Vështrim i Përgjithshëm për Prindërit dhe Udhëheqësit
Qëllimi i Përparimit Personal
Përparimi Personal i Të Rejave është një program arritjeje i hartuar për të ndihmuar të rejat:
Të forcojnë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.
Të forcojnë si familjet e tyre të tanishme ashtu edhe ato të ardhshme.
Të përgatiten për të qenë të denja që të bëjnë e mbajnë besëlidhjet e shenjta të tempullit.
Të përgatiten për rolet dhe përgjegjësitë e tyre të ardhshme.
Të rejat punojnë me prindërit e tyre, udhëheqëset e Të Rejave dhe gra të tjera shembullore për të vendosur dhe arritur synime bazuar tek tetë vlerat e Të Rejave. Përparimi Personal mund t’i ndihmojë prindërit dhe udhëheqëset ta përmirësojnë marrëdhënien e tyre me të rejat ndërkohë që punojnë së bashku.
Përgjegjësitë e Prindërve dhe Udhëheqëseve të Të Rejave
Paraqitja e Programit
Udhëheqëset e Të Rejave takohen me secilën të re që hyn në programin e Të Rejave dhe prindërit e saj. Mund të marrë pjesë gjithashtu një anëtare e presidencisë së klasës së të rejave. Udhëheqëset i paraqesin të resë një libër të Përparimit Personal të Të Rejave, një ditar të Përparimit Personal dhe varësen në formë pishtari të Të Rejave. Ato i shpjegojnë asaj programin dhe i nxisin prindërit të punojnë me bijën e tyre për të përzgjedhur e përmbushur përvojat e projektet e Përparimit Personal. Udhëheqëset duhet t’i ftojnë gjithashtu prindërit tek të gjithë aktivitetet e veçanta ku merr pjesë bija e tyre.
Sigurimi i Mbështetjes së Përshtatshme
Një e re ka nevojë për mbështetje dhe nxitje të rregullt gjatë përmbushjes së Përparimit Personal. Kjo mund të vijë nga prindër, udhëheqës, të rritur të tjerë dhe të reja më të mëdha që e kanë përfunduar Përparimin Personal. Nëse e reja ka mbështetje të kufizuar në shtëpi për ta ndihmuar në përfundimin e Përparimit Personal, një motër tjetër mund të ftohet që të shërbejë si këshilluese dhe ta ndihmojë atë, në këshillim me udhëheqësit e priftërisë. Kjo motër e rritur mund të miratojë përvojat dhe projektet për vlerën dhe të nënshkruajë librin e Përparimit Personal të së resë kur ato të përmbushen. Një tjetër e re që e ka përfunduar Përparimin Personal mund të ftohet gjithashtu që të japë ndihmë dhe nxitje.
Dokumentimi dhe Njohja e Përparimit
Prindërit dhe udhëheqësit sigurojnë mundësi të rregullta që të rejat të raportojnë përparimin e tyre. Kur një e re raporton rregullisht, ajo është në gjendje të bëjë një përshkrim të përpjekjeve të saj dhe të ndajë atë që ka mësuar dhe se si është forcuar dëshmia e saj. Prindërit dhe udhëheqësit njohin arritjet e saj, vërtetojnë kuptueshmërinë e zbatimin prej saj të parimeve të ungjillit dhe ofrojnë nxitje për përparim të vazhdueshëm. Këto ndërveprime do të ndihmojnë të zhvillohen marrëdhënie dashamirëse.
Përgjegjësitë e Udhëheqësve të Priftërisë
Pasi një e re përfundon të gjithë programin e Përparimit Personal, peshkopi e interviston duke përdorur për drejtim standardet e broshurës Për Forcën e Rinisë. Ai verifikon pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e sakramentit, pjesëmarrjen e saj në seminar dhe leximin prej saj të Librit të Mormonit. Kjo mund të jetë pjesë e intervistës së saj vjetore ose gjashtëmujore. Peshkopi përcakton denjësinë e së resë për të marrë Njohjen e Të Rejave dhe nënshkruan librin e saj të Përparimit Personal për të vërtetuar përfundimin prej saj të kërkesave të nevojshme. Ai mund t’i paraqesë asaj Njohjen e Të Rejave në një mbledhje sakramenti ose mbledhje tjetër.
