Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Kultivimi i një Qëndrimi Lumturie dhe i një Shpirti Optimizmi


Kapitulli 3

Kultivimi i një Qëndrimi Lumturie dhe i një Shpirti Optimizmi

“Jini besues. Jini të lumtur. Mos u shkurajoni. Gjërat do të rregullohen.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Nëna e Presidentit Gordon B. Hinkli, Ada Bitner Hinkli, shpesh tha që “një qëndrim i lumtur dhe një buzëqeshje në fytyrë mund ta ngrenë një njeri nga pothuaj çdo fatkeqësi dhe se çdo individ ishte përgjegjës për vetë lumturinë e tij”1. Ati i tij, Brajënt S. Hinkli, kishte gjithashtu “një botëkuptim vetvetiu pozitiv”2. Presidenti Hinkli kujtoi: “Kur unë isha i ri dhe kisha prirjen që të flisja në mënyrë kritike, im atë do të thoshte: ‘Cinikët nuk kontribuojnë, skeptikët nuk krijojnë, dyshuesit nuk arrijnë’.”3 I ndikuar nga këshilla dhe shembulli i prindërve të tij, i riu Gordon Hinkli mësoi t’i qasej jetës me optimizëm dhe besim.

Si misionar në Angli, Plaku Hinkli punoi fort për t’iu bindur këshillës së prindërve të tij. Ai dhe shokët e tij i jepnin dorën njëri-tjetrit çdo mëngjes dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Jeta është e bukur”4. Pothuajse 70 vjet më vonë, ai sugjeroi që një grup misionarësh në Filipine të zbatonin të njëjtën praktikë. “Dje ishte një ditë e mrekullueshme në jetën time”, u tha ai atyre. “Çdo ditë është një ditë e mrekullueshme në jetën time. Unë shpresoj që çdo ditë është një ditë e mrekullueshme në jetën tuaj – për gjithsecilin prej jush. Shpresoj që mund të bëheni gati për të dalë në mëngjes dhe t’i jepni dorën shokut/shoqes tuaj e t’i thoni: ‘Vëlla (Motër), jeta është e bukur. Le të dalim dhe të kalojmë një ditë të bukur.’ Dhe kur të ktheheni në mbrëmje, shpresoj që të mund t’i thoni njëri-tjetrit: ‘Ka qenë një ditë e bukur. Ne kemi kaluar një ditë të bukur. Ne kemi ndihmuar dikë gjatë udhës. … Ne do të ndjekim ecurinë me ta dhe lutemi e shpresojmë që do të vijnë në Kishë.’ Çdo ditë duhet të jetë një ditë e bukur në fushën e misionit.”5

Kjo këshillë ishte shembull tipik i qasjes ndaj jetës të Presidentit Hinkli. Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha vëzhgimin vijues për Presidentin Hinkli dhe bashkëshorten e tij, Marxhërinë: “Ata nuk harxhojnë kohë duke përsiatur për të shkuarën apo duke u shqetësuar për të ardhmen. Dhe ata këmbëngulin pavarësisht kundërshtisë.”6 Plaku Xhefri R. Holland, gjithashtu i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, komentoi: “‘Gjërat do të shkojnë mirë’ mund të jetë fare mirë sigurimi më i përsëritur i Presidentit Hinkli për familjen, miqtë dhe shoqërinë. ‘Vazhdoni të përpiqeni’, do të thoshte ai. ‘Jini besues. Jini të lumtur. Mos u shkurajoni. Gjërat do të rregullohen.’”7

Pamja
Presidenti Hinkli me të rinj

“Ne kemi çdo arsye për të qenë optimistë.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Edhe kur shumë njerëz janë negativë apo pesimistë, ne mund të kultivojmë një shpirt lumturie dhe optimizmi.

