, “Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 14–16.