Suksesi i një të reje në Përparimin Personal mund të pranohet gjithashtu kur ajo merr certifikatat e saj të Kosheres, Mia-Meidit dhe Dafinës ndërsa kalon nga klasa në klasë.
Anëtarë të këshillit të peshkopit mund t’i përdorin intervistat e tyre me të rejat për të njohur dhe nxitur përparimin e secilës të re. Fleta e Evidencës e Udhëheqësve për Përparimin Personal të Të Rejave, e mbajtur nga presidencia e Të Rejave, mund të jetë e dobishme për t’u dhënë ndihmë anëtarëve të këshillit të peshkopit. Presidentët e kunjit duhet t’i pyesin rregullisht peshkopët mbi mirëqenien dhe përparimin e të rejave në lagjet e tyre.
Porosi
Synimet dhe kërkesat e programit janë përvijuar në fillim të këtij libri. Porosi të tjera në vijim mund të jenë të dobishme për udhëheqësit.
Përvojat për Vlerën
Një e re mund të punojë për vlerat në çfarëdo renditje.
Me përjashtim të vlerës së virtytit, të rejat nxiten të përfundojnë përvojat e kërkuara në një vlerë përpara se të kryejnë projektin për atë vlerë.
Projektet për Vlerën
Një projekt për vlerën ka për qëllim ta ndihmojë një të re që të zbatojë atë që ka mësuar nga përvojat për vlerën.
Një e re duhet të shpenzojë minimumi dhjetë orë për secilin projekt për vlerën. Të njëjtat dhjetë orë nuk mund të llogariten për më shumë se një projekt për vlerën.
Të rejat mund të punojnë së bashku për projektet. Megjithatë, një e re duhet të shpenzojë një minimum prej dhjetë orësh nga koha e saj nëse ajo po e përdor atë projekt për të plotësuar kërkesat e veta për Përparimin Personal.
Me miratimin paraprak të prindërve ose udhëheqëseve të Të Rejave, gjërat e mira që po bën një e re në shtëpi, Kishë, shkollë, seminar dhe në komunitet mund të përmbushin kërkesat e Përparimit Personal.
Përfundimi i Përparimit Personal
Kur një e re përfundon kërkesat e Përparimit Personal përpara se të largohet nga Të Rejat, ajo duhet të ftohet të ndihmojë të reja të tjera që ende po punojnë për Përparimin Personal. Ajo gjithashtu duhet të nxitet të fitojë një Bletë Nderi ose ta fillojë sërish programin.
Nëse një e re nuk i ka përfunduar të gjitha kërkesat e programit të Përparimit Personal përpara se të largohet nga Të Rejat, ajo duhet të nxitet që të vazhdojë të punojë drejt marrjes së Njohjes së Të Rejave. Nënat, udhëheqëset dhe gra të tjera shembullore mund të ftohen ta mbështesin atë për ta kryer këtë.
Ndjekja dhe Ritmi
Fleta e Dokumentit të Përparimit Personal, që gjendet në faqen 77 të këtij libri, përmbledh punën e secilës të re për programin e Përparimit Personal.
Fleta e Evidencës së Udhëheqësve për Përparimin Personal të Të Rejave është gjithashtu e disponueshme si një fletë e veçantë për të ndihmuar udhëheqëset që të ndjekin përparimin e secilës të re (36655). Ajo mund të përdoret për të ndihmuar udhëheqësit si të Të Rejave ashtu dhe të priftërisë për të punuar dhe njohur arritjet e secilës të re.
