3
Bindja Sjell Bekime
Hyrje
Bindja jonë ndaj urdhërimeve të Perëndisë është një mënyrë se si ne e tregojmë mirënjohjen tonë për bekimet e Tij të mrekullueshme. Shpëtimtari është një shembull i përkryer i bindjes. Dëshira jonë për të qenë të bindur rritet teksa shtohet dashuria jonë për Perëndinë. Bindja ndaj urdhërimeve bën të mundur për Perëndinë që të na sigurojë ndihmën që na nevojitet teksa kërkojmë të plotësojmë detyra të vështira.
Lexim Konteksti
Tomas S. Monson, “Bindja Sjell Bekime”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 89–92.
Robert D. Hejls, “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 35–38.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 2:2–4, 9–13, 16, 19–20; Mosia 2:20–24, 41
Nëpërmjet bindjes sonë, ne tregojmë mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë dhe marrim bekimet e Tij më të mëdha
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Si mund ta shlyejmë ndonjëherë borxhin që ia detyrojmë Shpëtimtarit? Ai pagoi një borxh që nuk e kishte detyrim, për të na çliruar nga një borxh që ne kurrë nuk mund ta paguajmë dot. Për shkak të Tij, ne do të jetojmë përgjithmonë. Për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme, mëkatet tona mund të pastrohen, duke na lejuar të përjetojmë më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë: jetën e përjetshme.
A mundet një dhuratë e tillë të ketë një çmim? A mund të bëjmë ndonjëherë dëmshpërblim për një dhuratë të tillë?” (“Earthly Debts, Heavenly Debts”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 43).
Jepuni studentëve një çast që të diskutojnë përgjigjet e mundshme të pyetjes së fundit, të bërë nga Plaku Uirthlin. Nxitini studentët të kërkojnë gjatë mësimit parime dhe doktrina që ndihmojnë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 2:20–24. Vërini të kërkojnë atë që mbreti Beniamin dha mësim rreth mënyrës se si ne duhet ta shohim veten tonë në lidhje me Perëndinë.
Si mendoni, përse mbreti Beniamin na mësoi se pavarësisht nga ajo që bëjmë, ne ende jemi “shërbëtorë të padobishëm” të Perëndisë?
Edhe pse nuk mund t’ia shlyejmë borxhin tonë Perëndisë, çfarë sugjerojnë këto vargje që mund të bëjmë për ta treguar mirënjohjen tonë për gjithçka që Ai ka bërë për ne? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur e dallojmë borxhin tonë të përjetshëm ndaj Perëndisë, ne dëshirojmë t’i shërbejmë Atij dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.)
U thoni studentëve që njëri prej tregimeve më të mëdha të shkrimeve të shenjta për bindjen ndaj Perëndisë, gjendet në fillimin e Librit të Mormonit, i cili shënon se si profeti Lehi dhe familja e tij u përgjigjën kur atyre iu kërkua nga Perëndia të bënin diçka shumë të vështirë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:2–4.
Përse do të kishte qenë e vështirë për familjen e Lehit që t’i bindej urdhrit të Perëndisë për t’u larguar nga Jerusalemi?
Ftojini studentët të studiojnë 1 Nefin 2:9–13, 16, duke kërkuar ndryshimet midis qëndrimeve dhe sjelljeve të Lamanit e Lemuelit dhe atyre të Nefit në përgjigje ndaj këtij urdhërimi. (Shënim: Ky aktivitet do t’i nxitë studentët të ushtrojnë aftësinë e rëndësishme të krahasimit dhe të dallimit gjatë studimit të shkrimeve të shenjta.)
Çfarë fjalësh dhe frazash përshkruajnë përgjigjen e Lamanit dhe të Lemuelit? (Ata ishin kokëfortë, mërmëritën dhe nuk i dinin veprimet e Perëndisë.)
Si iu përgjigj Nefi urdhërimit për t’u larguar nga Jerusalemi? (Ai ishte i përulur; dëshiroi të dinte gjërat e Perëndisë; pati besim te fjalët e atit të tij, i cili ishte një profet; dhe u lut.)
Përse Nefi iu përgjigj fjalëve të atit të tij ndryshe nga vëllezërit e tij?