Ka një sëmundje të tmerrshme pesimizmi në tokë. Ajo është pothuaj gjithkund. Neve na ushqehet vazhdimisht një dietë e rregullt dhe e thartuar e vrasjes së karakterit, e të kritikuarit, e të folurit keq për njëri-tjetrin. …

Unë vij … me një lutje që të ndalojmë së kërkuari stuhitë dhe ta gëzojmë më plotësisht dritën e diellit. Unë po sugjeroj që ne ta vëmë theksin tek ajo që është pozitive. Unë po ju ftoj që ne ta kërkojmë pak më thellë të mirën, që ne t’i ulim zërat tanë të fyerjes e sarkazmës, që ne ta përgëzojmë më bujarisht virtytin dhe përpjekjen.

Unë nuk po kërkoj që çdo kritikë të reshtë. Rritja vjen me anë të qortimit. Forca vjen me anë të pendimit. I mençur është burri apo gruaja që, pasi bën gabime të vëna në dukje nga të tjerët, e ndryshon drejtimin e tij apo të saj. Unë nuk po sugjeroj që bisedat tona të jenë vetëm mjaltë. Shprehja me mençuri që është e çiltër dhe e ndershme, është një aftësi që duhet kërkuar e kultivuar. Ajo që po sugjeroj dhe po kërkoj, është që t’i largohemi negativitetit që e përshkon kaq shumë shoqërinë tonë dhe të kërkojmë të mirën e mrekullueshme në tokën dhe kohët në të cilat jetojmë, që të flasim për virtytet e njëri-tjetrit më shumë sesa për fajet e njëri-tjetrit, që optimizmi ta zëvendësojë pesimizmin. Lëreni besimin tonë të zëvendësojë druajtjet tona.8

Ne kemi çdo arsye për të qenë optimistë në këtë botë. Tragjedia është përreth, po e vërtetë. Probleme kudo, po e vërtetë. Por … ju nuk mund, ju nuk arrini të ndërtoni mbi pesimizmin apo cinizmin. Ju shikoni me optimizëm, punoni me besim dhe gjëra ndodhin.9

Mos u dëshpëroni. Mos u dorëzoni. Kërkoni dritën e diellit përmes reve. Mundësitë përfundimisht do t’ju shpalosen. Mos i lejoni profetët e zymtësisë të vënë në rrezik mundësitë tuaja.10

Kultivoni një qëndrim lumturie. Kultivoni një shpirt optimizmi. Ecni me besim, duke u gëzuar në bukuritë e natyrës, në mirësinë e atyre që doni, në dëshminë që mbani në zemrën tuaj lidhur me gjërat hyjnore.11

Plani i Zotit është një plan lumturie. Rruga do të jetë më e lehtë, shqetësimet do të jenë më të pakta, përballjet do të jenë më pak të vështira nëse ne kultivojmë një shpirt lumturie.12

2

Në vend që ta mbajmë mendjen te problemet tona, ne mund të lëmë një shpirt falënderimi që të na udhëheqë e bekojë.

Sa madhërisht jemi ne të bekuar! Sa falënderues duhet të jemi ne! … Kultivoni një shpirt falënderimi për bekimin e jetës dhe për dhuratat e privilegjet e mrekullueshme që gëzon secili prej nesh. Zoti ka thënë se zemërbutët do të trashëgojnë tokën. (Shih Mateu 5:5.) Unë nuk mund t’i shpëtoj interpretimit që zemërbutësia përfshin një shpirt mirënjohjeje në kundërshtim me një qëndrim vetëplotësie, një pranim të një fuqie më të madhe përtej vetes, një njohje të Perëndisë dhe një pranim të urdhërimeve të tij. Ky është fillimi i mençurisë. Ecni me mirënjohje përpara atij që është dhuruesi i jetës dhe i çdo dhurate të mirë.13

Nuk ka pasur kurrë një periudhë më të madhërishme në historinë e botës për të jetuar në tokë sesa kjo. Sa mirënjohës duhet të ndihet secili prej nesh që është gjallë në këtë kohë të mrekullueshme me të gjitha bekimet e mahnitshme që kemi ne.14