Të rejat mund të punojnë me ritmin e tyre në programin e Përparimit Personal; megjithatë, rekomandohet që një e re të përfundojë të paktën një përvojë për vlerën çdo muaj dhe një projekt për vlerën çdo gjashtë muaj (dy në një vit). Nëse ajo do ta fillojë punën kur të hyjë tek Të Rejat në moshën 12 vjeç dhe do të vazhdojë me këtë ritëm të sugjeruar, ajo do ta përfundojë kur të jetë 16 vjeç. Ajo do të ketë atëherë dy vite për të fituar një Bletë Nderi ose ta fillojë sërish programin siç sugjerohet në faqen 83.
Njohja e Përparimit Individual
Kur një e re përfundon përvojat dhe projektet për secilën vlerë, ajo merr një emblemë (36654) dhe shiritin për shkrimin e shenjtë që shoqërohen me atë vlerë. Ajo e vendos emblemën në faqen e Arritjes së Vlerës së Përparimit Personal në librin e saj (faqe 78). Ajo e përdor shiritin si shenjues libri në shkrimet e shenjta të saj. Kjo njohje e përparimit të saj mund t’i dorëzohet në një mbledhje Të Rejash.
Çdo vit, tek Të Rejat në Shkëlqim, të rejave duhet t’u njihen arritjet e tyre.
Suksesi i një të reje në Përparimin Personal mund të pranohet gjithashtu kur ajo merr certifikatat e saj të Kosheres, Mia-Meidit dhe Dafinës ndërsa kalon nga klasa në klasë. Këto certifikata (Kosherja, 08563; Mia-Meidi, 08565; Dafina, 08564) dorëzohen nën drejtimin e peshkopit. Ato vërtetojnë kalimin e së resë nga një grup-moshë tek tjetri.
Njohja e Të Rejave
Kur një e re e përfundon punën e saj në të teta vlerat dhe është intervistuar nga peshkopi, ajo merr Njohjen e Të Rejave. Kjo njohje përbëhet nga një certifikatë (36651) dhe një medalje, ose prej ari ose prej argjendi (prej ari, 08602; prej argjendi, 08603). Një anëtar i këshillit të peshkopit mund ta paraqesë Njohjen e Të Rejave në një mbledhje sakramenti.
Pasi ta përfundojë Njohjen e Të Rejave, një e re mund ta vazhdojë përparimin duke fituar një varëse Bletë Nderi (e artë, 08562; e argjendtë, 08578; shih faqen 83). Kjo njohje e përparimit të saj mund t’i dorëzohet në një mbledhje Të Rejash.
Çmimet dhe certifikatat mund të merren përmes një qendre të shpërndarjes së Kishës duke përdorur fonde të lagjes, pa shpenzime për të rejat ose prindërit e tyre.
Kërkesa të Përparimit Personal për Udhëheqëset
Udhëheqëset nxiten të punojnë për Përparimin Personal bashkë me të rejat. Ato që marrin pjesë vetë në programin e Përparimit Personal e kuptojnë më mirë programin dhe japin një shembull të favorshëm që ta ndjekin të rejat. Ato mund ta fitojnë Njohjen e Të Rejave pasi:
Të kenë shërbyer për një total prej një viti si udhëheqëse e Të Rejave.
Të kenë plotësuar përvojat e kërkuara për vlerën për secilën prej të tetë vlerave.
Të kenë plotësuar tre projekte për vlerat, përfshirë projektin për virtytin.
Pjesëmarrja e Nënave
Nënat janë të mirëpritura për të marrë pjesë me të rejat që të fitojnë Njohjen e Të Rejave. Nënat punojnë nga libri i tyre i Përparimit Personal dhe mund ta fitojnë njohjen bashkë me bijat e tyre. Rekomandohet që bija ta fitojë njohjen e saj përpara ose bashkë me nënën e vet.
Nënat mund të plotësojnë të njëjtat kërkesa si bijat e tyre, përfshirë:
Të marrin pjesë rregullisht në mbledhjen e sakramentit (ku është e mundur).
Të jetojnë standardet e broshurës Për Forcën e Rinisë.