Jepuni studentëve një çast që të përsiatin nëse ata janë më shumë si Lamani e Lemueli apo si Nefi, kur atyre iu kërkohet nga Zoti ose nga udhëheqësit e Kishës së Tij të bëjnë diçka të vështirë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë premtimin e Zotit dhënë Nefit.
Çfarë thënieje në këto vargje përmbledh atë që Zoti i premtoi Nefit? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë parimin vijues: Nëse i zbatojmë urdhërimet, ne do të përparojmë në tokë. Ju mund të vini në dukje që kjo është një nga temat e përsëritura më shpesh në Librin e Mormonit. Ju mund t’i nxitni studentët, teksa e studiojnë Librin e Mormonit, që të vëzhgojnë për mënyrat e shumta se si përsëritet kjo temë.)
Cilat cilësi të Nefit i përgëzoi Zoti? Si mendoni, përse këto cilësi janë të rëndësishme për secilin prej nesh që t’i kemi në marrëdhënien tonë me Zotin?
Edhe pse bindja mund të mos çojë gjithmonë në begati materiale, çfarë bekimesh mund të presim si rrjedhim i bindjes ndaj Zotit? (Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh të lexoni Mosian 2:41.)
2 Nefi 31:6–10, 15–16; Mosia 15:7; 3 Nefi 11:11; 12:19–20, 48
Ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit për bindjen na ndihmon të vijmë tek Ai dhe tek Ati
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Nga të gjitha mësimet që marrim nga jeta e Shpëtimtarit, asnjëri nuk është më i qartë dhe më i fuqishëm se mësimi i bindjes” (“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 35).
Cilët shembuj nga jeta e Shpëtimtarit e ilustrojnë bindjen e Tij?
Për t’i ndihmuar studentët që ta diskutojnë më tej këtë pyetje, vërini të lexojnë Mosian 15:7 dhe 3 Nefin 11:11, duke kërkuar atë që Jezusi ishte i gatshëm të bënte me qëllim që t’i bindej Atit të Tij.
Ftojini studentët të lexojnë me radhë, me zë të lartë 2 Nefin 31:6–10, 15–16, ndërsa anëtarët e klasës kërkojnë atë që mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit rreth rëndësisë së bindjes dhe bekimeve që vijnë nga bindja.
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit rreth rëndësisë së bindjes? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Tij rreth bekimeve që vijnë prej bindjes? (Sigurohuni që studentët përcaktojnë këtë parim: Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për bindjen ndaj Atit të Tij, ne vërtet do të qëndrojmë në shtegun e ngushtë që çon drejt shpëtimit.)
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Bindja e pjekur nga ana shpirtërore është ‘bindja e Shpëtimtarit’. Ajo merr shtysë nga dashuria e vërtetë për Atin Qiellor dhe Birin e Tij. … Dashuria jonë për Shpëtimtarin është çelësi për bindje si ajo e Shpëtimtarit” (“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, f. 36–37).
Përse është dashuria për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin “kyçi” për t’iu bindur urdhërimeve?
Vini në dukje që Jezu Krishti i ringjallur u mësoi nefitëve rreth qëllimeve për t’iu bindur urdhërimeve. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 3 Nefin 12:19–20, 48 për t’i zbuluar këto qëllime.
Sipas këtyre vargjeve, cilat tha Shpëtimtari që ishin arsyet përse na janë dhënë urdhërimet? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur vijmë te Krishti dhe i zbatojmë urdhërimet, ne do të bëhemi më shumë si Ai dhe si Ati ynë në Qiell dhe do të shpëtohemi.)
Në çfarë mënyrash ju ka ndihmuar bindja juaj që të vini te Shpëtimtari?
Jepuni studentëve një çast për të përsiatur atë që mund të bëjnë për të qenë më të bindur ndaj urdhërimeve të Atit Qiellor, që ata të mund të jenë më shumë si Ai dhe Biri i Tij.