Kur mendoj për mrekullitë që kanë ndodhur gjatë jetës time – më shumë sesa gjatë gjithë pjesës tjetër të historisë njerëzore në tërësi – unë qëndroj me nderim e mirënjohje. Mendoj për automobilin dhe aeroplanin, për kompjuterat, makinat e faksit, postën elektronike dhe internetin. E gjitha është kaq e mahnitshme dhe e mrekullueshme. Mendoj për hapat viganë të bërë në mjekësi dhe shëndetin publik. … Dhe me të gjithë këtë ka ndodhur rivendosja e ungjillit të pastër të Jezu Krishtit. Unë dhe ju jemi pjesë e mrekullisë dhe çudisë së kësaj çështjeje dhe mbretërie të madhërishme që po përfshin tokën duke bekuar jetën e njerëzve kudo që ajo arrin. Sa thellësisht mirënjohës që ndihem unë.15

Ne jetojmë në plotësinë e kohëve. Shenjojeni atë frazë. Shenjojeni fjalën plotësi. Ajo shënon [të] gjitha të mirat që janë mbledhur tok [nga] e shkuara dhe që janë rivendosur në tokë në këtë periudhë të fundit ungjillore.

Zemra ime … është e mbushur me falënderim për Perëndinë e Plotfuqishëm. Nëpërmjet dhuratës së Birit të Tij, që është Perëndia i kësaj bote, ne jemi bekuar kaq madhërishëm. Zemra ime buçet me fjalët e himnit tonë: “Numëro bekimet; Një nga një. Numëroji; Shih Per’ndia ç’ka bër’” (Himne, nr. 152).16

Me mirënjohje në zemrat tona, le të mos e mbajmë mendjen tek ato pak probleme që kemi. Në vend të kësaj, le të numërojmë bekimet tona dhe, me një shpirt të madh mirënjohjeje, të nxitur nga besimi i madh, le të bëjmë përpara për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë.17

Lini një shpirt falënderimi t’i udhëheqë e bekojë ditët dhe netët tuaja. Punoni me të. Ju do të zbuloni se do të japë rezultate të mrekullueshme.18

3

Ungjilli i Jezu Krishtit na jep arsye për gëzim.

Zoti tha: “Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe kapu pas besëlidhjeve që ke bërë” [DeB 25:13]. Unë besoj se ai po i thotë secilit prej nesh të jetë i lumtur. Ungjilli është një çështje gëzimi. Ai na pajis me një arsye për gëzim.19

Kurrë mos harroni se cilët jeni. … Ju jeni me të vërtetë fëmijë i Perëndisë. … Ai është Ati juaj i Amshuar. Ai ju do. … Ai do që bijtë dhe bijat e Tij të jenë të lumtur. Mëkati kurrë nuk ka qenë lumturi. Shkelja kurrë nuk ka qenë lumturi. Mosbindja kurrë nuk ka qenë lumturi. Udha e lumturisë gjendet në planin e Atit tonë në Qiell dhe në bindjen ndaj urdhërimeve të Birit të Tij të Dashur, Zotit Jezu Krisht.20

Pavarësisht nga mënyra juaj e bërjes së gjërave në të shkuarën, unë ju jap një sfidë … ta pajtoni jetën tuaj me mësimet e ungjillit, ta shikoni këtë Kishë me dashuri dhe respekt, dhe vlerësim si nënën e besimit tuaj, ta jetoni jetën tuaj si shembull i asaj që ungjilli i Jezu Krishtit do të bëjë në sjelljen e lumturisë te një individ.21

Pamja
Çifti Hinkli me fëmijë të vegjël

“Gjatë gjithë jetesës kini shumë argëtim e të qeshura. Jeta duhet gëzuar, jo thjesht duruar.”

Pendimi është një prej parimeve të para të ungjillit. Falja është shenjë e hyjnisë. Ka shpresë për ju. Jetën tuaj e keni përpara dhe ajo mund të mbushet me lumturi, ndonëse e shkuara mund të jetë njollosur nga mëkati. Kjo është një punë e shpëtimit dhe të ndihmuarit të njerëzve për problemet e tyre. Ky është qëllimi i ungjillit.22