Të plotësojnë përvojat për vlerën dhe projektin për vlerën për secilën prej të tetë vlerave.
Të mbajnë një ditar personal.
Ta lexojnë rregullisht Librin e Mormonit.
Ta shënojnë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin Jezu Krisht.
Nënat mund të zgjedhin alternativa të ndryshme nga bijat e tyre për përvojat me zgjedhje për vlerën dhe projektet për vlerën. Përvojat dhe projektet mund të nënshkruhen dhe datohen nga bija e tyre, bashkëshorti i tyre, një udhëheqëse e Të Rejave, ose një e rritur tjetër. Peshkopi verifikon që të jenë plotësuar kërkesat. Njohja dhe blerja e materialeve për njohjen duhet të bashkërendohen me udhëheqëset e Të Rejave dhe këshillin e peshkopit.
Kërkesa të Përparimit Personal për të Tjera që Dëshirojnë të Punojnë për Programin
Gra të tjera që dëshirojnë të marrin pjesë dhe ta plotësojnë Përparimin Personal mund ta bëjnë këtë duke plotësuar të njëjtat kërkesa si të rejat dhe duke ndihmuar një të re për një pjesë të Përparimit Personal të saj. (Shih kërkesat për nënat në faqen 92.)
Përfshirja e Përparimit Personal në Mësimet e së Dielës dhe Aktivitetet e Përbashkëta
Puna së bashku në një përvojë të Përparimit Personal si pjesë e një mësimi të diele mund t’u japë udhëheqëseve dhe të rejave një mundësi për të diskutuar parimet që mësohen dhe zbatimin e tyre në jetën e të rejave. Referenca për Përparimin Personal mund të gjenden në materialet e programit mësimor për Të Rejat.
Aktivitetet e Përparimit Personal mund të jenë gjithashtu pjesë e Aktiviteteve të Përbashkëta. Për shembull, gjithë të rejat mund të ndihmojnë për një projekt për vlerën të një të reje. Puna së bashku për një projekt mund të ndihmojë për të motivuar të rejat që të vazhdojnë përparimin. Aktivitete të tilla në grup duhet të planifikohen me lutje dhe përzgjedhje për të siguruar që programi i Përparimit Personal të mbetet personal për secilën të re.
Përshtatja për Nevojat Vetjake dhe Vendore
Përvojat për vlerat dhe projektet për vlerat mund të përshtaten sipas rrethanave, interesave dhe nevojave personale ose vendore me miratim paraprak të prindërve dhe udhëheqëseve. Kur bëjnë ndonjë ndryshim ose përjashtim për një person, udhëheqëset duhet të mbajnë parasysh pasojat që mund të kenë ato ndryshime tek të reja të tjera. Pas marrjes në konsideratë me kujdes nga prindërit dhe udhëheqëset, mund të bëhen përshtatje për të plotësuar nevoja të të rejave me paaftësi ose kufizime arsimore, për të plotësuar nevoja kulturore apo vetjake, ose për të lejuar të marrin pjesë të reja që nuk janë anëtare.
Nëse një e re bashkohet me Kishën ose bëhet aktive tek Të Rejat pas moshës 16 vjeçe, kërkesat e saj për të plotësuar programin e Përparimit Personal janë:
Të marrë pjesë rregullisht në mbledhjen e sakramentit (ku është e mundur).
Të jetojë standardet e broshurës Për Forcën e Rinisë.
Të plotësojë përvojat e kërkuara për vlerën për secilën prej të tetë vlerave. (Ajo nuk ka nevojë të plotësojë përvojat me zgjedhje.)
Të plotësojë një projekt për vlerën për secilën prej të tetë vlerave.
Të marrë pjesë në seminar (ku është e mundur).
Ta lexojë rregullisht Librin e Mormonit.
Ta shënojë dëshminë e saj për Shpëtimtarin Jezu Krisht.
Këto kërkesa mund të zbatohen gjithashtu për të reja në rrethana të tjera, siç përcaktohet nga udhëheqëset vendore të Të Rejave.