1 Nefi 3:4–7, 15–16; 4:1–2; 7:12; 17:1–31; 18:1–4
Zoti u siguron ndihmë atyre që janë të bindur
Ftojini studentët të marrin parasysh një kohë kur zbatimi i një urdhërimi të caktuar të Perëndisë dukej i vështirë ose kur përmbushja e një thirrjeje ose detyre në Kishë dukej sfiduese. Kujtojini studentët se Nefi dhe vëllezërit e tij u përballën me rrezik dhe vdekje të mundshme, kur Perëndia i urdhëroi të ktheheshin në Jerusalem për të siguruar fletët prej tunxhi. Kërkojuni studentëve të lexojnë 1 Nefin 3:4–7 dhe të përcaktojnë një parim që e mësojnë nga shembulli i Nefit, i cili mund ta shtojë vetë aftësinë e tyre për të qenë të bindur.
Çfarë parimi mund të mësojmë nga përgjigjja e Nefit ndaj një urdhërimi të vështirë nga Perëndia? (Shkruajeni parimin vijues në tabelë ndërkohë që studentët e zbulojnë atë: Nëse kërkojmë të bëjmë atë që Zoti urdhëron, Ai do të përgatitë një udhë për ne për ta plotësuar atë.)
Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë këtë parim, shkruani referencat vijuese në tabelë dhe jepuni studentëve kohë që t’i hetojnë ato, duke kërkuar se si u përgjigj Nefi kur përpiqej t’i plotësonte gjërat e vështira që ai u urdhërua të bënte: 1 Nefi 3:15–16; 4:1–2; 7:12. Pasi studentët të japin atë që zbuluan, shpjegoni se Nefi më vonë përshkroi disa mënyra në të cilat Zoti i ndihmon ata që i zbatojnë urdhërimet e Tij. Kërkojuni studentëve të lexojnë 1 Nefin 17:1–4 dhe të përcaktojnë mënyrat se si na ndihmon Zoti. Gjithashtu kërkojuni studentëve të vënë në dukje frazën e Nefit “dhe kështu ne shohim”, e cila përdoret gjatë gjithë Librit të Mormonit për ta përgatitur lexuesin që t’i kushtojë vëmendje të veçantë fjalëve që pasojnë.
Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, shkruajini fjalët vijuese në tabelë:
Ftojini studentët të përdorin disa minuta për t’i hedhur një sy të shpejtë tregimit te 1 Nefi 17:5–31; 18:1–4, duke kërkuar shembuj se si Zoti e ushqeu, forcoi dhe u siguroi mjete familjes së Lehit.
Në çfarë mënyrash e ushqeu dhe forcoi Zoti familjen e Lehit? Si siguroi Ai mjete për t’i ndihmuar ata?
Cilat bekime të dhëna nga Zoti familjes së Lehit janë të ngjashme me bekimet që na nevojiten sot?
Kur e keni përjetuar ndihmën e Zotit në një nga këto mënyra, ndërkohë që jeni përpjekur t’i bindeni Atij?
Kujtojini studentët se Zoti kërkon bindjen tonë, me qëllim që Ai të mund të na pajisë me bekime të mëdha në përpjekjet tona për t’u bërë si Ai. Jepeni thënien vijuese nga Presidenti Harold B. Li (1899–1973):
“Urdhërimi më i rëndësishëm i të gjitha urdhërimeve të Perëndisë është ai të cilin e keni më të vështirin për ta zbatuar sot. … Vëreni atë në rregull dhe më pas filloni me urdhërimin vijues që është më i vështiri për ju për t’u zbatuar. Kjo është mënyra për ta shenjtëruar veten tuaj nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Perëndisë” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 30).
Ftojini studentët të mendojnë rreth një urdhërimi që e shohin të vështirë për t’iu bindur. Nxitini të bëjnë një plan që të bëhen më të bindur me qëllim që të kualifikohen më plotësisht për të marrë ndihmën e Zotit.
Materiale Leximi për Studentin
1 Nefi 2:1–20; 3:4–7, 15–16; 4:1–2; 7:12; 17:1–31; 18:1–4; 2 Nefi 31:6–10, 15–16; Mosia 2:20–24, 41; 15:7; 3 Nefi 11:11; 12:19–20, 48.
Tomas S. Monson, “Bindja Sjell Bekime”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 89–92.
Robert D. Hejls, “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 35–38.