Unë takoj kaq shumë njerëz që ankohen vazhdimisht për barrën e përgjegjësive të tyre. Sigurisht trysnitë janë të mëdha. Ka shumë, tepër shumë, për të bërë. Ka barra financiare që u shtohen të gjitha atyre trysnive dhe me të gjithë këtë ne kemi prirjen të ankohemi, dendur në shtëpi, shpesh në publik. Ndryshojeni me rrënjë të menduarit tuaj. Ungjilli përbën lajme të mira. Njeriu është që ai të mund të ketë gëzim [shih 2 Nefi 2:25]. Jini të lumtur! Lëreni atë lumturi të ndriçojë në fytyrat tuaja dhe të flasë përmes dëshmive tuaja. Ju mund të prisni probleme. Mund të ketë tragjedi me raste. Por, duke ndriçuar përmes gjithë kësaj, është lutja e Zotit:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28–30.)

Më pëlqejnë shumë këto fjalë të Jenkins Lloyd Jones [Xhenkins Lloid Xhounzit] që i preva nga një rubrikë te gazeta Deseret News disa vite më parë. Unë jua jap ato juve. … Tha ai:

“Kushdo që mendon se hareja është normale, do të harxhojë shumë kohë duke vrapuar rreth e qark e duke bërtitur se e kanë vjedhur.

Shumica e hedhjeve të topit nuk bien në shenjë. Shumica e biftekut mezi përtypet. Shumica e fëmijëve rriten për t’u bërë njerëz të zakonshëm. Shumica e martesave të suksesshme kërkojnë një shkallë të lartë tolerance të dyanshme. Shumica e vendeve të punës janë më shpesh pa gjallëri sesa me gjallëri. …

Jeta është si një udhëtim me trenat e qëmotit – vonesa, binarë devijimi, tym duhani, pluhur, blozë dhe lëkundje, të zbukuruar vetëm me raste nga pamje të bukura dhe hove emocionuese të shpejtësisë.

Marifeti është ta falënderoni Zotin që po ju lë të udhëtoni.” (Deseret News, 12 qershor 1973.)

E përsëris, vëllezërit dhe motrat e mia, marifeti është ta falënderoni Zotin që po ju lë të udhëtoni; dhe në të vërtetë, a nuk është një udhëtim i mrekullueshëm? Gëzojuni atij! Qeshni rreth tij! Këndoni për të! Kujtoni fjalët e shkruesit të Fjalëve të Urta:

“Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat”. (Fjalët e Urta 17:22.)23

Lejoni që të ketë diçka me tonalitet gazmor në jetën tuaj. Lejoni që të ketë argëtim dhe lumturi, një ndjenjë humori, aftësi për të qeshur me raste për gjëra që janë zbavitëse.24

Gjatë gjithë jetesës kini shumë argëtim e të qeshura. Jeta duhet gëzuar, jo thjesht duruar.25

4

Ungjilli është një mesazh ngadhënjimi për t’u përqafuar me entuziazëm, dashuri dhe optimizëm.

Unë qëndroj këtu sot si një optimist për sa i përket punës së Zotit. Unë nuk mund të besoj që Perëndia e ka ngritur punën e tij në tokë që të dështojë. Unë nuk mund të besoj që ajo po dobësohet. Unë e di që ajo po forcohet. … Unë kam një besim të thjeshtë dhe solemn që e drejta do të ngadhënjejë dhe e vërteta do të mbizotërojë.26

Përherë më ka ngjallur kureshtje historia e Kalebit, e Jozueut dhe e spiunëve të tjerë të Izraelit. Moisiu i udhëhoqi fëmijët e Izraelit në shkretëtirë. Në vitin e dytë të endjes së tyre, ai zgjodhi një përfaqësues nga secili prej dymbëdhjetë fiseve që të vëzhgonin tokën e Kanaanit dhe të sillnin një raport lidhur me burimet e saj dhe njerëzit e saj. Kalebi përfaqësonte fisin e Judës, Jozueu fisin e Efraimit. Dymbëdhjetë prej tyre shkuan në tokën e Kanaanit. Ata zbuluan se ajo ishte pjellore. Ata ishin larguar për dyzet ditë. Ata sollën me vete disa prej vileve që “kish[in] filluar të piqe[shin nga] rrushi” si provë e pjellorisë së tokës (Numrat 13:20).

Ata erdhën përpara Moisiut e Aaronit dhe të gjithë asamblesë së fëmijëve të Izraelit dhe thanë lidhur me tokën e Kanaanit: “Aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij” (vargu 27).

Por dhjetë nga spiunët qenë viktima të vetë dyshimeve dhe frikës së tyre. Ata dhanë një raport negativ mbi numrin dhe shtatlartësinë e kanaanitëve. Ata nxorën përfundimin se ai popull “është më i fortë se ne” (vargu 31). Ata e krahasuan veten me karkaleca kundrejt gjigantëve që kishin parë në atë vend. Ata qenë viktima të vetë druajtjes së tyre.

Atëherë Jozueu dhe Kalebi u ngritën para popullit dhe thanë: “Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë.

Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, ‘një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë’.

Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata” (14:7–9).

Por njerëzit qenë më të gatshëm t’u besonin dhjetë dyshuesve sesa t’i besonin Kalebit dhe Jozueut.

Atëherë ndodhi që Zoti shpalli se fëmijët e Izraelit duhet të endeshin në shkretëtirë për dyzet vite derisa brezi i atyre që kishin ecur me dyshim e frikë, të ndërronte jetë. Shkrimi i shenjtë shënon se “ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit.

Por Jozueu … dhe Kalebi … , mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin” (vargjet 37–38). Ata qenë të vetmit nga ai grup të cilët mbijetuan gjatë atyre katër dhjetëvjeçarëve të endjes dhe të cilët patën privilegjin të hynin në tokën e premtuar për të cilën kishin raportuar në një mënyrë pozitive.

Ne shohim disa njerëz rreth nesh që janë mospërfillës në lidhje me të ardhmen e kësaj vepre, që janë të plogësht, që flasin për kufizime, që shprehin frikë, që e kalojnë kohën duke kërkuar e duke shkruar rreth atyre që ata i konsiderojnë si dobësi, të cilat vërtet nuk kanë rëndësi. Me dyshim për të shkuarën e saj, ata nuk kanë largpamësi në lidhje me të ardhmen e saj.

Mirë qe thënë në lashtësi: “Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar” (Fjalët e Urta 29:18). Nuk ka vend në këtë vepër për ata që besojnë vetëm në ungjillin e mungesës së lumturisë e të shpresës. Ungjilli përbën lajme të mira. Ai është një mesazh ngadhënjimi. Është një çështje që duhet të përqafohet me entuziazëm.

Zoti nuk tha asnjëherë se nuk do të kishte telashe. Njerëzit tanë kanë njohur shqetësime të çdo lloji kur ata që e kanë kundërshtuar këtë vepër, u janë turrur atyre. Por besimi është shfaqur dukshëm mes gjithë hidhërimeve të tyre. Kjo vepër ka ecur vazhdimisht përpara dhe kurrë nuk ka bërë ndonjë hap pas që nga zanafilla e saj. …

… Kjo është puna e të Plotfuqishmit. Nëse ne si individë bëjmë përpara, do të varet nga ne. Por Kisha kurrë nuk do të dështojë së bëri përpara. …

Kur Zoti e mori Moisiun te Vetja, Ai atëherë i tha Jozueut: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueut 1:9). Kjo është puna e Tij. Kurrë mos e harroni atë. Përqafojeni atë me entuziazëm dhe dashuri.27

5

Me njohurinë që ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë, ne mund të qëndrojmë pak më të patundur, të ngrihemi pak më lart dhe të jemi pak më të mirë.

Ka një prirje të trishtueshme në botën tonë sot që njerëzit ta ulin njëri-tjetrin. A e keni kuptuar ndonjëherë se nuk duhet shumë nga aspekti i fuqisë mendore për të bërë vërejtje që mund ta lëndojnë tjetrin? Provojeni të kundërtën e asaj. Përpiquni të jepni përgëzime. …

Në shoqërinë tonë ka gjithashtu një prirje të trishtë mes shumëve prej nesh që ta nënvleftësojnë veten. Njerëzit e tjerë mund të na duken se janë të sigurt në vetvete, por e vërteta është që shumica prej nesh kanë ndjenja inferioriteti. Gjëja e rëndësishme është të mos i flisni vetes rreth asaj. … Gjëja e rëndësishme është që të nxjerrim më të mirën nga gjithçka që kemi.

Mos e çoni dëm kohën tuaj duke u ndier keq për veten. Mos e nënvleftësoni veten. Mos harroni kurrë se ju jeni një fëmijë i Perëndisë. Ju keni një të drejtë hyjnore trashëgimie. Diçka nga vetë karakteri i Perëndisë është brenda jush.28

Ne këndojmë “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Himne, nr. 196). Ajo nuk është thjesht trillim, trillim poetik – ajo është e vërteta e gjallë. Ka diçka hyjnore brenda secilit prej nesh që ka nevojë për kultivim, që ka nevojë të dalë në shesh, që ka nevojë të gjejë vend për t’u shprehur. Ju etër e nëna, mësojini fëmijët tuaj se ata janë, në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë, bijtë dhe bijat e Perëndisë. Nuk ka asnjë të vërtetë më të madhe në të gjithë botën sesa ajo – që të mendojmë se kemi diçka prej hyjnisë brenda nesh.29

Besoni te vetja. Besoni në aftësinë tuaj për të bërë gjëra të mëdha e të mira. Besoni se asnjë mal nuk është aq i lartë sa nuk mund ta ngjitni atë. Besoni se asnjë stuhi nuk është aq e madhe sa nuk mund t’i mbijetoni asaj. … Ju jeni një fëmijë i Perëndisë, me aftësi të pafundme.30

Qëndroni pak më të patundur, ngrihuni pak më lart, jini pak më të mirë. Bëjeni përpjekjen shtesë. Ju do të jeni më të lumtur. Ju do të njihni një kënaqësi të re, një gëzim të ri në zemrën tuaj.31

Sigurisht do të ketë një numër problemesh gjatë udhës. Do të ketë vështirësi për t’u kaluar. Por ato nuk do të zgjatin përgjithmonë. [Perëndia] nuk do t’ju braktisë ju. …

Vështrojeni pozitiven. Dijeni se Ai po kujdeset për ju, që Ai i dëgjon lutjet tuaja dhe do t’u përgjigjet atyre, që Ai ju do dhe do ta bëjë atë dashuri të shfaqet.32

Ka kaq shumë nga ëmbëlsia dhe hijeshia, dhe e bukura mbi të cilën të ndërtojmë. Ne jemi pjesëtarë në ungjillin e Jezu Krishtit. Ungjilli do të thotë “lajme të mira”! Mesazhi i Zotit është një mesazh shprese dhe shpëtimi! Zëri i Zotit është një zë lajmesh të mira! Puna e Zotit është një punë arritjesh të lavdishme!

Në një orë të errët dhe të trazuar Zoti u tha atyre që i donte: “Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”. (Gjoni 14:27.)

Këto fjalë të mrekullueshme sigurie janë një dritë për secilin prej nesh. Tek ai ne me të vërtetë mund të kemi mirëbesim. Pasi ai dhe premtimet e tij nuk do të dështojnë kurrë.33

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Mendoni për këshillën e Presidentit Hinkli që të “kërkojmë … më thellë” për të mirën dhe të “kultivo[jmë] një qëndrim lumturie [dhe] një shpirt optimizmi” (pjesa 1). Përse kemi nevojë për këtë këshillë sot? Si mund të kultivojmë një qëndrim lumturie?

  • Presidenti Hinkli tha që “rezultate të mrekullueshme” vijnë kur ne “lëmë një shpirt falënderimi që të na udhëheqë” (pjesa 2). Si mendoni, përse vijnë këto “rezultate të mrekullueshme”? Si bekoheni ju kur keni një shpirt falënderimi?

  • Çfarë mendimesh keni për analogjinë e jetës që është “si një udhëtim me trenat e qëmotit”? (Shih pjesën 3.) Si ndikojnë “lajme[t e] mira” të ungjillit në mënyrën se si ju i qaseni atij udhëtimi?

  • Si mendoni se gjen zbatim në jetën tonë historia e Kalebit dhe e Jozueut? (Shih pjesën 4.) Çfarë shembujsh keni parë të njerëzve që e përqafojnë ungjillin me entuziazëm? Nëse e shikojmë se ndihemi të shkurajuar, si mund ta rifitojmë optimizmin tonë? Çfarë përvojash e kanë rritur optimizmin tuaj për punën e Zotit?

  • Si mendoni, përse ka një prirje për t’i nënvleftësuar të tjerët dhe veten? Si mund ta kapërcejmë këtë prirje? Çfarë mund të bëjmë ne, si individë dhe familje, për t’i ndihmuar të tjerët të “qëndroj[në] pak më të patundur” dhe të “ngrihe[n] pak më lart”? (Shih pjesën 5.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 16:33; Filipianëve 4:13; Mosia 2:41; Alma 34:38; Ethëri 12:4; DeB 19:38–39; 128:19–23

Ndihmë për Studimin

“Të vepruarit sipas asaj që keni mësuar do t’ju sjellë një kuptim të ri dhe të qëndrueshëm (shih Gjoni 7:17)” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19). Merrni parasysh të pyesni veten se si mund t’i zbatoni mësimet e ungjillit në shtëpi, në punë dhe në përgjegjësitë tuaja në Kishë.

Shënime

  1. Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 37.

  2. Sheri L. Dew, Go Forward with Faith, f. 37.

  3. “The Continuing Pursuit of Truth”, Ensign, prill 1986, f. 4.

  4. Shih Sheri L. Dew, Go Forward with Faith, f. 76.

  5. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 (2005), f. 343.

  6. Russell M. Nelson, “Spiritual Capacity”, Ensign, nëntor 1997, f. 15.

  7. Jeffrey R. Holland, “President Gordon B. Hinckley: Stalwart and Brave He Stands”, Ensign, qershor 1995, f. 4.

  8. “The Lord Is at the Helm” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 6 mars 1994), f. 3–4, speeches.byu.edu.

  9. Cituar te Jeffrey R. Holland, “President Gordon B. Hinckley: Stalwart and Brave He Stands”, f. 4.

  10. “The Continuing Pursuit of Truth”, f. 4.

  11. “If Thou Art Faithful”, Ensign, nëntor 1984, f. 92.

  12. “Each a Better Person”, Ensign, nëntor 2002, f. 100.

  13. “With All Thy Getting Get Understanding”, Ensign, gusht 1988, f. 3–4.

  14. “The Spirit of Optimism”, New Era, korrik 2001, f. 4.

  15. “Keep the Chain Unbroken” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 30 nëntor 1999), f. 1–2, speeches.byu.edu.

  16. “My Redeemer Lives”, Ensign, shkurt 2001, f. 70.

  17. “The Lord Is at the Helm”, f. 6.

  18. “A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Ensign, janar 2001, f. 4.

  19. “If Thou Art Faithful”, f. 91–92.

  20. “Stand True and Faithful”, Ensign, maj 1996, f. 93–94.

  21. “True to the Faith”, Ensign, qershor 1996, f. 4.

  22. “Stand True and Faithful”, f. 94.

  23. “Four Imperatives for Religious Educators” (bisedë drejtuar mësuesve të fesë, 15 shtator 1978), f. 4.

  24. “A Challenging Time—a Wonderful Time” (bisedë drejtuar mësuesve të fesë, 7 shkurt 2003), f. 4.

  25. “Stand True and Faithful”, f. 94.

  26. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 410.

  27. “Stay the Course—Keep the Faith”, Ensign, nëntor 1995, f. 71–72.

  28. “Strengthening Each Other”, Ensign, shkurt 1985, f. 3–4.

  29. One Bright Shining Hope: Messages for Women from Gordon B. Hinckley (2006), f. 90–91.

  30. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 452.

  31. “The Quest for Excellence” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 10 nëntor 1998), f. 5, speeches.byu.edu.

  32. “How Can I Become the Woman of Whom I Dream?” Ensign, maj 2001, f. 96.

  33. “The Continuing Pursuit of Truth”, f. 6.

Shtyp në Letër